Abdyl Bakiu: Biznesi i vogël përballë luftës kundër informalitetit

824
Dhoma Amerikane e Tregtise u shpreh para disa ditesh me opsione reale kundër ndryshimeve në ligjin e procedurave tatimore të miratuar së fundi nga Kuvendi me një shumicë të shtrënguar. Për vetë rëndësinë që ka ky ligj, duhej miratuar me një shumicë të cilësuar e jo me shumicë të thjeshtë. Ligjet nga parlamenti nuk duhet të dalin siç dalin simitet nga furra. Kemi inflacion ligjesh dhe ndryshime të shpeshta të tyre duke cenuar kështu sigurinë juridike në veprimtarinë social – ekonomike. Ajo që është e ligjshme sot, nesër del e pavlerë, se shtrëngimi që bën ligji i ri s’do e linte një pjesë të popullatës të investoheshin për biznese perspektive. Gjithçka e shprehur nga kjo dhomë tregëtie është diskutuar dhe nga vetë biznesi në mënyrë jo të organizuar e institucionale që nga 1 shtatori. Diskutimet do të jenë edhe më të shumta kur të kemi zbatim të penaliteteve të neneve të veçantë të këtij ligji të ndryshuar. Ky ligj duhet riparë se ka temperim të fortë dhe materialet super të temperuara thyhen kollaj duke sjellë pasoja jo të vogla. Lufta kundër informalitetit ka patur një të mirë të padiskutueshme. Është rritur baza e taksueshme, pra pajisja me licensë, lejen e ushtrimit të profesionit, për të gjithë duke goditur konkurencën e pandershme dhe korrupsionin në organet tatimore. Nëse licensimi shtrihet në të gjithë territorin e në çdo cep të Shqipërisë do të kemi më shumë prurje të ardhurash në buxhetin e shtetit. Por nëse theksojmë këtë të mirë kemi probleme të tjera që duhen kristalizuar. 
Biznesi familjar
Sipas mendimit tim biznesi për qeverinë është si ajo lopa që i merret vetëm qumështi. Dhe sasia e qumështit po bie. Nuk është e lehtë të mbash në këmbë një biznes të vogël. Unë kam ndjekur dhe njoh prej 24 vitesh veprimtarinë e këtij biznesi, me të cilin rron një pjesë e mirë e popullatës në qytetet dhe në fshat. Ato janë proletarët e vërtetë të biznesit në përgjithësi dhe për të mbijetuar (supermarketet e mëdha i kanë dëmtuar rëndë duke i kthyer në dyqane emergjencë) u afrojnë banorëve për rreth tyre mundin dhe djersën e vet nga mëngjesi herët deri në darkë vonë. Është pjesa më e butë e popullatës, më kokëulura, që nuk i ka shtrirë asnjëherë dorën qeverisë, nuk i ka kërkuar asgjë por është mbajtur vetëm me punën e saj. Dhe prapa çdo biznesi të tillë egziston një familje, fëmijë për të rritur dhe pleq për të mbajtur. Konkretisht ky biznes përplaset me vështirësi të shumta dhe është së pari përballë këtyre problemeve: Pagesat e shumta: taksat e bashkisë (taksa e ndërtesës 300-400 lekë për metër katror, taksë tabele, taksë pastrimi), taksë për lejen higjeno-sanitare dhe librezën shëndetësore për çdo punonjës, sigurimet shoqërore e shëndetësore të detyrueshme për çdo muaj, 6700 lekë për çdo person të vetëpunësuar apo të punësuar, qeranë për atë që ka marrë objektin me qera, pagesën për sasinë e energjisë së harxhuar. 

Asnjëherë nuk kuptohet pse duhet të jetë më madhe vlera për biznes 16.8 lekë për çdo kilovat të harxhuar se sa vlera për kilovat e familjarëve prej 11.7 leke, kur kostoja e prodhimit dhe shpërndarjes së korentit është e njëllojtë për të dyja palët? Pse u dashka rënduar biznesi? Apo nga mendimi se ai fiton para? Në këtë rast biznesi rëndohet artificialisht dhe fitimin prej 4.9 lekësh e merr shteti. Shtoji këtyre shpenzimet e padukshme dhe të fshehta siç janë: firot ligjore, absolutisht te pashmangshme, siç janë thyerjet e skandencat e mallit (mall i cili asgjësohet nga vetë tregëtarët e vegjël), rregullimi i pajisjeve dhe frigoriferave, sasia e karburantit të harxhuar për mjetet motorike, shpenzimet për ti mbajtur ato në gjendje teknike për punë, lyerjet e rregullimet e rafteve, rinovimet e ndryshme. Pra për të mbajtur gjallë biznesin pagesat reale janë të mëdha. Kjo është arsyeja që ky lloj biznesi punon 16 orë në ditë se ndryshe nuk ia del të mbijetojë. Shtoji kësaj edhe atë që ligji për sigurimet shoqërore nuk i mbron aspak te vetëpunësuarit. Atyre në asnjë rast nuk u njihet raporti, 3, 6 apo 9 ditor. Duhet të shtrohet patjetër dy javë në spital që të paguhet raporti mjekësor. Pa folur për pagesën 15 apo 20 ditore të lejes vjetore që s’përmendet asnjëherë e jo më të jepet, siç e kanë punëmarrësit. Ky biznes nuk duhet goditur më shumë se edhe normat e fitimit nuk shkojnë në total më shumë se 10 %. Psh në disa artikuj ato janë shumë të ulëta e konkretisht të gjitha llojet e paqetave të cigareve. 
Çmimet monopol të kompanive
Për shkak të çmimeve monopol të kompanive të shpërndarjes (të cilët të kushtëzojnë çmimin e blerjes dhe të shitjes) nuk fitohet më shumë se 5-7 % si psh Malboro jepet 279 lekë nga firma dhe 285 lekë nga pikat e licensuara dhe shitet 300 lekë. (Në një faturë blerje paketash prej 7900 lekësh fitohet 590 lekë, supereë konfirmuar kjo, kur në botë ky fitim luhatet midis 1100 – 1500 lekëve) Ky 20 lekësh e më shumë 15 lekësh fitim është bruto se me të do të paguhen të gjitha llojet e shpenzimeve që thamë më lart dhe i mbetet apo nuk i mbetet 30 lekë për paqetë. Kështu edhe në mallrat e tjera. Dhe ky fitim neto është për të ushqyer familjen, për të blerë veshmbathje, për të blerë artikujt shkollorë, për të paguar shkollën e lartë, për të paguar korentin familjar, rinovimet e pajisjeve të shtëpisë pa përmendur këtu dasmat e vdekjet familjare e të tjera shpenzime që çdo njeri i di se e jeton jetën përditë. Pikërisht këtë shumë duan të godasin tatimorët, të cilët në vend që të kenë frymën e bashkëpunimit dhe të konsulencës dhe të studiojnë rastet sipas specifikave konkrete e të veçanta kamzhikojnë thesin bosh që të nxjerrin edhe atë pak pluhur që ka mbetur. Pak veta i dinë këto probleme, vetëm tregtarët e vegjël dhe një pjesë e tatimorëve. 

Një nga qëllimet e pathëna dhe të padeklaruara nga organet tatimore për problemin e shtypjes së kasës dhe dhënies së kuponit tatimor është që shuma e përditshme e shënuar në mbyllje të ditës të kapë vlera maksimale. Por ç’ndodh: Me çmimet që ngrihen përditë shuma prj 2 milion lekësh në vit kapet shpejt dhe synimi është të kalojnë në biznes me tvsh. Për të shmangur evazionin fiskal në dyqane të vogla është e domosdoshme që kjo shumë të kalojë kufirin prej 2 milione lekësh dhe të fiksohet në shumën 3 milione lekë. Ky veprim do ta çlirojë biznesin e vogël dhe ai do të punojë më i qetë pa u përpjekur të bëjë asnjë shkelje. Dhe ndërkohë egziston një mendim në komunitetin e biznesit të vogël që është në opozitë me politikën qeveritare “100 mijë pleshta a mund të kenë aq dhjamë sa ç’nxjerr një balenë”. Është fjala që qeveria të shohë dhe rrugë të tjera për të shëndoshur ekonominë kombëtare. 
Penalizimi i familjarëve
Një tjetër problem i madh në këtë lloj biznesi është penalizimi që i bëjnë organet tatimore personave familjare që ndihmojnë kryetarin apo kryetaren e familjes në punën e përditeshme. Njerëz janë dhe ata dhe kanë nga nevojat më të thjeshta psh për të shkuar në tualet, por edhe në ambulancë, vdekje, lindje, halle familiare apo edhe në eventë të tilla siç janë ditelindjet e dasmat. Por i duhet edhe të shkojnë në zyrat e organeve tatimore apo të bëjnë pagesa të ndryshme në bankë për hir të biznesit. Për të mos cenuar aktivitetin ata thërrasin në ndihmë për 2-3 ore një nga familjarët i cili është gjimnanizst apo student, apo vjehrrin e vjehrrën që kanë dalë në pension. A duhet goditur vallë kjo dukuri e vazhdimësisë pozitive në marrëdhënjet familjare? Pra nuk janë subjekt për sigurimet shoqërore e shëndetësore se gjimnanzistët dhe studentët i mbulon shteti ndërsa pensionistët e kanë mbyllyr të tyren. Por ata thjesht 1-2 orë rrijnë ose me minuta. Kështu është punuar gjithmonë më këtë lloj biznesi. Por ç’ndodh: tatimorët janë gati të të penalizojnë me gjoba 50 deri 100 mijë lekë nëqoftëse nuk gjendet vetë personi i licensuar ose i punësuri i siguruar. Kur i pyet “Si duhet vepruar kur më duhet të largohem 1 orë nga dyqani” të përgjigjen “Mbylle dyqanin”. 

Atëhere kjo duhet përcaktur qartë: Anëtarët e familjes së personit të licensuar nuk duhet të penalizohen ndërsa për punonjësin e punësuar që nuk është anëtar i familjes duhet penalizuar (gjobitur) personi i licensuar. Biznesi familjar lakohet në çdo rase dhe në çdo instancë shtetrore duke përfshirë dhe foltoren e parlamentit por nuk ka asnjë legjislacion, asnjë nen apo disa nene që të japë perkufizimin e tij dhe ta mbrojë atë. Fëmija dhe riu mësohet me edukatën e punës, rrit solidaritetin familjar dhe jo të largohet se e dënon ligji nënën apo babanë e tij. Ku të shkojnë të rinjtë e kësaj natyre, në pube, kafe e lundrim në facebook e prindërit të punojnë papushim? Shumë pronarë i kanë mbyllur njësitë e tyre dhe i kanë vënë për qera.

 Po kush të afrohet në këto kushte për ti marrë me qera, ku për të mbajtur biznesin duhen shpenzime pa fund. Psh diskutohet nga pronarët VKM Nr. 469 datë 3.6.2015 “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të dnërtesave për qëllime tatimore” për çdo zonë banimi për banesat dhe lokalet e magazinat me qira. Ata konstatojnë se ajo (VKM që synon minimizimin apo shuarjen e evazionit fiskal) eliminon dhe shuan diferencimet egzistente dhe reale brenda një zone. E për t’u kuptuar më thjesht japim një shembull real: Një lokal buzë rrugës ku ka dendësi qarkullimi dhe këmbësorësh, jepet me qira me çmimin e udhëzuar, pra çmim reference, 40000 lekë. Taksimi i kesaj vlere me 15 % shtë 6000 lekë. Brenda kësaj zone, 50 ose 100 m. larg, pas pallateve apo ne thellësi të rrugicës ndodhet e njëjta sipërfaqe. Sado që mundohet pronari të gjejë njerëz që ta marrin me këtë vlerë qiraje nuk mundet. Koha kalon dhe ai detyrohet të ulë çmimin (parimi themelor i tregut është përputhja e kërkesë – ofertës). Atëhere kjo magazinë apo lokal jepet 1500-20000 lekë. Taksmimi është përsëri 6000 lekë (15%) pavarësisht se është dhënë 15000 lekë. 

Një nga dukuritë negative që ka filluar qysh në vitin 1992 e deri më sot është lejimi dhe hapja e licensës nga organet tatimore për çdo kërkesë të shfaqur. Kërkohet tregti ushqimore e miratojnë në vend, kërkohet floktore nuk nxjerrin asnjë pengesë. Por ekziston një lloj koeficienti për njësi sipërfaqeje e popullsie për njësi e natyre shitjeje apo shërbimi. Dhe tashmë kemi ushqimore e floktore ngjitur e ngjitur duke rritur konkurencën sa luhet për 5 lekë për artikull se klienti të kërcënon sepse ai tjetri 10 metra larg e ka më lirë. Kjo duhet parë me lupë ekonomike se deri tani është pranuar politika e vetëpunësimit dhe e vjeljes së taksave nga cilitdo që shfaqet. Vendimi i fundit për të krijuar kontigjentin e “spiunëve” të biznesit të pajisur me vëzhgues të padukshëm elektronikë ka krijuar një klimë të ftohtë psikologjike midis biznesit dhe politikave të qeverisë në këtë fushë. Do ia lëmë kohës për të parë efektivitetin e kësaj forme pune. 
Sindikata e biznesit të vogël
Një ndihmë e madhe për këtë biznes do të ishte krijimi i sindikatës së biznesit të vogël e cila do amortizonte marrëdhëniet e këtij biznesi me Tatimorët, do të luftonte për unifikim çmimesh dhe do të luftonte padrejtësitë e personave të veçantë të ngarkuar me kompetenca shtetërore. Ajo do të zgjidhte dhe probleme të tjera. Gjithashtu për të shkurtuar format dhe shpërndarjen e pagesave të taksave e tatimeve duhet të krijohen hallka të tilla që taksat dhe çdo lloj pagese të paguhen të grupuara e të mbledhura së bashku ndërsa organet tatimore të ndara në zona qartësisht të përcaktuara të dinë të specifikojne pagesat për çdo biznes në veçanti e të njohin në detaje rast pas rasti të gjitha veçantitë e tij.
Sigal