Kujtim Gjonaj: Figura e Margarita Xhepës më ka impresionuar me thjeshtësinë e saj

564
Sigal

INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj: Filmi për Xhepën më i vështiri, por shumë sinjifikativ

Një film për aktoren e madhe Margarita Xhepa, i cili po realizohet nga Kujtim Gjonaj, Kristaq Janushi (operator) dhe  skenariste Angjelina Xhara, ka ngjallur ngatë informuarit mjaft kureshtje. Një film për një artiste të madhe, për një aktore që ka në skenë mbi 60 vjet, që për spektatorin shqiptar ka mbetur e papërsëritshme.

 -Si lindi dëshira dhe ideja për të realizuar një film për Margarita Xhepën?

 Realizimi i filmave pothuajse është hobi im dhe kënaqësia ime artistike dhe kështu më lindi ideja për të bërë një film për aktoren e shquar të vendit tonë, nderin e  kombit Margarita Xhepa që është një gur i fuqishëm margaritari në gjerdanin e madh të margaritarëve që ka kultura shqiptare. Ideja për të bërë një film për Margarita Xhepën mund t’i lindte kujtdo regjisori sepse të gjithë regjisorët, të  gjithë gazetarët dhe të gjithë shkrimtarët janë ushqyer me dashurinë dhe me  emocionin e madh dhe me interpretimin virtuoz që prezanton në skenë Margarita Xhepa. Të gjithë e mbajnë mend Margaritën në rolin Ofelis tek  Hamleti”, “Intrigë dhe dashuri”, drama e Ezopit, “Dhelpra dhe rrushtë”. Këto role  në teatër dhe rolet e shumta që ka Margarita në kinematografi janë një bazë e fuqishme emocionale që ka ndikuar jo vetëm tek unë si krijues, por edhe  tek të gjithë shkrimtarët dhe gazetarët e  brezit tim. Këtë ide së bashku me skenaristen Angjelina Xhara që ka shkruar një libër dhe plot skenar për Margaritën dhe vendosëm që ta materizojmë një film dokumentar.

-Ku është e veçanta në këtë film dokumentar?

E veçanta është se unë gjithmonë e kam cilësuar dhe e kam vlerësuar punën e regjisorit, punën e kineastit jo si punë, por si një moment, si dashuri të madhe për këtë profesion. Filmi nuk bëhet pa dashuri, emocion dhe pa të rrahura të fuqishme të zemrës. Edhe filmi për Margaritën, ku ne jemi në proces krijues tani është rezultat i kësaj dashurie dhe i këtij emocioni të madh që të krijon vepra filmike. Tek Angjelina, si skenarist dhe si regjisor, te unë dhe tek kameramani  Janushi së bashku me ca miq të tjerë që me dashurinë e madhe të tyre po na ndihmojnë për filmin, figura e Margaritës të jep impuls, dëshirë pune, mesazh jetësor. Ndaj për këtë figurë të madhe siç është Margarita na kanë ndihmuar shumë emigrantë në Greqi sidomos, kur ne xhiruam në Akropol për shumë arsye që lidhen me jetën artistike të saj Filmi nuk bëhet pa dashuri.

-Ç’hyn Akropoli në realizimin e këtij  filmi, a mund ta thyejë kureshtjen lexuesi?

Në bagazhin e madh krijues të Margarita Xhepës që ka  rreth 150-200 role në teatër dhe  mbi 35 role në  film bëjnë pjesë edhe katër pjesë të mëdha të skenës dhe të ekranit  që lidhen me Greqinë siç është filmi “Mirupafshim” që është realizuar në Greqi, tragjedia e famshme “Korrigjo veten”, “Trojanët”, ku Margarita luan rolin e Ekubës (dhe që ishte një rol tepër madhështor) ose pjesa e vënë nga regjisori grek Sotiris Akzaqis  “Kush e thirri Doruntinën” për Legjendën e Kostandinit që u vendos në 5 gjuhë ballkanike, ku Margarita luan rolin e Dorentinës që u interpretua në skenat greke. Pra janë 4 role të mëdha që luhen në Greqinë e Lashtë, ku është baza e lashtësisë botërore, ku edhe shqiptarët kanë pjesën e tyre. Ishte dëshira ime si regjisor, duke u konsultuar edhe me bashkëpunëtorët e mi me Kristaqin dhe me miq të tjerë që ne të xhironim në Akropol në atë vend që është ëndërr e çdo kineasti. Ne xhiruam tek shkallët, ku fillon Akropoli. E kemi vënë Margaritën të interpretojë tek shkallët e amfiteatrit. Kjo është një vlerë për filmin  tonë, e cila u realizua me këmbënguljen dhe dëshirën e regjisorit, kameramanit Kristaq Janushit dhe shumë miqve të tjerë. Na ndihmuan të gjithë në një episod tepër emocional.

-Cilat janë  pikat e tjera kulmore që keni kapur për figurën e Margaritës?

Margarita është një burim i pashtershëm  energjish artistike. Megjithëse, ajo është në prag të 80-vjetorit, ajo ka një dashuri të jashtëzakonshme për të qenë  prezente në jetën aktive kulturore të këtij vendi dhe të këtij populli. Kjo shpreh atë dashuri të madhe që ajo ka brenda vetes përveç pasionit artistik, talentit dhe  forcës magjepsëse që ka ajo si artiste, por edhe dashurinë e madhe që ka ajo për popullin e saj. Ajo e do popullin e vet dhe e dashuron popullin e saj. Këtë dashuri që ka ajo për vendin e saj unë mendoj se, është një anë e veçantë e Margaritës, e cila ka dalë në film deri tani dhe e veçanta tjetër është se ajo meriton të gjithë epitetet e mundshme që mund t’i japësh një artisti. Kudo që ajo ka shkuar atë e rrethojnë po me të njëjtën  dashuri dhe më  të njëjtën  respekt .

Gjatë xhirimeve kemi takuar njerëz që përloten kur takojnë Margaritën. Ne bashkë  me kameramanin i kemi fiksuar dhe filmuar shumë njerëz që e përqafojnë, i puthin dorën e urojnë, që i tregojnë episode jete me mall dhe ndjenjë. Shumë prej tyre kanë dëshirë të bëjnë një fotografi me të dhe njerëz që kanë dëshirë që t’u krijojë një rast të veçantë takimi.  Kemi takuar njerëz që shprehin dashurinë e tyre në forma të ndryshme të dashurisë humane njerëzore për atë figurë të madhe të popullit.

Po titulli i filmit si do të jetë?

 Një ditë po mendonim për titullin e filmit dhe ishin shumë ide si: Margarita e ndritshmja, Margarita hyjnorja, e shquara, në “Sytë e  Margaritës”… etj.. Ajo mendoi shumë thjeshtë t’ia vendosim “Margarita”.

Ajo në çdo moment reflekton  modestinë, thjeshtësinë dhe kjo është ana më e veçantë e Margaritës thjeshtësia dhe modestia dhe humanizmi i saj. Ajo sa e madhe është aq edhe tokësore është. Të gjitha rolet e saj të mëdha ajo i ka mësuar, ideuar, realizuar duke larë pjata në lavamanin e shtëpisë pasi ajo aty e mësonte pjesën duke larë enët. Pra gjithë ditën me intensitet dhe në darkë ishte në skenë dhe shkëlqente.

-Po pjesa më e vështirë kush është në këtë film?

E vështira është se Margarita është  shumë e madhe dhe ne nuk e dimë se a do t’i përgjigjemi ne kësaj madhështie të Margaritës.

Unë kam fatin e madh se në këtë film Margaritën e kam të gjallë. Në filmat e tjerë për historitë shqiptare si “Ali Pashë Tepelenën”, “Jeronim De Radën”, “Naim Frashërin”, “Sulejman Pitarka”, “Faik Konica”, “Nënë Tereza”, unë nuk arrita dot që t’i xhiroj me gjallje. Ishin figura që ne nuk i kishim prezent kur realizonim filma për ta, ndërsa  Margaritën e kemi prezente dhe ky është një avantazh, por edhe një vështirësi e madhe  sepse është gjykatësja e asaj që po bëhet për të. Kjo është vështirësia në këtë film.

Çfarë përbën për ju filmi që po realizoni për Margaritën?

 Një film më shumë, por një përgjegjësi e madhe. Ka vite që i kam kaluar të 100 filmat dokumentarë dhe vërej se sa më shumë ecën koha, përgjegjësia rritet, kujdesi për punën merr vlera të tjera, raportet me bashkëpunëtorët sjellin të tjera formate. Por gjithsesi i mbërthyer me magjinë e filmit, më duket sikur jam rritur bashkë me dokumentarët, sikur i kemi dhënë jetë njeri tjetrit, sikur kemi plotësuar njëri-tjetrin. Disa herë më duket sikur kam punuar shumë, disa herë sikur kam punuar pak, por më kryesorja është se, gjurmët e filmit janë të dukshme, figurat e ekranizuara kanë marrë përmasat e duhura dhe ndihem i plotësuar dhe i qetë shpirtërisht që kam mundur të përcjell mesazhe dhe portrete njerëzore të veçanta që janë pjesë e ndërgjegjes dhe e historisë kombëtare.