Ilinden Spasse: Mësim-Punë-Kalitje ushtarake, trekëndëshi revolucionar që favorizoi nxënësin

1860
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari Ilinden Spasse: Sot nuk ka nuk ka edukim real, të mirëfilltë shkollor

Problemet e arsimit sot janë kudo evidente. Për shkollat private disa kanë mendimin se nxisin konkurrencën dhe nivelin e mësimdhënies, disa intelektualë të kësaj fushe pozicionohen se edukimi duhet të jetë shtetëror dhe se arsimi privat, ka si qëllim fitimin dhe jo edukimin. Fakti që sot në Shqipëri, ka shumë probleme sociale, ekonomike,  në marrëdhëniet e njerëzve me njëri- tjetrin, qoftë në mënyrën e komunikimit, qoftë dhe nëse ke një hall dhe nuk ke ku troket,  të gjitha këto vijnë si rezultat i një edukimi të dobët.

 Sot janë hapur shumë universitete janë në interes të cilësisë apo të uljes së cilësisë së mësimdhënies, pasi ka komente nga më të ndryshmet. Ju si ish- Kryeredaktor i “Revista Pedagogjike”, çfarë mendimi keni?

 Kjo varet nga qëllimi që një universitet i ka vënë vetes, çfarë objektivi kanë, pra kanë objektiv vetëm për të fituar, apo kanë objektiv vetëm për të nxjerrë  kuadro çfarëdo. Fakti që sot në Shqipëri, ka shumë probleme sociale, ekonomike,  në marrëdhëniet e njerëzve me njëri -tjetrin, qoftë në mënyrën e komunikimit, qoftë dhe nëse ke një hall dhe nuk ke ku troket,  të gjitha këto vijnë si rezultat i një edukimi të dobët. Pra nuk ka edukim real, të mirëfilltë. Përpos këtyre problemeve sot ka dalë në pah dhe problemi i mitmarrjes. Një problem inekzistent, një problem që për shumë vende perëndimore krijoi një precedent për shoqërinë tonë.

 Meqë e cekët paksa vetë këtë temë, a ka pasur një problem të tillë, pra a ka qenë ekzistent në sistemin komunist ?

Deri në vitin 1967  shkolla shqiptare ka qenë e niveleve europiane. Në atë periudhë as që mund të mendohej mitmarrja. As njihej si fenomen. Ishte një fenomen ëndërr. Nuk mund të mendohej mësuesi që të merrte lekë nga nxënësi apo prindi. Deri në vitin 1967 shkolla ishte si perëndia, vend i shenjtë dhe shumë i respektueshëm. Në këtë kohë u hodh teza e revolucionarizimit të shkollës, ku baza, nxënësit duhet të jenë primarë, ndërsa mësuesit duhet të jenë sekondarë. U hodh ideja e trekëndëshit revolucionar, Mësim-Punë-Kalitje Ushtarake Revolucionare. Kjo ishte  në kuadrin e revolucionarizimit të shkollës dhe ishte direktivë direkt e Enver Hoxhës.  Pra, kjo direktivë nuk solli revolucionarizim, por deformim të shkollës. Me këtë parullë doli politika në plan të parë, ndërsa arsimi doli në plan të tillë, në këtë rast mësuesi, nuk kishte më përparësi. N.q.s atëherë do të merrej  vesh se një mësues do të merrte qoftë dhe një kafe nga nxënësi, dënimi ishte kapital, i pamendueshëm. Mbaj mend që  një inxhinier, bëri një ndërhyrje në sahatin elektrik për të paguar më pak dhe u dënua sikur të ishte gardhëtari më i madh, lëre pastaj sikur të mendohej sikur të merrte nga nxënësi. Këtë rast e mori vesh e gjithë Shqipëria, pra u bë shembull.

  Një nga problemet e sotme ngelen tekstet mësimore. Si ishin tekstet mësimore të asaj kohe?

 N.q.s do t’i heqim atë pjesën politiko-ideologjike,  mund të them se tekstet e asaj kohe ishin shumë profesionale, shumë shkencore, me mjaft nivel. Tekstet përgatiteshin nga një staf mjaft profesional, mjaft i përgatitur dhe me mjaft përvojë. Atëherë çdo tekst si nga niveli profesional, redaktimi, korrektimi kalonte në vrimë të gjilpërës, nuk kishte tekste të lënë në mëshirë të fatit. Rregulli ishte rregull, disiplina disiplinë. Ku mund të bëje atëherë një gabim ortografik në abetare, apo në tekste shkollore. Do bëhej nami.

  Po respekti i nxënësit si ka qenë për mësuesit?

 Ky respekt varej nga mësuesi. Por mendoj se në çdo regjim apo në çdo kohë respekti që kanë nxënësit për mësuesit varet nga vetë mësuesit apo pedagogët. Kjo varet nga niveli i mësuesit, varet nga mënyra e sjelljes së tij, varet se si vete ai në mësim i përgatitur apo jo. Varet se sa është ai i predispozuar për t’i dhënë nxënësit maksimumin. Varet se sa është ai në korrent të të rejave shkencore. Pra këto janë disa nga shumë arsyet se përse nxënësi apo studenti e respekton mësuesin apo jo. N.q.s mësuesi vjen i pirë, jo korrekt, fyen, s’vjen në orar, s’vjen i pastër, atëherë dhe respekti për ‘të do të bjerë.

 Një problem tjetër janëdhe tekstet mësimore. Ato ndërrohen shpesh, por nga ana tjetër kanë gabime dhe nuk janë të unifikuara. Cili është mendimi juaj?

 Për tekstet shkollore, unë kam tjetër  mendim. Unë kam mendimin se duhet të ketë një tekst bazë. Kurrsesi për mendimin tim nuk duhet të ketë tekste të ndryshme në shkolla të ndryshme. Tekstet duhet të jenë unike. Për shembull, mund të përmendim abetaret. Në vitet 1997 dolën shumë abetare dhe nuk mund të njësohej asnjëra, por të gjitha kishin gabime ortografike të tmerrshme. Nuk ishte punuar me përgjegjësi. Më vonë u morën masa, u krijua një anomali e madhe mes nxënësve. Për mendimin tim tekstet duhet të jenë të unifikuara, të zgjidhen nga një staf profesional, të zgjidhen nga një staf potencial dhe kurrsesi nuk duhet të ketë tekste alternative. Shtete të ndryshme kanë tekste alternative, por bëhet fjalë për vende me sistem arsimor të konsoliduar, kur tekstet e tik-tak janë të përafërta dhe jo me shumicë. Për vendin tonë nuk ekzistojnë këto kishte dhe nuk mund të flitet për zhvillime të tilla. Po kjo varet dhe nga mësuesit.

 Ç’do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që dhe vete mësuesit nuk janë kaq të evoluar për zhvillime të tilla. Nuk kanë atë përgatitje dhe atë nivel shkencor për të ndjekur të gjitha zhvillimet në arsim.

 Po vetë nxënësit shikohen me një indiferentizëm ndaj mësuesit, nuk shikohet si një intelektual i mirëfilltë, por si një person që ka një detyrë që merr rrogën, pa atë respekt?

Po, është e drejtë. E thashë dhe më lart që thyerja, filloi që në vitin 1967. Pra për çdo ditë bie respekti për mësuesin. Pra nxënësi nuk ka atë interes për respekt ndërgjegjësor, por deri diku për interes, të lidhur vetëm për notën dhe jo të imponuar për nivelin, përgatitjen, personalitetin e tij.

 Dikur thuhej që mësuesi përdorte dhe dhunë ndaj nxënësit a është e vërtetë dhe a mund të ishte formë edukimi dhuna?

Dhuna është përdorur para çlirimit madje, mund të them dhe shumë më parë, me aq sa kam ndjekur zhvillimet në arsimin shqiptar, mund të them se deri në vitin 1930 kishte dhunë ndaj nxënësve. Më pas ka ardhur duke u zvogëluar. Në regjimin komunist kishte pasur raste, por shumë sporadike. Nuk mund të them se dhuna është formë edukimi, por nuk mund të them se nuk është përdorur, por ka qenë e ndaluar.

 Edukimi në shumë vende është shtetëror, pra shkollimi duhet të jetë i tillë. A ndani të njëjtin mendim si shumë pedagogë në universitete?

 Për mendimin tim edukimi duhet të jetë shtetëror. Ndoshta mendimi im është i vjetruar, por kurrsesi nuk e heq këtë mendim, pas kaq shumë gjërave dhe zhvillimeve që ndodhin në arsim. Por shkolla private tek ne është hequr qysh në vitin 1933, kur ministër i Arsimit ishte Mirash Ivanaj dhe i bëri shkollat laike. Ishte hapi më i rëndësishëm që ai mori. Kështu vazhdoi deri në vitin 1990. Pas këtij viti duket se arsimi mori tatëpjetën dhe tashmë ka më shumë shkolla private se shtetërore.

 Ku ka mangësi propaganda në arsim?

Ka shumë, shumë mangësi. Sot nuk ka apo nuk del në qarkullim “Revista Pedagogjike”. Kjo revistë ishte tre mujore dhe me 200 faqe. Një revistë që e blinin të gjithë. Unë kam qenë Kryeredaktor për shumë vjet dhe e di shumë rëndësinë e saj në arsimin shtetëror. Kjo revistë është hapur qysh në vitin 1922 dhe deri në vitin 1990, ku unë isha Kryeredaktor, mund të them që ka pasur shumë  impakt tek mësuesit, stafi pedagogjik i shkollave, pro edhe tek vetë nxënësit.

 Ju njëkohësisht krahas shumë librave të tjerë jeni autor i shumë librave për fëmijë, ku dhe keni shumë botime. Çfarë problemesh ka sot letërsia për fëmijë?

Problemet më të mëdha sot nuk i kanë shkrimtarët që botojnë libra për fëmijët, por i kanë vetë fëmijët, të cilët më shumë merren me kompjuterin se sa me librin. Fëmijët më shumë kanë interes të bllokohen pas internetit se sa të marrin në duar një libër. Ky është problemi më i madh.

 Kjo do të thotë që ka botime të mira për fëmijë?

Po, ka si botime edhe shkrimtarë shumë të mirë. Por kryesorja është se atëherë shkrimtarët propagandoheshin më shumë se sot. Shkrimtarët respektoheshin më shumë se sot. Sot nuk ke Lidhje të Shkrimtarëve, nuk ka një institucion të propagandimit të librit për fëmijë.  Çdo gjë është lënë në mënyrë individuale. Mbyllja e Lidhjes së Shkrimtarëve është grushti më i rëndë që i është dhënë Lidhjes së Shkrimtarëve. Sot shkrimtarët nuk kanë, ku mblidhen, nuk kanë, ku diskutojnë, nuk kanë ku propagandojnë, çdo gjë i është lënë spontanitetit, në dorë të vet shkrimtarit, pra lidhjeve të tij.

Sot tentohet vetëm drejt librit të huaj, shkrimtarët tanë lihen në harresë, përse?

Pasi shkrimtarët tanë lihen në hije, nuk ka kush i përkthen, nuk ka politika propaganduese, nuk ka politika mbështetëse, nuk ka investime financiare për ta. Përpjekjet individuale nuk mund të arrijnë sukses. Duhet të jetë shteti mbështetës i këtyre nismave.