Tarifat e larta gjyqësore po pengojnë vendosjen e drejtësisë në Shqipëri

773
Sigal

Raporti i Këshillit të Europës kritikon rëndë organet përgjegjëse ligjzbatuese në Shqipëri

Këshilli i Europës nxori së fundmi në publikim raportin për administrimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga organet përgjegjëse ligjzbatuese në Shqipëri. Nga raporti u vu re se drejtësia shqiptare karakterizohet për mos funksionim normal të gjyqësorit dhe është e mbytur nga korrupsioni në çdo hallkë të saj. Në raport preken të gjitha pikat e dobëta të drejtësisë shqiptare dhe gjithashtu jepen këshilla e rekomandime se si mund të tejkalohen këto probleme, për të larguar drejtësinë nga ndikimi politik dhe korrupsioni. Një problem i madh, për të cilat do të flasim në këtë pjesë, janë tarifat tepër të larta gjyqësore në proceset civile si dhe aksesi për ndihmë juridike. Raporti thekson gjithashtu problemin e vazhdueshëm që ka Shqipëria me çështjen e pronave dhe trajtimin e të paraburgosurve duke e zgjatur këtë proces pa nevojë. Ky raport erdhi pas vizitës së kryer në Tiranë, nga Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, z. Nils Muiznieks, nga data 23 deri 27 shtator 2013, ku gjatë vizitës së tij Komisioneri pati bisedime me autoritetet shqiptare, përfshirë Zv/kryeministrin, z. Niko Peleshi, Ministren e Integrimit Europian, zj. Klajda Gjosha, Ministrin e Brendshëm, Z.Saimir Tahiri, Ministrin e Drejtësisë, z. Nasip Naço, Avokaten e Përgjithshme të Shtetit, zj.Ledina Mandia, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja, zv/kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Cefa, Prokurorin e Përgjithshëm, z.Adriatik Llalla dhe Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, z. Neshat Fana. Po kështu, ai pati dhe një shkëmbim pikëpamjesh me stafin akademik dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës.

Tarifat tepër të larta gjyqësore në proceset civile

-Problemi i tarifave tepër të larta të gjykatave për proceset civile është trajtuar nga Komisioneri në letrën e sipërpërmendur, drejtuar Ministrit të Drejtësisë, në vitin 2012.

-Kodi i Procedurës Civile përcakton se për hapjen e një procesi civil paditësi duhet të paguajë një tarifë gjyqësore. Ligji i vitit 2008 “Për Taksat Kombëtare” dhe të gjitha aktet nënligjore përkatëse parashikojnë që tarifa gjyqësore për shumicën e mosmarrëveshjeve civile është 3% e vlerës së pretenduar dhe që kjo pagesë duhet të kryhet paraprakisht, ndërsa për procedurat e ekzekutimit, me qëllim që të ekzekutohet vendimi i gjykatës i dhënë në favor të tij, paditësi duhet të paguajë 3% të shumës së vlerësuar nga gjykata. Nuk ka tarifa gjyqësore për mosmarrëveshjet e punës që lidhen me rikthimin e paditësit në pozicionin e mëparshëm të punës.

-Në letrën e lartpërmendur të 2012-s, Komisioneri ka shprehur shqetësimin për sistemin aktual të tarifave gjyqësore, dhe posaçërisht në lidhje me detyrimin që kjo pagesë të kryhet në mënyrë paraprake. Ai ka vënë në dukje se gjykata nuk ka mundësi të përjashtojë nga pagesa apo të ulë tarifën gjyqësore. Komisioneri shprehu shqetësimin se ky sistem mund të pengojë personat në vështirësi ekonomike që të ushtrojnë të drejtat e tyre nëpërmjet proceseve civile.

-Në shkurt 2013, Gjykata Kushtetuese u shpreh me vendim në lidhje me një kërkesë të drejtuar nga dy gjykata të rretheve gjyqësore (Tirana dhe Pogradeci) për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të vitit 2008 “Për Taksat kombëtare” dhe të akteve nënligjore përkatëse. Gjykatat e këtyre rretheve i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të shpallte papajtueshmërinë e ligjit me kushtetutën, për shkak të detyrimit të parashikuar për parapagimin e tarifës gjyqësore dhe për shkak të mosparashikimit të përjashtimeve apo të uljes së tarifave për personat që gjenden në vështirësi ekonomike. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ligji është në përputhje me kushtetutën dhe nuk cenon të drejtën e individit për akses në gjykatë. Kjo gjykatë u shpreh, mes të tjerave, (inter alia), se ka disa dispozita në Kodin e Procedurës Civile, të cilat i japin gjyqtarit mundësinë të vlerësojë nëse një palë paditëse mund të përjashtohet nga pagesa e tarifës gjyqësore, në rastet e pamundësisë financiare për ta paguar atë.

-Komisioneri vëren shqetësimet e Avokatit të Popullit se vendimi i lartpërmendur i Gjykatës Kushtetuese nuk përcakton në mënyrë të qartë se cila është baza ligjore për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore, duke pasur parasysh se ka një detyrim të qartë ligjor për parapagimin e tarifës gjyqësore dhe se përjashtimet nga pagesa janë vetëm në raste të veçanta. Ky shqetësim është shprehur edhe në Mendimin e Pakicës së Gjykatës Kushtetuese, ku gjyqtari Berberi, mes të tjerave (inter alia), vlerëson se sistemi aktual krijon hapësirë për arbitraritet në aplikimin e tarifave gjyqësore. Veç kësaj, në raportin e OSBE-së, të cituar më lart, vihet në dukje se “gjykatat nuk kanë mundësi të ulin tarifën gjyqësore në rrethana të veçanta, përveç se në rastet kur personat i përkasin një kategorie të caktuar që përjashtohet nga taksat”. Komisioneri shpreh keqardhjen e tij për mungesën e qartësisë në lidhje me këtë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut dhe është i mendimit se gjykatave të rretheve dhe atyre të apelit duhet t’u jepen udhëzime të qarta, të cilat do të bënin të mundur zbatimin prej tyre të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këto udhëzime mund të përgatiteshin nga Gjykata e Lartë në konsultim të ngushtë me Gjykatën Kushtetuese.

-Në takimin me Komisionerin, Ministri i Drejtësisë theksoi se çështja e tarifave tepër të larta gjyqësore është në krye të agjendës së tij dhe se do të ndërmerren hapa për ta trajtuar atë në mënyrë të efektshme, duke përfshirë edhe uljen e tarifave gjyqësore. Komisioneri mirëpret vendosmërinë e Ministrit për të trajtuar me efikasitet këtë çështje shumë serioze dhe do të vlerësonte informacionet e përditësuara mbi masat e marra apo të parashikuara në lidhje me të.

-Disa probleme madhore që lidhen me aksesin në ndihmë juridike

Komisioneri risjell në vëmendje Rezolutën (78)8 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi ndihmën dhe këshillimin juridik, e cila përcakton se duhet të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm “me qëllim që të eliminohen të gjitha pengesat ekonomike për proceset ligjore dhe se ekzistenca e sistemeve të përshtatshme të ndihmës juridike do të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi, veçanërisht për ata persona që janë në kushte jo të mira ekonomike”. Në letrën e 2012 drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me aksesin në drejtësi, ku përfshihet edhe ndihma juridike falas, Komisioneri ka shprehur shqetësimin e tij mbi disa mangësi të legjislacionit për ndihmën juridike falas dhe zbatimin e tij. Ai vinte në dukje se mungesa e ndërgjegjësimit të publikut për mundësinë e përdorimit të ndihmës juridike falas dukej të ishte njëra nga arsyet për numrin e ulët të aplikimeve për ndihmë juridike falas. Ai theksonte, gjithashtu, se procedura e aplikimit për ndihmë juridike nga ata që nuk janë përfitues të ndihmës sociale është e mundimshme, pasi këtyre personave u duhet të paraqesin një sërë dokumentesh në mbështetje të aplikimit të tyre. Po kështu, vihet në dukje se ka raportime se, për shkak të kritereve kufizuese të përzgjedhjes, ishin caktuar vetëm një numër i kufizuar avokatësh. Gjatë vizitës Komisioneri u informua se problemet e ngritura në letrën e sipërpërmendur qëndrojnë ende. Komisionerit iu tha se është praktikisht e pamundur që njerëzit jashtë Tiranës të marrin informacion mbi ndihmën juridike, për shkak se fletëpalosjet informuese për ndihmën juridike gjenden vetëm në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Komisioni Shtetëror duhet të krijojë një sistem që do t’u mundësonte individëve në nevojë të kërkojnë dhe t’u sigurohet ndihmë juridike nëpërmjet shoqatave apo dhomave rajonale të avokatisë. Raportohet se e vetmja mundësi që kanë individët aktualisht për të aplikuar për ndihmë juridike, është duke u paraqitur në zyrën e Komisionit Shtetëror, e cila ndodhet pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë.

-Çështjet që lidhen me mosekzekutimin e vendimeve të brendshme dhe konfiskimin e pronës gjatë regjimit komunist

Komisioneri sjell në vëmendje se mosekzekutimi nga autoritetet kombëtare i vendimeve të gjykatave përbën shkelje të së drejtës për proces të rregullt, të mishëruar në Nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Komisioneri vëren me shqetësim praninë e një problemi strukturor që ekziston prej kohësh në sistemin e drejtësisë shqiptare, që ka të bëjë me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë të marra nga gjykatat e brendshme si dhe të vendimeve administrative që lidhen me kompensimin dhe rikthimin e pasurive të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Ky problem është identifikuar në disa vendime të Gjykatës, njëri prej të cilëve lidhet me çështjen Beshiri, në të cilën Gjykata gjeti shkelje të Nenit 1, Protokollit 1 të KEDNJ-së, për shkak të moszbatimit, nga ana e autoriteteve, të vendimeve që u njihnin ankuesve të drejtën e kompensimit për pronën e të atit, të shtetëzuar gjatë regjimit komunist. Në këtë vendim Gjykata theksoi se, në rastet e ekzekutimit të një vendimi, i cili urdhëron shtetin të kryejë një pagesë, personit në favor të të cilit është marrë vendimi, nuk duhet t’i kërkohet të nisë procedura për ekzekutimin e vendimit me qëllim që të marrë shumën e përcaktuar.

-Gjykata ka theksuar, rëndësinë e vendosjes së afateve realiste, statutore dhe të detyrueshme për secilin nga hapat e procesit të “kompensimit” dhe ka bërë thirrje që të sigurohen burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në institucionet e ndryshme shtetërore. Gjykata kërkoi ngritjen e një mekanizmi të efektshëm kompensimi brenda një periudhe 18 mujore, pra deri në 17 qershor 2014.

-Komiteti i Ministrave u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të hartojnë me prioritet maksimal një plan veprimi, i cili do të mundësonte ngritjen, brenda afateve të vendosura nga Gjykata, të një mekanizmi kompensimi efektiv, duke mbajtur parasysh edhe masat e identifikuara tashmë. Miratimi i kësaj rezolute të ndërmjetme erdhi si pasojë e mospërmbushjes nga ana e autoriteteve shqiptare të detyrimit për paraqitjen e një plani veprimi të konsoliduar dhe të përditësuar në lidhje me ekzekutimin e vendimeve përkatëse. KM arriti në përfundimin se finalizimi i hartës së vlerës së tokës ishte e vetmja masë e ndërmarrë nga qeveria. Deri në tetor 2013 Komiteti i Ministrave nuk kishte marrë asnjë informacion të saktë mbi numrin e vendimeve administrative dhe gjyqësore të formës së prerë që duhet të ekzekutohen, koston e ekzekutimit të tyre dhe burimet e nevojshme. Po kështu, asnjë plan veprimi nuk është dorëzuar në KM.

-Komisioneri thekson se mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave të brendshme dhe i vendimeve administrative është një problem shumë më i gjerë, që nuk kufizohet vetëm tek çështjet e kompensimit të pronave të shtetëzuara. Shqipëria ka një sistem të dyfishtë për ekzekutimin e vendimeve të gjykatave dhe atyre administrative: një shtetëror dhe një privat, të cilat funksionojnë paralelisht. Sistemi privat i përmbarimit u prezantua në vitin 2008, me qëllim  lehtësimin e ngarkesës e punës për përmbarimin shtetëror dhe arritjen e një eficience më të mirë në çështjet kur debitor ishte shteti. Ky sistem filloi të funksiononte në vitin 2010. Deri në gusht 2013 nga Ministria e Drejtësisë ishin licencuar 114 përmbarues privatë. Puna e përmbaruesve privatë mbikëqyret nga Ministria e Drejtësisë.

-Sipas raportimeve, arsyeja themelore për mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave të brendshme qëndron tek vonesat e tejzgjatura procedurale në procesin e ekzekutimit, që vijnë për shkak të dispozitave ligjore që u japin mundësi debitorëve të vonojnë ekzekutimin,  nëpërmjet depozitimit të kundërshtimeve dhe apelimeve të ndryshme. Për më tepër, gjyqtarët shpesh i lejojnë këto objeksione dhe kërkesa për apel, edhe në rastet kur ato janë për shkaqe të parëndësishme. Sipas ekspertëve të ligjit, ka probleme edhe me arsyetimet e vendimeve, në të cilat, shpesh, nuk identifikohet qartë subjekti i ekzekutimit apo debitori, veçanërisht në çështjet e pronave, ku shkaku është mungesa e një regjistri të plotë të tokës.

-Komisioneri thekson se është tejet e rëndësishme për shtetin ligjor në Shqipëri që vendimet e Gjykatës që lidhen me mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave të brendshme dhe atyre administrative të zbatohen në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme.

Përdorimi i tepruar dhe kohëzgjatja e masës së paraburgimit

Komisioneri sjell në vëmendje Rekomandimin Rec (2006)13 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për përdorimin e masës së paraburgimit, kushtet në të cilat jepet ajo, dhe sigurimin e mekanizmave mbrojtës ndaj abuzimit, ku parashikohet që përdorimi i masës së paraburgimit duhet të jetë gjithnjë i përligjur dhe duhet të jepet në raste të jashtëzakonshme. Komisioneri vëren së numri i individëve që mbahen në paraburgim në Shqipëri duket shumë i lartë. Deri në shtator 2013, nga 4879 persona që mbaheshin në 18 seksione të paraburgimit dhe në 21 institucione të paraburgimit dhe burgimit, 1948 ishin persona me masa paraburgimi. Komisioneri është vënë në dijeni të raportimeve se vendimet e gjykatave që urdhërojnë masën e paraburgimit vijojnë të mos jenë specifike sipas rastit, në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës. Për më tepër, gjykatat e brendshme nuk marrin në konsideratë masat alternative ekzistuese për kufizimin e lirisë personale që nuk përfshijnë burgimin, si për shembull, ndalimin për t’u larguar nga vendi, garancinë pasurore ose kontrollet gjyqësore. Për Komisionerin përbën shqetësim të veçantë përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit ndaj të miturve. Sipas informacionit të ofruar nga UNICEF gjatë vizitës së Komisionerit, për shkak të vonesave në proceset gjyqësore, shumica e të miturve e kanë kryer kohën e dënimit në paraburgim.

KLD: Magjistratët e rinj nëpër rrethet gjyqësore

Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e saj të radhës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani vendosi për zëvendësimin e anëtarëve të KLD-së në Grupin e Punës për Sistemin e Pikëzimit, ku pas diskutimeve konstruktive u zgjodhën, z.Gjin Gjoni, z. Dritan Cakaj dhe z. Lulzim Lelçaj. Më tej, Këshilli, vijoi me emërimin përfundimtar të magjistratëve, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, në vitet akademike 2011 -2012 dhe 2012-2013, profili gjyqtar, në vendet e vëna në dispozicion të tyre. Në përfundim të procesit të votimit u vendos emërimi i tyre si më poshtë vijon:

Magjistratët që kanë përfunduar studimet në vitin akademik 2011 – 2012:

-Olkeda Lice, gjyqtare në Fier;

-Sokol Shehu, gjyqtar në Shkodër;

-Matilda Llangozi, gjyqtare Berat;

-Lutfije Celami, gjyqtare në Berat;

-Rudina Palloi, gjyqtare në Berat;

-Edvan Veçani, gjyqtar në Dibër;

-Erjon Çela, gjyqtar në Tropojë.

 Magjistratët që kanë përfunduar studimet në vitin akademik 2012 – 2013:

 -Elona Mihali, gjyqtare në Vlorë;

-Marsela Dervishi, gjyqtare në Fier;

-Erjon Bani, gjyqtar në Shkodër;

-Luveda Dardha, gjyqtare në Shkodër;

-Adelajda Gjuzi, gjyqtare  në Berat;

-Diamela Goxha, gjyqtare në Berat;

-Emona Muçi, gjyqtare në Dibër;

-Dritan Hasani, gjyqtar në Përmet.

Këshilli shqyrtoi gjithashtu kandidaturat për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Apeleve, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër, ku anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin përkatësisht si Kryetar të Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Fuat Vjerdha, Kryetare të Gjykatës së Apelit Vlorë zj. Alma Liçaj, Kryetare të Gjykatës së Apelit Korçë, zj. Entela Priftin dhe Kryetar të Gjykatës së Apelit Gjirokastër z. Dritan Banushi.

Në përfundim, anëtarët e Këshillit vendosën të autorizojnë Zëvendëskryetarin e KLD-së, për t’i kërkuar Ministrit të Drejtësisë të vlerësojë inicimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, z. Shtjefën Lleshi.

Më pas mbledhja vijoi me shpalljen e vendit vakant për funksionin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Duke filluar nga mbledhjet pasardhëse, Këshilli, në përputhje me përcaktimin e kalendarit të gjykatave dhe gjyqtarëve do të vlerësojë punën e gjyqtarëve për periudhën 2007 – 2008 – 2009, sipas vendimit të KLD “Për sistemin e vlerësimit”.