Shtypi italian, fakte të panjohura për bosin e Kalivaçit

490
Sigal

“Metoda ime është eksportuar edhe jashtë Italisë”. Kështu i është përgjigjur gjykatësve, Manlio Cerroni, daja i Francesco Beçhetti-it, pronarit të hidrocentralit të papërfunduar të Kalivaçit, kur u mor në pyetje nga gjykatësit. “Ai u arrestua me 9 janar, i akuzuar për aktivitet kriminal me qëllim trafikun e mbetjeve dhe mashtrim, por duhet te ketë lidhje te forta në Shqipëri për sa kohë askush nuk i ka hequr licencën e koncesionit dhe nuk i ka kërkuar dëmshpërblim”, shkruan gazeta italiane “Il Messagero”.

Në artikullin me titullin: “Sistemi Cerroni në Shqipëri, vonesa dhe mbrojtje”, “Il Messagero” i referohet veçanërisht sipërmarrjeve të tij në vendin tonë. “Në vitin 1997, Qeveria shqiptare-shkruan gazeta italiane- ishte e interesuar për një hidrocentral, që asokohe nuk ishte veçse një kantier dhe shoqëria që ngarkohet me këtë detyrë ishte BEG apo “Beçhetti Energy Group”, ku familja Cerroni ishte thuajse e tëra. Francesco Beçhetti është nipi i Cerroni-t, por ai figuron aty edhe vetë, bashkë me vajzat Donatella e Monika”. “Në vitin 1997, – shkruan “Il Messagero”, – Qeveria shqiptare kishte bërë disa lëshime për të ftuar të huajt të investonin në sektorin e energjisë. Një prej projekteve më të rëndësishme ishte ai i Kalivaçit, që ndodhet në jug të vendit, një hidrocentral prej 100 megavatësh, që mund ta bënte Shqipërinë, ekspertuesen e energjisë drejt Italisë dhe Greqisë”. “Në vitin 2000, Qeveria Shqiptare- shkruan gazeta italiane,- i jep kompanisë 10 muaj kohë, për të nisur punimet dhe përcakton lehtësira fiskale; asnjë pagesë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, asnjë taksë doganore dhe asnjë përfitim në dy vitet e parë të shfrytëzimit. Ndërsa për 28 vitet e tjerë, pagesa do të ishte 15 % dhe përfundimi i veprës duhet të ishte bërë në vitin 2002″.
‘Il Messagero’ shkruan për lidhjet e krijuar mes “Beçhetti Energy Group” dhe kompanisë “Enelpauer” e grupit Enel, në shkurt të 2000, e cila hyn me një investim prej 160 milionë dollarësh dhe BEG mbetet mbajtësi i koncesionit. Në dhjetor aleanca e tyre prishet dhe grupi i nipit te Cerroni-t e hedh në gjyq ‘Enelpauer’ në Arbitrazhin e Romës, duke i kërkuar 120 milionë euro dëme. Ishte një proces që në të gjitha shkallët nuk i dha të drejtë shoqërisë së Cerroni-t, por procesi mbetet ende i hapur në gjykatat italiane dhe shqiptare, madje edhe në Gjykatën e Apelit të Arbitrazhit në Paris.
‘Në vitin 2001 kur duhet të nisnin punimet, BEG nuk kishte asnjë partner dhe në këtë moment Qeveria shqiptare i jep edhe 2 vjet kohë për nisjen e punimeve. Ndërsa afatit po i afrohej fundi, “Beçhetti Energy Group” financon fazën e parë të veprës. Në vitin 2007 shfaqet ‘Deutsche Bank’, por edhe marrëveshja me bankën gjermane gjithashtu përfundon në Gjykate”, shkruan “Il Messagero”.
AKBN, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në Shqipëri i shkruan Ministrisë: Në bazë të kontrolleve që u kryen më 13 mars të vitit 2012, punimet janë ende në fazën fillestare, njësoj siç ishte nënvizuar në prill të 2011. Terreni i gërryer për digën është dëmtuar nga ujërat. Riveshja e mureve të digës prej çimentoje nuk ka nisur akoma, ka dhera në galerinë e devijimit dhe po vlerësohet rindërtimi i urës, të cilën e mori lumi. Në bazë të grafikut të punimeve, ndërtimit i Hidrocentralit të Kalivaçit duhet të kishte përfunduar dhe duhet të ishte operativ. Kopja e projektit nuk është firmosur nga projektuesi; shoqëria nuk ka dorëzuar aktin e nisjes së punimeve që duhet ta bënte 30 dite nga nisja e tyre.
‘Il Messagero’ citon drejtorin e AKBN-së, Petrit Gjoni, i cili shpjegon se përse Qeveria shqiptare nuk ka ndërhyrë ende. “Ritmet e punës janë shumë të ngadalta- tha ai- por shteti shqiptar nuk synon ta penalizojë Beçhetti-n, sepse i shikon gjithsesi me sy të mirë investimet e huaja në Shqipëri”, e përfundon artikullin “Il Messagero”.

(TCH)