Sarandë/Sekuestrohet një hotel, dyshime si i ngritur me milionat e krimeve në Belgjikë

337

Prokuroria për
Krime të Rënda ka sekuestruar hotelin në funksion “Rezidenca President” në
bregdetin e Sarandës, pasi ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se është ndërtuar
nga paratë e siguruara prej aktivitetit kriminal në Belgjikë të shtetasit
Gentian Ndreu. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pasuror në kuadër
të ligjit “Anti-mafia”, pas kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve të
Belgjikës. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka krijuar dyshime të
arsyeshme se hoteli është ndërtuar nga të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i
“Shfrytëzimit të Prostitucionit”, për të cilin është hetuar në Liege (Belgjikë)
shtetasi Gentian Ndreu. Bazuar në të dhënat e deritanishme, prokuroria kërkoi
vendosjen e sekuestros mbi këtë pasuri, gjë e cila u miratua nga Gjykata për
Krime të Rënda. Në bazë të të dhënave hetimore rezulton se shtetasi Gentian
Ndreu është pjesë e një procedimi penal për “Shfrytëzim prostitucioni” në
Belgjikë. Ai akuzohet nga Prokuroria e Liege se, në vitet 1999-2003, ka
shfrytëzuar për prostitucion një shtetase shqiptare. Rezulton, se asnjë prej
familjarëve “Ndreu” nuk ka pasur mundësi ekonomike të mjaftueshme për të
ngritur ndërtesën e hotelit, si edhe për zhvilluar sipërmarrje të tillë
ekonomike. Kjo  pasuri plotëson kriteret e parashikuara nga neni 11 i
ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të
Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”
(Antimafia), konkretisht:

1. Pasuria është
përfituar gjatë përfshirjes së  dyshuar të  shtetasit Gentian Ndreunë
veprimtari të paligjshme.

2. Kjo pasuri
nuk i përgjigjet nivelit të të ardhurave të  shtetasve Gentjan Ndreu dhe
Osman Ndreu.

3. Ekziston
rreziku i humbjes apo tjetërsimit pasi subjektet mund të marrin dijeni për
hetimin dhe të tjetërsojnë këto pasuri.