Rekomandimi i OSBE-së për shtetin e së drejtës në Shqipëri

458
Sigal

Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtare dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues. Shteti i së drejtës dhe procesi legjislativ, në veçanti, përfituan nga kthimi i plotë i opozitës në Kuvend. Kjo u manifestua në miratimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, midis të cilave spikasin ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ky ligj, për të cilin u deshën vite të miratohej, synon të përmirësojë aksesin e publikut në drejtësi dhe të përshpejtojë gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Miratimi nga qeveria i strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2011-2013 dhe i planit të saj të veprimit shënuan një hap përpara. Përpjekje më të mëdha duhen bërë nga të gjithë aktorët për të përmirësuar funksionimin dhe efikasitetin e gjykatave, duke forcuar, kështu, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë…