PROF. DR. Aurela ANASTASI: Profesor Ismet Elezi ka hedhur bazat e para për zhvillimin e disiplinave të reja mësimore në fakulte

651
Sigal

FLET PROF. DR. Aurela  ANASTASI (AKADEMIKE E ASOCIUAR)

Profesor Ismet Elezi, ia kushtoi jetën e tij, njërës prej fushave më madhështore e njëkohësisht, më sfiduese të shoqërisë sonë, Drejtësisë, duke u shfaqur dukshëm, jo vetëm si një praktikant kritik i saj, por edhe si një shkencëtar i vërtetë. Më tepër, kontributi i tij i vyer është dedikuar qartazi në degën e të Drejtës Penale, por jo më pak të dobishme, janë veprat e tij edhe në fusha të tjera të së drejtës, si Historia e së Drejtës Shqiptare dhe ajo e mendimit juridik shqiptar. Në këto vepra, studiuesit, studentët, juristët, sociologët, psikologët, historianët etj., gjejnë dukshëm aksionin e një njohësi të madh të së drejtës, përvojën e një dijetari ndër vite dhe punën fisnike të një juristi të ndershëm.

 Si do t’i cilësonit veprat e Profesor Ismet Elezit?

Nuk është aspak e rastësishme që veprat e profesor Ismetit janë ndoshta, doktrina që referohet më shumë nga gjyqtarët në vendimet e tyre. Për aq sa kemi studiuar dhe monitoruar vendimet e gjykatave të shkallëve të ndryshme të gjyqësorit të zakonshëm, por edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk kemi parë një vepër tjetër të doktrinës juridike shqiptare që të referohet më shpesh, se sa “E drejta Penale. Pjesa e Posaçme” e autorit Ismet Elezi. Ky fakt, na bën të mendojmë se, vlera e analizës për figurën e veprave penale, i ka kapërcyer kufijtë e auditorëve të fakulteteve të Drejtësisë. Ajo nuk mbetet e vlefshme vetëm për studentët në bankat e shkollës, por i ndihmon më tej profesionistët në ushtrimin dhe dhënien e drejtësisë. Ne juristët, teorikisht, pranojmë se, doktrina është burim material i së drejtës dhe kjo është e vërtetë sa kohë që studentët e drejtësisë i brumosim me të. Por, ky është shembulli i një rasti tipik, kur një tekst universitar për studentët, merr dukshëm rolin e doktrinës si burim i të drejtës, duke shërbyer drejtpërdrejt për arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Duke reflektuar mbi këtë fakt, i kam bërë shpesh pyetje vetes nëse është lartësia e emrit të Profesorit që u jep gjyqtarëve siguri për të mbështetur dhe argumentuar vendimet e tyre, apo është teksti që e ofron këtë siguri. Mendoj se janë të dyja. Është vështirë të ndash sot emrin e profesorit nga emri i veprës së tij në fushën e të drejtës penale. Mjaft të përmendësh njërën prej tyre dhe i nënkupton të dyja, njëkohësisht.

Cilat janë lidhjet e tua profesionale me Profesor Ismetin?

Unë, personalisht, kam pasur fatin të zhvilloj leksionet e të Drejtës Penale, pjesa e posaçme, me Profesor Ismetin në vitin akademik 1985-1986, por i ruaj të gjalla kujtimet mbi origjinalitetin dhe stilin e tij të veçantë të të shpjeguarit, saktësinë e mendimit dhe zhdërvjelltësinë e diskutimit. Sot jam në gjendje të vlerësoj më mirë se, Prof. Ismeti i kishte flakur tej skemat e kohës, pedantizmin dhe ndërlikimin e strukturës së shqipes në emër të shkencës. Ajo që të binte në sy ishte ilustrimi me shembuj dhe vështrimi kritik, duke shpjeguar shkaqet që shpinin njerëzit në kryerjen e veprave penale dhe duke sintetizuar konkluzionet. Edhe sot e kam të gjallë mësimin e tij se qëllimi kryesor i legjislacionit penal mbetet parandalimi i veprave penale dhe vetë ashpërsia e dënimit nuk është gjë tjetër veçse një nga mjetet që do t’i shërbejë parandalimit të tyre. I tillë ishte Profesor Ismeti, shembull i punës didaktike, kërkimore dhe shkencore, që e bëri atë të aftë të zhvillojë lëndët ekzistuese në kontekstin e ndryshimeve të kohës, por njëkohësisht të hapë fusha të reja studimore, duke mbështetur dhe nxitur punën e bashkëpunimin me të rinjtë. Ai është bashkautor me ta, në shumë tekste e komentarë të së Drejtës Penale. Gjithashtu, profesor Ismet Elezi ka hedhur bazat e para për zhvillimin e disiplinave të reja mësimore në fakultet, si Kriminologjia, Politika penale, etj..

Ku mund të ndalni tjetër në veprat e Profesorit?

Nuk mund të mos përmendim këtu, edhe kontributin që Profesori ka dhënë në fushën e studimeve të Historisë të së drejtës penale e në veçanti, të së drejtës zakonore shqiptare. Në këtë fushë ka dhjetëra punime në formën e monografive dhe artikujve shkencorë, të botuara në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Midis tyre spikasin: “E drejta zakonore e Labërisë”, 2002, “Kanuni i Labërisë”, 2006, “Zhvillimi historik i mendimit juridiko–penal”, 2010, “Historia e së drejtës penale”, 2010, etj.. Duke studiuar të drejtën zakonore në thellësi, profesor Ismeti ka dhënë kontributin e tij të paçmuar në studimin dhe evidentimin e vlerave kombëtare e kulturore të së drejtës shqiptare. Mendoj se, ky ka qenë edhe synimi i tij kryesor, gjë që e ka arritur duke evidentuar ndjenjën për drejtësi të lidhur ngushtë me shpirtin shqiptar. Sidoqoftë, edhe në planin e përgjithshëm metodik, kjo ka qenë një prirje të shkollës sonë të së drejtës, e cila studimit të së drejtës zakonore i ka kushtuar një rëndësi të veçantë, me qëllim që të evidentoheshin rrënjët e së drejtës kombëtare. Kjo tendencë shfaqet edhe sot në programet dhe Curriculat e fakulteteve të drejtësisë në vendin tonë, gjë që më kujton metodën Landgell sipas të cilës “Ligji përfshin një analizë shkencore, të aftë për të zbuluar parimet e të drejtës zakonore”. Pavarësisht nga debatet metodike që po zhvillohen sot në botën akademike, këto studime historike në veprën e Prof. Ismet Elezit kanë një objektivitet shkencor të qëndrueshëm. Aty ndodhen disa deduksione shkencore që lidhen me ndikimet dhe trashëgiminë e së drejtës, si dhe me ndjenjën e së drejtës dhe drejtësisë si një vlerë morale e popullit shqiptar. Sidoqoftë, qëndrimi i profesorit tonë si një studiues dhe hulumtues, është i qartë: “Të luftohet mentaliteti i trashëguar i së kaluarës i nënshtrimit ndaj Kanunit, aq më shumë kundër deformimit të tij. Njëkohësisht, të mos mendojmë se ringjallja e Kanunit do të na shpëtojë nga kjo e keqe”, thekson ai në një intervistë dhënë të përditshmes Telegraf, duke analizuar problemet e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje. Këtyre të fundit u ka kushtuar edhe njërën prej veprave të tij, “Vrasjet për hakmarrje dhe për gjakmarrje” 2000.

Cila është një nga pikat më të forta e të gjithë veprimtarisë shkencore të Profesor Ismetit?

Një nga pikat më të forta të të gjithë veprimtarisë shkencore të Profesor Ismetit, është krijimi i rrethanave të favorshme për ndryshimet e reja të legjislacionit, sidomos atij penal, dhe gjetjes së zgjidhjeve përmes sistemit ligjor. Ai është shembull i shkencëtarit që nuk e ka zhvilluar veprimtarinë e tij studimore si një qëllim në vetvete, por e ka harmonizuar atë me veprimtarinë praktike të zbatimit të ligjit përmes institucioneve dhe gjykatave. Kështu, p.sh.,  Profesor Ismeti nuk është mjaftuar vetëm me konkluzionet e studimeve në fushën penale, por i është përkushtuar edhe metodave më të reja të zgjidhjes së konfliktit, duke u bërë njëkohësisht edhe aktivist i shquar për zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet ndërmjetësimit. Këtij të fundit i ka kushtuar edhe punimin e tij, “Ndërmjetësimi për pajtim në konfliktet penale”, 2004. Pra, Ai është shembulli më i mirë i studiuesit që nuk rri mbyllur në katedrat universitare, por krijon mjedisin studimor më të përshtatshëm për një aktivizim shoqëror, i cili na shpie në zbatimin e ligjeve. Duke folur për ligjet, duhet të theksojmë se kontribute mjaft të rëndësishme Profesori ka dhënë edhe në hartimin e legjislacionit të ri në Republikën e Shqipërisë. Pas viteve 90-të, ai ka qenë anëtar i komisionit për reformën ligjore të Kodit Penal të vitit 2001, reformë e cila solli përmirësime të këtij kodi. Por, pyetja që shtrohet sot duke folur për raportin midis ligjeve dhe shkencës, është: a ka karakter shkencor veprimtaria për hartimin e ligjeve? Deri tani kjo veprimtari, më tepër se sa shkencore, është konsideruar veprimtari shoqërore e shtetërore, por mendoj se ka ardhur koha ta trajtojmë ndryshe. Kjo sepse, vetëm duke e trajtuar hartimin e ligjeve si veprimtari shkencore dhe duke përdorur metodat që ofron shkenca, mund të heqim dorë përfundimisht, nga metodat mekanike të kopjimit të ligjeve nga vendet e tjera dhe mund të realizojmë ligje të cilat padyshim, do të kenë në vetvete influencën ndërkombëtare, por njëkohësisht do të përfshijnë karakteristikat e zhvillimit të vendit. Prandaj, ligjet nuk mund të hartohen vetëm nga praktikantët e së drejtës, por as vetëm nga profesorët universitarë. Profesor Ismeti i ka mëshiruar të dyja këto veti. Gjithashtu, vetëm duke përdorur metodat shkencore, ligjet do të jenë të përshtatshme për t’u bërë realisht të zbatueshme. Ky refleksion më lindi një ditë kur lexoja në media fjalën e profesor Ismetit, i cili theksonte: “Problemi i Gjakmarrjes nuk është Kodi Penal, por zbatimi i tij nga drejtësia”. Në këtë kuadër mendojmë se sa e rëndësishme është që, jo vetëm të kesh ligje të mira, por të kesh të përgatitur mirë të gjithë infrastrukturën objektive e subjektive për t’i zbatuar ato.

Si do ta cilësonit punën e tij shkencore dhe publikimeve në mediat e përditshme?

Përmes punimeve të tij shkencore dhe publikimeve në mediat e përditshme, Profesor Ismeti ka dhënë kontribute të rëndësishme edhe për njohjen e ligjeve nga publiku i gjerë, si dhe për zhvillimin e debatit juridik për çështje mjaft të mprehta të drejtësisë shqiptare dhe legjislacionit shqiptar. Ky i fundit, mendoj se, ka nevojë të pasurohet ende dhe kërkon përfshirjen dhe aktivizimin e një numri më të madh juristësh. E gjithë veprimtaria që Profesor Ismet Elezi ka zhvilluar përmes botimeve shkencore në revista prestigjioze ndërkombëtare, debati konstruktiv dhe përballja e tij me teza të reja që hidhen nga studiues të ndryshëm të së drejtës penale në botë, pjesëmarrja dhe kumtimi në konferenca të ndryshme shkencore brenda dhe jashtë vendit, e kanë bërë Profesor Ismetin një studiues të njohur veçanërisht, në qarqet akademike evropiane. Në vitin 1998, Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar“ në Shkencë dhe biografia e tij është botuar në Fjalorin Ndërkombëtar të Biografive. Profesor Ismet Elezi është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Kolegji “Gjilani” në Prishtinë.  Natyrisht, dita e sotme e nderimit të Profesor Ismet Elezit me Medaljen e Nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është një ngjarje e veçantë, jo vetëm për jetën e tij, por edhe për vetë Akademinë, si dhe për të gjithë shkencën juridike shqiptare. Kjo ditë është e shënuar, sepse na bën të reflektojmë në shumë aspekte, e veçanërisht, në përmirësimin e metodave të edukimit me ligjin, të mësimdhënies në fakultetet e drejtësisë, të veprimtarisë kërkimore e shkencore në drejtësi, të cilave Profesor Ismeti u kushtoi një pjesë të madhe të jetës. Por, refleksionet më të mëdha lidhen me mbarëvajtjen e vetë Drejtësisë, si dhe me marrëdhëniet që ajo duhet të ketë me shkencën e së drejtës, zhvillimi i të cilës do ta ndihmojë që të përmirësohet dhe të forcohet vazhdimisht, duke u pavarësuar nga pushtetet e tjera, si dhe nga fenomenet e paligjshme.