Pasi shkriu 9 gjykata/ Llagami tender për blerje makina, 3.4 mln euro për sistem alarmi për gjykata që i ruan garda

124
Sigal

Elton Qyno

Vetëm 15 ditë pasi ndryshoi hartën gjyqësore dhe shkriu së funksionuari 9 gjykata të shkallës së parë dhe Apelit në Shqipëri, drejtuesja e KLGj hapi tenderin për blerje mallrash, 10 makina të markës “Berlina/Sedan” prodhim 2023 dhe blerjen e dhjetëra kamerave, sisteme alarmi, cilindrave mbrojtës dhe sistemeve të alarmit kundër zjarrit, ndërkohë që ruhen 24 orë nga punonjës të policisë.

 

Vetëm 15 ditë pasi ndryshoi hartën gjyqësore dhe shkriu së funksionuari 9 gjykata të shkallës së parë dhe Apelit në Shqipëri, drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, ka ndërmarë dy procedura tenderuese shumë të dyshimta.

Të dyja praktikat e lançuara nga drejtuesja e KLGJ-së, kanë lindur në datën 15 dhe 18 Maj 2023, ku qëllimi është blerja e mallrave me një vlerë financiare prej 395 milion e 900 mijë lekë të reja.

Iniciativa e Llagamit vjen në një kohë që zonja e parë e gjyqësorit, mbylli gjykatat dhe po përgatitet të “shkrijë” në 1 korrik dhe Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë.

Me shkrirjen e gjykatave në rrethe, tashmë pjesën më të madhe të shërbimeve gjyqësore, Llagami e ka përqëndruar në Tiranë.

Pavarësisht faktit se shërbimet aksesohen nga Tirana, mësohet se në cilësinë e drejtueses së KLGJ-së, Llagami në datën 18 maj 2023 ka hapur një tender me qëllim blerjen e një flote prej 10 automjetesh.

Bëhet fjalë për 10 makina të markës “Berlina/Sedan” prodhim 2023, që synohet të blihen nga KLGJ përmes një fondi financiar prej 239 milion lekë të vjetra.

Sipas kritereve që vetë KLGJ, ka publikuar në këtë tender, automjetet duhet të jenë ngjyrë e zezë dhe në qese. Ky tender deri në këtë fazë, për blerjen e 10 automjeteve vijon të jetë i hapur.

Ndërsa afati përfundimtar për shpalljen e fituesit është përcaktuar data 5 qershor 2023. Por brenda një kohe të shkurtër, Llagami ka hapur një procedurë tjetër tenderuese, shumë herë më të madhe se ajo e blerjes së 10 makinave.

Drejtuesja e KLGJ-së, ka vendosur të shpenzojë një shifër prej 3 milion e 400 mijë euro, për të rritur sigurinë e disa gjykatave në Tiranë.

Paratë do harxhohen për blerjen e dhjetëra kamerave, sisteme alarmi, cilindrave mbrojtës dhe sistemeve të alarmit kundër zjarrit.

Tenderi rezulton të jetë hapur në datën 15 maj, ndërsa tashmë është pezulluar nga KLGJ, për rrethana ende të paqarta. Përmes kësaj procedure me miliona euro, Llagami kërkon implementimin e një teknologjie të re në 7 gjykata.

Dhe më konkretisht në Gjykatën e Posaçme SPAK, në Gjykatën e Tiranë Dhoma Penale dhe Dhoma Civile, në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën e Apelit Administrativ, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën Administrative Tiranë.

Në fakt të gjitha këto gjykata në Tiranë janë të paisura me një sistem modern sigurie të kamerave dhe aksesorëve të tjerë, që parandalojnë jo vetëm vjedhjen e tyre, por dhe rënien e zjarrit.

Veç aksesorëve të kamerave dhe sistemeve të alarmit që janë funksionale, kujtojmë se të gjitha gjykatat e projektuara në këtë tender, ruhen 24 orë nga punonjës të policisë.

Ndërsa Gjykata e Posaçme, monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga efektivët e Gardës së Republikës. Shërbimi i sigurisë në 7 gjykatat është funksional, por nuk kuptohet qartë qëllimi i Naureda Llagamit për të hapur këtë tender me vlerë 3.4 milion euro.