Ndërmjetësimi i rëndësishëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

1236
Sigal

Zyra e Ndërmjetësimit në Gjykatën e rrethit gjyqësor të Durrësit ofron zgjidhje më praktikë të konflikteve

Për të gjithë ata që nuk e dinë, aktmarrëveshja e pajtimit mes palëve të konfliktuara, e nënshkruar në Zyrën e Ndërmjetësimit, kthehet automatikisht në titull ekzekutiv nga gjykata dhe është ligjërisht i zbatueshëm.

Më konkretisht, bazuar në ligjin “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” dhe që përbën referencën kryesore për realizimin e shërbimeve të ndërmjetësimit, gjyqtari fton palët ta zgjidhin me ndërmjetësim mosmarrëveshjen. Nëse ato bien dakord, nëpërmjet një vendimi gjyqësor, ai ja kalon rastin zyrës së ndërmjetësimit përmes koordinatorit i cili kontakton ndërmjetësin që e mendon si më të përshtatshmin për palët dhe nis procesin e ndërmjetësimit. Duhet thënë se, ndërmjetësi i licencuar kontakton secilën nga palët dhe realizon me ta takime të veçanta, ashtu si, kur e konsideron të mundshme, realizon me palët edhe takime të përbashkëta, gjatë së cilave synohet identifikimi i interesave dhe qëllimeve të përbashkëta mes palëve. Nëse kjo arrihet, palët dhe ndërmjetësi firmosin aktmarrëveshjen e pajtimit dhe secila palë pajiset me një aktmarrëveshje me firma origjinale, ndërkohë që, një e tillë i kalon gjykatës dhe një tjetër ruhet në dosjet e Zyrës së Ndërmjetësimit. E gjitha sa thamë, e përkthyer në kosto dhe kohë, do të thotë që, nëse rruga gjyqësore ka një kosto të lartë financiare dhe që bie në ngarkim të palës humbëse, por, dhe kohë e energji jo të pakët të shpenzuar dyerve të gjykatave nga të dyja palët e përfshira në proces, rruga jashtë gjyqësore, pra zgjidhja me ndërmjetësim e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve me natyrë familjare, civile, tregtare, së fundi edhe me natyrë penale, ofron mundësinë për të shpenzuar më pak dhe më pak kohë të çmuar. Sigurisht, gjithë sa thamë më lart, nuk është një shpikje shqiptare, por një realitet i pranuar në të gjitha shtetet e botës ku ndërmjetësimi zbatohet. Si e tillë, në Shqipëri, Zyra e Ndërmjetësimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, në koordinim me Fondacionin “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe me mbështetjen e programit JUST-USAID, ofron prej katër vitesh shërbimin e ndërmjetësimit për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të llojeve të ndryshme. Referuar statistikave të Zyrës së Ndërmjetësimit në Durrës, numri i rasteve të referuara ndër vite ka ardhur në rritje. Kështu, rezulton se në periudhën Qershor 2011 – Tetor 2012 janë referuar në këtë zyrë rreth 180 raste nga të cilat afro 70 për qind janë zgjidhur me sukses.
Megjithatë, duhet pranuar se, procesi i ndërmjetësimit ende përballet me sfida që lipset të kapërcehen si, bashkëpunimi më i ngushtë mes aktorëve për ta parë ndërmjetësimin si një proces në shërbim të njerëzve, e për rrjedhojë, për ta mbështetur atë më fuqishëm; mbështetja për krijimin e hapësirave për trajnime të vazhdueshme të ndërmjetësve dhe për hartimin e programeve për t’i ofruar atyre ekspertizë ndërkombëtare nga institucione me përvojë në këtë fushë apo vazhdimi i ndërgjegjësimit të publikut për vlerat dhe efikasitetin e shërbimit të ndërmjetësimit. Dihet se, ndërmjetësimi ka lindur, ndër të tjera, si kërkesë e mbase si nevojë për të zhvilluar një proces ligjor ndryshe nga ai gjyqësor të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Nga eksperienca, në të shumtën e rasteve, palët në proces kanë nevoja specifike njerëzore e humane përtej atyre të përgjithshme ligjore. Si të tilla, palët dëshirojnë që rasti i tyre të trajtohet duke qenë ata dhe e ardhmja e tyre qendër e procesit dhe jo vetëm konflikti në vetvete. Me këtë rast duhet theksuar se, përmes mirëkuptimit, procesi ndërmjetësues siguron shërim të “plagëve” njerëzore ose më të paktën një rivendosje të komunikimit në marrëdhënien e thyer mes palëve. Për këtë, është mjaft e rëndësishme që çdo konflikt të trajtohet përmes komunikimit të vetë palëve të përfshira. Trajtimi i çështjes dhe komunikimi midis njëri – tjetrit nga gjyqtari – prokurori – avokati, është ligjërisht i pranuar, por gjithsesi është komunikim midis aktorëve të jashtëm të konfliktit dhe jo midis atyre që jetojnë me konfliktin, palëve. Po ashtu, është e njohur se, nga mënyra e trajtimit të çështjeve në gjykatë si, formalizmi dhe terminologjia gjyqësore, dhe që janë aspekte të cilat duhen respektuar nga palët në proces, krijohet një ngarkesë e fortë dhe atmosferë e rënduar psikologjike për palët. Pa folur këtu që, edhe vetë procesi i ndërmjetësimit dikton zbatimin e disa rregullave procedurale, por ai është fleksibël dhe i afërt për palët. Së fundi, duhet nënvizuar ajo që, rivendosja e komunikimit dhe zgjidhja me ndërmjetësim, siguron vazhdimin e marrëdhënieve edhe në të ardhmen për palët. Vetëm procesi i ndërmjetësimit mund të krijojë një atmosferë dialogu ku palët ndihen të përfshira dhe jo të veçuara nga njëri – tjetri, siç procedura gjyqësore imponon dhe veçimi i palëve vazhdon edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor për shkak të formulës fitues – humbës që sjell si pasojë procesi gjyqësor. Në ndërmjetësim, palët dalin të dyja të fituara dhe formula fitues – fitues afron dhe i vendos në një baraspeshë palët.

KShH-ja në raportin e saj vjetor: “Gjatë 2012-s kanë ndodhur krime me rrezikshmëri të theksuar shoqërore”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në raportin vjetor analizon gjithë problematikën që ka shoqëruar shoqërinë shqiptare gjatë vitit 2012. Sipas KShH-së, gjatë vitit 2012, ka pasur një numër të lartë të krimeve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, që kanë sjellë si pasojë dëmtimin e shëndetit dhe humbjen e jetës së shumë shtetasve, të tilla si: vrasje; plagosje të rënda; grabitje me armë; krimet, ose dhuna brenda familjes; aksidente të rënda automobilistike; aksidente në punë; sëmundje seksualisht të transmetueshme; sëmundje që shkaktohen nga ndotja e mjedisit etj. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rastet e vetëflijimit për shkak dëshpërimit të thellë që u është shkaktuar shtetasve nga moszgjidhja e drejtë, ose në kohë, e çështjeve të parashtruara prej tyre përpara autoriteteve shtetërore. Kështu gjatë vitit 2012, ishte flagrante dhe makabre vrasja e 24 grave si rezultat i dhunës në familje, ndonjë prej tyre edhe me urdhër mbrojtje nga gjykata; dëmtimi shumë i rëndë i shëndetit për 4 gra të tjera. . Të gjitha këto vdekje ose dëmtime të shëndetit i bashkon fakti se mund të ishin parandaluar nëse shteti do të kryente më mirë detyrat e tij.
Respektimi i të drejtës së pronës
Edhe gjatë vitit 2012 janë konstatuar cenime të shumta të të drejtës së pronës. Ende nuk ka përfunduar procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje dhe kompensimi i ish pronarëve dhe kjo situatë shkaktohet sa nga pasaktësitë ligjore, nga zbatimi i gabuar i ligjit apo korrupsioni i nëpunësve që merren me këto procedura, ashtu dhe nga vonesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Gjakmarrja, rritje alarmante, 6500 persona rezultojnë të ngujuar
Duke u nisur nga situata alarmante qe ka ngritur rritja e vrasjeve për gjakmarrje në Shqipëri Komiteti Mbarëkombëtar i Pajtimit të Gjaqeve, u mblodh në një konferencë për të bërë analizën vjetore të këtij komiteti. Gjin Marku, kreu i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve Kombëtare ka fajësuar strukturat e pushtetit për mungesën për të zbutur këtë plagë që vetëm vitet e fundit ka njohur dyfishim të vrasjeve për shkak të gjakmarrjes. “Fatkeqësisht në këtë mision plot sakrifica ne nuk kemi pasur në krah qeverinë shqiptare. Qëndrimi ynë oponent ndaj qeverisë ka qenë dhe do të jetë i palëkundur kushdo qoftë në krye të saj se duam të përçojmë zërin e një njeriu që ka nevojë, zërin e atyre me halle dhe lot tek veshi i udhëheqësit që popullsisë e ka votuar”, deklaroi Gjin Marku, Kryetar i Komitetit te Gjaqeve. “Ndërprerja e këtij bashkëpunimi nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e e Drejtësisë si dhe Policia e Shtetit për shkak të kritikave që Komiteti i bëri keqqeverisjes së vendit dhe lidhja e këtyre institucioneve me sekserët ka dyfishuar numrin e vrasjeve duke arritur në 152 në fund të vitit 2012. Vrasjet e femrave në vitin 2012 janë 10 herë më të larta se mesatarja vjetore gjatë viteve të tranzicionit. Nga 2-3 vrasje në ditë kjo shifër ka arritur në 25 në vitin 2012”, theksoi Sali Gera, Nënkryetar i Asamblesë së Komitetit. Sipas Komitetit të pajtimit Kombëtar të Gjaqeve në Shqipëri janë 6500 persona që rezultojnë të fshehur ose të ngujuar si pasojë e gjakmarrjes, ndërkohë që 6011 fëmijë rezultojnë të mos shkojnë në shkollë, 129 prej të cilëve qëndrojnë në ngujim dhe në rrezik për jetën.