Korrupsioni dhe mafia komandojnë togat e zeza në Durrës

966
Sigal

Durrës / Vendime skandaloze  në gjykatën bregdetare . Gjyqtarët më të pasur nga biznesmenët

Ajo çka po deklarohet prej disa muajsh nga Kryeministri  Rama “Për reforma radikale në organet e Drejtësisë Shqiptare, për të çrrënjosur  korrupsionin”,  (deklarata të bëra edhe nga paraardhësi i tij) duket se ka mbetur vetëm si një refren, që as po dëgjohet  nga  njerëzit  e  drejtësisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për Shqipërinë  se sa  lufta ndaj korrupsionit në organet që pretendojnë se, “japin drejtësi”. Po ndalem në Gjykatën e Durrësit, institucion, i cili ka vite që mediat e kanë në fokusin e tyre, si institucioni  më i përfolur në qytet-portin më të madh të vendit. Kjo padyshim duke marrë shkas nga denoncimet  e qytetarëve, ish-pronarë, biznesmenë, hallexhinj, por edhe të ndonjë zyrtari që nuk ka arritur të bëjë para për të paguar vendimin e trupit gjykues. Qindra  vendime të dhëna nga Gjykata e Durrësit, nga gjyqtarë e saj, konstatohen sa të kundraligjshëm, aq edhe të turpshëm, janë me qindra e qindra vendime gjykate për pronat, duke u marrë pronat një pale që disponon dokumentacionin e rregullt dhe duke ja dhënë një pale tjetër, e cila ka paranë. Le të dalë sot një gjyqtar dhe të  kundërshtojë, me fakte, akuzat (që u ngrihen dhe do t’u bëhen publike në mediat e tjera shumë shpejt)  lidhur me apartamentet, vilat, lokalet, trojet nga Durrësi deri në Sarandë që ata disponojnë me emrat e tyre dhe emra të rremë, le të ngrihet qoftë edhe një prej gjyqtarëve dhe gjyqtareve të Gjykatës së Shkalles se Parë dhe Apelit në Durrës, dhe të hedhë poshtë akuzat e bëra nga ish-pronarët e qytetit bregdetar, lidhur me grabitjen spaktakolare të trojeve dhe pronave, parave të marra ryshfet për t’i dhënë një vendim që e kanë detyrim ligjor ta bëjnë, duke dhënë drejtësi dhe vetëm drejtësi. KLD-ja  aktualisht duket se po merr masa ndaj shkeljeve të bëra nga  disa prej gjyqtareve në disa qytete, por qytetari i lënduar dhe i poshtëruar nga vendimet skandaloze në Durrës, me të drejtë pyet se kur do të ndalet  KLD-ja në Gjykatën e Durrësit? Përgjithësisht sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndodhet nën darën e korrupsionit. Çdo gjyqtar, është i kapur nga ryshfeti, nga paraja, nga pronat e paligjshme që disponon, dhe çuditërisht ngrenë zërin se, “cenohet pavarësia jonë, qeveria po cenon pavarësinë e organeve të drejtësisë”.  Madje, këto forume, kanë nisur të kërkojnë ndihmë edhe tek ambasadat perëndimore në Tiranë. Por gjyqtarët tanë e kanë harruar se, kolegët e tyre  (po qe se quhen të tillë) në perëndim, nuk i ngjyejnë duart me para korrupsioni, nuk pasurohen me vila, troje në bregdet e pallate  duke shitur e blerë ligjin, duke abuzuar me ligjin, duke nxitur vetëgjyqësinë mes ish-pronarit legjitim dhe “të fortit” dhe atij që jep milionat për t’i mbushur xhepin gjyqtarit. Pra, ju o gjyqtarë të forumeve dhe shoqatave, jeni krejt ndryshe me ata që pretendoni dhe që japin vërtetë drejtësi në perëndim. Asnjë gjyqtar (ndoshta me përjashtime shumë të rralla) sot në Durrës dhe gjithë vendin, nuk ka mbetur pa u përfolur për lidhjet e tij me aferat korruptive, nuk ka mbetur me një shtëpi, por ka dy-tri, asnjë nuk ka mbetur me biçikletë por ka dy-tri makina, madje dikush edhe të prodhuar në 2008, asnjë nuk ka mbetur si hallexhinjtë me 5 mijë lekë të vjetra në xhep,  por ka mbi 50 mijë të tilla që i prish çdo ditë. Po t’i futesh një analize jo edhe aq të hollësishme, do të konstatosh se gjyqtarët sot ndjehen dhe janë vërtetë  më të pasur se ndonjë biznesmen, i cili edhe pse merr rrallë apo shpesh ndonjë tender, nuk disponon  prona aq sa kanë ata, nuk prish aq para sa prishin ata, nuk vishet aq krekosur sa vishen ata, nuk ndjehet aq i lumtur sa ndjehen ata, dhe nuk është aq i përfolur sa janë ata. Dhe kjo ndodh sepse ata vërtetë janë të akuzuar çdo ditë për vendimet dhe pazaret e vendimeve, për  shkeljet e ligjit dhe padrejtësitë që bëjnë ndaj qytetarit të thjeshtë. Po të shkosh vetëm një ditë në Gjykatën e Durrësit, do të ndeshesh me qindra hallexhinj me dosje në duar, me shkresa dhe vendime të kontestuara, duke u ankuar, duke akuzuar gjyqtarë e gjyqtare, duke sharë madje edhe avokatë të lidhur në rolin e sekserit me trupin gjykues.  Vendimet e kësaj gjykate, kanë krijuar në ZRPP me qindra e qindra mbivendosje pronash, duke hedhur poshtë pretendimet e drejta të atyre që disponojnë dokumentacionin e para 120 vjetëve, dhe duke marrë për bazë ndonjë vërtetim dëshmitari të rremë, duke zgjatur dhe stërzgjatur procesin gjyqësor me vite.  KLD-ja , duhet të ndalet me urgjencë në Gjykatën e Durrësit, duke nisur me kontrollin e dosjeve të përfolura të trojeve dhe pronave, por edhe me dosjet e tjera të gjykuara në gjithë këto vite nga gjyqtarët e Faktit dhe Apelit.  Ajo duhet të ndalet edhe me pasuritë e gjyqtarëve, e pse jo duke nisur nga verifikimi i çdo apartamenti, vile e lokali që ata disponojnë, e duke përfunduar në automjetet e luksit që i ndërrojnë çdo vit, e milionat në banka.

KLD: Sot, procedim disiplinor ndaj tetë gjyqtarëve

 Ditën e sotme Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvillon mbledhjen e tij plenare, ku ndër të tjera do të shqyrtohen propozimet e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj 8 (tetë) gjyqtarëve. Gjyqtarët që do të procedohen vijojnë si më poshtë:

1) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit I.P., gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

2) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit B.M., gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

3) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit A.Y., gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

4) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Sh.Ll., gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë.

5) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit M.K., gjyqtar në Gjykatën e Rrethi Gjyqësor Korçë.

6) Shqyrtimi i kërkesave për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Gj.Gj., gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

7) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtares K.Ç., gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.

8) Shqyrtimi i procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit K.Dh., gjyqtar në Gjykatën e Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.

Shqyrtimi i procedimit disiplinor për 5 (pesë) gjyqtarët, që ishte e parashikuar të zhvillohej në mbledhjen e datës 30 qershor 2014, u shty për shkak të mungesës së Ministrit të Drejtësisë. KLD gjatë mbledhjeve të fundit ka shqyrtuar me intensitet kërkesat e Ministrit të Drejtësisë për procedime të gjyqtarëve të ndryshëm. Konkretisht: nga 20 kërkesa të depozituara nga Ministri i Drejtësisë, janë përfunduar së shqyrtuari 9 kërkesa për procedim disiplinor. Në mbledhjen e sotme do të shqyrtohen edhe 8 kërkesa të tjera, duke lënë në proces për mbledhjen e ardhme edhe tre kërkesat fundit të ardhura nga ministri i Drejtësisë. Nga 20 gjyqtarët për të cilët ministri i Drejtësisë ka kërkuar procedimin disiplinor si më sipër, 15 gjyqtarë po procedohen për shkelje të konstatuara nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bazuar në verifikimin e ankesave të qytetarëve të cilat konsistonin kryesisht në: zvarritje e pajustifikuar e procesit gjyqësor (duke përfshirë edhe vonesat e pajustifikuara në zbardhjen e vendimeve), shkelje haptazi e ligjit procedural dhe moszbatim i vendimeve unifikuese.

 KLD-ministri përplasen për emërimet
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është përfshirë sërish në debate të forta, duke hapur kësisoj një ‘front’ të ri përplasjesh me Ministrinë e Drejtësisë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i ka propozuar Presidentit Nishani emërimin në Gjykatën e Tiranës, të dy kandidaturave, që rifuten në sistemin e drejtësisë, në një kohë që ministria i cilëson si emërime politike. Emri i bërë shkak për këtë përplasje institucionale, është Enkelejdi Hajro, ish-zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë në kohën që ky institucion drejtohej nga Eduart Halimi dhe së fundmi, ish-shefe Kabineti në Ministrinë e Brendshme, në krye të së cilës ndodhej Flamur Noka. Ndërsa, ministria këmbëngul për një emërim politik, KLD sqaron se Enkelejdi Hajro plotëson të gjithë kriteret, pasi veç të tjerash ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës profili gjyqtar. Kastriot Gramshi, i cili për disa vite nga jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një emër që ka ngjallur debate të forta, por që sipas vendimit të KLD-së, do të zërë një karrige në Gjykatën e Tiranës, që konsiderohet si gjykatë karriere. Ministria akuzon KLD-në për vendime antiligjore dhe kërkon ndërhyrjen e Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit, për të ndaluar këto shkelje flagrante. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është gangrena e sistemit të drejtësisë. Kështu ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

  Ministri i Drejtësisë takohet me delegacionin e Parlamentit Bavarez

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço priti sot në një takim delegacionin e Landtagut (Parlamentit) të shtetit të lirë të Bavarisë, të cilët vizitonin për herë të parë vendin tonë. Delegacioni kryesohej nga z. Franc Schindler në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Kushtetutën, Ligjin dhe Çështjet Parlamentare pranë Landtag-ut Bavarez dhe përbëhej nga 7 anëtarë të tjerë, me një përvojë të madhe në fushën juridike. Delegacioni shoqërohej nga ambasadori gjerman në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann, si dhe nga drejtues në disa komisione parlamentare të Bavarisë. Gjatë takimit me Ministrin Naço përfaqësuesit e delegacionit theksuan, se marrja e statusit të vendit kandidat është një arritje, që kërkon të vazhdohet me punë të mëtejshme.