Zhvillimi Normativ dhe Pozitiv në Kontrollin e Lartë të Shtetit

974
Dr. Edvin Stefani
Duke synuar të shpreh zhvillimin institucional të KLSH-së të këto viteve të fundit është përdorur analiza normative dhe pozitive. Këto dy dimensione të aparatit analizues janë të nevojshme të evidentohen më vete dhe së bashku. Kjo pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet një ide më e saktë e zhvillimit institucional si një rrugëtim i sigurt dhe suksesshëm. Qasja normative është shprehur që në projekt idenë e Kryetarit, duke shprehur qasjen ndaj standardeve të auditimit ndërkombëtar ISSAI. Politikat menaxheriale normative në KLSH shprehen në përqasjen drejt standardeve të auditimit ISSAI dhe praktikave më të mira të ndërkombëtare të zhvillimit institucional. Këto politika janë në përputhje me orientimet e Deklaratës së Kongresit të XXII të INTOSAI-t në Abu Dhabi, e cila thekson se “Qytetarët janë përfituesit kryesorë të auditimit publik. Është detyrë e SAI-ve të performojnë me auditime cilësore dhe t’i ofrojnë qytetarëve me raporte që mbështesin transparencën, llogaridhënien dhe besimin në qeverisje. Vetëm puna e mirë mund të bëjë ndryshim e vërtetë në jetët e tyre. Për ata, INTOSAI duhet të avancojë ambiciet e profesionalizmit”. Kjo përqasje është shprehur në Vizionin, Misionin dhe Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së dhe të plan veprimeve strategjike të ndërtuara për t`u përafruar me këto standarde dhe praktika të auditimit. Natyra normative e veprimtarisë zhvillimore shprehet në Vizionin Institucional. Ai shpreh se KLSH shihet si “Garantues i modelit të pavarësisë, një institucion kompetent dhe objektiv, që i jep ndihmesë reale Kuvendit, ndërkohë edhe i besueshëm për rezultatet e kontrolleve e të rekomandimeve, të cilat duhet të vazhdojnë të pranohen për saktësinë dhe vërtetësinë e tyre, si nga organet legjislative, ekzekutive, të medias dhe publiku i gjerë”. Për të realizuar këtë vizion KLSH ka ndërmarrë një strategji zhvillimore, duke përmirësuar kuadrin ligjor, duke rritur kapacitet audituese përmes zbatimit në përputhje të kërkesave të standardeve ndërkombëtare të kontrollit, të kontrolleve të ligjshmërisë, rregullshmërisë dhe vlerësimit të drejtimit, si duke ngritur nivelin profesional të punonjësve të KLSH-së. Misioni, është gjithashtu shprehje e kësaj përqasje normative. Në të përcaktohet se KLSH ka për synim “Rritjen e rolit dhe kontributit në drejtim të mirë administrimit të financave publike, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve cilësore dhe raportimit mbi rregullshmërinë dhe efektivitetin e përdorimit të të gjitha burimeve financiare shtetërore, në të mirë të shtetit dhe publikut në tërësi”. Misioni karakterizon të gjithë strategjitë dhe plan veprimet e zhvillimit. Ai ka orientuar punën audituese, duke e angazhuar KLSH-në në drejtim të sfidave me të cilat përballet shoqëria jonë. Qasja normative është shprehur në qëndrime si përgjegjshmëria, llogaridhënia dhe transparenca. shkurtimisht përgjegjshmëria është shprehur në qasjen ndaj deklaratës të limës dhe orientimeve të INTOSAI. Bazuar në kërkesat e ISSAI 1 “Deklarata e Limës”, në përcaktimet e ISSAI 10 “Deklarata e Meksikës”, në ISSAI 12 “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit”, është zhvilluar një politikë e brendshme e funksionimit dhe bashkëpunimit në institucion. Këto praktika janë shprehur në Kodin e Etikës të KLSH-së, si një deklaratë gjithëpërfshirëse e vlerave, sjelljeve dhe parimeve të cilat duhet të ndiqen dhe të udhëheqin veprimtarinë e punonjësve. Ky kod përcakton standardet etike si dhe ofron udhëzime e kërkesa të nevojshme për t’u zbatuar nga punonjësit e institucionit me synim që gjatë veprimtarisë së tyre të reflektojnë një nivel të lartë etik si dhe të respektojnë parimet dhe vlerat themelore të funksionimit të një Institucioni Suprem Auditimi. Ai përbën një proces të orientuar drejt vlerësimit të figurës së audituesit të KLSH-së dhe zbatimi rigoroz i tij shpreh përgjegjshmërinë që kemi si përfaqësuesit të auditimit më të lartë në vend. Krahasimi me normat e funksionimit të përfshira në këtë dokument do të ofronte një feedback pozitiv për të vetë vlerësuar performancën tonë. Llogaridhënia me Shoqërinë dhe Kuvendin. Shoqëria pret nga institucioni ynë, jo vetëm auditime cilësore, por edhe nivelet më të larta të transparencës, të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies. Kuvendi i Shqipërisë, përmes Rezolutës së Tetorit 2016, sintetizoi këto aspirata dhe pritshmëri, mbi bazën e të cilave u zhvilluan plan veprimet strategjike, të cilat përfshinë si komponent thelbësor, zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe rritjen e cilësisë së auditimit. Zhvillimi i niveleve të punës audituese në rezultate të paarritura më parë, tregon jo vetëm për përgjegjshmërinë tonë, por edhe për dedikimin ndaj llogaridhënies strategjike. Kjo rezolutë dhe mesazhet që ajo jep për stafin auditues përbëjnë një temë trajnimi. Programi i transparencës. Në përputhje me nenet 33 dhe 34 nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe të nenit 7 të ligjit numër 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” është përgatitur programi i transparencës. Informacioni i bërë publik synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së KLSH -së, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare si dhe në mjediset e pritjes së publikut. Faqja zyrtare e KLSH -së është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm. Suksesi i praktikave më të mira audituese shprehet në standarde, të cilat formojnë më tej politikat e auditimit. Duke qenë se vendi ynë ka pasur një eksperiencë të paktë në drejtim të auditit të jashtëm shtetëror, e akoma më të paktë në përafrimin ndaj praktikave më të mira ndërkombëtare, rëndësi paraqet evidentimi i kësaj përqasje normative si një faktor i suksesit të deritanishëm. Në KLSH zhvillimi i kapaciteteve audituese dhe e cilësisë në auditim është bërë duke iu referuar standardeve të auditimit INTOSAI dhe për këtë janë zhvilluar strategji aplikimi dhe plane të detajuara veprimi. Një shembull konkret është programi në të cilin KLSH është angazhuar. Ky program nënkupton aplikimin e standardeve të auditimit ISSAI nga institucionet e larta të auditimit publik në të gjithë dimensionet e zhvillimit profesional. Nën dritën e këtij programi, Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të IDI, pjesë e të cilit është edhe institucioni ynë, u angazhuan për të aplikuar strategji zhvillimore për të siguruar, jo vetëm adoptimin e standardeve, por mbi të gjitha për të realizuar pajtueshmërinë në aplikimin e tyre. Kjo veprimtari është zhvilluar më tej në KLSH përmes monitorimit, vlerësimit dhe raportimit. Zhvillimi institucional dhe i kapaciteteve audituese është realizuar duke përdorur praktikat më të mira botërore. Moto “Experentia mutua omnibus prodest” përbën shembullin më të mirë të përafrimit me praktikat botërore. Projekti i binjakëzimit IPA i financuar bashkërisht me fonde nga Bashkimi Evropian ka këtë natyrë. Përmes këtij projekti, KLSH ka angazhuar ekspertët e SAI Polak dhe Kroat në një veprimtari të zhvillimit të punës audituese dhe rritjes së cilësisë së auditimit. Orientimi ndaj normave, që është në fakt zgjatim i përqasjes pozitive zhvillimore. Përqasja pozitive shprehet përmes ngritjes së politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe instrumenteve të vlerësimit të performancës të punës audituese. Kjo përqasje dhe përmirësimet në kuadrin rregullator dhe organizativ do të jenë pjesë e planit të trajnimeve, duke synuar që të promovohet zhvillimi profesional dhe individual i audituesit. Në funksion të përqasjes pozitive, në KLSH është zhvilluar Strategjia për Zhvillim. Ajo mbështet në katër drejtime kryesore, zhvillimi i kuadrit ligjor të institucionit, zhvillimi i metodologjisë së auditimit, zhvillimi i burimeve njerëzore dhe i mbështetjes administrative, zhvillimin e teknologjisë së informacionit. Përqasja pozitive është realizuar në dy komponentë, në zhvillimin e dokumenteve të karakterit udhëzues dhe metodologjik mbi bazën e të cilëve realizohet puna audituese, në zhvillimin e proceseve vlerësuese për matjen e performancës së punës audituese dhe të asaj institucionale. Krijimi i njëkohshëm i këtyre dy komponentëve krijon mundësinë për vlerësim të pozitivitetit të veprimeve, duke evidentuar hapat progresiv në drejtim të përmbushjes së normave të synuara. Sistematikisht janë zhvilluar dhe përmirësuar praktikat e vlerësimit dhe promovimit të rezultateve në punën audituese. Vlerësimi i procesit të auditimit është lidhur ngushtësisht me kryerjen e auditimeve sipas llojit të tyre, auditim përputhshmërie, financiar, performance dhe IT. Indikatorët e këtij dimensioni janë lidhur me numrin e auditimeve, pra veprimtarinë audituese dhe me reflektimin dhe reagimin e subjekteve ndaj rekomandimeve të KLSH-së, duke sjellë një qasje tjetër të perceptimit të punës audituese si vlerë e shtuar për subjektet. Kjo veprimtari me natyrë të dyfishtë normative dhe pozitive, ka siguruar që KLSH të funksionojë në përputhje me vizionin dhe misionin e institucionit. Në qasjen pozitive është realizuar aplikimi i instrumenteve të vlerësimit. Për këtë instrumentet e vlerësimit janë dimensionuar si një proces, i cili synon promovimin e përmirësimit të performancës, se sa krahasimin me tregues fiks dhe të paracaktuar. Ky evolucion i instrumenteve të vlerësimit zhvendos procesin nga një vlerësim statik në një vlerësim dinamik dhe të vazhdueshëm. Ndërmarrja e njëkohshme e përqasjes normative dhe pozitive siguron përmbushjen e suksesshme të politikës për zhvillim. Ajo vjen si një veprim sistematik i studiuar dhe i kujdesshëm, duke përfshirë të gjithë dimensionet e zhvillimit. Krahasimi me standardet ka krijuar premisat që të arrihet optimizmi dinamik, duke dalë nga korniza e optimizmit statik, të kufizuar nga zhvillimet historike në auditim. Për këtë procesi i zhvillimit dhe i trajnimit është shoqëruar me procese vetë vlerësimi të brendshme, të jashtme dhe nga ekspertë ndërkombëtar për të siguruar përmbushjen e suksesshme të objektivave që i kemi vënë vetes. 
Sigal