Zhupa dhe Ramolli: 79-vjet nga operacioni “Barbarosa”

833
Sigal

79- VJET NGA OPERACIONI “BARBAROSSA”

INVAZIONI GJERMAN MBI B.S PËR TË SUNDUAR EVROPËN

(22 Qershor 1941)

Naxhi Zhupa*

Ish-partizani i Brigadës 8-të S., veterani dhe invalidi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, sjell për lexuesin punimin:“Operacioni “Barbarossa” -invazioni gjerman mbi B.S-nw për të sunduar Europën”. Me këtë punim interesant z. Naxhi, edhe pse ka i kaluar Nëntëdhjetë vite jetë, i vjen lexuesit si në mesin e shekullit të jetës së Tij:

I freskët në paraqitje dhe në mendime! Argumentues që do ta kishin zili punonjësit e mirëfilltë shkencorë! Vullnet i pathyer dhe këmbëngulës! Sistematik në rrjedhën e ngjarjeve! Studiues objektiv dhe i paanshëm! Me memorie të kristaltë dhe mendime të qarta! Kritik i drejtpërdrejtë dhe dashamirës! Reagues objektiv ndaj zhvillimeve të kohës! Një muze i gjallë ku çdo gjë është në vendin dhe kohën e duhur! Premtues se ka akoma shumë për të thënë! Lehtësisht i kuptueshëm nga çdo lexues! Një arkiv ku mund të gjesh çka e ke të nevojshme! I gatshëm për të transmetuar gjithçka me dashamirësi! Urimet më të mira! Patsh  jetë të gjatë dhe vullnet për prodhimtari me bereqet bio!  Me sinqeritet që në krye Ai pohon se nuk i ka vënë detyrë vetes të përshkruajë hollësisht historinë e zhvillimit të Luftës së Madhe Patriotike të B.S-sw në vitet 1941-1945, sepse për atë zhvillim të përmasave botërore, janë shkruar e do të shkruhen mijwra e mijwra faqe nga personalitete në zë të fushave të ndryshme, por duke qenë se në shumicë ka mbizotëruar ana politike, ideologjike dhe hera-herës edhe ajo historiko-propagandistike, duke anashkaluar dukshëm ato ushtarake, të cilat kanë qenë edhe vendimtare, ka bërë përpjekje të përmbledhë të dhënat kryesore të forcave e mjeteve ushtarake në përballje, gabimet dhe vlerësimet e ngjara në periudhën fillestare, që për palën sovjetike rezultojnë katastrofike, prandaj gabimet e kujtdo qofshin duhen pranuar dhe evidentuar me objektivitet e me vërtetësi, siç ndodhën edhe për përfitim përvoje.

Safet N. Ramolli

Po të lëmë mënjanë atë që është thënë shpesh për “rrezikun që paraqiste nazifashizmi për njerëzimin dhe pushtimet përmes agresionit të ushtrisë naziste” e të hedhim vështrimin thjesht në aspektin ushtarak, na del evident fakti, që edhe në vitet 2000, në kushtet e Evropës së Bashkuar dhe të pranisë të NATO-s; organizimi ushtarak, taktika dhe armatimi i kohës i ushtrisë gjermane, përmban në vetvete shumë elementë të luftës së paraardhëses së saj në vitet 1941-1945, çka edhe ka shërbyer si përvojë, në mos si model, i gjithë ushtrive europiane. Së pari, gjykoj se janë mjaft elementë “të marrë hua nga Lufta II Botërore e ushtrisë gjermane”. Së dyti, duhet të mbajmë parasysh vlerësimin dhe qëndrimin parimor të presidentit amerikan Ruzvelt, që më 25 tetor 1941 pohon: “Vendosmëria e Ushtrisë së Kuqe dhe popullit sovjetik për të shkatërruar hitlerizmin…që gjeti rrugëdalje edhe në momentet më të vështira, të dëshpëruara e kritike, çliroi vendin e tij dhe Europën dhe shpëtoi njerëzimin nga nazifashizmi”. Së treti, operacionet ushtarake të Ushtrisë Sovjetike pas betejës së Stalingradit, janë modeli më i pasur i Artit Operativ Ushtarak. Shkaqet që çuan në Luftën II Botërore rezultojnë të shumta dhe me origjinë të hershme. Por njëri do të ishte se, pas përfundimit të Luftës I Botërore, çështjes së paqes botërore, nuk iu kushtua rëndësia e duhur. Disa nga udhëheqësit e palës fituese siç ishte rasti i Anglisë dhe Francës, në Konferencën e Versajës, nuk ishin të përgatitur dhe, me disa vendime të gabuara lanë të hapura dhe të pakuruara mjaft “plagë të majisura”, që më vonë u gangrenizuan. Kështu “Problemi polak”, i korridorit për të dalë në portin e Gdanskut, e ndante Prusinë Lindore më dysh dhe krijonte një gjendje tensioni të vazhdueshwm. Të tilla territore ishin jo më pak se 11, p.sh. midis Francës e Gjermanisë; Gjermanisë e Çekosllovakisë etj… Përveç sa më lart, konferenca e  Gjermanisë si palë humbëse e luftës, i vuri disa kufizime në disponimin e forcave të armatosura, por nuk u krijua asnjë organizëm kontrolli: pas 5 vitesh organizoi aviacionin ushtarak (1933); rivendosi shërbimin e detyrueshëm ushtarak (mars 1935); sipas një pakti detar me Anglinë krijoi flotën luftarake-detare (qershor 1935). Po atë vit Hitleri në një mbledhje me krerët kryesorë nazistë ekspozoi “Doktrinën e Hapësirës Jetike” e cila Gjermanisë i jepte “ të drejtëntë kërkojë një hapësirë jetike më të gjerë se çdo komb tjetër...” sepse, sipas së cilës “e ardhmja e kombit gjerman varet tërësisht nga zgjidhja që do të marrë çështja e hapësirës jetike…”. Në zbatim të kësaj doktrine, në mars 1939 shfrytëzoi trazirat sllovake në Çekosllovaki dhe kërkoi të ndërhynte me trupa ushtarake për “të vendosur rregul”, ndërkohë çështja “Korridori Polak” më 1938 lindi një krizë, që me që Polonia refuzoi kthimin e këtij territori Gjermanisë, më 31 gusht 1939, në orën 4.45’, filloi sulmin e armatosur me 1.5 milion forca ndaj Polonisë. Kjo datë shënjohet si fillimi i Luftës II Botërore. Në prill 1940 Gjermania e hodhi shikimin në veri: pushtoi Danimarkën, më 8 prill kaloi detin dhe pushtoi Norvegjinë, dhe Hitleri pohoi me krenari: “Më keni mua një burrë që nuk njeh fjalën “e pamundur”. Mandej i vjen radha sulmit mbi Francën “armikun kryesor” që e kishte mposhtur Gjermaninë në Luftën I Botërore dhe në një vagon të posaçëm hekurudhor në Versajë, së bashku me Anglinë e kishte detyruar të nënshkruante kapitullimin. Tanimë Hitleri me 2 milionw ushtarë të inkuadruar në 136 divizione, me tanke e avionë të panumërt, kundrejt 65 divizioneve me pak tanke e avionë që kishte Franca, kaloi vijën historike të fortifikuar “Mazhino”, e detyroi Francën të nënshkruajë kapitullimin pa kushte. Pas këtyre fitoreve Hitleri me pompozitet do të shprehej: “…Principi im është që të mos ndalem deri sa akrepat e orës të shënojnë trembëshjetë…”, por në fakt u dorëzua para se akrepat të shënonin orën 12. Ka edhe shkaqe të tjera si këto. Pushtimet e njëpasnjëshme, të shpejta e të suksesshme të Gjermanisë nuk erdhën si një magji brenda 7-8 viteve nga ardhja në pushtet e Hitlerit më 1933. Ato kishin shtënë rrënjë thellë dhe hershëm në historinë e shtetit gjerman. Kontradiktat me fqinjët, e sidomos me Francën, përveç përgatitjes së ethshme ushtarake, hodhën tek masat e popullit farën e keqe për “shpirtin e hakmarrjes” për të “vënë në vend padrejtësitë,” çka rriti tensionet dhe konfliktet rajonale deri edhe Luftën I Botërore. Hitleri në një mbledhje sekrete me krerët nazistë më 23 nëntor 1939 shprehet: “Tani Rusia ka objektiva të largëta për të arritur, mbi të gjitha forcimin e pozicioneve në Balltik. Ne do ta sulmojmë atë kur të kemi mbaruar punë me Perëndimin…” Në fakt kështu ngjau. Pasi mbaroi “punë” me Francën në qershor 1940, u kthye në Lindje për të sulmuar në befasi dhe pabesi më 22 qershor 1941 B.S.-nw. Me sa kuptohet regjimi nazist e njihte mirë gjendjen organizative, të pajisjes me armatim e municion, teknikë luftarake dhe logjistike, të forcave të armatosura. Luftën II Botërore e ideuan, e nxitën, e financuan dhe e përgatitën qarqet politiko- financiare e militariste europiane dhe të SH.B.A-ve, në vitet 1929-1939. Ato lejuan, nxitën e financuan militarizmin prusian për të krijuar gjatë viteve 1933, e në vijim, ushtrinë më të madhe, më të përgatitur, më të pajisur me të gjitha llojet e armatimit. Marrëveshja e Mynihut, Gjermanisë i hapi “dritën jeshile” për agresion, ndërsa Franca, Anglia etj. sabotuan me dashje sigurimin dhe aleancën kolektive më 1939. Ato heshtën, “bënë syrin qorr e veshin shurdh” kur ushtria gjermane filloi pushtimet radhazi, realizoi manovrimin dhe afrimin pa shumë zhurmë pranë kufirit me Rusinë. B.S.-ja dhe Ushtria e Kuqe me gjithë përpjekjet e bëra nuk u gjend realisht i gatshëm cilësisht në përgatitje, në pajisje, në përvojë etj. për t’u përballur me sukses. Kuadrot e Ushtrisë së Kuqe në shumicë ishin të rinj, pa përvojë, pësuan disfatë me humbje të dhimbshme gjatë muajve qershor-shtator, veçanërisht në Bjellostok, Smolensk e Harkov përkatësisht  më 22 qershor, 17 korrik 19 dhe prill 1942; nga pësimet u nxorrën mësime, prandaj nga 6 nëntori 1941, pranë Moskës dhe 19 nëntor 1942 në Stalingrad, nuk u duk më “shkëlqimi” i operacionit “Barbarossa” por dështimi i tij. Po ç’ishte ky plan dhe pse u emërtua kështu? Ishte një ide dhe plan i Hitlerit për pushtim territori në befasi, shpejt dhe përfundimisht në Shtetin e Parë Socialist në Botë (B.R.S.S). Konvencionalisht u emërtua “Barbarossa” për efekt të ruajtjes së sekretit gjatë hartimit të tij nga Shtamadhoria e Wermahtit, por këtë emër e mori edhe në nderim të njërit prej perandorëve më të rëndësishëm romakë Frederik Barbarossa, i cili më 1190 kishte udhëhequr me sukses operacionin drejt Lindjes për të çliruar “Tokën e shenjtë” nga myslimanët. Kjo datë përkon me 22 qershorin e vitit 1919 dhe 1940 (në rastin e parë u nënshkrua kapitullimi i Gjermanisë në një vagon hekurudhor në Versajë të Francës, ndërsa në të dytin, ku u nënshkrua kapitullimi i Francës i epitetuar “Armëpushim lozanjar” kur u mposht Gjermania. Në mënyrë simbolike Hitleri, pas nënshkrimit të kapitullimit të Francës, urdhëroi që vagoni të kthehej në drejtim të kundërt, pra të udhëtonte drejt Gjermanisë, i shoqëruar ky gjest me një shëtitje në “Kullën Elize”. Me këtë ai e quajti të përfunduar punën në Perëndim me Francën e mundur e të turpëruar dhe Anglinë e bërë “përshesh”, duke e kthyer 80 % të ushtrisë me 136 divizione, drejt Lindjes, pra drejt B.S-sw,  sikurse kishte bërë Napoleon Bonaparti, po me Rusinë më 22 qershor 1814. Manovrimi i një mase aq të madhe trupash, (rreth 1.5 milion ushtarë) nga thellësia e Gjermanisë drejtim frontit polak më 31 gusht 1939, dhe 2 milion ushtarë (136 divizione) kundër Francës në qershor 1940, duhet pranuar që kemi të bëjmë me një luks “për ta patur zili”, për nga mënyra e organizimit dhe lëvizjes të një mase aq të madhe njerëzish, teknikë luftarake, municion…Ndoshta për Gjermaninë, sikurse vinte në dukje në kujtimet e tij gjenerali amerikan e kryekomandant i trupave anglo – amerikane në Evropë, Duajt Ajzenhahuer, ndikuan rrugët dhe autostradat e para në Evropë…, ndërkohë forcat pushtuese gjermane manovra të tilla realizuan edhe në territorin e B.S-sw pas betejës së Moskës,(dhjetor 1941- prill 1942), kur nga fronti divizione të shumta shfaqen në Harkov. Por Divizioni I Malor që në prill 1942 kreu luftime në Harkov, në korrik 1943 ndodhet në rrugëkalimin Korçë –Barmash, (Shqipëri) ku edhe kreu masakrën e pashembullt të Borovës. Në takim me drejtuesit kryesorë, Hitleri u shpreh edhe për epërsinë teknike, njëri nga tre elementët kryesorë në luftë. Përpos të tjerash artikuloi: “… Moskën duhet ta shkatërrojnë avionët, jo tanket tanë, që janë 30-40 tonw, nga 10-20 tonw që janë tanket rusë, anglezë, francezë. Aviacioni do të veprojë edhe në thellësi të Rusisë…”. (23 nëntor 1939). “… Me njësitë tankiste të realizohet pykëzimi në thellësi të territorit…Objektivi i fundit i operacionit është sigurimi i një vije mbrojtjeje kundër Rusisë Aziatike, sipas një vije që shkon shumë a pak nga Vollga në Arkangjelsk…”. Kështu formulohej në vija të përgjithshme detyra e operacionit “Barbarossa. Pra, data 22 qershor 1941, nga Hitleri, ishte përzgjedhur edhe për efekt propagandistik historik. Organizimi i forcave gjermane ishte nga skuadra deri në Korparmata: batalioni  kishte rreth 500 vetë; brigada e tankeve kishte 108 tanke dhe 3700 vetë; divizioni tankist dhe ai i motorizuar kishte 108 tanke të mesëm dhe 5000 vetë si dhe armatim tjetër. Detyra luftarake e Divizionit në mësymje llogaritej në 20-25 km. front dhe thellësia 16–20 km. Operacioni do të fillonte më 22 qershor 1941, në orën 3.30’ me pjesëmarrjen e 153 divizioneve me kompletim 100%, të ndarë në tre Gruparmata: Gruparmata Veriore me 28 divizione, nën komandën e feldmarshallit Leeb, me drejtim kundër “Qarkut Ushtarak të Priballtikut”; Gruparmata Qendra, me 50 divizione (15 prej tyre ishin tankiste) e komanduar nga feldmarshalli Bock, dhe Gruparmata Jugë, me 33 divizione, nën komandën e feldmarshallit Rundstedt, kundër qarkut të Odesës ishin 12 divizione; si rezervë e drejtimit qendror ishin caktuar 24 divizione, ndërsa në frontin e Finlandës ishin planëzuar 5 divizione. Për mësymjen ishin parashikuar tanke dhe artileri 4300 gryka zjarri; avionë luftarakë 4980 copë; raporti i forcave ishte 2:1, ose dy herë më i madh në favor të armikut. Përballë forcave gjermane mbroheshin forcat sovjetike të tre Qarqeve Ushtarake: i Priballtikut, i Perëndimit, dhe i veçanti i Kievit, që më 22 qershor u quajtën fronte (“Veriperëndimor”, “Perëndimor”, “Jugperëndimor”), që ju nënshtruan në orët e para një trysnie të jashtëzakonshme, e bashkëshoqëruar në ditët e para të invazionit me daljen jashtë luftimit të aviacionit luftarak rus. Pësuan humbje teknika e rëndë e tankeve dhe artilerisë, efektivi i gati 4 armatave, një pjesë e së cilës u zu rob, e bashkëshoqëruar me një gjendje të rënduar psikologjike. Kjo është një e vërtetë historike e risjellë jo me keqdashje, që edhe pse e hidhur duhet pohuar e pranuar. Në ditën e parë të luftës më 22 qershor 1941 forcat sovjetike në Frontin Perëndimor ishin kompletuar në mënyrë të pamjaftueshme dhe cilësisht më dobët me mjete kundërtanke dhe kundërajrore. Prej dekadash është bërë gati modë për akuza të tipit: përse nuk u bë afrimi i forcave nga thellësia drejt frontit etj. Nuk mund të marr përsipër të shprehem se çfarë mund të ndodhte në atë rast, por fakti që me Direktivën Nr. 3 dt. 22 qershor 1941 trupat sovjetike kaluan në kundërmësymje në ecje e sipër dhe dështuan, të bën të besosh se B.S-ja dhe Ushtria e Kuqe nuk ishin të përgatitura për t’u përballur me forcën ushtarake naziste. Por kur erdhi momenti i mbrojtjes së Moskës (nëntor-dhjetor 1941) u morën disa masa serioze si organizimi i mbrojtjes së qëndrueshme aktive, të thellë, u krijuan kushtet për të kaluar në kundërmësymje të besueshme dhe efektive, prandaj “Beteja e Moskës” theu mitin e pathyeshmërisë së ushtrisë naziste, duke e kthyer vijën e frontit 100-150 km. larg Moskës, si dhe u nxuarr një mësim i mirë se çdo të thotë “Të marrësh masa në kohë dhe të përgatitësh vendin për mbrojtje në kohë dhe me çdo gjë”. Nga hulumtimi i dokumentacionit më bën përshtypje që në hartën sovjetike në Frontin Perëndimor nuk ka të organizuar e paraqitur grafikisht vijë të parë mbrojtjeje?!!! Duhet pohuar se humbjet e rënda nuk mund të mos reflektonin rëndë në gjendjen moralo-politike të Ushtrisë së Kuqe dhe tek gjithë popullsia. Prandaj me vendim të veçantë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të B.S filloi mobilizimi masiv dhe dërgimi drejt frontit i më shumë se 1 milion e 100 komunistëve, që me bindjen e thellë për fitore, ngritën peshë heroizmin masiv popullor rus me thirrjen apoteozë: “Do të qëndrojmë! Do të qëndrojmë!” “Atdheu në rrezik! Atdheu në rrezik!”, “Bashkim e qëndresë! Bashkim e qëndresë!” duke fuqizuar kështu shpirtin luftarak të popullit dhe ushtrisë, çka e pohon edhe kundërshtari si vijon: “Ushtari rus ja ka kaluar kundërshtarit në Perëndim në përbuzjen për vdekjen. Përmbajtja dhe fatalizmi e detyroi atë të qëndrojë në llogore deri sa të mos jetë vrarë në llogore ose të mos bjerë i vdekur në një përleshje trup me trup…”. (Folkisher beobahter në “Frankfurter Caitung” 29.06.1941). A mund të mënjanoheshin disi humbjet në periudhën fillestare të luftës? Duhet pranuar me kurajo, se për kushtet konkrete ishte e pamundur të mënjanoheshin plotësisht, por mund të ishin më të pakta sepse B. S. kishte në dispozicion 21 muaj nga 31 gushti 1939, kur Gjermania sulmoi Poloninë, e mjaftueshme kjo për të bërë ndryshimet e nevojshme në organizimin ushtarak, çka edhe kështu ndodhi më vonë. Bashkëkohësit sovjetikë të ndodhur në detyra luftarake në atë kohë, me keqardhje tregojnë se asnjë nga masat e duhura, edhe pse ishin të njohura, nuk u muarën dhe nuk u zbatuan seriozisht. Pra, B.S në pragfillimi të luftës me Gjermaninë nuk ishte i çarmatosur dhe pa forca të armatosura, sa që të pësonte atë disfatë makabre. Prandaj shkaqet, duhen kërkuar edhe në aktorë e faktorë të tjerë të brendshëm siç mund të jenë: “rënia në qetësi”; mungesa e përgatitjes ushtarako-profesionale e ushtrisë në veçanti dhe e popullatës në përgjithësi; ruajtja e qetësisë dhe luftimi i panikut sidomos në momentet e para; por edhe tek konceptet e vjetra bazuar në teorinë se “hapësirat e mëdha” edhe mund të lëshohen përkohësisht për efekt taktik apo riorganizimi dhe pastaj të rimeren ca pjesë…”; apo mania “… për të patur numër të madh forcash por jo cilësore”. Natyrisht, tashmë kur shkruajmë këto “meditime” e kemi të lehtë se ndodhemi në kushte paqeje, kemi në përdorim informacion të mjaftë, por edhe konsulencë apo literaturë etj. Por duhet të pohojmë me bindje se: “Fatet e Luftës II Botërore u vendosën në stepat e Rusisë; armiku u thye në betejën e Moskës (nëntor 1941- janar 1942); u përmbys në Stalingrad (nëntor 1942-shkurt 1943) dhe u varros në Kursk gjatë 10 betejave apo goditjeve të vitit 1944-1945”. Megjithatë, evidentimi i të metave edhe të fitimtarit mbetet modesti, respekt e nderim për atë. Kushdo që shkruan dhe mendon se nazifashizmi do të mposhtej pa B.S-nw, ai nuk është i qartë, ose është i joshur dhe i indoktrinuar. Mjafton të sjellim në vëmendje se B.S-ja në këtë luftë mbajti 70% të peshës; pësoi 50% të gjithë humbjeve njerëzore, si dhe angazhoi në frontin rus 78-80% të forcave dhe mjeteve luftarake të armikut. Fitorja e Luftës II Botërore ishte kontribut i forcave antifashiste të më se 50 shteteve të mbarë botës, por kthesa drejt fitores dhe fati përfundimtar u vendos në “Tri Betejat e Mëdha” në stepat e Rusisë Sovjetike: në betejën e Moskës; në atë të Stalingradit dhe, të Kurskut, duke u vulosur me 10 goditjet e Ushtrisë së Kuqe më 1944, e kurorëzuar në betejën e Berlinit në maj 1945. Në mbrojtjen e Moskës morën pjesë 17 armata dhe gjithë popullsia e kryeqytetit me moton: “… Secili në vendin e punës, secili një luftëtar për mbrojtjen e Moskës!!!” beteja e Moskës, si edhe disa të tjera, ishte një “… det i vërtetë ngjarjesh e heroizmash…”, që janë ngulitur në memorien e pashuar të popujve rusë dhe të mbarë botës.

*Ish-partizan; veteran dhe invalid i LANÇ-it