Zgjerimi i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Kurvelesh dhe pjesëmarrja e lekdushasve në këtë lëvizje

1410
Sigal

Mbas çlirimit të Gusmarit, lëvizja nacional-çlirimtare si në gjithë Kurveleshin, edhe në Lekdush mori proporcion më të madh

Mbas çlirimit të Gusmarit, Lëvizja Nacional-Çlirimtare si në gjithë Kurveleshin, edhe në Lekdush mori proporcion më të madh. Tashmë Kurveleshi ishte i lirë, ai kishte këshillat NÇL të tij në çdo fshat, kishte “komandën e vendit” siç quhej atëherë. Në këto kondita filloi puna për krijimin e  çetave partizane sipas vendimeve të organizatës së partisë, që drejtohej nga Mustafa Matohiti. Me fjalë të tjera filloi etapa e dytë: krijimi i reparteve të rregullta partizane me komandant dhe komisar. Si rezultat i çlirimit të Kurveleshit dhe zgjerimit të LNÇ fashizmi me kusilingët e tij të vënë në pozitë të vështirë, vendosën që më 4 dhjetor 1942 të kryejnë një operacion të madh dhe të fortë në Kurvelesh që të likuidojnë LNÇ dhe të kthejnë përsëri forcat reaksionare në Gusmar dhe nënprefekturën. Për arritjen e këtij qëllimi, ata përdorën dy metoda: e para, mashtrimin dhe e dyta, forcën me armë, me pjesëmarrjen e forcave ushtarake italiane dhe të milicisë fashiste. Tahir Kolgjini, prefekt i Gjirokastrës, kundërshtar i tërbuar dhe armik i betuar i lëvizjes Nacional Çlirimtare, mik personal i Kryeministrit kusiling Mastafa Merlika-Kruja, dërgoi një përfaqësues të tij në Kurvelesh për të realizuar mashtrimin e tij. Për këtë i deleguari i prefektit organizoi një mbledhje tek vendi që quhet “Lisat e Kadhe” afër Gusmarit. Nga Lekdushi në këtë mbledhje morën pjesë Haqo Iljazi, Ramiz Hajnaj, Xhelo Iljazi, Elmas Zeneli. Si përfaqësues i LNÇL ishte Mustafa Matohiti, i cili shkoi vetë për të shfrytëzuar momentin dhe për  të demaskuar armikun, për të dënuar oportunizmin me armikun. Në këtë mbledhje u parashtruan kërkesat e Tahir Kolgjinit, të cilat ishin të gjitha demagogji dhe mashtrim. Për përfaqësuesit e popullit në këtë mbledhje, me unitet të  plotë, nuk aprovuan asgjë nga ato që  kërkonte Tahir Kolgjini. Çdo gjë u bë e qartë kur e mori fjalën Mustafa Matohiti, i cili në mënyrë të prerë e sqaroi se populli i Kurveleshit si gjithë populli shqiptar do të luftojë deri në çlirimin e plotë nga zgjedha fashiste, dhe nuk do të marrë parasysh asnjë kërcënim të Tahir Kolgjinit. Mbledhja i dërgoi prefektit përgjigjen e kundërshtimit dhe të vendosmërisë për vazhdimin e luftës. Ndërkaq u morën masat e nevojshme për ti bërë ballë masave kërcënonjëse të Tahir Kolgjinit dhe operacionit që përgatitej për rivendosjen e administratës qeveritare. Në pritje të këtij operacioni, të gjitha fshatrat iu përgjigjën thirrjes për grumbullimin e vullnetarëve. Nga Lekdushi dolën 30 burra, të cilët zunë grykën e Bënçës të vendit që quhet “Ujët e Arit” në Lekdush, për të luftuar kundra forcave italiane, për ti bërë pritë forcave italiane qe do te sulmonin Kurveleshin. Për këtë arsye Tahir Kolgjni, i tronditur nga çlirimi i tërë Kurveleshit, duke parë se rruga automobilistike Tepelenë-Gjirokastër po kontrollohej çdo herë preh çetave partizane, në mëngjesin e 4 dhjetorit 1942, me forca të mëdha të milicisë, sulmoi krahinën e Kurveleshit nga tre drejtime, në mënyrë që të rrethonte forcat partizane. Kolona e parë u nis në drejtim Salari-Nivicë-Gusmar, kolona e dytë Tepelenë-Bënçë-Lekdush, në drejtim të Gusmarit dhe kolona e tretë nga Golemi në drejtim të Gusmarit.  Duke i ndarë forcat e tij në këto drejtime, Tahin Kolgjini mendoi t’i shtrëngonte në një derë të fortë forcat partizane, duke mos u lënë asnjë shteg dalje, për t’i asgjësuar me lehtësi, por armiku u gabua rëndë, sepse përveç forcave partizane, u ndesh edhe me forcat vullnetare të popullit, të cilat e goditën pa marrë parasysh reprezaljet dhe mundimet. Kudo u zhvilluan luftime të ashpra. Me gjithë vendosmërinë dhe guximin që i karakterizonte forcat partizane dhe popullin, që luftonte krah për krah vëllezërve të tij, forcat fashiste, pas humbjes në të vrarë e të plagosur, hynë në katundin Lekdush dhe e dogjën. Italianët kaluan malin, hynë në fshat në formacion lufte, duke e vënë fshatin në rrethim , dhe hapën zjarr me pushkë e mitraloza. Si rezultat u plagosën Hajno Hajnaj, Guçe Hajnaj e Muharrem Hajnaj, si dhe një vajzë e vogël. Të gjithë burrat dhe djemtë që u arrestuan, u vunë nën vërejtje duke i ruajtur me roje. Ishte një terror i madh. Po Lekdushkasit nuk do të mposhteshin nga fashistët dhe mbështetësit Kombëtar. Vazhduan të mbështesin Lëvizjen NÇl

Gezdar Serjani