Xhevat Lluri: Brigada e 6-Sulmuese “Hero I Popullit” në 76-vjetorin e krijimit. Pa LANÇ nuk do kishte Shqipëri

1824
Sigal

Dil nëno dhe shiko jashtë, si lufton Brigada e Gjashtë…

Brigada e Gjashtë Sulmuese “Hero i Populli” në 76-vjetorin e krijimit

Brigada që tundi dhenë, në popull ngriti folenë, atje jataku dhe shpirti, ndaj lavdinë lart e ngriti

Pa LANÇ, nuk do ekzistonte Shqipëria

Jemi në vitin 1944. LANÇ në jug të vendit kish marrë përmasa e një kryengritjeje të vërtetë popullore. Të gjithë më këmbë, duke u përleshur fyt-a-fytas me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre ballistë. Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, forcat partizane ishin kthyer në ushtri të rregullt. Ishin krijuar brigadat 1,2,3,4,5, ndërsa sulmet, luftimet, goditjet ishin shtuar dhe zjarri partizan sa vinte e bëhej si vullkan, duke djegur e përvëluar pushtuesit e ardhur nga prapa diellit edhe brenda kazermave. Forcat aleate, vunë përpara hordhitë naziste dhe i drejtoheshin Berlinit për të shkatërruar djepin që e lindi. Vendi ishte futur në një dimër të tmerrshëm. Shiu, breshëri, bora, acari, tufani e suferina të merrte frymën. Kjo gjendje bëhej, akoma e më e keqe, tmerrësisht e vështirë nga veprimet agresive, çnjerëzore të armikut e bashkëpunëtorëve të tij, që të goditur, gjakosur e tmerruar nga partizanët, ishin tërbuar. Të ndihmuar nga koha e keqe, kujtuan se, do shkatërronin LANÇ dhe filluan Operacionin e Dimrit, më qëllim asgjësimin e plotë të saj. Ishin ditë luftarake, të stuhishme, të vështira por heroike për popullin tonë që, megjithëse i vogël, i varfër, ndau kafshatën me djemtë që luftonin për Liri. Pikërisht në këtë situatë, për të sfiduar forcat pushtuese e tmerruar tradhtarët e atdheut, 76 vjet më parë, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, në qytetin historiko-kulturor dhe të lavdishëm të Përmetit, më 26 Janar, u krijua Brigada e 6-të Sulmuese, me partizanët e batalioneve “Asim Zeneli”, “Baba Abaz”, “Abas Shehu”, “Naim Frashëri” dhe kompania “Thoma Lulo” e batalionit “Çamëria”. Më vonë, edhe batalioni “Zaho Koka”. Luftëtarët e saj, që personifikoheshin me epitetin tradicional jugor “çeço”, ishin ndeshur, përplasur dhe gjakosur sa e sa herë me armikun, duke fituar eksperiencë luftarake. Dinin të zbulonin, mashtronin dhe ta ndillnin atje ku beteja jepte rezultate, ndërkohë ishin propagandistë të mirëfilltë. Këta trima të etur për liri, besnikë deri në vdekje ndaj popullit dhe kombit, motivuar e përkushtuar për çlirimin e atdheut, këta ‘çeço’ luanë, kompletuan brigadën. Ndaj, krijimi i saj ishte risi në UNÇSH, ogur i mirë për popullin, atdheun e qarkun e Gjirokastrës. Ishte kjo arsyeja që në luftimet me pushtuesin dhe mercenarët vendas e filloi me fitore dhe kaloi nga fitorja në fitore, duke dhënë kontributin e saj edhe në ndihmë të ish-vëllezërve tanë jugosllavë. Përmeti ishte në festë, ndërsa fusha ku do të rreshtoheshin batalionet, ishte mbushur me flamurë, parulla, banderola dhe shtruar me lule. Batalioni “Naim Frashëri” i priste në qytet, duke siguruar ambientin; të tjerët, duke qenë në krahina të ndryshme, iu drejtuan Përmetit në mënyrë koncentrike: nga Frashëri, “Asim Zeneli”; nga Gryka e Këlcyrës, “Baba Abaz” dhe nga Dhëmbeli, “Abaz Shehu”. Qafa e Dhëmbelit një mrekulli natyrore dhe artistike! Kush ka dalë në atë qafë, ka ngelur i befasuar nga pamja! Para: qyteti historik i Përmetit, Vjosa e lashtë që krijon luginën përmetare. Në të dy anët fusha e fshatra njëri më i bukur se tjetri, të gjithë mbuluar nga jeshillëku. Pyje, male pa fund dhe mbi to shkëlqente Frashëri, ku lindën apostujt e kulturës, kapedanët e Rilindjes, kalorësit e atdhetarisë Abdyli, Naimi dhe Samiu. Bredhi i Hotovës, një mrekulli më vete dhe i veçantë në Ballkan! Në këtë ambient me natyrë magjepsëse dhe zone e lirë, do organizohej dhe krijohej Brigada e 6-të Sulmuese.

Drejtues u emëruan kuadrot e dalluar dhe fitimtarë në betejat e përgjakshme. Komandant Brigade Tahir Kadareja; Komisar Mustafa Matohiti; Zv/komandant Jaho Gjoliku; Zv/komisar Haki Toska. Komandant batalionesh: Riza Veipi; Sadik Buzo; Fejzo Ismaili dhe Feti Bubësi. Data e krijimit ishte 26 Janari, mirëpo populli nuk e pa krijimin, ndaj organizimi, i Brigadës së 6-të Sulmuese ka veçori dhe ndryshon nga brigadat e tjera, që u krijuan në mënyrë ceremoniale. Nuk e la pushtuesi me ballistët, mercenarët e tradhtarët e vendit. Ajo u krijua, por në luftë tepër të ashpër dhe një nga betejat nga më të përgjakshme, e cila vazhdoi 8 ditë pa ndërprerje. Më 26 Janar në mëngjes, situata dhe koha ndryshoi. Një ditë para, gjermanët nisën nga Berati, Grupin “verior”; nga Tepelena Regjimentin e 54 të blinduar dhe kishin mbërritur në Këlcyrë. Nga Janina nisën Grupin “jugor” që po i afrohej Petranit; nga Korça nisën Grupin “lindor”; ndërsa me avionë kontrollonin, bombardonin dhe mitralonin zonën. Koha u egërsua, borë, ftohtë, acar, madje filloi edhe një breshër që të tmerronte. Në këto moment tepër delikat rrezikohej jo vetëm brigada, por spitali që u shpërngul nga Sheperi bashkë me popullin dhe ndodheshin në lëvizje. Situata ishte kritike. Komanda e brigadës e studioi, vlerësoi dhe mori vendim: Me shpejtësi të kapnin e mbanin rajonin: Kuqar, Mali i Bardhë, Mali i Kutalit. Batalionet morën detyrë të kapnin rajonet: “Abaz Shehu” në Kuqar, “Asim Zeneli” në Kosinë, “Baba Abaz” në Brezhdan dhe “Naim Frashëri” në Malin të Bardhë. Me detyrë: Të ndalonin armikun; t’i shkaktonin dëme në njerëz e teknikë; t’i siguronin rrugën e lëvizjes spitalit, popullit dhe në luftë e sipër të organizohej edhe brigada. Dy ditë më vonë nga Poliçani zbriti edhe batalioni i pestë i Br.1 S., i cili sapo ishte krijuar dhe u vu në dorë të komandës për ta futur në luftim, në kohën, vendin e momentin e duhur.

Brigada do luftonte kundër tre kundërshtarëve: 1- gjermanëve dhe ballistëve. 2- kohës së vështirë dhe tmerrësisht të ftohtë. 3- mungesave në ushqim dhe veshmbathje. Por me gjithë vështirësitë, në kohë rekord, u zunë rajonet. Organizimi ishte shembullor. Pararoja u fut në pritë, dy tanke dhe dy autoblinda u hodhën në erë. Nga zjarri i organizuar lugina mori flakë dhe lufta vazhdoi zjarr për zjarr, bajonetë për bajonetë, thikë më thikë, fyt më fyt dhe pas tetë ditë luftimesh të ashpra, të përgjakshme, i shkaktoi 49 të vrarë, 32 të plagosur, dy tanke dhe dy autoblinda të shkatërruar dhjetëra pushkë e municione të kapura. Ndërsa armiku i tërbuar nga humbjet dogji për të tretën herë qytetin e Përmetit dhe fshatrat, Kutal, Kosinë, Badëlonjë, Tremisht, Petran, Leusa, Kaludhi, Nevoselë, Bënjë dhe u detyrua të tërhiqej me disfatë nga Përmeti. Nga brigada ranë për të mos vdekur kurrë partizanët: Teki Gjashta, Foto Andoni, Nako Tane, Negri dhe Bruno Domeniko italianë, Ahmet Tomori, Nesip Alimemaj, Flamur Sabriu. Që në betejën e parë Brigada e Gjashtë, u përgjak, u pagëzua me luftime, por edhe u inaugurua me fitore. Dimë se betejat e mëdha ndodhin, organizohen dhe zhvillohen për probleme të mëdha. Aty në luginën e Përmetit, u organizua u zhvillua dhe u fitua një betejë e madhe, e përgjakshme, e lavdishme dhe fitimtare, që u përjetua në këngë: Me djem trima, sy petritë / Tepelenas – gjirokastritë / dhe me përmetarë bashkë / u krijua Brigada e Gjashtë… / gjëmon Vjosa dhe lugina / partizanët vetëtima / ujkonja në pritë ra / të vrarë dyzet e ca…dhe, nga Përmeti vetëtimë / nis Brigada historinë… Kështu do ta fillonte ashpër, luginë më luginë, shteg më shteg, mal më mal, fshat më fshat dhe qytet më qytet. U përplas me armikun në Përmet, në të gjithë vendin dhe me luftime të paprera dhe vdekjeprurëse nga jugu në veri të vendit. Në të pastajmen jashtë kufijve shtetërorë, deri në Vishegrad të Jugosllavisë, por, me fitore. Brigada e Gjashtë Sulmuese nuk kish vetëm partizanë trima dhe të përgatitur, por dhe shkrimtarë e poetë që na i sollën betejat të gjalla dhe reale nëpërmjet shkrimeve dhe këngëve që krijuan. Të paharruara janë e do të ngelen kuadro drejtuesi Resul Bedo, Zihni Sako, Lame Çekani (komisarë kompanie, zë/komisar batalioni) dhe poetin popullor Ismet Baçi. Veprimet luftarake në jug të vendit, përfshinin zonat: Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Mallakastër, Patos e Skrapar. Ajo përballoi disa operacione: të “Dimrit”, “Magjinë e Pranverës”, “Nepërkën”, “Goja e Ujkut”, “Gemsbock”, “Horridol” dhe të “Qershorit”; zhvilloi mbi 89 luftime, tetë beteja, shtatë prita, katër çarje rrethimesh dhe qindra goditje të shkurtra; por luftimet më të ashpra, që ia ngritën lart e më lart autoritetin, prestigjin dhe namin e mirë te populli, te Shtabi i Përgjithshëm dhe te aleatët, përveç Përmetit, ishte beteja: në Lunxhëri, ku u ngrit kënga: Në Qesorat, mu në breg / bajonetë më bajonetë / o lufta në Lunxhëri / do ngelesh në histori. Beteja e Margëlliçit, e cila zgjati tetë orë rresht. Nga brigada ranë 13 dëshmorë; midis tyre Komisari i Brigadës, trimi i orëve të para, oratori i Labërisë, Heroi i Popullit Mustafa Matohiti. Të gjithë heronjve, dëshmorëve iu ngritën këngë, ndërsa Komisarit: “…Bilbil Matohiti, që s’të shoh me sy…” dhe, me mall shokët të mbuluan / blerim toke të ngarkuan / zëmra u pikonte gjak / për ty do të marrim hak! Në Mavrovë – Brataj – Kuç: Partizanët e rënë u përjetuar në këngën: Nëna ju kish rritur për një botë të re / Lule more trima që rat’ për atdhe…dhe “Rrahostrati si Bezhani / e godet me top gjermani / por nuk tundet partizani”. Edhe pushtuesit patën humbje të mëdha. Aq të mëdha ishin sa komanda gjermane, e zëvendësoi komandantin e korparmatës 21 Feh, me gjeneralin Leiser. Për luftimet në Kurvelesh, Komandanti i Korparmatës së Janinës raportonte: “…në rajonin e Malit të Bardhë, Shënvasi, Shushicë zhvillohen luftime të ashpra…” Këto arritje, treguan se Brigada e Gjashtë ishte e pathyeshme, merrte çdo objekt, qofshin këta edhe të fortifikuar siç qe Mavrova dhe Margëlliçi. Në Tomor dhe për herë të parë pas Përmetit u bashkua dhe bëri betimin para popullit dhe atdheut. Aty, komandant do emërohej, besnikun deri në vdekje i popullit e atdheut, plaku trim, Jaho Gjoliku. Në kuadrin e përgjithshëm të UNÇ, Br. 6 S. ishte rezervë dhe në dorë të Shtabi i Përgjithshëm dhe përdorej për të rimarrë pozitat e humbura, ku simotrat ishin tërhequr. Për aftësitë e saj, i bindur edhe komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, ndaj dhe për t’i treguar armikut forcën e pathyeshme te UNÇ, në vendet e fortifikuara dhe nga më të rrezikshme, dërgonte dhe fuste në luftim brigadën e çeçove, e cila i ra atdheut mespërmes. Në qoftë se nga Operacioni i Dimrit doli e fortë; në pranverë dhe pas Kongresit të Përmetit, bashkë më simotrat, bëri ekuilibrimin e forcave, shtoi efektivin, pas operacionit të Qershorit e gatshme për të kaluar në kundërmësymje të përgjithshme. Në krahinat, fshatrat, qytetet ku kaloi, fitoi dashurinë, respektin e simpatinë e popullit, i cili u hapi shtëpitë për ushqim, strehim, u dha zemër, zjarr, besim e vendosmëri për ta luftuar dhe ndjekur këmbë për këmbë, në mënyrë që armiku të mos gjente kurrë qetësi, deri sa të shporrej nga atdheu. Dhe Brigada i kreu me sukses të gjitha detyrat në Elbasan, Tiranë, Burrel, Mirditë, Dibër, Pukë, Tropojë dhe Shkodër. Të ashpra ishin luftimet edhe në Shqipërinë e mesme dhe të veriut, por dhe sidomos beteja e Labinotit: në Shushicë në Labinot / se ç’u mbush me lebër plot / Elbasani qan me lot / gjermani qëllon me top …dhe në Shënpal të Mirditës ku iu ngrit këngë borizanit të vrarë: o Naun, o lule djalë, borizan mbi borizanë / ish tetori më të dalë, të mori plumbi në ballë / por ti s’vdiqe je i gjallë, borizan mbi burizanë… Në një përpjekje të beftë në Qafëthanë të Dukagjinit, ra djali më i ri, “Hero Populli”, Çelo Sinani. Akti heroik u përjetësua në këngën: “Çeloja një djal i ri / buzëqeshjen në liri / ia preu një plumb i zi…” dhe doli në veri të Shkodrës. Për çlirimin e Shkodrës, u urdhërua Korparmata III e UNÇ me Br.6,7,22,23,24 S, grupi i Shkodrës, njësitet guerile dhe populli. Atje, përveç gjermanëve, mbledhur dhe forcat e reaksionit, ndaj qëndresa ishte e madhe dhe e ashpër. Luftimet vazhduan 10 ditë e net. Forcat armike, pësuan humbje të rënda në njerëz, armatim dhe teknikë. Lanë depo të tëra me ushqime e veshmbathje. Në mëngjesin e 29 Nëntorit, hodhën në erë Urrën e Baballëkut, bënë terror duke vrarë 23 veta në shkollën “Skënderbe” dhe me ngut, filluan tërheqjen. Edhe gjatë tërheqjes, hodhën në erë të gjitha urat që të çojnë te Hani i Hotit. Aq të egërsuar ishin sa, kur bënin xhiro makinat, nuk vinin gurë, zhavorr e drurë, por trupat e njerëzve të vrarë! Shkodra u çlirua, por për çlirimin e saj, ranë 110 dëshmorë. Në orën 10.00, në mes të qytetit, në Pjacë, komisar i Br.22 S. (e Pezës) Irfan Çelkupa, mbajti fjalimin e fitores. Në këtë kohë Br.6 S. përparoi duke e goditur armikun që tërhiqej, nga Kopliku deri në Han të Hotit. Ecnin kolonat armike, por zjarri therës i Br.6 S. nuk iu nda. Me zjarr e shoqëronte dhe me zjarr e përcolli, deri sa kaloi kufirin nazisti i fundit. Dita e çlirimit festohej në Shkodër, por Br. 6 S. e festoi në Han të Hotit. Gëzonin ditën që vulosi lirinë. Këndonin çeçot e Labërisë, por sytë i kishin nga Komandant Jahoja, i cili, që kur u vranë djemtë Aliu dhe Mitati, nuk kish kërcyer. Ish dita e çlirimit ndaj, la mënjanë dhimbjet dhe u ngrit i pari. Atje në kufi, në ditën e shënuar të 29 Këndorit, bashkë me partizanët trima, hoqi vallen e kaçakut. Gëzimi kish arritur kulmin dhe menjëherë u ngrit kënga: Dhe shpërthen, pëlcet furtuna / vij nga Vjosa, më pret Buna / Shkodra loce del në derë / me shpirtin e saj pranverë… Dhe shkodrani, plot kulturë / mbi Rozaf’ ngriti flamurë / te sheshi, te kafe e Madhe / populli na hiqte valle / oh, sa bukur, ma ka ënda / kërcet pushka edhe kënga / brohoritet prej gëzimit / rroftë dita e çlirimit… Partizanët, i propozuan të ktheheshin, të shikonin Shkodrën dhe të festonin bashkë me popullin. Komandant Jaho u thotë: “Do ta shohim Shkodrën, por kur të kthehemi. Më parë duhet ndjekur dhe goditur armiku. Është urdhri i komandant Enverit, ndaj pas meje, përpara.” Dhe momentin e përjeton kënga: Betoheshin partizanët / çeçot bashkë me tarzanët / hekurin hamë me dhëmbë /, do ta ndjekim këmb’ për këmbë / te strrofulla nga dolli / shterojmë barkun, që e polli…

Betejën e parë jashtë kufijve, brigada e dha në kalanë Ilire të Medunit, pastaj në Tuz, Verushë dhe tregon kënga: Në luftë e suferinë / vdekja vërdallë lëvizte / zëri i atdheut buçiste / zemrat, shpirtin zjarr e ndizte / Brohoritnin për fitore / për aleatët zëmër çelik / rroftë Anglia – Amerika / dhe Bashkimi Sovjetik…! Por beteja më e vështirë, më e ashpra dhe më e përgjakshmja ishte majë maleve, në Ljeva – Rjeka …Zjarr u ndez kjo Ljeva-reka / nga mëngjesi deri te dreka / majë maleve të ngrirë / ranë shokët më të mirë… Qëndruam disa ditë në Verushë dhe i habiti pritja e popullit. Dëgjuar për luftimet e brigadës, sukseset e sakrificat, qëndrimin, karakterin, rezistencën, përgatitjen luftarake, këngët që këndonim, ndaj i prisnin me krahë hapur e shpreheshin: “Kishim dëgjuar që partizanët janë të mirë; por ju, partizanët shqiptarë, qenkeni më të mirë se partizanët”. Aty për atu ishte gati kënga: Verushitët në luginë / të habitur hapën synë / ç’janë këta që fluturojnë / tmerrin, borën e durojnë / hanë barutin me dhëmbë / armikun shkelin me këmbë / ç’është kjo Brigad’ shqiponjë / e pa parë në vendin tonë / me dushmanin ballë për ballë / thua Skënderbeu gjallë… Momenti prekës ndodhi në Verushë, në përcjelljen e partizanëve të rënë. Komandant Jaho, me dhimbje në zemër i kalon në revistë, afrohet e shikon me radhë të vrarët, që i kishin vendosur me fytyrë nga jugu, për të “parë” për të fundit herë atdheun. Mundohet të mbajë lotin, po zemra i regëtin, buzët dridhen… Me hap të ngadalte kalon tek Sicili… Dora e tij luftarake u prek trupi, ballin, flokët, trupin… Iu përmend emrat, ju tregon bëmat…, drithërimat përshkojnë brigadën, që mbahet dhe do mbahet për tu marrë hakun. I puth dhe i ledhaton… Pastaj kthehet nga shokët dhe: “si mund të ndahesh nga ata, që shtien në dhe me himn dhe krisma pushke? Si mund të veçohen nga ideali, ata, që bien me fjalën liri – paqe dhe demokraci në buzë…”? Në këtë kohë kaq prekëse shpërthen zëri heroik i brigadës, oshtiu Verusha, u tundën malet për rreth nga thirrja: “ do t’u marrim hakun!”. Dhe, në bashkëveprim me brigadat e tjera, më 14 Shkurt 1945 u çlirua Vishegradi. Në jug të qytetit ishin disa kodra të bukura të Driskos, që u përjetuan në këngë: “Në Drisko në Vishegrad / Po lufton Brigad’ e Gjashtë…ose: Vishogradi maja-maja, gjaku shkon lum’ e rrëke / pesëqind e ca gjermanë, mbetur shtrirë në xhade… dhe: Lule moj brigadë e Gjashtë / vetëtimë nëpër natë…Në Vishograd të Jugosllavisë e mbylli aktivitetin luftarak, por me fitore dhe me lavdi. Me urdhër u kthye në atdhe dhe u vendos në Korçë. Në këtë luftë për jetë a vdekje, ranë në lulen e rinisë 28.000 mijë dëshmorë, shumë të tjerë sakrifikuan pjesë nga trupi i tyre. U derdh gjaku lumë dhe jo për vete, por, për lirinë e popullit e të atdheut. Mijëra familje dhe prindër pritnin djemtë dhe vajzat për t’i martuar, por morën mandatën dhe nënat veshën shaminë e zezë! Qindra fëmijë prisnin baballarët për t’i përkëdhelur e gëzuar, por u vranë, shumë u kapën dhe u torturuan në mënyrën më të tmerrshme, më çnjerëzore, një pjesë u dogjën të gjallë dhe fëmijët ngelën jetimë! Dhjetëra fëmijë që ishin pa lindur, që do të mbushnin me jetë shtëpinë nuk e panë dritën e diellit se vdiqën bashkë me nënat nga bajonetat naziste dhe me baballarët nuk u panë kurrë! Qindra të tjerë u kthyen në familje pa një dorë e një këmbë, ose edhe pa të dyja dhe nënës, babës, fëmijëve u cëriste zemra, se nuk mund të ecnin dhe nuk përkëdhelnin fëmijët! Shumë partizanë e gjetën shtëpinë të djegur dhe shkatërruar, por nuk u dekurajuan e të tjera, e të tjera vandalizma që nuk i kap imagjinata e një njeriu normal! Kur kujton këto tmerre që hoqi populli për të sjellë lirinë, shkatërrimin total që pësoi atdheu, heroizmin partizan, nuk ka se si të të mos të vijë keq, të mos revoltohesh nga politikanët bastardë, që, nuk duan ta njohin LANÇ dhe përpiqen ta ndryshojnë historinë, ndërkohë kërkojnë të ngrenë të vdekurit, bashkëpunëtorët e fashistëve dhe të nazistëve, duke u kundërvënë vullnetit të popullit dhe Koalicionit fitimtar. Ata e kuptojnë se, po të ngelej vendi në dorën e Ballit, Legalitetit dhe parisë, nuk do kishte më Shqipëri. Siç ka ndodhur pas çdo lufte. Do copëtohej nga fituesit! LANÇ dhe partizanët e shpëtuan vendin nga kjo katastrofë. Kush nuk e kupton këtë, është injorant, i pabesë, i shitur dhe tradhtar. Rruga luftarake e Br.6 S. është e shkëlqyer, e suksesshme, e lavdishme dhe heroike. Përshkoi një intinerar prej 3500 km; i shkaktoi armikut mbi 3500 të vrarë, 1497 robër dhe shumë të plagosur; i shkatërroi dhjetëra makina dhe autoblinda, i kapi mijëra pushkë e automatikë; qindra mitraloz, topa, mortaja, municione, ushqime dhe veshmbathje. Shkeli 10 prefektura, 32 krahina, çliroi 8 qytete e i dha atdheut 220 dëshmorë, nga këta 53 jashtë kufijve dhe 10 heronj. Nga 110 vajza pjesëmarrëse në brigadë, 10 janë dëshmore, tre “Heroina të Popullit”. Në Luftën e Dytë Botërore morën pjesë 60 vende dhe nga nazizmi gjerman u varën në litar 6 femra; 5 ishin shqiptare (Persefoni Kokëdhima, Bule Naipi, Fato Berberi, Ganimete Trebeshi dhe Sofie Noti). Nga këto, 4 janë të Br.6 S. Ish ky aktivitet i suksesshëm, i rëndësishëm, madhor në interes të kombit, atdheut, shteteve fqinje dhe koalicionit, ndaj u nderua me dekoratën më të lartë “Hero Populli”. U ngritën himne, këngët, janë shkruar vjersha, poema etj. Është e vetmja brigade në atdhe, mbase edhe më gjerë për të cilën është ngritur epope me titull: “Vij nga Vjosa, më pret Buna”: …Për kombin, tokën e lashtë / Grusht çelik Brigada e gjashtë / në beteja, fushë dhe mal / ngriti flamurin shqiptar… Dil nëno dhe shiko jashtë / si lufton Brigada e gjashtë… Trimat tanë të Shqipërisë / sollën dritën e lirisë / në këtë tokë plumb të rëndë / me mençuri, pushkë dhe këngë… Jemi vendi me histori të lavdishme dhe asnjëherë nuk kemi provokuar, apo sulmuar dikë tjetër. Kemi mbrojtur brez pas brezi atdheun dhe popullin tonë, por fuqitë e mëdha me pa të drejtë na kanë copëtuar dhe vazhdojnë! Ndërsa LANÇ u nis e pastër, ka qenë e pastër, është e do të mbetet e pastër dhe jo vetëm e një partie, por kombëtare dhe e të gjitha forcave dhe e shtresave popullore pa dallim feje, krahine dhe ideje. Kryetar i frontit Demokratik ishte nacionalisti Ndoc Çoba; në Shtabin e Përgjithshëm 70% të kuadrove (komandant Spiro Moisiun, legalistin Abas Kupi, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Haxhi Lleshi etj), ishin nacionalistë, por, u treguan të pa afta dhe me paaftësinë e tyre, i krijuar hapësira partisë komuniste, e cila në atë kohë nuk njihej. Ishte e njëllojtë me forcat e tjera, shumë herë më e pakët nga forcat nacionaliste dhe të gjitha vepronin nën emrin e Frontit Demokratik. Një pjesë e nacionalistëve i detyroi paaftësia të dezertonin dhe tradhtuan Shtabin e Përgjithshëm, Fronti Demokratik, kauzën për çlirimin e atdheut dhe u bashkuan totalisht me okupatorin. Kështu, fituan urrejtjen jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të Koalicionit fitimtar botëror, ndaj, sa do të përpiqen dallaveraxhinjtë, hipokritët e pabesë, Luftës Nacionalçlirimtare më shumë i rritet prestigji. Po të mos ishte ajo, nuk do kishim Shqipëri. Ndaj, është edhe epopeja më madhështorja, më e lavdishmja, më e ndritur, më e nderuar dhe e respektuar e historisë kombëtare, ndërsa partizanët janë dhe do të ngelen brezi më i lavdishëm i kombit dhe i atdheut. Kush kërkon ta mohojë LANÇ, duhet ta dijë se ajo është larë me gjak, i cili u derdhur lumë dhe kush e nëpërkëmb, lumi i gjakut e mbyt! E thotë edhe kënga: Për atdhe jetën e dhanë / njëzetetremijë ranë / gjaku shkoi deri në fyt / po e shkele, ai të mbyt…!

Br.6 S., historinë e shkroi me fitore, tokën e vaditi me gjak, e mati me faqe, pëllëmbë dhe pash, ndaj lavdi Brigadës së Gjashtë!