Përgatiti për botim Ergys Alushi
Në 30 prill, filloi ceremonia e varrimit, e cila mbaroi në ora 19-të.I shoqëruar me më shumë se 150 kurora, i nderuar prej ushtrisë e xhandarmërisë, i përcjellë prej delegatëve të kombit, heroi ynë u përcoll me një solemnitet të jashtëzakonshëm.Fjalimet u mbajtën nga 17-të oratorë, nga të cilët zonja Marigo, Atë Ali Tyrabi, Don Lazer Shantoja, Atë Fishta, e im Zot Noli. Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku në vitin 1932 u zbulua një komplot të madh kundër Ahmet Zogut, apo në vitin 1943 ishte dhe një bazë e fuqishme kundër Enver Hoxhës, ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit. Vajza e Esat Pashë Toptanit kërkoi nga Osman Bali, që Jusuf Reçi t’i plotësonte dy kushte për ta kryer këtë vrasje.Në revoltën e parë, në prill të vitit 1924, të zhvilluar në Tiranë, zemrën në vazo e Avniut, e mbante në dorë një burrë, i cili qëndronte në krye të turmës së revoltuar nga vrasja e Avniut. Fati i vrasësve të Avni Rustemit ishte i tillë.
Komploti për vrasjen e Avni Rustemit.
“Ditën që u plagos Ahmet Zogu, kur hyri brenda në dhomën e Kuvendit, i plagosur e me kobure në dorë, u kthye dhe i pa me sy të egërt Avninë dhe Gurakuqin, kjo kish kuptimin që i kujtonte si shtytës të vrasjes.Me këtë plagosje duhet shënuar që Ahmeti u tregua aq fare pak burrë dhe aq me shpirt të vogël sa i ka çuditur ata q’e kujtonin trim me fletë dhe të patrembur.
Ahmeti i plagosur ia ngarkoi barrën e gjakmarrjes lalait të tij, Abdurahman Krosit, i cili hyri në marrëveshje me disa veta të njohur si Esadistë, që kështu vrasja e Avniut të merrte ngjyrën e c’gjakësimit nga an’e Esadistëve. Gjaku sipas zakonit të malësisë, duhej marrë para se Ahmeti të dilte jashtë pragut të portës.
Si dështoi marrëveshja, u përshpërit prej veshi më vesh që Avniu ish targeti (nishani) i gjakmarrjes… Kjo gjë u fol në ditët e para pas plagosjes dhe tingëllimi u përhap nëpër popull.
Në i vajti lajmja të ndyerit Avni nuk dihet. Po nga një vërejtje që ka bërë kur i thanë se Zogolli e quante si shtytës, kuptohet që nuk kish gjisht e që nuk do të merrte masa për t’u ruajtur.
“Po të desha ta vrisja Zogollin do ta vrisnja burrërisht dhe me dorën time dhe jo me anën e një tjatri”.
Zogolli drejtësisht a padrejtësisht ia ngarkoi fajin të ndyerit. Osman Gazepi nga ana tjatër e tiranizoi Beqir Valterin në mënyra të ndryshme që të tregonte shokët. Pasi e munduan fort një natë, i gatitën një listë me disa emra të kryetarëve t’opozitës Parlamentare, dhe në ora 2 pas mesnate ftuan ministrin Myfit Libohovën dhe prokurorin të dëgjonin dëshminë dhe të nënshkruanin procesverbalin.
Valteri u tha këtyre : “ju thirra të shihni në ç’hall ndodhem e t’ju them që këto më kanë shtrënguar të them, janë të tëra të rrema, i thashë që të shpëtoja jetën t’ime”. Abdurahman Krosi pasi nuk gjeti nonjë Esadist të njohur, megjithë zotimet për çpërblime të majme më në funt, u këthye dhe kapi qerozin kriminal, mulinar e Zia Toptanit. Para se të largohej Avniu prej Tirane, bashkë me kuvendistët e tjerë u panë dy veta që e ndiqnin nga pas dhe kërkonin rasjen. Tani kuptohet që e ndoqnë gjer në Durrës… kur u këthye për së dyti, i ndyeri në Tiranë hijet e këqia e ndiqnin pas.
Rastin ia gjetnë kur shkonte në rrugën në varret e Pashës.
Në të dy anët e rugës, në kohën e vrasjes, ndodheshin dy policë, si duket ishnë vënë për të ruajtur katilin. Pasi u bë krimi, katili shkoi me ngadalë se e kish zënë gjaku dhe dyke salutuar me të djathtë e me të mëngjër. Policët kanë qenë pasanikë të Zogollit kështu kriminali u çduk dhe si thuhet, më pas u vra prej trimave të Zogollit përjashta qytetit.
E mbyllëm këtë faqe të gjakshme të tragjedisë së Tiranës, e cila e solli n’anormalitetin e sotmë atdhenë t’onë dhe vijmë tek qeveria…”
Gazeta “Shqypëtari i Amerikës”-prill 1924
Varrimi i Avniut
“Korteu i vorrimit t’Avniut, martirit të kombit filloi më 2.30 tue marrë pjesë 10 mijë vetë dhe 300 përfaqësues të krahinave të ndryshme. Folnë dhe 17 oratorë me fjalë ma të nxehta mbi ideale të larta t’Avniut, mbi bashkimin e patriotve dhe mbi triumfin e nacjonalizmit.
Në emër të ushtrisë foli major Ibrahim Prishtina. Fjalët e mallëngjyshme bënë të qajnë tërë zonjat e zotërinjtë qi qarkonin trupin e herojt t’kombit.
Ora më 6.30 u varros dhe mbi vorr ju vunë 200 kunora’
Gazeta “Politika”
Vlorë, më 30.4.1924.
Gazeta “Shqypëtari i Amerikës”
E enjte, 29 maj 1924
Korçë
Trupi i Avniut, i sjellë nga Tirana në Durrës, i përcjellë prej përfaqësuesve të viseve të ndryshme, dhe i stolisur me kurora e lule, zbriti në skelën e Vlorës, në datën 29-të.
Populli i Vlorës, i bëri një pritje madhështore, dhe tërë qyteti ishte në zi Kombëtare.
Salla e Këshillit të Bashkisë, u transformua në një dhomë funebër, ku i gjithë populli përshëndeti vajtueshëm trupin e dëshmorit për të fundit herë, dhe për të ngushëlluar prindërit e heroit, të cilët gjendeshin pranë arkivolit. Në 30 prill, filloi ceremonia e varrimit, e cila mbaroi në ora 19-të.
I shoqëruar me më shumë se 150 kurora, i nderuar prej ushtrisë e xhandarmërisë, i përcjellë prej delegatëve të kombit, heroi ynë u përcoll me një solemnitet të jashtëzakonshëm.
Fjalimet u mbajtën nga 17-të oratorë, nga të cilët zonja Marigo, Atë Ali Tyrabi, Don Lazer Shantoja, Atë Fishta, e im Zot Noli. Gjatë udhës së përcjelljes, populli e shoqëroi trupin e idealistit të madh me këngë vajtuese, Avniun e Shqipërisë.
Ultimate qeverisë!
Të dalë jashtë Shqipërisë Zogoli dhe të formohet një qeveri, e cila të sigurojë jetën për të gjithë njësisht. Lëvizja Kombëtare për rrënjosjen e Kanunit dhe urdhërit, dhe për ç’kuljen e forcave personale bashibuzuke. Vlora dhe Përmeti 4 mijë veta, midis të cilëve 150 djem idealist të Shoqërisë Bashkimi. Shkodra dhe Kosova me ushtëri dhe popull kundër qendrës së fuqirave personale. Populli heroik i Vlorës në një mbledhje të përgjithshme të parisë së qytetit dhe të fshatrave vendosi t’i thotë qeverisë, ta mbaronte krizën me një mënyrë paqësore, përndryshe për t’arrirë këtë qëllim do të bënte çdo therrori. Në këtë mbledhje u zgjodh Z, Seid Qemal dhe Osman Haxhi t’ia komunikonin qeverisë vendimin. Zotëri e tyre, për të mbaruara misionin thirrën në telefon, Iljas Vrionin. U kupëtua që ministri ish nën vërejtje dy vetash të kallur për vëzhgim prej Zogolit, i cili si duket ka kapur tërë fuqinë e shtetit në dorë, kështu nuk u muarr dot vesh… Pas informatash prej Shkodre, Rexhep Shala, kumandant i rexhimentit, i dha ultimatum qeverisë me të cilën kërkoj largimin e Zogollit prej Shqipërisë në 24 orë (gjer të mërkurën mbrëma), përndryshe ay niset bashkë me Fuqitë Kombëtare për Tiranë.
Këtë ultimatum, si mësuam, ia përsëriti qeverisë, dhe populli i Vlorës, i cili me një entuzismë karakteristike të Vlorës, u gatit për veprim. Në Vlorë, forcat Kombëtare kapërcejnë 2 mijë veta.
Përmeti, qendër e ushtrisë së jugut, dhe qendër patriotike, ka një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në qarkun e Përmetit, vetëm u mboth një fuqi ushtarake prej 2 mijë vetash, të cilët janë gati për veprim.Kryetari i lëvizjes Kombëtare, për të çkulur antikombëtarizmën dhe reaksionin, nënkolonel Kasëm Qafëzezi, u nis për në Vlorë.
Çpallje Popullit të Vlorës!
Dyke i lënë shëndet Vlorës, e quajmë për detyrë të falenderojmë popullin e këtij qarku, për pritjen e mirë që u bëri udhëheqsvet të lëvizjes shpëtimtare, dhe bashkëpunimin e përzemërt që u dha për të mbaruar veprën e tyre të shenjtë.
Suksesi i shkëlqyer i sotmë u detyrohet sakrificavet, trimërisë, patriotizmës shëmbëllore dhe nisjativës të popullit të kësaj prefekture, i cili dhe këtë radhë, kapi Flamurin dhe u sul në fushën e nderit dhe u dha shëmbëll dhe prefekturave të tjera.
Ju sigurojmë se do të përpiqemi me tërë fuqinë që sakrificat të popullit të Vlorës dhe të djemvet të saj të mos venë më kotë po të japin pemët e tyre për shpëtimin e Atdheut.
Komisioni administrative Vlorë 13 qershor 1924
Imzot Fan Noli
Sulejman Delvina
Kost Paftali
Mustafa Tragjasi
Po kush ishte Avni Rustemi?
Si u vendos për vrasjen e Esta Toptanit në Paris?
Si u prit Avni Rustemi në Vlorë pasi u la i lirë nga Gjykata franceze?
Figura e Avni Rustemit në Vlorë në vitet ’20-të, por edhe më tej del si një figurë mjaft aktive, shumë revolucionare për kohën, por edhe më pas jehona që ajo la, nuk u zbeh aspak. Avni Rustemi, ende pa mbushur 14 vjeç, u paraqit tek çeta e Çerçiz Topullit, por nuk u pranua nga ky i fundit për shkak të moshës së tij. Më vonë Avniu mbaroi disa klasë në Greqi, dhe filloi punë si mësues në Tepelenë, në moshën 17 vjeç, dhe më pas në Vlorë, pikërisht në Tragjas dhe Rradhimë, e më pas në Vlorë. Ai ka dhënë mësim që pas luftës së Vlorës në 1920, në godinën e Konsullatës Italiane, sot Bashkia e Vlorës. Po në vitin 1920, organizata që kishin krijuar djelmoshat e Vlores, ku një ndër udhëheqësit kryesor ishte Avni Rustemi, vendosi që t’i bënte atentat Esat Pashë Toptanit në Paris. Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku në vitin 1932 u zbulua një komplot kundër Ahmet Zogut, ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit. Pas vrasjes së Esta Toptanit, Avni Rustemi, në Vlorë mbërriti në 25 dhjetor 1920, në ora 7 të mëngjesit, ku nga bashkëkohësit, tregohet se në portin e Vlorës ishin të pranishën jo vetëm nga fshatrat e Labërisë, por edhe nga të gjitha krahinat e tjera të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë pa përmendur, se popullsia e Vlorës në atë kohë ishte jo më shumë se 7 mijë banorë. Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxorri nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”. Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit. Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Darka u shtrua në hotel “Ballkan”, që ndodhej pranë bashkisë sot. Avni Rustemi, pasi vizitoi disa nga familjet e dëshmorëve në luftën e Vlorës 1920, ai bëri një vizitë të veçantë në Spitalin e Vlorës, ku vizitoi Heroin e Popullit, Kanan Mazen. Bashkëkohësit tregojnë se takimi midis të dyve ka qenë mjaft emocionues, ku Kanani i është drejtuar Avniut me fjalët – “Më lër të të puth gishtin e këmbëzës”, kurse Avniu i ka thënë – “Më lër të të puth nofullën e plagosur”. Më pas, ai me një grup që e shoqëronin, si Ymer Rradhima, Sezai Çomo, Tare Libohova, Osmën Haxhiu, Ibrahim Avdullai, Arsitidh Ruçi etj, iu rezervua një darkë e madhe tek shtëpia e Refat Aliut. Ai shkoi në Armen tek motra e tij, Xhanja, e cila ishte martuar me Hysen Kroin nga Libohova, dhe më pas atij iu rezervua një darkë në çiflikun e Myqerem Hamzarajt në Lubonjë.
Vrasja e Avni Rustemit
Çfarë kushte vendosi vajza e Esat Toptanit për vrasjen e Avni Rustemit?
Avni Rustemi, u vra 22 në prill të vitin 1924, në pazarin e Ri në Tiranë, teksa ishte i shoqëruar nga një deputet demokrat i quajtur, Hoxha Kadriu nga Prishtina, ku papritur një njeri i armatosur e qëllon dy herë. Ai jeton vetëm për dy ditë, por vdes nga plagët e rënda që kishte marrë. Njeriu që vrau Avni Rustemin, ishte Jusuf Reçi, nga njerëzit e Esat Pashë Toptanit.
Jusuf Reçi, ishte nga Tirana, me profesion mullixhi dhe kishte marrë me qera mullirin e Esat Pashë Toptanit. Por siç dihet këto pazare i kishte bërë Osman Bali, i cili në atë kohë njihej si trimi i Esat Pashë Toptanit. Ai ra në ujdi me një nga vajzat e Esat Pashë Toptanit, ku siç dihet ai kishte dy vajza të dyja të martuara tek Sami Bej Vrioni, ku gruaja e parë nuk bëri fëmijë, e dyta bëri dy djem. Vajza e Esat Pashë Toptanit kërkoi nga Osman Bali, që Jusuf Reçi t’i plotësonte dy kushte për ta kryer këtë vrasje. Njëri kusht ishte që ai ta vriste Avniun, kurse kushti tjetër ishte që ta qëllonte në ije, në atë vend ku Avniu kishte qëlluar Esat Pashë Toptanin, dhe Jusufi ia plotësoi edhe këtë kusht të dytë. Edhe Avni Rustemi qëlloi mbi atentatorin e tij, por pa mundur ta vriste.
Si filloi Revolucioni i Qershorit 1924?
Përse u vendos të hiqej zemra e Avni Rustemit?
Kush e hoqi dhe cila është historia e zhdukjes së zemrës?
Vrasja e tij shërbeu si një shkëndijë për fillimin e Revolucionit të Qershorit, në vitin 1924.
Shoqëria “Bashkimi”, u tregua tepër aktive pas vrasjes së Avniut dhe mori nën kontroll disa qytete të vendit, duke e detyruar Mbretin Zog që të largohej nga Shqipëria bashkë me përkrahësit e tij. Në këto rrethana, fanolistët erdhën në pushtet deri në dhjetor të vitit 1924.
Pas vrasjes së Avni Rustemit, me vendim të shoqërisë “Bashkimi”, nën kujdesin e doktor Zymës, trupit të vdekur të Avniut, iu hoq zemra, e cila u vendos në në vazo të madhe, të mbushur me formalinë.Në revoltën e parë, në prill të vitit 1924, të zhvilluar në Tiranë, zemrën në vazo e Avniut, e mbante në dorë një burrë, i cili qëndronte në krye të turmës së revoltuar nga vrasja e Avniut.
Fati i vrasësve të Avni Rustemit ishte i tillë.
Në vitin 1927 Osman Bali vritet nga Myslym Peza, kurse Jusuf Reçi u vra në vitin1947, dhe u ekzekutua me vendim të qeverisë shqiptare. Këtë fund patën që të gjithë vrasësit e patriotëve shqiptarë. Sapo u mësua për vdekjen e Avniut, u mblodh një komision, ku merrnin pjesë politikanë të dëgjuar të kohës si Fan Noli, deputetë dhe miq të Avniut, përfaqësues nga Vlora por edhe familjarë, komision ky i përbërë prej 24 burrash. Midis tyre ishte edhe Ramadan Armeni, nga fshati Armen i Vlorës, mik i ngushtë i Avni Rustemit, pasi kishin përfunduar bashkë studimet, njëherësh edhe nënkryetar i shoqërisë “Bashkimi”. Njerëzit vërshonin nëpër rugët e Tiranës, dhe njeriu në ballë të turmës dhe që mbante në dorë kavanozin me zemrën e Avniut, ishte miku i tij i ngushtë, Ramadan Armeni. Përsëri ky komision vendosi për protokollin e varrosjes së Avni Rustemit dhe kryetar i tij ishte Ramadan Armeni.
Komisioni do të organizonte udhëtimin e kortezhit për në Vlorë, të trupit të pajetë të Avni Rustemit. Ramadan Armeni, mori me qera një anije postare të portit të Durrësit dhe urdhëroi që deri edhe litarët e anijes të lyheshin me bojë të zezë, në shenjë të thellë zie.
Kësaj nisme iu bashkuan edhe shumë personalitete si sekretarë të shoqërisë “Bashkimi”, avokat Axha Libohova, Ymer Rradhima, Tare Libohova, doktor Sezai Çomo, Myqerem Hamzaraj, një mik i ngushtë ky i Avni Rustemit, pasi kur në vititn 1921, Avniu shoqëroi për në Vlorë, politikanin e njohur francez, Justin Godar, shkuan edhe tek çifligu i Myqerem Hamzaraj në Lubonjë të Vlorës, ku qëndruan për tre ditë. Në çastet e fundit të jetës, ai la një amanet, që ta varrosnin në Vlorë, por natyrisht kjo ishte një dëshirë edhe e popullit të Vlorës. Atë e sollën në Vlorë me një anije të vogël nga Durrësi, e lyer e gjitha më ngjyrë të zezë, dhe në këtë varrim folën rreth 24 oratorë ku ndërmjet tyre ishte Fan Noli. Bashkë me ardhjen e trupit te Avniut ne Vlorë më 1924, erdhi edhe zemra e tij, e cila iu nënshtrua edhe një balsamimi, iu dorëzua drejtorit të Spitalit të asaj kohe Dr.Sezai Çomo, mik shumë i ngushtë i tij, i cili e vendosi zemrën në dhomën e tij të punës. Ajo u vendos në një vazo, më tretësirë formaline, dhe deri më 1957 ka qenë në spitalin e Vlorës. Për atë kujdeseshin farmacistët e vjetër të Vlorës si Hysen Baboçi, Zija Zëri, Kiço Daiu nga Narta si edhe Niko Thanasko po nga Narta. Më pas, në 1957, me rastin e 45-vjetorit të Pavarësisë, muzeumi i Libohovës i kërkon qeverisë së asaj kohe, dhe personalisht Enver Hoxhës, që zemra e Avni Rustemit të kthehet në Libohovë.Që atëhere, nuk ka më informacion se ku ndodhet zemra.
Ku u ndërtua varri i Avni Rustemit?
Si u zbulua varri rreth 60 vjet më vonë?
Kurse varroshi i Avni Rustemit, që nga viti 1924 i ka kaluar disa herë procesit të meremetimeve, ku siç dihet në vitin 1962, mbi varroshin e Avni Rustemit u vendos për herë të parë busti i tij, me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë, dhe më pas në 1987 më rastin e 75-vjetorit të festës së Pavarësisë u vendos monumenti i Avni Rustemit, vepër kjo e skulptorit të popullit, Kristaq Ramës. Por dua të them se edhe në vitet e regjimit të mbretit Zog, për këtë varrosh është treguar respekt dhe nder nga autoritetet e kohës, si kryetarët e bashkive apo edhe nga patriotët e tjerë të Vlorës, që njëherësh ishin edhe shok dhe bashkohësit e Avniut.
Në vitin 1927, me rastin e 15-vjetorit të ngritjes së Flamurit, kryetari i bashkisë Nuredin bej Vlora, bëri një kontratë me shoqërinë elektrike italiane, që ishte me central që të furnizohej me energji në mbrëmje varri i Avniut.
Avni Rustemi, historia e një varri
Busti i tij u lye me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi ishte mbuluar nga pluhuri dhe i dalë boje. Por vetëm busti, sepse njerëzit vazhdojnë të shkelin ende mbi varrin e tij, ndoshta pa e ditur se aty poshtë vendit ku ndodhet busti, ekziston një varr.Fjala është për bustin e Avni Rustemit, në lulishten pranë Teatrit të qytetit.Një bust, si të gjithë të tjerët, por që ka një histori jo si e shumë busteve të tjerë.Një histori që ndoshta nuk e dinë të gjithë në Vlorë, por edhe ata që mund ta dinë, ka gjasa që ta kenë harruar.
Disa punime të parëndësishme në atë vit, që kryheshin pikërisht në vendin ku sot ndodhet busti, do të zbulonin atë që për kohën e atëhershme shkaktoi jo pak kuriozitet, habi, mistere por edhe thashetheme. Edhe pse zbulimi u tentua të mbahej i fshehtë nga autoritetet lokale të asaj kohe, përsëri në qytet, zbulimi i arkivolit me trupin e Avni Rustemit, filloi të qarkullonte si një legjendë, ku njerëzit që e tregonin sajonin dhe tregonin sikur të kishin qenë vërtet pjesëmarrës në zbulim. “Legjendat” në lidhje me zbulimin e varrit të Avni Rustemit, qarkullonin edhe për shkak se, edhe pse varrimi i tij në 1 majin e vitit 1924, kishte qenë madhështor për kohën, vendi i varrit të tij kishte mbetur në hije dhe i harruar, ndoshta dhe i patrashëguar informacioni mbi vendodhjen e tij, nga bashkëkohës të atij varrimi. Njerëzit që u futën të parët në varrin e zbuluar, kanë qenë, një muzeolog, Perlat Kulla, që ka mbajtur dhe procesverbalin per çfarë u gjet në varr, dhe tjetri ka qenë gazetari i atyre viteve në Vlorë, Vasil Qesari. Varri ishte me dy kate nën tokë, me dy dhoma në katin e poshtëm, në njërën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit. Ajo që nuk kam mësuar, edhe pse kam pyetur shumë njerëz, historianë, por edhe të tjerë, është se përse varri ishte ndërtuar në atë formë, me dy kate nën tokë, ndërkohë që mund të ishte ndërtuar si të gjithë varret e tjerë, përfshi këtu edhe heronjve të tjerë, në kohë dhe vende të ndryshme? Pikërisht forma e tillë e varrit ishte dhe zanafilla e “legjendave”, që vlonjatët e atij viti, i tregonin njëri-tjetrit, ndikuar dhe nga gjetja e disa pjesëve të paprishura të trupit të Avni Rustemit. Në spital mësohet se ishte Avni Rustemi. Deri pa u hapur arkivoli, i gjetur brenda atij varri, vetëm pak vetë e dinin të sigurtë se brenda tij ishte Avni Rustemi.Kur arkivoli u dërgua në morgun e spitalit, kujdesi i autoriteteve të asaj kohe ka qenë tepër i madh. Misteri ishte i madh. Kush ishte varrosur brenda atij varri të nëndhenshëm, me dy kate, me dy dhoma? Vetëm pak vetë në qytet, mendonin se varri i zbuluar duhet të ishte varri i Avni Rustemit, ndaj edhe autoritetet komuniste treguan kujdes që gjithçka të sqarohej fillimisht brenda një grupi të vogël njerëzish, dhe më pas të saktësohej informacioni.Punonjës të spitalit në atë vit, mbajnë mend se forca të shumta policore ishin vendosur, jo vetëm përreth morgut e spitalit, por kontrollohej edhe lëvizja e njerëzve përgjatë gjithë rrugës që të çonte në spital. Hyrja për në spital, ka qenë rreptësisht e ndaluar edhe për personelin shëndetësor të asaj kohe, ndërkohë që kurioziteti ishte i madh dhe lajmi ishte përhapur në të gjithë qytetin se “ishte gjetur një arkivol nëntokë, diku pranë teatrit”. Hapja e arkivolit u krye në bazë të të gjitha procedurave zyrtare dhe mjekësore. Me hapjen e arkivolit, i cili ishte në gjendje të mirë dhe i mbyllur hermetikisht, u mendua se do të shuhej kurioziteti se i kujt ishte ai varr, por doli një tjetër pengesë, që e shtoi edhe më shumë misterin. Një tjetër arkivol, u shfaq brenda arkivolit të madh. Vetëm kur u hap edhe ky arkivol i vogël, njerëzit njohën menjëherë atë çfarë kishte mbetur nga fytyra e dikurshme e Avni Rustemit. Mustaqet “spicë” dhe flokët e prerë shkurt, një portret ky i njohur për të gjithë, nga fotot e para në librat e historisë, por edhe filma të ndryshëm. Varri i zbuluar ishte i Avni Rustemit. Ky ishte konstatimi, dhe më pas edhe deklarata zyrtare e autoriteteve të asaj kohe, e cila shoqëroi të gjitha shkresat zyrtare të kohës në lidhje me gjithçka çfarë kishte ndodhur në Vlorë, me zbulimin e varrit e deri në rivarrosjen e tij, në po të njëjtin vend, aty ku sot është monumenti i tij.
Arkivoli origjinal ndodhet në Muzeun Historik të qytetit të Vlorës.
Avokati francez i Avniut, viziton Vlorën!
Në vitin 1951 në Vlorë, ka ardhur avokati francez, Anatolu De Mozde, njeriu që mbrojti Avni Rustemin, në gjyqin historik, të cilin vlonjatët e njohin nga filmat e teatri, por që nuk do ta besonin e besojnë edhe sot, se avokati i famshëm, ka ardhur në Vlorë. Një ndodhi e vogël e cila lidhet me këtë avokat vjen si dëshmi e karrocierit Hajredin Brahimi, i cili tregon: “Një ditë kur unë po prisja për të transportuar ndonjë udhëtar, pranë lulishtes së Vlorës, më afrohet një burrë i moshuar i shoqëruar nga dy personalitete të asaj kohe. Pasi hipën në karrocë, kur afrohemi tek varri i Avni Rustemit, atje ku ndahen rrugët, njëra për në Skelë e tjetra për në Kaninë, ata më bëjnë shenjë për të ndaluar. Pasi zbresin nga karroca, i huaji i afrohet bustit të Avniut dhe e pushton fort duke pëshpëritur diçka në gjuhën e tij. Më pas kthehen në karrocë dhe shkojnë në Ujin e Ftohtë. Aty gjej mundësinë dhe pyes njërin prej atyre që e shoqëronte, se përse qau ai huaji për Avniun, mos e ka laka (kushëri, në dialektin çam), dhe ai më përgjigjet duke më shpjeguar, se i huaji ka qenë avokati i madh që shpëtoi Avni Rustemin, në gjyqin e zhvilluar në Paris, i arrestuar nga policia vendase pas atentatit që i shkaktoi vdekjen Esat Pashë Toptanit.
(Vijon)