Aq i thjeshtë dhe modest është Gëzim Ismaili, saqë, kush nuk e njeh, nuk i shkon mendja se trupmadhi simpatik, me atë buzëqeshje engjëllore, me forcë fizike dhe energji të pashtershme do të ishte një histori suksesi në Aviacion. Është kështu, sepse asgjë në sjelljen dhe qëndrimin e tij nuk e tregon qënien e tij si drejtues regjimentesh dhe akademish, si ish student në Akademinë e Luftës të Forcave Ajrore në Turqi dhe të tjera role e përgjegjësi gjatë karrierës së tij.
Edhe unë i’a mësova vonë historinë Gëzimit dhe kur i’a mësova nuk u çudita aspak, përkundrazi, vërtetova atë çfarë unë mendoja për Të. Në fakt, tek e shihje aq të thjeshtë, të urtë, të buzëqeshur kur duhej, por me klas, të kulturuar dhe edukuar si pak kush, nuk do t’i dije historinë konkretisht, por që Gëzimi ishte dhe kishte qënë gjithnjë në majë, këtë e shihje qartë dhe nuk donte shumë mend ta kuptoje. Them “ishte dhe kishte qënë në majë” ngaqë kam parasysh historinë e tij nga vegjëlia dhe deri në ditët e sotme.
Gëzimi u lind më 01.02.1955 në Gjerbës të Skraparit, në një familje të varfër fshatare. Në familje ishin 9 fëmijë, 6 vëllezër e tre motra. Gëzimi u lind i shëndetshëm dhe i bukur, veçori këto që u mundësonin të afërmve, kur e shihnin, të parashikonin një të ardhme të ndritur për të. Dhe ashtu ndodhi dhe s’kishte si ndodhte ndryshe me një fëmijë të lindur me gene mbushur gjithë “nektar” dhe rritur me klimën e veçantë dhe bukuritë natyrore të Skraparit, “veriut” në jug të Shqipërisë. Një fëmijëri e bukur dhe e shëndetshme, gërshtetuar me një arsimim fillor dhe 8 – vjeçar të kënaqshëm në fshatin e lindjes e përgatitën Gëzimin sa s’kish më mirë për të dalë në udhët e jetës.
Dhe stacioni i parë i kësaj udhe, direkt pas përfundimit të 8 – vjeçares, ishte Shkolla e Mesme Pedagogjike në Fier. Edhe këtu Gëzimi u evidentua si një nxënës shumë i mirë dhe djalë për t’u pirë në kupë në të gjitha drejtimet, fizik të fortë, pamje simpatike, zemërgjërë dhe shpirtmadh.
Me përfundimin e kësaj shkolle, Gëzimi emërohet Mësues në fshatin Gurazez të Skraparit, ku qëndroi një vit. Edhe si mësues shkëlqeu, megjithëse mësuesia nuk ishte ëndërr e tij. Ëndërr e Gëzimit ishte kalimi nga mësues në Pilot, gjë që do të ndodhte 3 vjet më vonë. Nga mësues, Gëzimi shkon në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Aty, bashkë me një grup djemsh përzgjidhet për në Shkollën e Aviacionit në Vlorë për Pilot. Kjo ndodhte në vitin 1975, për të përfunduar në vitin 1978, kur mësuesi i Gurazezës u titullua ‘Pilot Gjuajtës Bombardues’ pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Aviacionit në Vlorë.
Emërohet si i tillë në Regjimentin e Aviacionit në ish Q.Stalin (Kuçova sot) për të kryer stazhin me avionët Mig – 17. Fluturon 1 vit me këtë tip dhe në vitin 1980 shkon në Rinas për të kryer kalimin në avionin Mig – 19. Vlen për t’u përmendur se kudo që shkoi, Gëzimi tregoi një perfomancë të lartë, në shkollë me fluturimet në Jak-18, Mig – 15 dhe Mig – 17, ndërsa në ish Q.Stalin me Mig – 17 dhe në Rinas me Mig – 19. Kështu, në vitin 1982, Gëzimi emërohet ‘Pilot Gjuajtës Bombardues’ në Regjimentin e Aviacionit të ish Q.Stalin dhe pikërisht në katërshen e dytë të Skuadriljes së parë. Komandant çifti në atë kohë ishte piloti emërmirë, Agim Matraku, i cili, kur e pyeta për Gëzimin, më tha:
“- Nuk e mbaj mend vitin kur, mbasi bëri kalimin në Mig – 19 në Rinas, Gëzimi u emërua Pilot në Kuçovë, në skuadriljen e parë dhe pikërisht në katërshen ku isha dhe unë komandant çifti. Gëzimi ishte njeri shumë i qetë, i urtë, i respektushëm, i durushëm dhe tolerant pavarësisht trupit të tij të fuqishëm fizikisht. Kërkonte shumë nga vetja dhe mbi të gjitha kishte vullnet të hekurt për të përvehtësuar çdo element të fluturimit. Kam kryer shumë fluturime me të, sidomos natën, kur përgatitej për klasin e dytë. Gëzimi ishte shumë kërkues për fluturime në formacion. Me të në çift nuk kishe asnjë problem, do ishte në vendin e tij në çdo figurë pilotazhi. Po kujtoj dy momente. Kur xhirohej filmi “Kolonel Bunkart”, komandant Fatmiri më thotë se duhet një treshe avionësh të fluturojmë në interes të këtij filmi. Treshen do e drejtoj unë, po më merr një shoqërues se fluturimin do e kryejmë në zonën e Shish Tufinës në Tiranë në lartësi të vogla.
“- Do marrim Gëzimin, i them, dhe do dalim mirë. Fluturimi u realizua. shumë mirë. Megjithëse bëmë shumë manovra, treshen nuk e lëvizëm në asnjë moment. Rasti i dytë ka qënë në nëntor të vitit 1996. Bëhej një stërvitje e madhe midis lumit Ishëm dhe Erzen dhe më këkohet të marr pjesë me 6 aviona, 2 imitonin armikun dhe ishin Nonda me Thanasin, dhe katërshja që do godiste objektin ishim unë, Gëzimi, Fatmiri dhe Arqilea. Detyrën jo vetëm që e realizuam shkëlqyshëm, objektin e shkatërruam fare, por kishim merak për formacionet që të ishin sa më kompaktë dhe këtë detyrë Gëzimi dhe Arqilea e bënë më së miri. Për Gëzimin ka shumë për të folur, por, për atë që të duhet ty, besoj se kaq mjafton.”
Në Rinas, Gëzimi kreu programin e fluturimeve për të kaluar nga avioni Mig – 17, në avionin Mig – 19 dhe pas kësaj, në vitin 1982 kthehet në ish Q.Stalin si komandant ekuipazhi. Ishte kjo periudha e njohjes sime me Gëzimin, një njohje tip “virtuale” ngaqë punonim të dy në të njëjtën punë, por pa pasur lidhje me njëri – tjetrin…ai pilot dhe unë teknik radiosh civil. Gëzimi dallohej mes pilotëve të tjerë, se ç’kishte një farë sharmi, një stof fisniku, një aureolē të ndritshme rreth qënies së tij. Kishte raste kur dëgjoja të flitej për të nga të tjerë pilotë, apo teknikë avioni dhe, në çdo rast, vetëm me superlativa.
Në vitin 1997 Gëzimi emërohet Komandant i Grupit Ajror në Regjiment dhe po atë vit, në tetor, pas rrëmujave emërohet Komandant i Bazës Ajrore, Kuçovë. Në periudhën 1 prill – 30 qershor 1998 kryen kursin për oficer Shtabi në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, ndërsa në periudhën nëntor 1998 – 1 tetor 2001 kryen Akademinë e Luftës të Forcave Ajrore në Turqi.
Pas përfundimit të Akademisë në Turqi, në tetor 2001 emërohet Komandant i Akademisë Ajrore Kuçovë dhe Shkollës së Aviacionit, Vlorë, kjo e dyta e inkuadruar në Akademinë Ajrore të Kuçovës.
Në muajin dhjetor 2003 emërohet Shef i Degës së Parrezikshmërisë së Fluturimit të Forcave Ajrore pranë Komandës së Aviacionit, detyrë të cilën e mbajti deri në dhjetor 2004. Periudha 2004 – 2007 e gjen Gëzimin në detyrën e Komandantit të Shkollës së Trupës së Forcave Ajrore dhe në periudhën prill 2007 – maj 2010 emërohet Shef Departamenti i Shkollës së Trupës logjistike. Në maj të 2010-ës kthehet përsëri në Kuçovë si Komandant i Bazës Ajrore, detyrë, të cilën e kreu deri në shtator të këtij viti. Në këtë muaj del në reformë dhe në shtator 2012 del në rezervë.
Gëzim Ismaili është personalitet njerëzor dhe profesional, është nga të paktat raste kur mirësia gjithpranohet. Dhe si i tillë janë të shumtë ata që do të donin të jepnin opinionin e tyre superlativ për të, por në formate tê tillë shkrimi, nuk do të ishte e udhës diçka e tillë. Gjithashtu, opinionit të mësipërm të pilotit të përkryer, Agim Matraku, do t’i shtoj edhe opinionin e një tjetër superpiloti dhe ish këshilltar i Presidentit Mejdani, Zaim Kuçi, i cili thotë sa më poshtë për Gëzimin:
“- Me Gëzimin kemi qënë shokë grupi, kemi studjuar dhe punuar bashkë për shumë vite. Gëzimin e vlerësoj si shokë me vullnet të fortë, i ndershëm, i respektuar, i kudogjendur për të bërë vetëm të mira. Një pilot me vullnet të fortë, korrekt me punën, me fluturimin, cilësi këto që i dhanë një karrierë të shkëlqyer kudo ku ka punuar dhe drejtuar. Gëzimi me shumë sukses bëri edhe detyrën e Komandantit të Bazës të Kuçovës, ku la gjurmë dhe emër të mirë te vartësit dhe kolegët e tij. Gëzimi karakterizohej nga një qetësi dhe vetpërmbajtje shembullore, bënte dhe pranonte shaka mes miqsh të afërt, si pak kush me trupin dhe forcën e tij. Gëzimi është një shembull shumë dimensional, me histori suksesi në fluturim e ku ka përballuar edhe raste të vështira në fluturim.”
Për Gëzimin janë pak, shumë pak ato që thuhen më sipër nga unë, Gimi dhe Zaimi, por, siç e kam thënë edhe më sipër, nuk mund të vazhdojmë pa fund në të tillë formate. Por edhe pse kështu, nuk mund të ndalem ende, janë edhe disa gjëra që duhen thënë për t’i dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit. Gëzimi ka fluturuar ditën dhe natën në kushte të thjeshta meteorologjike dhe vetëm ditën në kondita të vështira meteorologjike. Gëzim Ismaili është pilot i klasit të dytë klasi më i lartë në dispozicion të pilotëve për atë kohë. Është vlerësuar për punë të mirë me disa dekorata, duke filluar nga komanda e Forcës, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministri i Mbrojtjes.
Dhe për ta mbyllur megjithmend këtë radhë, dìçka për Gëzimin qytetar. Gëzimi, aq sa ka qënë pilot klasi, aq është edhe qytetar klasi, bashkëshort dhe prind klasi. Por meritë e tij, apo shpërblim nga perëndia, Gëzimi ka për bashkëshorte një zonjë me të gjitha dhjeta, në sjellje, bukuri, intelekt, mirësi dhe çdo cilësi tjetër, pjesë përbërëse e fisnikërisë. Xhuljeta Koroveshi, kështu quhet Zonja, shoqe imja e klasës në 8 – vjeçare ishte fatlumja që e bëri Gëzimin dhendërr Kuçove dhe u bë shoqe jete me një djalë super të mirë, piloti i klasit, Gëzim Ismaili. Çifti Ismaili ka një djalë, Anteo Ismaili, djalë i denjë për çiftin në fjalë, Ashtu sikurse Gëzimi u shkollua për Pilot dhe Xhuli për Ekonomi në UT, edhe Anteo i kreu studimet e larta, por jo këtu, i kreu në La Sapienza, Romë. Anteo, bir dhe dhendërr Kuçove, ka dy vajza që gëzojnë dhe mbajnë të rinj gjysh Gëzimin dhe nëna Xhulin.
Gëzimi është një qytetar model, nderon këdo që është pranë tij. Me krijimin e Shoqatës ‘Tomorri’, Dega Tiranë, Gëzimi u bë pjesë e saj dhe kontribon me sa mundësi ka për ecurinë dhe prosperitetin e kësaj Shoqate.