Veli Dedi, si luftoi në Spanjë përkrah Mehmet Shehut e Petro Markos

3050
Leonard VEIZI
Rrëfehet Nexhmi Menzelxhiu: Patrioti nga Kosova, hero i rezistencës antifashiste në Spanjë dhe Francë dhe gjeneral i ushtrisë shqiptare
Nuk i janë ndarë asnjëherë luftërat, në Spanjë, Francë e Shqipëri. Por do të jetonte gjatë edhe në paqe, deri në vitin 1995 kur do të ndahej nga jeta. Është gjeneralmajor Veli Dedi, një prej heronjve të Luftës së Spanjës, por pjesëmarrës aktiv dhe në rezistencën franceze ndaj okupimit nazist. Ndërsa në Shqipëri, padyshim ai ka një kontribut të pashembullt, përderisa mori dhe gradën e lartë të gjeneralmajorit. Një nga bashkëkohësit e tij dhe bashkëpunëtor i afërt, Nexhmi Menzelxhiu, rrëfen për gazetën “Telegraf” luftën e pashembullt të gjeneralit shqiptar, që francezët e ndërruan me gradën e majorit” 

Çfarë përfaqëson Veli Deli?
Ai përfaqëson figurën e një kosovari trim nga Medvegja, me trup vigani e shpirt patrioti, të cilit i digjej zemra për lirinë e Kosovës; njeriun me shpirt e karakter të pastër, që u shqua si hero luftëtar antifashist për liri kundër grushtit fashist të Frankos në Spanjë, në vitet 1936-’39 dhe si trim partizan i Luftës Antifashiste Çlirimtare, kundër nazistëve pushtues në Francë, gjate viteve 1942-1945. 

Po në Shqipëri, cili ishte aktiviteti i tij?
Pas kthimit në Shqipëri me gradën e majorit francez të rezistencës, gjatë viteve 1946-’55 punoi, si kuadër e gjeneral i Ushtrisë Shqiptare dhe si Drejtor i Trupave të Xhenios dhe me titullin “Hero i Popullit”, i zgjedhur edhe si deputet i Tropojës. Më vonë, pas daljes në pension u zgjodh si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ dhe njëkohësisht edhe si anëtar Forumit Drejtues te FIR-it (Federates Internacionale e Rezistencës Antifashiste). 

Kishte merita vetëm si ushtarak?
Ai ishte edhe një studiues i shquar, por shkruante edhe poezi. Në njërën prej tyre kushtuar, nënës se vet, Gjyles, ai me dhimbje i këndonte: 

“Në robëri, nanë, jeta ty të shkoi 
Tokën ku na linde, nuk po e gëzojmë 
Po, mos ki dert nanë 
Se me luftë do ta çlirojmë”. 

Prandaj, kur vdiq me 3 shkurt 1995, u përcoll me dhimbje, me nderim e mirënjohje, nga familjaret dhe qindra miq shokë veteranë, ushtarakë, miq e popull. 

Nga cila krahinë e Shqipërisë vinte Veli Dedi?
Veliu, lindi 100 vjet më parë, në fshatin Dedë të Medvegjës së Kosovës dhe u rrit në mes të halleve të robërisë serbe, që sundonte në atë kohë mbi shqiptarët, në ato troje. Gjyshi dhe i ati kishin luftuar në kohën e Lidhjes së Prizrenit, krah burrave të mëdhenj shqiptarë për liri e po kështu edhe gjatë luftërave ballkanike për çlirim e për pavarësi të atyre trojeve etnike. Djaloshi shpirtmadh atdhetar i barti këto ndjenja çlirimtare edhe kundër regjimit shtypës zogist, kur erdhi në Shqipëri, për të vazhduar shkollën e mesme. 

Si do të lidhej me lëvizjen revolucionare?
Pasi qe njohur me Ali Kelmendin, Asim Vokshin etj, i mbrujtur me ide përparimtare e të respektit për liri e demokraci u përfshi shpejt në lëvizjen antizogiste të kohës. Më pas shkoi në Modena të Italisë, për të ndjekur Akademinë Ushtarake për Xhenjo. Por kur fashistët e nazistët iu sulën Spanjës Republikane, duke parë në këtë fillim sulmi nazifashist edhe rrezikun që po i kanosej edhe Atdheut, Shqipërisë, ai bashkë me shokë u nis si vullnetar antifashist, në mbrojtje të lirisë së popullit spanjoll. 

Me cilët shqiptarë të tjerë do të luftonte Veli Dedi, në Luftën e Spanjës?
Në shumë beteja të fronteve të rezistencës spanjolle dhe luftime të brigadave internacionale, ai u hodh me trimëri kundër fashistëve, me thirrjen e të gjithëve: “No paseran”. Përjetoi dhimbjen, për shokët shqiptarë që ranë atje si: Asim Vokshin, Ramiz Varvaricën, Xhemal Kaden, Zef Hotin, Thimio Gogozoton e Teni Konomin. Më pas shokët e tij të betejave si: Mehmet Shehu, Petro Marko, Skënder Luarasi, Justina Shkurti, Zef Prela etj, se bashku me luftëtarët spanjollë të lirisë e panë tek luftonte si trim, në fillim në Brigadën “Garibaldi” së bashku me shumë vullnetarë antifashistë italiane e pastaj përkrah brigadave internacionale të vullnetarëve antifashistë nga 57 vende të botës, përfshi Btalionin “Abraham Linkoln”, të Amerikës. 

Në fakt, cila ishte situata e atyre viteve në Spanjë?
Ishte koha, kur me 1937 grushti fashist i gjeneralëve qe ngritur kundër Republikës së vendosur në zgjedhjet e vitit 1931, që ndezi zjarrin e luftës civilë në Spanjë, mes fashisteve dhe antifashisteve. Përleshja zgjati tre vjet me radhë. Kjo përkoi me kohën, kur në Itali e Gjermani, qenë konsoliduar sistemet nazifashiste dhe në aleancë mes tyre, po vinin në rrezik botën, duke filluar me ndërhyrjen agresive në Spanjë, për t’u ardhur në ndihmë gjeneralëve fashistë me armë, ushtri, tanke e bombardime, për t’i ardhur në ndihmë gjeneralit fashisti Frako dhe për të mbytur në gjak Republikën. Qe koha e hezitimeve dhe e pasivitetit dhe e politikës së mosndërhyrjes, e cila më pas çoi deri te agresioni kriminal barbar mbarë evropian, të armatave nazifashiste pushtuese. Ishte, pra, koha kur edhe Veliu me shumë shqiptarë të tjerë antifashisë, në radhë të forcave antifashiste të vullnetarëve internacionaliste, luftonin, në Frontin e Madridit, Aragonës, Barcelonës dhe Ebros, ku ai, në fillim kryente edhe detyrën e Shefit të Xhenjos të një Divizioni e me pas edhe të Operativit të po këtij Divizioni. 

Si u spostua pjesëmarrja e Veli Dedit në rezistencën franceze?
Por, kur lufta çlirimtare antifashiste e popullit spanjoll dhe obnegacioni i mijëra vullnetarëve internacionalistë u mbyt në gjak nga forcat ushtarake nazifashiste italiano-gjermane të Duçes dhe Hitlerit, Veliut, së bashku me shumë antifashistë të tjerë, shqiptarë, spanjollë e internacionalistë të shume vendeve të botës, kaluan në Francë e cila megjithëse, edhe vetë në prag të agresionit hitlerian, i mbajti të gjithë në kampe përqendrimi. Po shumë shpejt pas pushtimit të Francës nga ushtritë naziste, Veliu si dhe të tjerë iu bashkua rezistencës së organizuar të forcave antifashiste partizane franceze. Ai shpejt, mori pjesë e u dallua për trimëri në organizimet diversioniste klandestine me mjete eksplozive, mina, etj, mbi hekurudha e objekte të tjera ushtarake të armikut nazist, Që koha kur, si gjithë Evropa edhe Shqipëria gjëmonte nga lufta për çlirim e partizaneve dhe e popujve. Dhe Veliu, ky trim shqiptar nga Kosova, ky “Vaillant albanes” (trim shqiptar), kish mbërritur deri në detyrën e Komandantit të Forcave Franceze të Rezistencës së Rajonit të Marsejës. Atje u shfaq bujshëm heroizmi i këtij antifashisti trim, hero i dy popujve, atij spanjoll e atij francez. Në betejën përfundimtare të ditës së çlirimit të qytetit të Marsejës, me 1944, ai u priu me flamur në dorë kryengritësve franceze mes shpërthimit të granatave e breshërisë së plumbave të armikut dhe me dorën e tij e ngriti flamurin Francës të çlirimit në majë të kodrës së qytetit, të çliruar. Më pas ai, i dekoruar dhe tashmë, major i Ushtrisë Franceze, vazhdoi me trimëri luftën në frontin italo-francez të Luftës së Dytë Botërore, deri në kapitullimin e plotë të bishës nazifashiste. 

Cili ishte kontributi i tij në ushtrinë shqiptare?
Duke u djegur nga dëshira për të dhënë kontributin e tij në konsolidimin e pavarësisë dhe të fuqisë mbrojtëse të Shqipërisë, ai kthehet në Atdhe me 1946, dhe merr detyrën e Drejtorit të Xhenios së Ushtrisë duke dhënë, në vite, kontributin e tij të shquar për konsolidimin e kompaktësimin e Trupave të Xhenios të Ushtrisë, si dhe në fortifikimin e brezit kufitar, për përballimin e provokacioneve të para ushtarake monarko-fashiste greke të ’46-tës, dhe me pas, edhe të provokacioneve të mëdha të gushtit 1949. 

Cilat do të ishin marrëdhëniet e tij me vendin e origjinës, Kosovën?
Ndërsa, si patriot ai shquhet edhe në demaskimin e shovinizmit serbomadh, sepse i digjej shpirti për ta parë Kosovën të lire e të pavarur. Vdiq me këtë brengë në zemër, por me kontribute të shquara edhe si aktivist i shquar e burrë i urtë në krye të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANC të popullit shqiptar. Prandaj duke u ndarë prej tij, familja, shokët, ushtarët, kuadrot, populli edhe i krahinës, ndjenë dhimbje dhe derdhën lot, ndërsa sot e kujtojnë me mirënjohje. 

Lufta e Spanjës
Lufta civile spanjolle ishte një luftë civile që shpërtheu në Spanjë ndërmjet rebelëve (të njohur si Nacionales) dhe Republikës Spanjolle me të ashtuquajturit Republicanos (qeveria dhe përkrahësit e saj). Lufta u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 dhe përfundoi me humbjen e çështjes republikane, e ndjekur më pas nga diktatura e Francisko Frankos (Francisco Franco). Lufta antifashiste e Spanjës është e njohur i një luftë internacionale në të cilën luftonin forcat e mbretit të mbështetura nga fuqitë fashiste dhe forcat proletare popullore të mbështetura nga fuqitë vullnetare të lëvizjeve socialiste e komuniste në Evropën e asaj kohe dhe më gjerë. Kjo luftë nga shumë të rinj në botë e edhe të rinjtë shqiptarë shihej si luftë çlirimtare e popujve. Për këtë shkak në këtë luftë në radhët e brigadave internacionale antifashiste janë radhitur më se 35 000 vullnetarë nga 53 shtete të botës. Në këto brigada kanë marrë pjesë edhe shumë të rinj shqiptarë ndër të cilët më të njohurit kanë qenë Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Musa Kame-Fratari, Asim Vokshi, të cilët më vonë nga lëvizja antifashiste shqiptar që fitoi luftën kundër okupatorëve fashistë janë shpallur “Heronj të popullit”

Veli Dedi
Jetëshkrimi i një gjeneralmajori
U lind më 5 prill 1912 në Dediq, lagje e Medvegjës. Filloren e kreu në Medvegjë dhe Gazdar, gjimnazin në Leskoc, kurse Fakultetin e Makinerisë në Beograd. Më 1932 shkoi në Shkup dhe punoi në një firmë me qëllim që të shpërngulej në Turqi, por një shkrim i Bedri Pejanit ndikoi që të shkojë në Shqipëri. Atje i lind dëshira që të bëhet ushtarak, por për t’u regjistruar në Akademinë Ushtarake Italiane duhej ditur gjuhën italiane. E mësoi shumë shpejt dhe u regjistrua. Gjatë qëndrimit në Shqipëri dhe gjatë studimeve ne Itali njihet me shumë patriotë shqiptarë, si Bedri Pejanin, Rexhep Mitrovicën, Emrush Miftarin, Ibrahim Gjakovën, Sali Viçitërrnën, Xhemajl Kadën, Asim Vokshin e tjerë. Më 1933 bëhet anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës. Pasi plas lufta civile në Spanjë, merr pjesë në të dhe më 1937 gradohet kapiten, kurse më 1938 dekorohet me Urdhrin e Kavaleristit të Lirisë, “No Pasera” si dhe gradohet në detyrën e shefit Operativ të Divizionit të Ebros. Pas mbarimit të luftës në Spanjë vendoset në një kamp përqendrimi në Francë, gjatë së cilës kohë mësoi rrjedhshëm gjuhën frënge. Si ushtarak i shkëlqyeshëm inkuadrohet në grupet antifashiste dhe shumë shpejt emërohet komandant i Forcave çlirimtare për Departamentin e Marsejës, kurse për zotësinë dhe guximin që kishte e shpallin “Shqiptari trim” (Vaillant Albanias). Ai me njësi të vogla operative nëpër rrugët e Marsejës i thyente njësitë shumë më të mëdha fashiste. Në sajë të aftësisë së tij dorëzohen 37 mijë fashistë, të cilët po luftonin që ta rrënonin tërë Marsejën. Arriti që t’i bindë të dorëzohen në sajë të njohjes së të gjitha konventave ndërkombëtare në mënyrë profesionale e në hollësi dhe te sigurisë që ua kishin garantuar njësitë franceze. Veli Dedi e dinte edhe anglishten e gjermanishten, kurse për Hasan Prishtinën thoshte: “Në jetë tri herë kam qëndruar gatitu para shpirtit dhe mendjes së tij të ndritur: herën e parë kur kam dëgjuar për vrasjen e Hasan Prishtinës, herën e dytë kur i kam lexuar kujtimet e tij për Kryengritjen Shqiptare në Kosovë më 1912 dhe herën e tretë, më 1977, kur eshtrat e Hasanit u sollën në Shqipëri”. Po ashtu e ka lënë të shkruar thënien “Kam frikë se po vdiqa pa e çliruar Kosovën, s’do të më tretë dheu”. Në Shqipëri është shpallur Hero i Popullit. Gjeneralmajor Veli Dedi, vdiq më 3 shkurt 1995 në Tiranë. Varrimi i gjeneralmajor Veli Dedit, si luftëtar veteran i Spanjës dhe si komandant në operacionet e çlirimit të Departamentit të Marsejit, si ushtarak besnik i kombit shqiptar, si deputet shumëvjeçar i Rrethit të Barjam Currit, u bë me nderime shtetërore. Në ceremoninë e varrimit u lexuan telegramet e Presidentit, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të veteranëve të Shqipërisë. Në ceremoninë e varrimit përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Tiranë, si atashe ushtarak, ndër të tjera theksoi: “Më vjen keq që një shqiptar që ka luftuar për çlirimin e popullit tim, unë e takoj të vdekur”.

Shkëputur nga libri “ku na mbetën trojet tona” të autorit Ramiz Kadriu
Sigal