Sigal

INTERVISTA/ Rrëfimi i Arqile Veshit, ish-drejtor i prapavijës së ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes

Ju rrëfej sekretet e prapavijës, si furnizohej ushtria

Leonard VEIZI

Nuk mjaftonte vetëm shpirti luftarak. Ai të linte sapo të fillonin e të dridheshin gjunjët nga të pangrënët. Po të mos kishe as ujë situata përkeqësohej dhe po të mos furnizoheshe as me municione, trimëria nuk vlente më. Thënë shkurt, asnjë ditë luftë nuk mund të bësh, nëse nuk ke siguruar furnizimin e njësisë ushtarake, me ushqime, karburant e municione.

Duke iu referuar librit “Strategjia dje, sot dhe nesër”, në të cilin thuhet se: “Mendimi ushtarak kudo në botë është i prirë që të mbështetet më shumë në përvojat praktike se sa në konceptet ushtarake të së ardhmes”, ai mendon se duhet të studiohet dhe të merret në konsideratë struktura organizative e prapavijës së ushtrisë në vite, si ajo që u organizua dhe funksionoi gjatë Luftës NÇl në përputhje me fazat e zhvillimit të asaj lufte edhe pas çlirimit në bazë të organizimit dhe ndërtimit strukturor i shërbimit të ushtrisë shqiptare. Arqile Veshi, me detyrën e ish drejtorit të prapavijës së ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes për 10 vjet me radhë, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” tregon se si furnizohej ushtria shqiptare, në paqe dhe në kohë lufte

Jetëshkrim i shkurtër

Arqile Mite Veshi lindi më 11. 03.1939 në Sarandë. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak e civil dhe ka përgatitur e mbrojtur disertacionin ku është titulluar “Doktor i Shkencave”. Me mbarimin e Shkollës së Bashkuar, në vitin 1961 u titullua oficer dhe shërbeu në njësitë e repartet e ushtrisë si shef shërbimi në Brigadën e Këmbësorisë në Tropojë, në Korpusin e Këmbësorisë në Gjirokastër, pedagog dhe shef katedre në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe zv/drejtor e drejtor i prapavijës së ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Cilat ishin strukturat me të cilat operonte prapavija e ushtrisë shqiptare?

Kështu nga përvoja ime në Ministrinë e Mbrojtjes, struktura e prapavijës për kohë lufte, afërsisht ishte që në drejtorinë (ose komandën) e prapavijës përfshiheshin; Drejtoria e Prapavijës, Shëndetësisë, Plani i Financës, Furnizimit, Transportit, të Armatim-Municionit, dhe të tjerë sektorë që kanë të bëjnë me sigurimin e mjeteve dhe materialeve njerëzore, të njësive e reparteve që veprojnë me fronte. Gati strukturë të tilla kishte edhe në divizione e brigada si dhe më të reduktuar batalioni (grupi) dhe kompani (bateri).

Çfarë rëndësie i jepej shefit të prapavijës?

Pikërisht për rolin dhe përgjegjësinë që ka sektori logjistik në realizimin e detyrave nga forcat e armatosura në kohë të veçantë, u studiua dhe u vendos që titullari i strukturave të logjistikës në njësi e reparte të emërohej nga zëvendëskomandanti i prapavijës dhe në ministri zëvendësministri për problemet ekonomike. Emërtimi ka rëndësi pasi të jep më shumë kompetenca dhe të rrit përgjegjësinë për realizimin e detyrave.

Cilat ishin specialitetet brenda përkufizimit “prapavijë”?

Struktura e shërbimeve të prapavijës është e gjerë dhe e larmishme nga pikëpamja e specialiteteve pasi janë funksione që duan njerëz me aftësi organizative dhe drejtuese, me njohuri specifike për specialitetin si mjek, veteriner, ekonomist, inxhinier e të tjerë, për sigurimin e aftësimin e të cilave kishim dy burime: së pari për specialitetet e mjekësisë, e inxhinierisë i merrnim nga fakultetet shtetërore dhe së dyti nëpërmjet përgatitjes që bënin shkollat ushtarake si në shkollën e bashkuar të oficerëve që përgatiteshin kryesisht shefa shërbimi si për ushqim, veshmbathje, karburant, transport, armatim-municion etj, dhe në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm ku përgatiteshin kuadrot drejtuese, kryesisht për në hallkat divizione, bazat e furnizimit dhe brigadat. Pra përgatitja bëhej e specializuar për çdo shërbim dhe hallkë organizative. Vlen të thuhet se dhe për hallkën batalion e kompani, që kryesisht ishin rezervistë, jo vetëm që vendoseshim kuadro me arsim sipas profileve por edhe përgatiteshin në kurse 3-6 mujore në shkollat e përgatitjes së kuadrove rezervistë që ishin ngritur për këtë qëllim.

Po në rast lufte cili ishte roli i drejtuesve të prapavijës?

Arsyeja pse të gjitha shërbimet në kohë lufte (krize) vihen në një komandë siç është zv/komandanti për prapavijë, është se nga pikëpamja taktike dhe operative ato vendosen në thellësi të formacionit të luftimit dhe afërsisht në një rajon si: Depot e shërbimit të prapavijës dhe ambientet e tjerë të riparim-prodhimit; spitali me elementët përbërës të tij, depot e armatim-municionit, depot e teknikës dhe ofiçinat e riparimit të teknikës për të gjitha llojet e tij. Duke u vendosur në një rajon, kanë nevojë që të organizohen ruajtja dhe sigurimi i tyre, të organizohet furnizimi material i personelit që shërben në këto objekte si dhe i të plagosurve, organizimi i shërbimit të ndërlidhjes midis objekteve dhe komandës qendrore të njësisë që u shërben, dhe të organeve më të larta të pushtetit vendor etj. Realizimi i këtyre detyrimeve nuk mund të bëhet veçmas për çdo shërbim por përqendrohen te zv/komandanti i prapavijës i cili në vartësi të vet ka edhe shtabin e tij dhe organet administrative. Natyrisht që organizimi është njëra anë e problemit dhe që bëhet me qëllim që t’i shërbejë sa më mirë detyrës themelore që kanë organet e shërbimit të prapavijës (logjistikës), sigurimin material-teknik dhe shëndetësor veterinar të njësive e reparteve për kryerjen me sukses të detyrave të ngarkuara në një situatë të veçantë.

Ku mbështetej i gjithë ky organizim?

Për ta kryer këtë detyrë u përgatit baza ligjore e nënligjore, siç ishin: Përcaktimi në Kushtetutën e RSH që për sigurimin material-teknik e shëndetësor-veterinar të Forcave të Armatosura përgjigjet buxheti i shtetit. Në zbërthim të këtij detyrimi kushtetues, dolën ligjet përkatëse, vendimet e Këshillit të Ministrave, urdhrat e Ministrit të Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat e komandave të njësive (divizion-brigadë) përkatëse. Në këto akte ligjore e nënligjore u përcaktuan normat operative për llojshmërinë e rezervave të paprekshme materiale duke i klasifikuar në këto kategori:

a) Rezerva përdorimi, që kishte të bënte me sasinë dhe llojshmërinë e materialeve që vendoseshin dhe ruheshin në pikat e hapjes të reparteve si: armatimi, municioni, veshmbathja, ushqimi etj për disa ditë për gjithë efektivin dhe materiale e pajisje të tjera që bënin të mundur përballimin e detyrave fillestare në mënyrë të pavarur.

b) Rezerva të paprekshme që nënkupton sasinë e municioneve, ushqimeve, karburanteve, mallra e lëndë të parë ose mjete që vihen mënjanë për t’u përdorur kur të dalë nevoja. Nisur nga ky përkufizim rezerva materiale të paprekshme ishin krijuar në depot e njësive bazave ushtarake krijuar në depot e divizioneve, në depot e ushtrive të organizuara në baza të furnizimit të ushtrisë sipas drejtimeve operative-strategjike të vendit.

c) Rezerva shtetërore që nënkupton sasinë e mallrave: ushqim, karburant, lëndë e parë etj, por jo municione, veshmbathje e pjesë ndërrimi për teknikën. Nga sasia e përgjithshme e rezervave që mbante rezerva e shtetit, një kontingjent ishte për llogari të FA.

Rreziku i luftës

Si kthehej industria në favor të ushtrisë

“Në kuadrin e sigurimeve material-teknik dhe shëndetësor përveç sasive të rezerva të krijuara në hallka të ndryshme ishin parashikuar masa edhe për organizimin e prodhimit dhe plotësimin e nevojave nga ekonomia e vendit. Kështu me dispozita ligjore e në funksion të detyrave që do kryenin Forcat e Armatosura ishin përcaktuar sidomos ndërmarrjet e industrisë së lehtë për t’u zhvendosur të rajone të veçanta e të mbrojtura e për të vazhduar prodhimin gati në të gjitha drejtimet strategjike. Po kështu për rritjen e kapacitetit të mjekimit e shtrimit në spitale, ishin përcaktuar spitalet rurale për të funksionuar në kohë lufte për llogari të Forcave të Armatosura duke parashikuar si vende për shtrim shkollat, konvikte dhe hotele të atij rajoni si dhe duke vënë në përdorim edhe pajisjet që kishin për fjetje e gatim. Po kështu ishte parashikuar edhe për furrat e bukës, ofiçinat, qendrat e ndërlidhjes e objekte të tjera. Një masë tjetër shumë e rëndësishme është edhe ajo e parashikimit të një pagese për të gjitha objektivat që mobilizoheshin, ku rreth 70% e pagës përfshihej për familjen dhe 30% për personin e inkuadruar në përbërje të Forcave të Armatosura”. sqaron për “Telegraf” ish drejtori i prapavijës së ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Arqile Veshi.

MASAT

Matrikull për çdo të vrarë në luftë

“Krahas këtyre ishte menduar edhe për organizimin e varrimit të të rënëve për të cilët ishte menduar që t’i jepej çdo personi një numër “matrikulli” dhe evidentimi i të dhënave si dhe përcaktimi i strukturave përkatëse për varrimin e dokumentimin e tyre si dhe njoftimin e familjarëve. Pra, duhet ditur e kuptuar nga çdo kush se ishte bërë një punë e mirëfilltë njerëzore e shkencore për t’u ardhur sado pak në ndihmë të gjitha efektivave të ushtrisë nga pikëpamja materiale dhe shëndetësore për të bërë të mundur kryerjen me nder të detyrave për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Kjo ishte arritur në sajë të bashkëpunimit e mirëkuptimit midis drejtorisë e sektorëve të ndryshëm brenda aparatit të Ministrisë, me organet e pushtetit vendor nga qendra në bazë dhe të drejtimit me kompetencë profesionale të titullarëve të saj duke pasur parasysh mendimin: “Pa një ekonomi të fortë e me zhvillim harmonik, s’mund të ketë mbrojtje të fortë dhe pa mbrojtje të fortë s’mund të sigurohet integriteti tokësor e sovraniteti kombëtar”

 

DREJTORIA E PRAPAVIJËS

Puna në Shtabin e Përgjithshëm

Pasi punova për disa vjet si shef shërbimi në brigadë e Korpus dhe si pedagog e shef katedre në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm u pa e arsyeshme që në maj të vitit 1974 të emërohem në funksionin e zv/drejtorit dhe shefit të shtabit në Drejtorinë e Përgjithshme të Prapavijës. Kjo drejtori në atë kohë kishte në përbërje: Shtabin e Drejtorisë, Sekretarinë Sekrete, Drejtorinë e Prapavijës, të Shëndetësisë, të Financës, të Planit, të Furnizimit si dhe sektorët analogë më të gjitha strukturat e ushtrisë. Krahas këtyre, në vartësi të drejtpërdrejtë, Drejtoria e Përgjithshme kishte bazat e furnizimit të ushtrisë si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Tepelenë dhe Rrëshen, si dhe disa ndërmarrje prodhimi e shërbimi që punonin për plotësimin e nevojave të ushtrisë. Duke qenë zëvendësdrejtor dhe shef i shtabit në Drejtorinë e Përgjithshme të Prapavijës, mbuloja problemet operative dhe të stërvitjes si dhe koordinimin e bashkëpunimin midis drejtorive e komandave të aparatit të Ministrisë. Vlen të theksohet se në aparatin e MM në atë periudhë ishte bërë metodë pune bashkëpunimi dhe koordinimi i detyrave të ndërmjetme. Kështu nuk kishte projektligje apo projektvendime të qeverisë dhe urdhëresa të Ministrit që të mos punohej bashkarish e në grupe pune sipas palëve e sektorëve që u përkisnin, madje nuk e ekzagjeroi që të them se tërë praktika e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave që vinin për Ministrinë e Mbrojtjes, studioheshin sipas përkatësisë nga drejtoritë përkatëse dhe jepeshin sugjerimet e duhura, gjë e cila rriste përgjegjësitë në zgjidhjen sa më mirë të problemeve. Në tetor të vitit 1983 u emërova Drejtor i Drejtorisë së Prapavijës në Ushtri, detyrë sa e rëndësishme aq edhe e vështirë. Por falë eksperiencës, ngjitjes shkallë-shkallë dhe vullnetit për të kryer detyrën e ngarkuar, niveli arsimor e kualifikimit profesional, bënë të mundur që ta kryeja me nder detyrën shtetërore të ngarkuar. Krahas detyrës shtetërore dhe për shkak të saj, si dhe të karakterit të figurës morale si kuadër, isha i ngarkuar e kryeja edhe detyra të tjera si: anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i Kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes, organizma shumë të rëndësishme për diskutimin dhe marrjen e vendimeve.

DËSHMIA/ Puna në fshehtësi të plotë e Shtabit të Përgjithshëm për ristrukturimin e ushtrisë

 

Urdhri sekret i Enverit, të shkrihen korpuset

Kur flitej për riorganizim të ushtrisë nuk ishte shaka. Sekreti mbetej i tillë deri në fund. “Nga puna disa vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes ka me mjaft episode për mënyrën e punës, por do të ndalem vetëm në një aspekt që ka të bëjë me ruajtjen e sekretit por edhe me faktin që reformave të thella u paraprihet me studime të hollësishme: Kështu për shembull në fund të vitit 1983 ishin hapur zëra se ushtria do riorganizohet nga sistemi “Korpusi” në sistemin “Divizioni” dhe në ushtri ishte krijuar njëfarë shkujdesje për kryerjen e detyrave. Për këtë u dha në njoftim zyrtar që në ushtri s’do bëhet riorganizim, gjë e cila qetësoi situatën psikologjike dhe vazhdoi puna normalisht. Gati po në këtë datë del një urdhër i Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, që cakton grupin e punës për të kryer studimin për organizimin e ushtrisë nga sistemi “Korpus” në sistem “Divizioni” në përbërje të të cilit isha edhe unë për shkak të detyrës që mbaja në atë kohë si Drejtor i Drejtorisë së Prapavijës. Detyra ishte e qartë, por shumë e rëndësishme e voluminoze, e cila kishte një kusht sa të vështirë dhe me pasoja për kohën pasi kërkonte njohuri shumëplanëshe në fushën ushtarake-strategjike dhe ekonomiko-financiare. Do punohej me disiplinë të lartë e vetën për vetëm me anëtarët e grupit të punës duke mos komunikuar as me personelin e drejtorisë, me drejtorët e komandat e tjera për të konsultuar mendimet ose për të marrë të dhënat e nevojshme. Pra për këtë qëllim u punua në vetmi dhe kryesisht në orët e vona dhe natën, në blloqe pune të protokolluara në sekretarin “Tepër Sekret”. Puna e bërë në grup ishte sa e larmishme dhe shumë voluminoze që filloi nga përcaktimi i zonave e brezave të mbrojtjes e deri tek organizimi i prapavijës, përcaktimi i vendosjes së komandave e pikave të hapjes dhe deri tek sasia e rezervave materiale në shifra operative që do krijohej në çdo hallkë si dhe caktimi i kuadrove kryesorë në hallkat brigadë-divizion. E gjithë kjo ishte një punë e mirëfilltë studimore-shkencore, e cila jo vetëm u vu në zbatim për një kohë relativisht të shkurtër dhe ushtria shqiptare kaloi në strukturën ushtarake me sistem “Divizionesh” dhe komandanti morën detyrat luftarake dhe drejtimin e njësive e të reparteve vartëse në një kohë relativisht të shkurtër”, rrëfen për “Telegraf”, ish drejtori i prapavijës në Ministrinë e Mbrojtjes, Arqile Veshi.

REFORMA

“Duke qenë dëshmitar okular për shumë vjet në radhët e ushtrisë shqiptare, shpreh bindjen e plotë qytetare e profesionale se në radhën e saj ka pasur kuadro me nivel e përgjegjësi të lartë të cilët duke i organizuar në një grup pune, u ngarkohej detyra e kryerjen e reformës në ushtri nga struktura si ishte në atë që kërkonte situata politike e pas viteve 1990. Mendoj dhe jam shumë i bindur se do të ishte bërë disa herë më mirë dhe me më pak dhimbje si për kuadrot edhe për ekonominë. E them për kuadrot pasi ata shërbyen me vetëmohim ku u dërguan me motivin t’i shërbenin interesave të kombit dhe kur erdhi puna u keqtrajtuan, diskriminuan, gjë e cila nuk ishte dobësi e tyre por turp në këtë mënyrë. Gjithashtu u shoqërua me një dëm të pallogaritshëm për ekonominë e cila ishte vënë nga mundi dhe djersa e popullit të vet, si e tillë nëpërmjet një pune të studiuar e me nikoqirllëk mund e duheshin gjetur format për t’ia kthyer popullit në këtë periudhë tranzicioni sa të gjatë dhe të vështirë. Para se të marrim mendim dhe përvojën e vendeve dashamirëse për çdo problem dhe në çdo fushë të jetës e veprimtarisë së vendit tonë, duhet të vlerësojmë e të marrim në konsideratë vlerat e kontributet e kuadrove dhe specialistëve të të gjitha fushave në vendin tonë”.