URDHRI PËR KRIJIMIN E FORCAVE SPECIALE NË VITIN 1981

2082
Albert Z. ZHOLI 

Forcat Speciale përmenden për here të parë pas aktit terrorist të organizatës “Shtatori i Zi”, në Lojërat Olimpike të Munihut, në vitin 1972
INTERVISTA/ Flet Specialisti i forcave speciale, Hilë Lushaku: -Ju tregoj rrugëtimin e repartit të parë, i emërtuar “326”, më pas “88” , i cili u shndërrua në “RENEA” 
Të parët që organizuan këto njësi, krahas Gjermanisë, kanë qenë Anglia, Austria, Franca, Izraeli, pa dyshim edhe rusët me forcat speciale “ALPHA”
– Në mesin e vitit 1981 qeveria komuniste, nxori aktin për krijimin e forcave speciale. 
– Në portën hyrëse të reparteve të tilla speciale ushtarake, të disa vendeve, shkruhet: “Të gjithë vijnë me dëshirë, por këtu qëndrojnë ata që mundin dhe që janë të aftë ta përballojnë”. 
-Në muajin maj 1982, specialët u aktivizuan krahas shërbimeve të tjera në sigurimin e normalitetit në Kongresin IX të Rinisë Shqiptare. 
-Në periudhën 31 gusht-21 shtator 1982, në pritje të kapjes së të ashtuquajturit “grup terroristi Xhevdet Mustafës”,
Zanafillën e krijimit, forcat speciale të RENEA-s e kanë në vitin 1982, atëherë kur u krijua Batalioni 326, antidemonstratë, i Ministrisë së Brendshme. Elementët e përzgjedhur në atë kohë, ishin ushtarakë profesionistë dhe vinin kryesisht nga policia, nga Garda e Republikës, nga zhytësit e Marinës Luftarake, etj. Këto forca deri në vitin 1990 u impenjuan kryesisht në stadiume, ku si rezultat i problemeve sociale dhe ekonomike që po kalonte Shqipëria, ishte shtuar dhuna e tifozëve. Gjatë kësaj kohe u përdorën vetëm dy herë në konflikte të armatosura, një herë në vitin 1983 kur nga Italia erdhi një bandë prej 5 shqiptarësh dhe amerikanë që trafikonin kokainë, të cilët kishin vendosur të sfidonin diktaturën dhe u vranë të gjithë. Me arritjen e pluralizmit politik në Shqipëri, filloi rindërtimi i institucioneve demokratike të brishta, ku në emër të një kryqëzate antikomuniste, u larguan nga funksionet e tyre shumë juristë dhe investigatorë të zotë, shumë nga të cilët nuk ishin kompromentuar me regjimin komunist. Kjo i lejoi kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar, që të vendoste bazat e para në vendin më të varfër të Evropës, sigurisht në bashkëpunim me kriminalitetin shqiptar. Këto fakte çuan në shtimin e akteve të dhunshme si vrasje, rrëmbim personi dhe trafiqe të paligjshme. Kështu që ishte e pamundur për repartin që të mbante një dopio-rol. Për këto arsye, në nëntor 1991, pas një procesi shumë të rreptë seleksionimi, rreth 80 operatorë nga 600 të 326-s formuan RENEA-n. Pjesa e tjetër së bashku me anëtarë të të tjerave njësi elitë, formuan FNSH-në. Emri RENEA. Në nëntorin e vitit 1991, forcat më të specializuara të policisë së asaj kohe në emrin Batalioni 326, nuk do të quheshin më ashtu. Gjithçka do të ndryshonte dhe këta djem, të specializuar në eliminimin dhe neutralizimin e elementëve të armatosur, do të ishin pjesë e një reparti që mori emrin RENEA. Një emër që vjen pikërisht nga funksioni shumë i rëndësishëm që kryenin forcat speciale, pra do të quhej Reparti i Eliminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur. Po në këtë vit do të shënohet edhe vrasja e parë në radhët e RENEA-s. Një djalë vetëm 21 vjeç, pjesë e këtij reparti elitë, u vra në Shkodër. Që nga viti 1991, RENEA ka humbur tre djem në aksionet e saj dhe ka pasur më shumë se 40 të plagosur rëndë. Qoftë Reparti, qoftë elementë të saj të veçantë, kanë marrë dekoratat më të larta të shtetit shqiptar dhe nga shume vende perëndimore 

-Ju keni botuar një libër për forcat speciale, kush ishte arsyeja? 
U përpoqa të publikoj dhe të shënoj në libër e të prezantoj me fotografi sa më shumë emra të protagonistëve në vite, me dëshirën e mirë që të kujtohen e respektohen për sakrificat që kanë bërë në forcat speciale dhe në Policinë e Shtetit. Por, me gjithë përpjekjet e dëshirën time për t’i përfshirë këtu të gjitha, nuk munda, mbas pakujdesia në seleksionimin, administrimin e arkivimin e dokumenteve nga njëra anë dhe mungesa e solidaritetit e më keq akoma mungesa e mbështetjes dhe e bashkëpunimit nga persona që mund të më ndihmonin nuk kanë qenë të duhura, për të mos thënë dashakeqe. Gjithsesi, jam i qetë shpirtërisht se këtu nuk mungojnë emrat e dëshmorëve e të plagosurve, të cilët i dhanë heroikën repartit special; këtu është lista e medaljeve dhe e dekoratave të repartit, shpërblim i merituar i gjakut, mundit e sakrificave sublime në shërbim të komunitetit; këtu prezantohen personazhe që shkruan histori, ata që e nisën nga “hiçi” apo të tjerë që përshkuan “tunele pa dritë”. Këtu nuk janë anashkaluar apo harruar ngjarjet më kulmore në historinë e forcave speciale, evoluimet e stadet e rrugëtimit të repartit të parë, i emërtuar “326”, më pas “88” i cili u shndërrua në “RENEA”. Historia e këtij reparti plotësohet me personazhe që morën emër në shërbime “misterioze”, me individë që I rriten krenarinë, deputetë e drejtues të shumtë, biznesmenë të suksesshëm,sportistë e trajnerë të shquar të sportit shqiptarë. Librit i shtojnë vlerat edhe opinionet, vlerësimet e kujtimet e disa drejtuesve të lartë të dikasterit blu e të Policisë së Shtetit. Për lexuesin e interesuar dhe për personazhet e protagonistët e forcave speciale kam detyrimin të sqaroj se përse shkrova këtë libër në këtë kohë. Shkurt e qartë, nëse do të shkruhej më vonë mbase do të kishte qenë më mirë, sepse do të kishte më shumë informacion, mbasi me kalimin e kohës do të deklasifikoheshin shumë informacioneve që kanë lidhje me forcat speciale,të cilat edhe mund të publikoheshin. Është e kuptueshme se sa më shumë afrohemi në kohë emri i forcave speciale bëhet më i dëgjuar, por kurrsesi roli i tyre nuk mund të pranohet se ka qenë më i pakët në vitet e pragtranzicionit apo më herët. Edhe këtë pohim lexuesi do e kuptojë kur të njohë përmbajtjen e librit, por mua nuk më ka preokupuar ky problem që guxova e shpejtova të shkruaj, por shtrembërimi me dashje apo nga padija e të vërtetave për historinë e forcave speciale shqiptare, gjë që më “revoltoi”, ndaj, në paraditen e datës 12 nëntor 2011 , mblodha gjithë fuqitë, risolla në kujtesë sa kisha lexuar e vijuar duke shkruar në historikun e repartit nr.“326” e atij nr.“88” dhe shkrova me ngut, mbase edhe me ndonjë gjë për t’u korrigjuar . Materialin e titullova: “Deformim historik pa dashje apo për qëllime politike?!”, me përmbajtjen në vijim: Më 11 nëntor 2011 mora pjesë me gëzim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në repartin special “RENEA”, në Tiranë. Organizatorët meritojnë lavdërim për ceremoninë dhe përfitimin me meritë, por edhe të ligjshëm, të dekorimit të repartit nga presidenti i Republikës. Pa u mbyllur “ceremonia festive” e kremtimit të 20-vjetorit të “RENEA-s”, i thashë gazetarit të emisionit “Xhungël”, Artan Hoxha, se kjo ishte për një emision “xhungël historie”, ndërkohë ai porositi gazetarin e TV “News-24”, Spartak Koka, të regjistronte një intervistë, të cilën besoj se ata e ruajnë në arkivin e tyre të fushës së Policisë shumë të respektuar për gjetjen e rastit që të grumbulloheshin veteranë dhe të rinj të atij reparti elitë të Policisë, por që në asnjë çast nuk u panë tëbashkuar apo të bënin një foto të përbashkët për kujtim, së paku gjithë ish-komandantët. Aq sa u prezantua dhe u fol u kuptua se bëhej fjalë për një datë të krijimit të repartit “RENEA”, para 20 vitesh, por që në thelb ka një deformim dhe mohim të vlerave të atij reparti të shquar. Nisur nga kjo nuk munda të hesht, për më tepër se u bënë mbi dhjetë vjet që hulumtoi pa reshtur në arkiva e në Bibliotekën Kombëtare për të vërtetën e rrugëtimit të dikasterit blu dhe të Policisë Shqiptare nga viti 1913. Dokumentet flasin ndryshe për historikun e këtij reparti. Me qëllim sqarimin e plotë dhe të saktë të këtij deformimi historik po sjell në kujtesën e lexuesve, se krijimi i këtij reparti ka pasur lidhje me rrethana që ndodhen brenda e jashtë Shqipërisë

-Pse ka lidhje dhe me rrethana që ndodhen brenda e jashtë Shqipërisë?
Fillimisht duhet kuptuar se historia ushtarake (jo ajo policore) shënon veprimtarinë e forcave speciale në të gjitha sistemet ekonomiko-shoqërore, ndërsa në historinë e policisë së vendeve moderne ato përmenden për here të parë pas aktit terrorist të organizatës “Shtatori i Zi”, në Lojërat Olimpike të Munihut, në vitin 1972, kohë kur peshëngritësi shqiptar, Ymer Pampuri ia “bëri fora”, duke fituar medalje olimpike. Debatet që shoqëruan atë masakër, cilësuar terrorizëm modern, të 5 shtatorit 1972, ku u vranë fillimisht dy nga atletët më të dëgjuar izraelitë dhe u morën peng tetë të tjerë, në Evropë shtroi domosdoshmërinë e krijimit të njësive taktike speciale policore për shtypjen e terrorizmit. Masakra që vijoi me pengjet e tjera ishte shprehje e teknikave e taktikave ushtarake në zgjidhjen e situatave me pengje, çfarë sjell kurdoherëpasoja për jetët njerëzore. Gjermania ishte e para që e pësoi në opinionin publik disfatën e turpshme në të gjitha rrafshet, ndaj, nga pësimi, u bë “nismëtare” e krijimit të njësive speciale antiterroriste. Emërtimet e këtyre reparteve morën kode të ndryshme në vende të ndryshme, si: “GSG-9”, “GEK”, “NOCS”, “RAID”,“MAT”, “KOBRAT”, “TIGRAT”, “Shqiponjat e Zeza”, “Luanët” etj. Të parët që organizuan këto njësi, krahas Gjermanisë, kanë qenë Anglia, Austria, Franca,Izraeli, pa dyshim edhe rusët që shquheshin për cilësinë e lartë të forcave speciale “ALPHA” e atyre ushtarake “SPECNAZ”, sikurse edhe marinsat e mirëfilltë speciale në fushën e zbulimit ushtarak, me përgatitje të shkëlqyer sidomos në përgatitjen fizike e atë speciale, madje të trajnuara nga “mjeshtër” që erdhën drejtpërdrejt nga “teatri i luftërave moderne”, por që nuk mund të evidentohen këtu, me të cilët kam pasur fatin të bashkëpunoj mbi 15 vjet. Vitet e fundit kjo strukturë, e ristrukturuar në “forcat komando” të FA ka prezantuar meritueshëm Shqipërinë në operacionet paqeruajtëse në shumë vende

-Pra në këtë kohë filluan dhe në Shqipëri organizimi i forcave speciale? 
Ndonëse i pa përfshirë në traktate apo pakte ushtarake, i paangazhuar në nisma apo rajone për problemet e sigurisë, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, që ndiqte me investime kolosale zhvillimet politiko-ushtarake në botë e, veçanërisht në rajon, nuk qëndroi prapa të tjerëve në luftën kundër terrorizmit. Do të kalonin rreth 10 vjet nga akti terrorist në lojërat olimpike të Munihut, kur qeveria komuniste shqiptare, në mesin e vitit 1981, nxori aktin për krijimin e forcave speciale, në thelbin e të cilit përcaktohej: “…krijimi i repartit special i policisë, rezervë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”, repart i identifikuar me numër 326 . Ndryshe nga vendet e tjera që organizuan e krijuan struktura të tilla, me mision për goditjen e akteve terroriste, kalemxhinjtë shqiptarë nuk mund të pranonim një fenomen të këtillë në një vend socialist, ku trumbetohej demokracia, paqja, siguria, qetësia etj. Ata qenë shumë të kujdesshëm kur cilësuan misionin “…për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”. Vlen të theksohet se përbërja e bërthamës së policëve elitë ngjasonte me ato të vendeve perëndimore. Reparti gradualisht u kompletua e u organizua në strukturë me pjesëtarë të grupeve të sulmit e mbështetjes, snajper, zhytës, mjeshtër të veprimeve në lartësi, pati pajisje mbrojtëse e ndërhyrjeje, teknikë fluturimi e lundrimi të shpejtë, aparate vëzhgimi e njësi antieksplozivi e mbrojtje kundërkimike (municionet lakrimogjene). Për ata që nuk i njohin pjesëtarët e forcave speciale ekziston imazhi se ata janë krijesa legjendare, hyjnor apo të pakapshëm. Disa të tjerë i etiketojnë agjentë sekretë, spiunë, përbindësh që mbjellin vdekjen dhe frikën supersticioze. Disa të tjerë i mbështjellin me aureolën e mitit të pathyeshmërisë dhe i vlerësojnë me të drejtë heronj të situatave kritike. Është e vërtetë se ata kanë moral të lartë, avantazh psikologjik, fuqi për të shndërruar në tym dhe mister ndërhyrjen e tyre, duke vepruar pa asnjë reaksion frike, në heshtje të plotë dhe me siguri absolute, në harmoni me mjedisin rrethues, pa ndier dhe pa shfaqur shqetësimin më të vogël, duke sfiduar kurdoherë vdekjen epranishme. Madje, ata janë të aftë të përballojnë vështirësitë më ekstreme të jetës. Në fakt ata janë individë “pa emër”, anonimë por me lavdi. Ata nuk marrin çmime publike, e mbas çdo detyre të kryer “zhduken” për t’u rishfaqur përsëri, pjesëtarë të një grupi, anëtarë të një çështjeje, luftëtarë të një qëllimi në të mirë të rendit e të sigurisë publike. Më 29 prill 2014 m’u krijua mundësi të shfletoja “Historiku i Repartit”, të cilin e kasha “studiuar” e “konspektuar” në periudhën 1992-1995 dhe nga faqja e parë shkëputa ekstraktin e misionit të repartit 326: “…rezervë e Ministrisë për të zgjidhur ato detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”, pra, pothuajse 100% sikurse e kisha regjistruar në kujtesë nga urdhri për krijimin e repartit për ata që shërbejnë aty, ata janë njerëz të zakonshëm, si gjithë të tjerët, por dallohen se kanë dëshirë të madhe për të shërbyer aty ku vështirësitë janë të mëdha, ku luhet me vdekjen, ku “vallëzohet” me mortjen. Në portën hyrëse të reparteve të tilla, speciale ushtarake, të disa vendeve, shkruhet: “Të gjithë vijnë me dëshirë, por këtu qëndrojnë ata që mundin dhe që janë të aftë ta përballojnë”. 

Për lexuesin është me interes të dijë, të njohë se kush ishin policët, ushtarët policë dhe oficerët e parë që morën mbi vete përgjegjësinë në këtë repart?
Sot ajo nuk është sekret, ndaj publikoj se drejtues të repartit u caktuan zotërinjtë Nexhmi Zotaj (aktualisht në detyrë në shërbimet e Policisë), më pas Hafuz Murati, Andon Llavdaniti e Rebani Memushi. Në përbërje të repartit special, ndërmjet tre kompanive në organikë, kishte përparësi kompania me punonjës të përzgjedhur nga Policia, nga Garda dhe nga Marina Luftarake-Detare (ushtarake). Individët që u rekrutuan ishin kryesisht kampionë kombëtarë të mundjes, qitjes, atletikës dhe notit, të cilët përbënin ajkën e këtyre sporteve dhe bërthamën solide të repartit special. Ndër oficerët e parë që filluan karrierën në këtë repart kanë qenë të sapodiplomuarit në qershorin e vitit 1981: Nasi Kërri (avokat), Ilia Nasi (në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë), Fadajev Kërpaçi (në reformë), Agron Hasani (në reformë), Muhamet Dyrmishi (në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë), Besnik Muho (në Akademinë e Policisë), Dashamir Çali (në reformë), Xhemal Sinani (në reformë), Vadim Lila (në reformë), Orion Trebicka (në emigracion), Dashamir Rrapaj (në detyrë), Nesti Kurtiqi (në reformë),Maksim Milori (në reformë) dhe mjeku i specializuar për forcat speciale, Engjëll Shehu etj. Nuk është sekret të përmenden sot pjesëtarët e parë të rekrutuar në trupën e Policisë, mundësit: Ndue Doda, Pëllumb Qose, Jak Marku, Maksim Bufi, Maksim Kurti, Ndue Njebëza, Fatmir Muça, Jak Ndoka, Arben Kadriu, Luigj Gjeta, Karafil Sula, Naim Memushi, Sinan Çelmeta,Vasillaq Sota, Astrit Martiri, Labo Çapo; notari Fuat Murati, çiklisti Edmond Xhediku; rekordmeni i flakjes së çekiçit Ajet Toska, peshëngritësi rekordmen Aleksandër Kondo, zhytësi i shquar i Marinës Luftarako-Detare njëkohësisht edhe mundës i dëgjuar, Muharrem Abazi. Nga gjiri i këtij reparti kanë dalë deputetët Sali Shehu (rekrutuar që më 1982), Jak Ndoka, Ndriçim Babasi, Asllan Dogjani dhe Ndrec Deda dhe disa drejtues vendorë sikurse mundësi Ylli Kupi në Mullet, Viktor Çervenaka në Frakull, Fier; Durim Toska, kryetar komune në Hudenisht, Pogradec; kampionë kombëtar në shumë sporte, ku veçohen Ndoc Çoka, Andrea Kola, Skënder Rama, Sokol Sula, Arben Rexhmata, Sokol Shepeteja, Genc Hoshafi etj, etj, si dhe disa biznesmenë të fuqishëm. Sot drejtojnë në nivele të larta në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ish-pjesëtarë të repartit nr.326, Tonin Vocaj e Ilia Nasi; nga ai repart ka dalë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë i shtatorit 1998, Hasan Ahmetaj dhe prokurori aktual i Apelit në Prokurorinë e Tiranës, Shkëlqim Hajdari; vijojnë të shërbejnë në Polici kuadrot e mëvonshëm të repartit: drejtori aktual i Shkollës së Policisë Hamdi Fiore, Erzen Breçani, Shkëlqim Kola, Muhamet Dyrmishi, Bujar Ahmetaj. Flamurin e repartit e kanë larë me gjak dëshmorët: Lulëzim Salillari (efektiv i repartit nr.326, vrarë në ngjarjet e Shkollës së bashkuar, më 22 shkurt 1991, pra 10 muaj para se të krijohej reparti që kremtoi ditën e 20 vjetorit), Arben Ujka (efektiv i repartit nr.88, vrarë në krye të detyrës më 22 gusht 1993, në Mushan, Shkodër) dhe Elham Elezi (efektiv i “RENEA-s”, vrarë më 9 korrik 1998, në krye të detyrës, në Tiranë). Pjesëtarë i atij reparti, në shërbimet mbështetëse, ka qenë edhe i ndjeri Kosta Trebicka (Dhamonica).

-Kur përfundoi organizimi?
Në periudhën 5 janar-30 korrik 1982 përfundoi organizimi, kompletimi dhe përfundimi i fazës së parë të trajnimit të efektivit të repartit 326, pa ndërprerë ndërkohë angazhimin me disa shërbime. Në historikun e këtij repartit special të policisë është shënuar se detyra e parë e vështirë është kryer në muajin maj 1982, kur specialët u aktivizuan krahas shërbimeve të tjera në sigurimin e normalitetit në Kongresin e IX të Rinisë Shqiptare. Në periudhën 31 gusht-21 shtator 1982, pra deri katër ditë para se të zbarkonte banda e Xhevdet Mustafës, reparti special u aktivizua në shërbime sekrete në bregdetin shqiptar, kryesisht në bregdetin e Ishmit dhe të gjirit të Durrësit, rajoni i Golemit, në pritje të kapjes së të ashtuquajturit “grup terrorist i Xhevdet Mustafës”, shërbim i cili u mbyll më 25 shtator, kur me urdhër të eprorëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në orën 09.30 të kësaj dite, grupe speciale të repartit morën detyrë për të bashkëvepruar me struktura të Forcave të Armatosura për asgjësimin e grupit. Sot nuk është sekret (pas deklarimeve publike të agjentit të CIA-s, zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart), të shprehem se shoku im i shkollës, zbuluesi Orion Trebicka, ka qenë caktuar në atë shërbim.Në periudhën 1983-1990 reparti special i policisë nr.326, ka kryer detyra në bashkëpunim me shërbimet e tjera të policisë kryesisht për sigurimin e normalitetit në veprimtaritë politike dhe përkujtimore të udhëheqësve komunistë, në festa e veprimtari kulturore e artistike në vend dhe garantimin e rendit në veprimtaritë sportive në disa rrethe me tifozëri të zjarrtë

Vijon nesër…
Sigal