U.M. Dr. Jani BASHO nënshkruesi i parë i letrës për Wilson (1892 – 1957)

2423
Sigal

 Liria akademike dhe vetëm kjo i jep studentit një shikim të pavarur të botës

            Dr. Jani BASHO, u lind në qytetin e Pogradecit në vitin 1892. Pas mbarimit të gjimnazeve grek dhe turk në Manastir (1911) dhe pas studimit të 6 muajve Drejtësi në Stamboll, mbaroi Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Vjenës (1921), dhe u emërua me në spitalin e Universitetit të Vjenës, ku dhe u specializua në degët Mjekësi Interne, Kirurgji Obstetrikë – Gjinekologji dhe fitoi titullin Unicus Medicus Doctor.

U kthye në Shqipëri në nëntorin e vitit 1927 (si dhe disa muaj gjatë qeverisë së Imzot Fan Nolit).  Ka luajtur një rol shumë të madh në organizimin e mjekësisë në Shqipëri. Me emrin e tij lidhet ndërtimi i spitaleve moderne të Shqipërisë (spitalit nr.1 më 1932, spitali ushtarak më 1929 (sot spitali Nr.2), projektet e të cilave (me autor arkitektin austriak Kohler), i solli me vete nga Vjena. Ishte drejtori i parë i spitalit ushtarak të Shqipërisë (1929 – 1935), mjeku personal i mbretit Zog (1928 – 1935), drejtor i përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare (1939 – 1942), themeluesi i të parës klinikë private në Shqipëri me drejtim Obstetrik/Gjinekologjik dhe kirurgjikal (1929), drejtor i maternitetit të Tiranës (1948 – 1952), pedagog i lëndëve të Anatomisë dhe Obstetrikë/Gjinekologjisë, si dhe hartuesi i teksteve të “Anatomisë”, “Obstetrikës” dhe “Gjinekologjisë” të Institutit të Lartë Mjekësor, Tiranë.

Ka luajtur një rol të madh patriotik jashtë atdheut, veçanërisht gjatë viteve të qëndrimit të tij në Vjenë ku për një kohë të gjatë ishte kryetar i Shoqatës së studentëve shqiptarë “Albania” dhe kryeredaktor i revistës së tyre “Djalëria”. Në këtë revistë ka botuar shumë shkrime publicistike (1920 – 1927) si: “Orientimi nga Perëndimi shpëtimi ynë i vetëm”, “Me rastin e mbledhjes së Parlamentit të parë të Shqipërisë”, “28 Nëntor” “Gjuha” etj., shkrime filozofike si “Shëtitje”, “Vdekja”, si dhe shumë shkrime mjekësore si “Alkooli”, “Uji nga pikëpamja shëndetësore” etj.

Ishte nënshkruesi i parë i letrës që studentët shqiptarë të Vjenës i dërguan Presidentit amerikan Wodrow Wilson për problemet e moscopëtimit të vendit pas Luftës së Parë Botërore, në dhjetor 1918. Me emrin e tij lidhet pajisja me pasaportë shqiptare e Albert Ajnshtajnit në pranverën e vitit 1931.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i Pogradecit nga Bashkia e këtij qyteti (2000), dhe pjesa universitare e Spitalit Obstetrik/Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” mban emrin e tij..                     Vdiq në Tiranë dhe u varros në Pogradec, në 12.02.1957.

Shkrimi i mëposhtëm i takon vitit 1918, gjatë periudhës kur ishte akoma student.

 

 

 

Themeli mbi të cilin qëndron universiteti, është liria e plotë për ata që japin dhe për ata që marrin mësime.

 

( Fjalim  i  mbajtur  në  mbledhjen  e  përgjithshme te  shoqërisë  “ALBANIA” në  Vjenë)

 

Jani  BASHO

 

            Të ndershëm zonja e zotërinj!

            Shokë të dashur!

            E dhjeta e marsit 1918, në të cilën për të parën herë u mblodhëm për të këmbyer mendimet dhe për t’u fjalosur për themelimin e shoqërisë sonë, ajo ditë kur realizuam me një herë bashkërisht një dëshirë, të cilën sikush prej nesh e ndjente vetvetiu që prej kohe, është një ditë gëzimi për ne si studentë edhe karakteristike si shqiptarë. Përse është e ëmbël dita e mbledhjes sonë të parë, e ndjen cilido prej nesh, edhe se do të mbetet në kujtimin tonë e paharruar, si do që të jetë fundi i shoqërisë, s’ka aspak dyshim.

            Do të ma kishte shumë ënda të mundja të flas pak fjalë mbi pikën e dytë d.m.th. pse është karakteristike për ne si shqiptarë dita e themelimit të shoqërisë, se në atë duket një pjesë e mirë e psikologjisë së shqiptarit, i cili është gati kurdoherë për punë që kanë për qëllim të mirën e përgjithshme, vetëm se i duhet iniciativa dhe udhëheqësi i posaçëm, po kjo gjë kaq interesante s’ka lidhje të ngushtë me ne sot për sot si studentë.

             Le të na jepet leja këtu të shfaqim mendimet tona për mbi një temë më aktuale për ne. Tema jonë do të përmbajë jetën e studentit; dhe mbasi kjo ka lidhje me jetën e studentit në shtëpi, duhet kujtuar edhe ajo me pak fjalë.

             Këto gjëra, për të cilat po marr lejen të flas më poshtë, i di sikush prej nesh, edhe do të ishte njëlloj “me i kallzue babajt arat”. Ju lutem pra të mos mërziteni duke dëgjuar gjëra të ditura, se këto kanë lidhje edhe me detyrën tonë, mbarimin e plotë të së cilës përmban edhe pika 3 e nyjes së parë të statutit të shoqërisë sonë. Veçanërisht u lutem zonjave dhe zotërinjve të tjerë të mos mërziten duke dëgjuar mendimet tona të një niveli të ulët edhe të mos jenë aq të ashpër në kritikë; se ne megjithëse të arrirë në moshë, jemi ende të rinj në mendime, të cilat s’mund të jenë fare të pjekura. “Ne e marrim edukimin tonë, thotë Rousseau-i,  prej natyrës, prej njerëzve dhe prej sendeve; zhvillimi i brendshëm i pasurive tona natyrore dhe i organeve është edukimi i natyrës; përdorimi i këtij zhvillimi, të cilin na e mëson shoqëria, është edukimi i njeriut dhe fitimi i eksperiencës sonë prej objekteve e mbi objektet, të cilët na takojnë; është edukimi i gjërave. Cilido prej nesh merr pra mësime prej mjeshtërish dhe bashkëpunimi më i plotë ose më i metë i këtyre mjeshtërve sjell një edukim të mirë ose të keq”.

            Djalëria qas lehtë çdo përshtypje, aq sa përshtypjet nën të cilat njeriu u rrit janë shpeshherë rregulluese në formimin e karakterit të tij. Për këtë shkak, gjëja të cilën shtëpia i jep djalërisë në rrugën e jetës, çdo gjë që mbjell edukimi dhe shkolla në zemër, bashkë me pasuritë natyrore të trupit dhe të mendjes, janë kurdoherë faktorët e parë, që formojnë njeriun e brendshëm. Ndryshimet e tipeve dhe të karaktereve e kanë shkakun në dy momentet që thamë më sipër, me ditjen e të cilëve jemi të zotë të analizojmë çdo komplikacion në karakterin e njeriut të rritur.

            Do të ishte e udhës po të donim që t’i thelloheshim çështjes më tepër, të zinim në gojë zhvillimin e individit që atje ku fillon embriologjia, që në vezë, ku bashkimi i një qelize femër me një mashkull, i jep ekzistencën njeriut, edhe që në atë kohë të shikojmë momentet, të cilët luajnë rol për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Kjo është një rrugë e gjatë dhe nuk mund të ndiqet këtu për të lehtësuar temën tonë. As mund të flasim këtu për mbi përshtypjen që i bën njeriut natyra edhe mjedisi, në kohën kur ky, pasi organet e tij ndjesore janë arrirë, fillon t’i përgjigjet çdo përshtypjeje të jashtme me një reaksion të shpirtit. Kjo është çështje e fiziologjisë dhe më shumë e psikologjisë. Ne le të ndajmë prej tregimit të përgjithshëm djalëri, një individ, i cili duam që prej shtëpisë së prindërve, prej shkollës popullore edhe prej gjimnazit, të mbarojë mësimet e tij në shkollën e lartë. Jeta e këtij shkollari përgjithësisht, veçanërisht jeta e tij në universitet është tema, të cilën do të mundohem të prek.

            Zonja e zotërinj!

            Çdo mjeshtëri në botë, por më shumë degët e shkollës së lartë, që t’i japin popullit intelektualët më të lartë, duan njerëz të thellë në mendime. Shkollarin akademik e përbën jo vetëm dija e tij shkencore; degët e shkollës së lartë duan më shumë se çdo gjë në jetë një zhvillim harmonik të karakterit me atë të mendjes, moral të lartë, pasuri të veçanta të mendjes, besim në vetvete, vullnet të fortë, besë detyre, drejtësi para vetes e para të tjerëve. Këto cilësi të paçmuara, të mbjella në shpirtin e nxënësit punohen dhe përparohen vetëm në shtëpi, nën nxehtësinë e dashurisë së një mëme të ndritur dhe nën kujdesjen e atit. Kështu rron te nipi gjyshi e stërgjyshi me të gjitha cilësitë e mira të racës, e cila vetëm në këtë mënyrë nuk degjenerohet. Edukimin e shtëpisë nuk mund ta zëvendësojë as një edukim tjetër, si edhe dashurinë e mëmës as një dashuri tjetër. Dorë më dorë me zhvillimin e nxënësit në familje shkon edhe ai i shkollës. Me shkollën popullore, ne nuk do të merremi këtu në këtë fjalim të shkurtër. Sa për shkollën e mesme, qoftë kjo humaniste ose reale, do t’ju kujtoj pak fjalë, me të cilat një ministër i arsimit i Prusisë, Dr. V. Gossler e karakterizon duke thënë: “Ne mësojmë në gjimnazet tanë, në qoftë se më jepet leja të flas pak rëndë, as një gjë për jetën praktike, megjithqë i mësojmë të gjitha, nuk mësojmë dituri të veçanta për këtë ose atë profesion, po fitojmë një disiplinë, një fuqi morale, e cila na bën të zotë, jo vetëm për kërkimet e mëdha të shkencës, por të zotin për qëndrimin me fitim kundër çdo sulmi e mundimi, të zotët të përmbushim detyrat e mëdha kundrejt popullit tonë”.

            Shkurtazi në gjimnaz, si edhe fjala e thotë – Gymnasium: vendi ku shkollari përgatitet për këndime të larta – nxënësi mësohet të mendojë që të mund të zotërojë mbi mundimet dhe problemet e shkollës së lartë veçanërisht, edhe të jetës përgjithësisht. Abiturienti i ri e ka përmbushur qëllimin e tij siç duhet në qoftë se mësimet e tij i ka bërë në qytetin ku është lindur, afër familjes së tij e në gjuhën amtare, gjë e cila mjerisht nuk mund të thuhet për shqiptarët gjer më sot. Shqiptarët kanë qenë të shtrënguar gjer sot të bëjnë edhe mësimet e tyre popullore në gjuhë të huaj, në vend të huaj; prandaj rezultatet e tyre në pikëpamjen e interesit nacional dhe kulturor, si edhe në pikëpamjen e interesit vetjak kanë qenë jo shumë të gëzueshme.

            Pa u marrë me nxënësin akademik të ri, do të ishte mirë të themi pak fjalë mbi zgjedhjen e degës së mësimit. Zgjedhja e fakultetit, të cilin studenti i ri do të ndjekë duke pasur ndërmend të mos kursejë edhe theroritë më të mëdha, është një nga çështjet më me rëndësi të jetës; sepse një zgjedhje fakulteti e gabuar është njëlloj me një jetë të gabuar. Mendimi ynë mbi këtë pikë është që vetëm ai student gjen në degën e tij atë që kërkon, kur motivet e zgjedhjes kanë qënë ideale, d.m.th. zgjedhja e degës së mësimit i rrodhi këtij vetiu prej individualitetit të tij. Kjo harmoni në mes pasurive të brendshme edhe të zgjedhjes së fakultetit, tendenca e vërtetë për një degë, mbushen shumë rrallë në jetë. Se përmi këtë punë, e cila duhet të ishte e jona edhe fare e jona, lozin shumë herë faktorë të huaj një rol më të madh se studenti vetë. Nga rëndësia e madhe që ka zgjedhja e fakultetit për studentin e ri, ne jemi të mendimit, që cilido duhet t’i mendojë thellë edhe qëruar motivet, të cilët atë e shtynë në zgjedhjen e kësaj ose të asaj dege. Në këtë moment lufte të ç’nuk farë soj mendimesh edhe ndjenjash, ku djali i ri ndofta për të parën herë gjendet para një zgjedhjeje, para një rezolucioni, duhet kurdoherë si udhëheqëse të jetë logjika e ftohtë. Se Auffenberg thotë: “Nur keinen Schëur im Schmerz geleistet! Ich traue ihm nicht, es ist ein hohles Ëort. Ein Augenblick des über ëallenden Gefühls beherrscht die späteren Jahre nicht!”(“Në dhimbje e sipër e shtrëngim mos u beto! Këtij betimi si besoj, është një fjalë e kotë. Çasti i një ndjenje të nxehtë nuk zotëron kohën që vjen!”). Göethe prapë thotë: “Eines schickt sich nicht für alle, sehe jeder, ëie er’s treibe, sehe jeder ëo er bleibe und ëer steht, daß er nicht falle” (“Një njeri nuk mund t’i bëjë të gjitha, sikush të shohë ç’mund të bëjë, sikush të zgjedhë mirë vendin ku të rrijë dhe kush qëndron të mos bjerë”).

            Pas këtyre mendimeve, mbasi thotë studenti i ri me veten – alia jacta est (zari u hodh) – niset për në universitet. Si një petrit i ri, të cilit sa i kanë dalë pendët e zë të çohet, hap krahët e plot kërkime ngrihet prej strofkës së prindërve që t’i drejtohet lartësisë së qiellit, le djaloshi shtëpinë e atdheun edhe niset për në universitet, jashtë, larg, në dhe të huaj, duke përmbushur kështu një dëshirë të zjarrtë të zemrës së tij, për të sjellë një pjesë të idealit të tij në vend, me etje të pashuar për liri, për dritë e dituri. Mundet të gjenden shumë abiturientë, që nuk e kanë ndjerë aspak këtë ide të Faustit. Për këtë shkak është për t’u quajtur dy herë i lumtur ai, i cili me gjithë shpirt e ndjen në veten e tij ëmbëlsinë e këtij kërkimi. Kujtimi i kësaj ëmbëlsie do t’i ndritë si një flakë e shenjtëruar për të gjithë jetën.

            Universiteti është një republikë e përbërë prej profesorësh dhe studentësh. Themeli, mbi të cilin universiteti qëndron, e pa të cilin bie, është liria e plotë për ata që japin mësime edhe për ata që marrin mësime. Në lirinë akademike janë profesorët edhe studentët një; ky është flamuri, nën të cilin mblidhen shtetasit akademikë edhe nën hijen e të cilit mosmarrëveshjet pushojnë. Se dituria do liri që të mbetet e re.

            Në universitet studenti duhet të bëhet jo vetëm një i ditur në degën e vet, një specialist, po edhe një karakter i arritur, një personalitet. Në këtë gjë studentin e ndihmojnë, veç pasurive të tij natyrore të mendjes, profesorët e universitetit dhe liria akademike. Rolin e profesorëve, përshtypjen që ata lenë mbi studentin, një profesor gjerman, Prof. Bassermann, e karakterizon me këto fjalë: “Personaliteti, karakteri i profesorit ka një rëndësi të veçantë. Kush ka pasur fatin e mirë, që në vitet e tij akademike të ketë për mësues burra, të cilët ky, jo vetëm i admiron për diturinë e mjeshtërinë e tyre, por edhe i çmon e i nderon për karakterin e tyre, ai ka marrë me vete një gjë me rëndësi të lartë për formimin e karakterit e të jetës së vet”.

            Vlera e lirisë akademike për studentin është e madhe. Studenti i ri nuk duhet t’i largohet asnjë gjëje. Gjithë ngjarjet e jetës duhet t’i shikojë, t’i njohë e t’i provojë vetë, që të mundë të bëjë një gjykim të drejtë e të pavarur për to. Duhet të miqësohet jo vetëm me kolegët e degës së tij, por edhe me komilitonët e tij prej fakulteteve të tjera. Të vizitojë shpesh herë bibliotekën e universitetit, ku mund të gjejë çdo libër që të dojë, të këndojë literaturën e ditës, të ndjekë gazetat e çdo drejtimi politik, të interesohet për gjithë lëvizjet ekonomike e politike të atdheut si edhe të vendit  të huaj ku studion, të kërkojë e të njohë shokë prej nacionaliteteve të huaja, të  marrë pjesë në lëvizjet e tyre, të vejë në teatër e koncerte, shkurtazi të mos mbetet asgjë në jetë, asnjë ngjarje në botë, së cilës studenti të mos i ketë kthyer vështrimin, qoftë edhe për pak minuta. Në këtë mënyrë studenti mëson edhe taktin e format e jashtme për t’u pjekur me njerëzit.

            Liria akademike dhe vetëm kjo i jep studentit një shikim të pavarur të botës dhe i formon një karakter, i cili themelohet mbi veten e vet. Studenti duhet vetë të gjykojë çfarë lloj idesh e mendimesh, çfarë faktorë të jetës duhet të lerë që të kenë influencë mbi të dhe mbi personalitetin  e tij moral, i cili është duke u zhvilluar. Në anën  tjetër liria akademike është një dhuratë me përgjegjësi të madhe. Shumë eksperienca lajthitjesh tregojnë për rrezikun e saj. Kjo pikë ka një rëndësi më të madhe për disa prej nesh, të cilët mësimet e mesme i kanë bërë në shkolla ballkanike, ndërsa të lartat po i bëjnë në shkolla europiane, në qytete të mëdhenj, në kushte krejt të tjera. Ky është një hop i madh, në të cilin keqpërdorimi i lirisë akademike mund të shkaktojë prishjen e trupit, të shpirtit, të mendjes e të karakterit; megjithatë, djalërisë akademike nuk mund t’i merret me asnjë mënyrë liria prej dorës.

             Se vetëm mbi këtë dhé mund të rriten lisa të fortë, vetëm në erën e lirisë arrihen njerëz me mendime të qarta, me dashuri të patundur për të vërtetën, burra të cilët nuk kthehen nga të fryjë era, burra që dinë ç’duan dhe marrin përsipër të bëjnë vetëm atë që mundin të bëjnë. Kësi lloj burrash duhet të jenë udhëheqësit e popullit.

            Zonja e zotërinj!

            Në mbarim po vij te pika më me rëndësi e jetës së studentëve, në studimin e qetë në tryezën e thjeshtë të dhomës së tij. Ndjekja vetëm e konferencave nuk mjafton. Orët e qeta mbrëmjeve, në të cilat studenti kap librat dhe u thellohet gjërave që dëgjoi prej profesorëve ditën, janë koha kur renditen dhe themelohen mendimet për një ndërtesë shkence. Vetëm me këtë punë bëhet, ajo që u dëgjua, pasuri për gjithnjë dhe fitohet dija sistematike, pozitive, pa të cilën nuk mund të jepen provimet.

             Ju kujtoj se do të ketë më të ëmblin kujtim të kohës së tij akademike, ai student, i cili ka kuptuar të lidhë seriozitetin e mësimit me gëzimet e një shoqërie të lirë e të gjallë, me shokë të një mendimi e të një ndjenje.

 (“DIALERIA”, Viet I, Nr.1, fq. 2-4, 1920)