Sot 17 Nëntori, dita e çlirimit të Tiranës

539
Sigal

Nga kujtimet e Xhaferr Peçit, ish komandant i Brigadës së Parë: Pas marrjes së urdhërit, Mehmet Shehu organizoi sulmin ndaj nazistëve për çlirimin e kryeqytetit. 19 ditë luftime, beteja e Barrikadave, 127 partizanë të vrarë dhe 290 të plagosur bënë që Tirana të ishte kryeqyteti i vetëm në Europë , i çliruar nga shqiptarët

 

Flet Xhafer Peçi, ish -komandant batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese dhe ish-komandanti i Gardës së Republikës

 Mehmeti, si e zbatoi  urdhrin e Enverit për të sulmuar Tiranën

“Telegraf”

Ai mban mend deri në detaje gjithçka ka ndodhur 65 vite më parë. Në vesh i oshëtijnë ende gjëmimet e topave, ndërsa para syve parakalon e gjithë situata e një beteje të përgjakshme. Kujton se është luftuar në çdo qoshe muri, shesh, rrugicë e dritare. Në këtë mënyrë, arena e luftimeve për të mbajtur me çdo kusht, apo marrë me çdo kusht kryeqendrën shqiptare, u bë tepër e egër. Ish Komandanti i Gardës tanimë në pension, 84-vjeçari Xhafer Peçi, i cili në atë kohë ka qenë dhe komandant Batalioni në një prej njësive më të lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Brigadës I Sulmuese, rrëfen edhe një herë me ngjyra të gjalla, atë çka ndodhi gjatë 19 ditëve të luftës frontale për çlirimin e Tiranës.

Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Xhafer Peçi shpjegon se përparimi i ushtrisë sovjetike në të gjitha frontet, dhe që më 15 tetor çliroi Nishin, i detyroi trupat ushtarake naziste për të mos mbetur të bllokuara, të tërhiqeshin nga Ballkani, duke përdorur rrugët përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës. Trupat gjermane u përkisnin gruparmatës “E”, në të cilin bënte pjesë edhe Korpusi XXI me qendër në Tiranë. Garnizoni gjerman i Tiranës, i përbërë prej 3000 veta kishte detyrë të mbronte qytetin për të siguruar tërheqjen e trupave naziste, që vinin nga Greqia e Maqedonia, duke ndjekur rrugët Strugë-Elbasan-Tiranë dhe Durrës-Shkodër. Në Tiranë kishte mbetur edhe një forcë me rreth 500 shqiptarë të armatosur që ishin bashkuar me forcat gjermane. Armiku në qytet kishte bërë fortifikime dhe vende-vende si në ndërtesa kryesore, kazerma, centralin elektrik, etj. kishte vendosur mina.

Kur do të motivohej sulmi mbi Tiranë?

Pas Kongresit të Përmetit u formua dhe Divizioni i Parë, në përbërje të të cilit ishin Brigadat e 1-rë, e 4-t, e 5-të Sulmuese dhe komandoheshin nga gjeneral Dali Ndreu dhe nënkomandant kolonel Mehmet Shehu. Na u dha urdhër që në qershor të kalonim në Shqipërinë e Mesme e në Veri. Pas disa përpjekjesh me forcat naziste u hodhëm në Maqedoni. Kaluam zonën e Gostivarit, qëndruam në Kërçovë për 20 ditë, ku anglo-amerikanët na hodhën nga ajri ushqime, veshmbathje e municione. Aty sulmuam Dibrën dhe këtë aksion e ka udhëhequr Mehmet Shehu, i cili kishte nën komandë edhe Brigadën e Parë Kosovare dhe Brigadën e Parë Maqedonase. Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Unë mora pjesë në luftimet për të marrë Radio-Tiranën. Dua të them se sulmi për të marrë kryeqytetin, Tiranën, është një histori heroike e luftës së Dytë Botërore nga partizanët shqiptarë.

Kur do të vinte urdhri?

Plani i Komandës së Përgjithshme përcaktonte si detyrë kryesore çlirimin e Tiranës me çdo kusht, asgjësimin e forcave armike dhe mënjanimin e grabitjes e të shkatërrimit të qytetit nga gjermanët. Në urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha thuhej: “Duhet sulmuar Tirana dhe të merret me çdo kusht”. Mësymja në Tiranë do të bëhej nga dy forca kryesore. Në të parën, do të hynte në mësymje Divizioni I Sulmues, që në përbërje të tij ishin tri Brigada I, IV dhe XXIII, e cila kishte zëvendësuar Brigadën V, që kish shkuar në Kosovë, së bashku me Brigadën III, për çlirimin e asaj krahine. Në fazën e dytë do të futeshin në luftim Brigadat VIII, X, XXIV. Komandant i Divizionit ishte Mehmet Shehu, i cili organizoi shtabin operativ dhe drejtoi me aftësi të rrallë operacionin për çlirimin e kryeqytetit. Veprimet për çlirimin e Tiranës përbënin një operacion të kombinuar. Në kohën që Divizioni I dhe Brigadat VIII dhe X do të mësynin brenda në qytet e në periferi të tij, Brigadat II, XX, XV, XVII, XI e XII do t’i jepnin goditje armikut gjatë rrugëve që nga Qafa e Thanës-Elbasan-Tiranë, Tiranë-Shkodër, Elbasan-Durrës si dhe brenda në qytetet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës.

Kur do të fillonte realisht sulmi?

Mësymja. filloi në orën 18.00 të 29 tetorit. Vështirësia më e madhe për partizanët e Brigadës I u paraqit tek kazermat e Xhenios (sot Akademia Ushtarake). Aty kishte pozicione të fortifikuara. Gjermanët rezistuan për një kohë, por kur panë se do të rrethoheshin plotësisht, u detyruan të tërhiqen dhe kazermat ranë në duart e partizanëve, si dhe spitali civil e ushtarak që ishin pranë njëri-tjetrit. Duke kontrolluar ndërtesat e zëna, më dorëzuan partizanët 40 e ca ballistë të armatosur qe ishin fshehur. Luftime u

zhvilluan në rrugët “Bajram Curri”, Tafajve, Shenasi, Dishnica, në Kodrën e Kuqe, Medrese, në postën pranë “Varrit të Bamit”, në rrugën “Hoxha Tahsim”, para sheshit “Avni Rustemi”. Brigada IV sulmoi në kodrat afër Pallatit të Brigadave dhe në Tiranën e Re.

A u vu në zbatim i gjithë plani i përgatitur?

Pas 10 orë luftimesh Brigada I doli në rrugën e “Barrikadave”. Armiku u tërhoq me nxitim dhe nuk mundi të vinte në zbatim. planin për të hedhur ne erë depot e ujit, spitalet, komandën e xhandarmërisë, etj; Fillimi i mbarë i mësymjes tregonte përgatitjen e divizionit për betejën e madhe, vendosmërinë e komandave e luftëtarëve për të çliruar Tiranën. Ky fillim i mbarë iu dha krahë partizaneve dhe ringjalli gëzim të madh në popullsinë e qytetit. Ja si e përshkruan këtë komandanti i operacionit Mehmet Shehu: “Ndërsa partizanët ndiqnin këmba-këmbës gjermanët, kur nëpër rrugët e qytetit kërcet bomba, mitralozi, automatiku, pushka, populli i Tiranës (plaka të rinjtë, pleqtë, të gjithë) dalim nëpër qoshet për të përshëndetur partizanët duke brohoritur”. Pas tri ditësh mësymje, partizanët. kishin asgjësuar nyje të rëndësishme në sistemin e mbrojtjes armike, kishin zënë gjysmën e qytetit dhe ishin në qendër të tij. Komanda e Korparmatës I i raportonte komandantit të Përgjithshëm: “Populli në prapavijë qëndron fare mirë, me moral të lartë, punon bashkë me partizanët në ngritjen e barrikadave. Forcat tona ndihmohen nga këshillat e komandat e lagjeve”. Deri më 10 nëntor u zhvilluan luftime të ashpra rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi, sulme e kundrasulme të shpeshta nga të dy anët. Partizanët jo vetëm që mbajtën pozicionet e zëna, por i përmirësuan ato më tej, duke hyrë në brendësi të qytetit. Në mëngjesin e 10 nëntorit mori fund faza e parë e mësymjes.

Çfarë përmbante faza pasardhëse?

Në fazën e dytë erdhën edhe Brigadat VIII, X, XVII, XXII, kjo e fundit vinte nga Kukësi. Të gjitha këto vareshin nga shtabi operativ. Brigada VIII mori detyrë të mësynte nga ana e jugut e perëndimit të qytetit së bashku me një pjesë të Brigadës IV, Brigada X, XXIV dhe Batalioni “Antonio Gramshi” (i Brigadës I) kishin për detyrë të bllokonin rrugën Tiranë-Vorë, ndërsa Brigada XXIII do të vepronte gjatë rrugës Vorë-Shkodër.

 Mëngjesi i 17 nëntorit ’44?  Tirana, i vetmi kryeqytet në Europë  i çliruar pa ndihmë.

“Mëngjesin e 17 nëntorit përfundoi beteja për çlirimin e Tiranës. Pas 19 ditë luftimesh të pandërprera e të përgjakshme, ku vetëm në qytet humbën jetën shumë luftëtarë, kryeqyteti ishte i lirë. Kjo ishte fitorja më e shkëlqyer mbas të gjitha luftimeve, sakrificave të pallogaritshme që kishte bërë populli ynë gjatë sundimit nazi-fashist. Në operacionin për çlirim, brenda në qytet, dhanë jetën si partizanë, (94 prej të cilëve nga Brigada I) ndërsa jashtë saj gjithsej ranë dëshmorë 127 veta, veç qindra luftëtarëve të tjerë që morën plagë të rënda. Kryeqyteti ynë Tirana ishte i vetmi kryeqytet në Evropë që u çlirua me forcat tona. Parisi, Varshava, Roma, u çliruan nga ushtritë e aleancës. Në atë kohë unë isha zëvendëskomandant i Batalionit I dhe u emërova si komandant. Më urdhëruan të siguroj hotel “Dajtin” se vinte qeveria nga Berati”.

Bilanci i luftës. Ja dëmet e 19 ditëve përpjekje

“Lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitralozë, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si edhe 4 tanke. Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës që ishin që të gjitha të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv. komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv.komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë”.

Ushtaraku i karierës

Nga Brigada e Parë në Gardën e Republikës

Ka qenë komandant në luftë, por dhe komandant në ditët e paqes. Xhafer Peçi u lind në vitin 1926 në Kuç të Kurveleshit. Në jetëshkrimin e tij thotë se rrjedh nga një familje e njohur për traditat patriotike në rrethin e Vlorës. Gjyshi i tij, Balil Peçi, ka marrë pjesë në luftërat kundër pushtuesve turq që në vitin 1847 së bashku me Zenel Gjolekën. Po kështu i ati i Xhaferit, Meto Peçi, ka qenë komandant i çetës së Kuçit dhe ka luftuar kundër grekëve në vitet 1912-1913, duke mbrojtur në këtë mënyrë fshatrat e Jugut të vendit. Pikërisht, duke njohur këtë veprimtari në vitin 1913, grekët dogjën Kuçin dhe bashkë me të dhe shtëpinë e Meto Peçit, të cilët u larguan familjarisht për në zonën e Mesaplikut. Meto Peçi në vitin 1920 luftoi edhe kundër italianëve në krye të çetës së Kuçit, i caktuar nga Komiteti i Çlirimit të Vlorës dhe pas asaj lufte ai parakaloi në Sheshin e Flamurit në krye të çetës. Kur Fan Noli erdhi në fuqi në 1924-ën, e emëroi Meton komandant të zonës me qendër në Brataj. Meto Peçi nga Presidiumi i Kuvendit Popullor është dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike në vitet 1912-1920”. Në 7 prill 1939, Metua dërgoi dy djemtë Hasanin dhe Tekiun për të luftuar në Vlorë. Më pas familja e Metos u lidh e tëra me Lëvizjen Antifashiste dhe të pesë djemtë e tij, Tekiun, Balilin, Aliun, Xhaferin e Iljazin, së bashku me dy nipat, Zigurin e Lulon, u inkuadruan në brigadat partizane. Një nga djemtë e familjes, si dhe tre nipa të tjerë të kësaj familjeje u vranë në luftë dhe u shpallën dëshmorë të atdheut. Në kujtimet e tij Xhafer Peçi e përshkruan kështu lajmin e vrasjes së vëllait, Balil Peçit: “Unë ndodhesha në Babru të Tiranës, në 20 tetor 1944, kur erdhi komisari Arif Hasko, i cili më përqafoi dhe më ngushëlloi për vëllanë. Ai më tha se sapo ishte lajmëruar nga Divizioni i Parë që komandanti i batalionit 3-të i Brigadës 6-të, Balil Peçi, është vrarë gjatë një përpjekjeje me gjermanët në Fushë-Labinot. Unë i thashë: “Lavdi popullit! Ne të gjithë jemi në luftë. Edhe unë e ti mund të vritemi po të jetë nevoja. Por e rëndësishme është të çlirohet Shqipëria e të fitohet liria dhe demokracia”. Pas mbarimit të luftës Xhafer Peçi dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Diplomohet me rezultate të larta në dy akademi. Fillimisht, në vitet 1951-1954 studion në Akademinë Ushtarake “Frunze”. Ndërsa në vitet 1958-1960 studion dhe në akademinë “Voroshillov”. Nga viti 1960 deri në vitin 1972 Xhafer Peçi caktohet si komandant brigade në Vlorë e më pas në Shkodër. Vite më vonë do të transferohej në Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes, në Drejtorinë Operative. Në vitin 1972 emërohet si komandant i Gardës së Republikës, ku do të shërbente për gati 10 vjet me radhë. Do të largohej nga ky post vetëm disa muaj pas vetëvrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu.