Si u rrëmbye Radio Korça nën hundën e gjermanëve

865
Sigal

Todo Bojdani, ideator dhe përgjegjës i një nga aksioneve më të zgjuara dhe guximshme të kryer gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

10 Shtator 1943, si u krye rrëmbimi i Radio Korçës nën hundën e gjermanëve dhe dorëzimi te partizanët

Oficeri gjerman premtoi se Radio Korça do të shkëmbente eksperiencë me Radiot Greke dhe  Maqedone dhe se ata do vizitonin  Radio- Berlinin

-Oficeri gjerman premtoi rritjen e rrogave dhe një radiostacion të ri gjerman të fuqishëm

së  shpejti do të rriteshin rrogat e personelit  të Radio Korçës.

Todo Bojdani ishte i vetmi anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që njihte teknikën e ndërlidhjes

-Si u njoh Todo para aksionit me Pilo Peristerin dhe Enver Hoxhën dhe udhëzimet e tyre

-Rrëmbimi i radios ishte një sinjal për gjermanët se shqiptarët nuk do nënshtroheshin

– Radiostacioni i Korçës ishte shumë i përshtatshëm si për radio- ndërlidhje ashtu edhe si stacion Radiofonik

-Në aksion morën pjesë 10 anëtarë të Njësiti Gueril të cilët ishin te pajisur me bomba dhe armë automatike

 

Nga Sulejman Omerbashi

Në datën 8 Shtator 1943 ora 19:45 u shpall kapitullimi pa kushte i Italisë Fashiste. Një delegacion i Shtabit të Qarkut të Korçës i bëri thirrje Komandës së Divizionit  “Areco” i cili ishte vendosur në Drenovë që të çarmatosej dhe ushtarët e tij bashkoheshin me forcat partizane por, Komanda e Divizionit e refuzoi këtë kërkesë. Në datën 9 shtator u organizua një demonstratë gjatë së cilës fashistët italianë edhe pse kishin deklaruar kapitullimin, vranë shumë banorë të Korçës.

 

Në datat   8 dhe 9 shtator në Korçë hyri ushtria gjermane.

Ishin ditë të zymta për korçarët të cilët kishin dëgjuar shumë për egërsinë dhe mizoritë e kësaj ushtrie.

Në këtë kohë shume ilegalë vendosën të dilnin partizanë.
Todo Bojdani, me origjinë nga Drenova, edhe pse ishte në gjendje ekonomike shumë të mirë, kishte përqafuar idetë komuniste qysh në vitin 1936 duke u bërë pjesëtar i Grupit Komunist të Korçës dhe në nëntor të vitit 1941 u bë anëtar i Partisë Komuniste qysh me formimin e saj.

Todo mbaroi Shkollën Teknike në Korçë dhe Tiranë. Më pas ai kreu Shkollën e Plotësimit ku mori gradën Aspirant.

Në vitin 1939 fillon punë në Radio Tirana ku për një kohë të shkurtër zotëroi teknikën e radiomarrësve si edhe të radiostacioneve difuzive.

Në vitin 1942 Todo, ndonëse varej administrativisht nga Radio Tirana, u emërua përgjegjës teknik i Radio Korçës.

 

Todo, si i vetmi anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që njihte teknikën e ndërlidhjes, në pranverën e vitit 1942, filloi punën për përgatitjen e mjeteve teknike që do të duheshin për  ndërlidhjen me radio dhe atë telefonike. Todo kishte kontakte direkte me Komitetin Qarkor të Korçës. Ai kishte kryetar celule Pilo Peristerin dhe që në vitin 1940 ai ishte njohur me drejtuesit e GKK përfshirë edhe Enver Hoxhën ndonëse Enveri në atë kohe nuk mbante funksione në GKK.

Në ditët kur pritej që ushtria gjermane të hynte  në Korçë, Todo i kërkoi Qarkorit të Korçës që të shkonte në Vithkuq,  atje ku  po bëheshin hapat e parë  për të ngritur një Laborator Teknik.  Ai mendonte se roli dhe kontributi i tij do të ishte më i madh në realizimin e ndërlidhjes  ndërmjet Formacioneve Luftarake. Ndaj, në 8 shtator, Todo vendosi që të dilte partizan, por përpara se të shkonte mendoi që të dëmtonte  Radio Korçën, mjetin e vetëm propagandistik të asaj kohe. Ky do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për pushtuesit gjermanë,  se nuk do ta kishin të lehtë nënshtrimin e popullit shqiptar. Me këtë veprim Todua do i hiqte mundësinë Komandës Gjermane që të përdorte Radio Korçën, për të përhapur propagandën naziste.

 

 

Aparaturat e Radio Korçës, në atë kohë, ndodheshin në dy godina të ndryshme.

 

Studio e Radio Korçës ndodhej në lindje të Sheshit të Mitropolisë, në pjesën e përparme të shtëpisë të Sotiraq Files,  ndërsa pjesa tjetër, Radiostacioni, ndodhej pranë Xhamisë së Madhe të Iljaz bej Mirahorit që gjendet në qendër të Korçës.

 

Todo shkon te Radiostacioni së bashku me Vasil Dishnicën, teknik i Radio Korçës, shok i ngushtë dhe i besuar i tij.

 

 

 

 

Fotografi 5

Todo Bojdani me shokët e tij, Vasil Dishnica (majtas) dhe Tasi Kanxheri (djathtas)

 

Todo i tregon Vasilit planin e tij dhe i kërkon atij që të mbante shënim me kujdes çdo pjesë të skemës që do të çmontonte. Sipas  tregimit të Vasilit, Todo i thotë:  “Në  luftë ndodh çdo gjë ndaj ti do të mbash shënim me kujdes çdo dëmtim që do i bëjmë mbasi kështu nëse unë nuk do të kthehem më,  Radiostacionin do të duhet ta vendosesh ti në punë!  Vasili, 18 -vjeçar, e shikoi me habi shefin dhe shokun e tij,  i cili ishte tepër i qetë ndërsa tregonte se po shkonte në luftë i vetëdijshëm se atje mund ta humbiste jetën.
Gjithësesi, Vasili e kuptoi që Todo kishte besim absolut dhe po i linte një përgjegjësi të madhe. Filluan të hiqnin pjesë të skemës të cilën Vasili e shënonte me kujdes të madh. Pas një farë kohe Todua i kërkoi Vasilit që të ndërprisnin punën dhe ta vazhdonin ditën tjetër. Të nesërmen, ndërsa Vasili priste që të vazhdonin punën, Todo i tha: “Duhet ta bëjmë gati Radiostacionin. Njësiti Gueril na ka urdhëruar që ta çmontojmë dhe ta bëjmë gati se do të vijnë ta marrin.

 

Çfarë kishte ndodhur në të vërtetë?

Ndërsa Todo po hiqte pjesë të skemës së Radiostacionit dhe po ja shpjegonte Vasilit ai e ndryshoi mendimin: Radiostacioni i Korçës është shumë i përshtatshëm si për radio- ndërlidhje ashtu edhe si stacion Radiofonik ndaj në vend të dëmtoj dhe ta le këtu më mirë është që ta marrim dhe ta vëmë në funksion të luftës tonë.

Pikërisht kjo ishte arsyeja që Todo e ndërpreu dëmtimin e Radiostacionit.

Në Arkivin e Shtetit u gjet një dokument interesant që tregon se Todo kishte kërkuar një mbledhje urgjente të Qarkorit të Korçës,  i cili u mblodh urgjent po atë ditë. Idenë e rrëmbimit të Radiostacionit,  Todo  e shndërroi në një plan të detajuar të cilin Todo e parashtroi në mbledhjen e Qarkorit të Korçës. Ai kishte parashikuar çdo detaj që nga përgatitja e Radiostacionit për t’u transportuar, mjeti i transportit, rrugët që do të ndiqnin për të dalë jashtë Korçës deri në mbërritjen në Zonat e Çliruara. Gjithashtu në plan parashikoheshin edhe veprimet për të dalë prej çdo situate të papritur.

 

 

 

 

Shokët e Komiteti Qarkor të Korçës e dëgjuan me vëmendje planin e Todos.

 

Qarkori i Korçës kërkoi që të bëhej një takim tjetër. Në mbledhjen e datës 9 shtator u biseduan detaje të tjera dhe Qarkori i Korçës aprovoi pikë për pikë planin e përgatitur nga Todua dhe  e caktoi Todon  përgjegjës të aksionit të rrëmbimit të Radio Korçës.

Në Korçë ishin ende forcat italiane si  edhe forcat e porsambritura gjermane të cilat patrullonin rrugët e brendshme  dhe rrugët hyrëse e dalëse të saj, ndaj ky aksion do ishte shumë i rrezikshëm dhe mund të rezultonte fatal për jetën e Todos dhe të shokëve që do të merrnin pjese ne aksion.  Në datën  9 shtator, pasdite, Todua së bashku me Vasilin, zbërthejnë Radiostacionin në disa blloqe dhe i mbështjellin ato me disa thasë të bardha të cilat Vasili i kishte sjellë enkas.

Aksioni ishte caktuar të kryhej në paraditen e datës 10 Shtator 1943 mirëpo aksioni u shty pasi personeli i Radio Korçës u lajmërua qe duhej te paraqitej ne Studio.

Ndërkohë që personeli ishte mbledhur në Studion e Radio Korçës, fiks në orën e caktuar mbërrin oficeri gjerman i cili do të merrte në dorëzim Korçën. Ai vendosi roje në Studio dhe mendoi se edhe Radiostacioni gjendej po atje dhe nuk i shkoi ne mendje se Radiostacioni ishte larg.

Oficeri gjerman, mbajti një fjalim ku i vuri theksin luftës heroike të ushtrisë gjermane dhe pushtimin e shumë vendeve te Europës. Ndërsa oficeri fliste  me një zë të lartë  përkthyesi fliste ngadalë  dhe me një zë  të mekur. Oficeri gjerman premtoi që Radio Korça duhet të ketë një godinë të madhe dhe të veçantë. Ndërkohë një punonjës, pa qëllim, i tha përkthyesit që t’i shpjegojë oficerit që Radiostacioni nuk është në këtë godinë por ka një godinë tjetër…..

Ndërkohë  Todo, me zë të ulët, i thotë:  “Mos ja thoni këtë, nuk ka përse t’ja tregoni se s’ka rëndësi”. Dhe në fakt përkthyesi nuk ja tha.

Oficeri gjerman premtoi se Radio Korça do të shkëmbente eksperiencë me Radiot Greke dhe Maqedone,  si edhe i premtoi vizita të ndërsjella të personelit administrativ, teknik dhe artistik. Ai premtoi gjithashtu se së shpejti do të rriteshin rrogat e personelit të Radio Korçës.

 

Oficeri gjerman premtoi gjithashtu se do sillte në Korçë një radiostacion të ri të prodhuar në Gjermani, i cili do të ishte më i fuqishëm dhe më i mirë.

Ndërkohë,  shoku i cili përsëri pa qëllim, por gjithsesi  “i fiksuar” për t’i treguar oficerit gjerman vendndodhjen e Radiostacionit,  fillon përsëri: “Radiostacioni nuk gjendet këtu po…..

Todo, ndryshe nga natyra e tij e qetë dhe që asnjëherë nuk fliste me zë të lartë dhe aq më tepër me ton tha: “Të thashë pra, mos ja thuaj këtë”!

 

 

Ishte veç një moment. Përkthyesi përsëri nuk arriti ta përkthejë,  por punonjësit e Radio Korçës u kthyen me habi dhe vështruan Todon,  ndërsa mendonin si ka mundësi që foli kështu!? Todo nuk nxehet kurrë?  Përse reagoi ashtu ndaj disa fjalëve të shokut!?

Todo  nuk u përmbajt dot pasi nëse oficeri gjerman do të merrte vesh vendndodhjen e Radiostacionit,  ai do të çonte urgjent ushtarë gjermanë për t’a ruajtur dhe realizimi i planit do të rrezikohej ose do të dështonte.  Gjithsesi, oficeri gjerman nuk e morri vesh dhe iku i kënaqur pasi ishte i bindur se Radio Korça do të ishte në dispozicion të propagandës së Komandës Gjermane.  Vasili tregonte që ai e takoi Todon disa orë  pas mbledhjes dhe të dy së bashku nisën për te Radio Korça. Ndërsa ishin duke ecur në drejtim të Radio Korçës, Vasili pa që Todo kishte një revole poshtë xhaketës. Sipas tij, Todo e vë re, ndoshta prej ndonjë reagimi të pavullnetshëm,  ndaj e pyet:  -Vaskë, mos ke gjë frikë!?

Vasili mendoi: Si të mos kesh frikë,  kur ndoshta do të  jemi përballë automatikëve gjermanë !? Por, ishte thjesht një moment, ndaj Vasili i përgjigjet: “Jo ç’ne, nuk kam aspak frikë”!

 

Në aksionin e rrëmbimit të Radio Korçës një rol të rëndësishëm luajti punonjësi i Radio Korçës,  Petro Lako.

Në këtë aksion dha kontribut edhe shoku më i afërt i Todos, tekniku Thanas Mërtiri, i cili ra dëshmor në datën 1 tetor të po atij viti.

 

 

 

Figura 6

Thanas Mërtiri, dëshmori i parë i ndërlidhjes

 

 

 

 

 

Në aksion mori pjesë Njësiti Gueril i Korçës, komandant i të cilit ishte Andrea Ziu. Anëtarët e tij, Jorgji dhe Sofokli Opari, Miti Visari, Tasi Marko, etj., të gjithë në moshë të re, të cilët për të mos të rënë në sy ishin veshur enkas me kostume sikur kishin dalë për shëtitje. Porsa mbërriti kamionçina të cilën e drejtonte Petro Lako, ata u afruan dhe si të rastësishëm, dhanë një dorë në ngarkimin e Radiostacionit në karroceri. Radiostacioni peshonte shumë, ndaj për të ndihmuar u afruan edhe kalimtarë të rastit të cilët nuk ishin pjesë e aksionit.

 

Në kabinën e shoferit u ul Todo. Në karroceri u futën 10 anëtarë të Njësiti Gueril të cilët ishin të pajisur me bomba dhe armë automatike.

Nëse do të ndaleshin nga ndonjë patrullë,  atëhere Todo do t’i tregonte Letër Njoftimin dhe Leje Kalimin, që si punonjës i Radio Tiranës kishte të drejtë të lëvizte në çdo orar. Kjo ishte shpresa e fundit që aksioni të përmbyllej pa shkëmbim zjarri.

 

Todo në kujtimet e tij shkruan:

“Brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, puna e jonë brenda kishte mbaruar dhe prisnim me padurim që të vinte makina për t’a ngarkuar. Në çastin kur aparati transmetues po futej në makinë, shumë qytetarë ndihmuan për ta futur stacionin. Më pas makina u nis për të dalë jashtë qytetit. Brenda në kamion kishin zënë vend 10 shokë të armatosur me revole dhe bomba dore.

Drejtimi ynë ishte për në Voskopojë, porse në postbllokun e kësaj rruge, qëndronin akoma karabinierët italianë, megjithëse kjo nuk na shqetësonte shumë, mbasi ne kaluam nga një rrugë tjetër. Ndërsa makina po drejtohej drejt rrugës tjetër, një ballist i njohur, nxiton me biçikletë dhe i lajmëron karabinierët në post-bllok, kështu që shokët duke u ndikuar nga ky fakt, e drejtojmë makinën për nga fshati Çiflig i Korçës. Kur nuk kishim dalë ende nga qyteti, shikojmë një grumbull gjermanësh, ndaj makina ktheu në qoshe dhe kështu u zhdukëm duke dalë jashtë Korçës pa më të voglin rrezik.”

 

Vasili u kthye në shtëpi dhe ishte plot me ankth. U shtri në krevat dhe rrinte si i ngrirë në pritje të dëgjimit të armëve dhe mendonte nëse do të kishte përpjekje Todo dhe shokët e tij sepse sipas tij, vështirë se do te mund të dilnin të gjallë.

Pas disa orësh u zbulua se radiostacioni nuk gjendej në ato ambiente. Punonjësit e Radio Korçës, Kico Elini dhe Marika Cicko, mbërritën të alarmuar te shtëpia e Vasilit e cila ndodhej në të njëjtën rrugicë, fare pranë Studios së Radio Korçës.

 

Figura 7

Punonjësit e Radio Korçës në Drenovë

Todo Bojdani me Marika Cicko, Vasil Dishnicën dhe Nasi Kanxherin disa javë para aksionit

 

Ndërsa i thërrisnin pa pushim, Vasili doli në oborr ashtu siç ishte, pa u veshur. Ata e njoftuan se Radiostacioni ishte vjedhur. Pikërisht nga fakti që Vasili u gjend në shtëpi dhe u befasua nga lajmi, bëri që të gjithë ta besonin që Vasili nuk kishte dijeni për çfarë kishte ndodhur, kështu që ndaj tij askush nuk dyshoi.

 

Vasili por edhe punonjësit e tjerë u morën në pyetje nga Komanda Gjermane. Dyshimet binin te Todo Bojdani,  jo vetëm se ai ishte i vetmi person  teknikisht i aftë ta çmontonte Radiostacionin,  por edhe se ai nuk gjendej në qytet.

 

Ndërsa makina i afrohej Çifligut, Todo së bashku me shokët e aksionit vendosën që Radiostacionin ta fshinin në një bazë të sigurt. Ata e zbritën me shpejtësi radiostacionin  në një shtëpi të sigurt dhe pasi e fshehën atë me kujdes vazhduan  rrugën për në Vithkuq.

Tani ishin më të qetë. Ata edhe mund vriteshin por Radiostacioni nuk do të binte në duart e gjermanëve.

 

Nga ana tjetër…

 

Vasilin e morën ne pyetje edhe në Tiranë. Majori gjerman, sipas Vasilit, donte të dinte se ku ndodhej Todo Bojdani. Emri i tij u përmend pa lexuar letrën, gjë që tregon se ai njihej nga komanda gjermane në Korçë dhe në Tiranë.

Vasili, në rolin e të pafajshmit i thotë se Todo me siguri që do të ishte në shtëpi,  pasi ai nuk kishte çfarë të bënte tani që Radiostacioni ishte vjedhur.

 

Nesër do lexoni

:

-Pikërisht në datën 24 shtator 1943 nga Vendkomanda e Qarkut, komandant i së cilës ishte Koçi Xoxe, u nisën dy letra te cilat vërtetojnë fillesën e organizimit të radiondërlidhjes.

 

-Siç shihet më poshtë Koçi Xoxe informon Enverin që janë bërë gati tre radiostacione përkatësisht për në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër

 

Todo  mbërrin në Vendkomandën e Vendit që ishte në Vithkuq të Korçës. Atje, së bashku me Thanas Mërtirin,  krijojnë Laboratorin e parë teknik të Nderlidhjes dhe vazhduan punën e nisur që në Korçë,  për  përgatitjen e Radiostacionëve  që do të përdoreshin për ndërlidhjen e formacioneve  luftarake.

Me vajtjen e Todos në Vithkuq filloi realisht organizimi i ndërlidhjes ndërmjet formacioneve ushtarake. Ai së bashku me Thanasin bënë gati 3 radiostacione të cilat ishin të gatshme të përdoreshin.  Kjo vërtetohet nga dokumenta origjinale që gjenden në Arkivën e Shtetit.

 

Pikërisht në datën 24 shtator 1943, nga Vendkomanda e Qarkut, komandant i së cilës ishte Koçi Xoxe, u nisen dy letra te cilat vërtetojnë fillesën e organizimit të radiondërlidhjes. Siç shihet më poshtë Koçi Xoxe informon Enverin që janë bërë gati tre radiostacione,  përkatësisht për në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër. Gjithashtu kërkohet të dërgohen në Vendkomandën e Korçës telegrafistë, (morsista) për t’u trajnuar.

 

Me poshtë janë treguar pjesë të shkëputura nga këto letra.

 

 

Figura 8

Letra që Trashi (Koçi Xoxe) i dërgon Hysenit (Gogo Nushit)

ne datën 24 shtator 1943

 

“ Vdekje Fashizmit

Liri Popullit

I dashur Hysen

 

Këtu në Korçë kemi tri radio transmetimi të gatshme. Ju, siç i thatë* teknikut ’onë, ju kini telegrafista (Morsista). Na dërgoni këtu tre që të mësojnë të punojnë aparatin për ca ditë dhe pastaj ti marrin pas dhe të ndahen: njëri të rrijë këtu dhe të tjerët të venë njëri andej dhe tjetri ku të duhet. Për këtë punë do të bisedoni me shokët që janë andej dhe ata do t’a caktojnë sipas nevojës. Në rasë se i kini, këta duhet t’i nisni pa vonesë sepse në këto momente duhet që të jenë lidhjet të rregullta dhe të shpejta e sidomos në krahinat e largëta si Gjirokastra.

Po të kini mundësi dërgoni këtu** me sjellësin të gjithë materialet për radio që t’i gatitin këtu teknikët e t’ju a sjellin, sidomos atë që të filloni në Tiranë.

 

Të fala

Trashi

 

* Nga kjo kuptojmë që Todo ishte takuar me Gogo Nushin. Në këtë takim ai i kishte thënë Todos se mund të gjente telegrafistë,  ndaj Koçi Xoxe i shkruan Gogo Nushit, që t’i dërgonte ata në Korçë.

I njëjti informacion Trashi, (Koçi Xoxe), i dërgohen po atë ditë edhe Tarasit(Enver Hoxha), ku përsëri i përmend tre radiostacionet  që janë  bërë  gati si edhe kërkesën për  tre telegrafistë  që duhet të dërgohen në  Korçë për t’u trajnuar dhe për të marrë shifrën.
**

 

Figura 9

Letra që Trashi (Koçi Xoxe) i dërgon Tarasit (Enver Hoxha)

ne datën 24 shtator 1943

 

 

I dashur Taras ( Enveri )

 

Janë tre aparate gati për të bërë lidhje me tri pika. Unë i shkrova Hysenit që të dërgojë tre telegrafista që të mësojnë si të punojnë aparatet nj’a dy tri ditë dhe pasi të lenë shifrën, të nisen në tre drejtime ku t’i caktoni ju. Këto duhet të jenë në Tiranë, Tiranë-Korçë dhe Gjirokastër-Korçë-Tiranë. Për aparate të tjerë po punojnë të bëjnë; materjal kanë. Vaskoja nuk ka ardhur.

………………

……………..

 

24 Shtator 1943                                                                                      Të fala

Trashi (KoçiXoxe)

(AQSh.F.14/APK,v.1943,D.22,fl.7)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.

 

Thanas  Mërtiri është dëshmori i parë i ndërlidhjes. Ai ra dëshmor duke luftuar me armë në dorë në 1 Tetor 1943.

 

Aksioni i rrëmbimit të  Radio Korçës u krye me sukses. Radiostacioni qëndroi disa javë në bazën e fshehtë në Çiflig.

 

Me 13 Shtator 1943, Vendkomanda e Qarkut informon Shtabin e Përgjithshëm për demostratën e datës 9 shtator si edhe për aksionin e sukseshëm të rrëmbimit të Radio Korçës.

 

Aksioni i rrëmbimit të Radio Korcës ishte organizuar në mënyrë të përkryer nga Todo Bojdani dhe ishte shkëndija e parë që sinjalizonte se kishte ardhur koha e vendosjes së ndërlidhjes me radio.

 

Rrëmbimi i Radio Korcës, një aksion me rëndësi kombëtare, bëri bujë në shumë qytete të Shqipërisë.