Shqipëria gjatë Luftës së Parë Botërore

16946
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës)

Shqipëria zonë e operacioneve ushtarake

Lufta e Parë Botërore (1914-1918) për Shqipërinë ishte një nga periudhat më të koklaviturat dhe më të ngjeshura me ngjarje. Kjo periudhë është dhe më pak e studiuar nga historiografia e përgjithshme, por dhe ushtarake. Në truallin shqiptar shkelën dhe e pushtuan shtatë ushtri të huaja dhe e kthyen në zonë të operacioneve ushtarake ndërmjet grupimeve ndërluftuese. Dy grupimet ndërluftuese në planeve të tyre të luftës e të pasluftës i përdorën territoret e Shqipërisë si pjesë këmbimi për të kënaqur shteteve fqinj. Ishte hera e tretë që pushtohej gjerësisht tërësia territoriale e Shqipërisë, në periudhën e krizës Lindore të viteve 1878-1881 dhe të Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913. Rolin parësorë për copëtimin e territorit shqiptar e luajtën si gjithmonë shovinizmi ballkanik, i cili si në prag të luftës dhe me fillimin e saj, tre monarkitë ballkanike, ishin më të dukshme. Gjendja e vështirë e popullit shqiptar, problemet e tij të brendshme, lufta për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe të territoreve të tij nuk rreshti. Kjo luftë u zhvillua në kushte politike të veçanta, por dhe të armatosur, e cila u drejtua kundër fuqive ballkanike dhe fuqive të Adriatikut dhe Francës.

Blloqet ndërluftuese në Shqipëri

Antanta si para dhe gjatë zhvillimit të luftës ndiqte me vëmendje rivalitetin midis Austro-Hungarisë dhe Italisë për zotërimin e Adriatikut të poshtëm dhe të territorit shqiptar. Antanta bëri përpjekje që Italia të ishte në anën e saj. Italisë për realizimin e ëndrrës së saj i duhej ndihma e Antantës. Ajo filloi lojën e saj, dhe pse më 3 gusht ishte neutral në konfliktin botëror. Shtete e Antantës, të cilat nuk kishin qëllime territoriale në Shqipëri, e bënin këtë për të kënaqur italianët dhe shtetet ballkanike. Mbështetje në këtë kohë ju dhe shtypi rus, i cili shkruante hapur për ndarjen e territoreve shqiptare. Me fillimin e konfliktit botëror, kjo mbështetje u bashkërenduar me diplomacinë e vendeve të Antantës, si dhe në drejtim të Italisë. Për Italinë, Vlora përbënte çelësin e Adriatikut. Ndaj dhe presidenti i Republikës franceze R. Puankare i propozoi përfaqësuesit rus në Francë, A. Izvolskit, se duke i dhënë Italisë Vlorën dhe lënë dorë të lirë në Shqipëri, do ta tërheqim atë në anën e tyre. Me propozimin e francezëve për dhënien e Vlorës Italisë ishin Rusët dhe Anglezët. Edhe italianët ishin të përgatitur për realizimin e objektivave me mjete ushtarake. Anglezët ishin më pak të avancuar dhe kërkonin siguri të plotë për futjen e Italisë në luftë në anën e tyre. Ndërsa Italia e kërkonte këtë siguri nga vendet e Antantës, qëllimi për plaçkën pas përfundimit të luftës. Ndaj dhe më 26 prill 1915 u nënshkrua Traktati i Fshehtë i Londrës. Nënshkrimi i këtij traktati bëri që gjendja në Shqipëri të keqësohej dhe të rrezikohej ekzistenca e saj. Pozita e jashtme e Shqipërisë përcaktohej nga Traktati i Londrës dhe e brendshme nga pushtimi i huaj. Qeveria Italiane u bashkua me Antantën për ndarjen e tokave shqiptare midis shteteve ballkanike, por Vlorën nuk do ta lëshonte në asnjë mënyrë. Kjo ishte e shprehur nga F. Martini ministri i kolonive ashtu edhe Titoni në projektin e 25 shtatorit, sepse për italianët Vlora kishte dhe në të ardhmen rëndësi strategjike. Edhe Austro-Hungaria territoret shqiptare do t’i përdorte për realizimin e interesave të saj politiko-ushtarako. Duke nxitur Malin e Zi përpara fushatës me Serbisë për të mbajtur asnjanësinë, i premtoi Shkodrën dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut. Mali i Zi mendonte të realizonte qëllimet ndaj Shqipërisë në rrugë tjetër. Ai i shpalli luftë Austro-Hungarisë më 6 gusht, duke përmbysur shpresat e Perandorisë. Qeveria e Vjenës i dinte kontradiktat midis Shqipërisë dhe shteteve sllave, ndaj u mundua që t’i shfrytëzonte për qëllimet e saj. Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë austro-hungareze në janar 1914 ishte shprehur për përdorimin e Shqipërisë në realizimin e planeve politike dhe ushtarake të tyre. Ai theksonte se duhet të forcohej Shqipëria, për të neutralizuar Forcat e Armatosura serbo-malazeze. Ndaj dhe i propozoi ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Leopold Bertholdit për krijimin e ushtrisë shqiptare, me kusht bashkëveprimi me Monarkinë. Ai mendonte se Shqipëria i realizonte interesat e saj, jo duke ndenjur neutrale por në marrëdhënie të ngushta politike dhe kulturore me Monarkinë dhe aleancat me të. Pozita e Shqipërisë dhe objektivat politiko-ushtarake të Antantës dhe Bllokut Qendror ishte se territori i saj dhe veçanërisht Vlora dhe në vitet e tjera të luftës kishin një rëndësie të veçantë veçanërisht për dy fuqitë e Adriatikut. Ndaj tokat shqiptare u bënë pre e lakmive të shteteve ballkanike, të Italisë, të Austro-Hungarisë etj.

Pushtimi i territoreve shqiptare

Konkretizimi i planeve dhe qëllimeve të shtetet u kalua në veprime ushtarake pushtuese në Shqipëri. Në sulm u hodh e para Greqia, e cila pushtimin e Shqipërisë së Jugut e bëri me miratimin e të dy blloqeve ndërluftuese. Ky pushtim prej Greqisë ishte thjesht formal, sepse Forcat e Armatosura greke ishin të pranishme në Shqipërinë e Jugut, të maskuara në ushtrisë “autonomiste”. Dhe konsujt e huaj në Janinë e në Korfuz kishin njoftuar vazhdimisht qeveritë e tyre. Mjetet e propagandës greke theksonin pushtim të “përkohshëm”. Këtë çështje e mbylli lëvizja e trupave dhe zëvendësimi i forcave “autonomiste” e kthimi i tyre në ushtri të rregull. Me pushtimin e Jugut të Shqipërisë mori fund dhe shteti autonom i “Vorio-Epirit”, i cili kishte sjellë dëme njerëzore e materiale të popullsisë. Në fund të tetorit 1914, Italia i filloi veprimet e saj pushtuese në territorin e Shqipërisë. Ajo dërgoi një kontigjenti të vogël ushtarak në ishullin e Sazanit. Në Vlorë fillimisht erdhi një “mision sanitar” që drejtohej nga një nënkolonel, për të kontrolluar situatën. Dërgimi i forcave ushtarake në Vlorë, sipas gjeneralit Kadorna, s’ishte e pa këshillueshme. Italianët donin të merrnin Vlorën pa ndonjë rezistencë, si dhe prisnin një situatë të përshtatshme dhe pa ndonjë incident. Anijet ushtarake italiane që patrullonin në ujërat pranë Vlorës, bënin kujdes duke mbrojtur idenë e Kadornës dhe filluan në mënyrë graduale rritjen e forcave. Konsulli italian në Vlorë, theksonte se me dy batalione, nuk ishte këshillueshme pushtimi i Vlorës. Italia ishte e shqetësuar në lidhje me zhvillimin e situatës ndërkombëtare në rajonin e Mesdheut. Në këtë kohë Turqia doli nga neutraliteti dhe u afrua me Bllokun Qendror. Ajo hyri në luftë kundër fuqive të Antantës më 1 nëntor. Qeveria Italiane në këtë situatë vendosi që anijet luftarake të saj të kontrollonin ujërat bregdetare të Shqipërisë. Kështu Italia po përforconte pozitat e saj dhe po krijonte pikëmbështetje detare e tokësore në Gjirin e Vlorës. Pushtimi i Vlorës u bë më 25 dhjetor, ku me rreth 1 ushtarë zbarkoi në Skelë. Këto forca ishin të barabarta me një batalion të marinës italiane. Armatim i tyre ishin topa dhe mitraloza, dhe pas disa ditësh zbarkon në Vlorë dhe Regjimenti Bersalierëve, duke arritur në 2 mijë ushtarë.

Pushtimi i Vlorës u shoqërua dhe me zgjerimin e zonës së pushtimit në periferi të saj. Serbia në qershor 1915 pushtoi Shqipërinë e Mesme dhe Mali i Zi Veriun e saj. Ajo kishte bërë një përqendrim të forcave të ushtrisë në kufirin shqiptar dhe këto forca shkonin nga 10 deri 20 mijë ushtarë. Këto komandoheshin nga gjenerali Damian Popoviçi, një ultrashovinist i shoqërisë “Dora e zezë”. Në historinë e ushtrisë serbe këto forca janë quajtur “Ekspedita shqiptare”. Grupimi ushtarak i forcave serbe përbëhej nga grupimi i Prizrenit, i Drinit dhe i Ohrit. Këto grupime kaluan në sulm në kufirin shqiptar në tre drejtime të rëndësishme dhe depërtuan në thellësi të vendit. Pushtimi serb u bë në kundërshtim me objektivat e Fuqive. Komanda serbe u përpoq të justifikonte pushtimin, me pretekstin se bënte sigurimin e krahëve të Shqipërisë. Pushtuesi serb arriti deri në veri të lumit Shkumbin, duke iu përmbajtur marrëveshjes së majit 1913 me Greqinë, ku vija ndarëse në Shqipëri ishte lumi Shkumbin midis tyre. Ndërsa në këtë kohë edhe ushtria malazeze filloi në 8 qershor operacionet ushtarake për pushtimin e Shqipërisë së Veriut, me një forcë rreth 6-7 mijë ushtarë. Edhe kjo nuk mori miratimin e Antantës, nis që ditën e parë të pushtimit dy kolona, e para në drejtim të Gashit dhe të Bytyçit dhe e dyta në drejtim të Kelmendit dhe të Taraboshit. Me rënien e malit të Taraboshit më 10 qershor, ushtria malazeze arriti në dyert e Shkodrës, por ajo nuk hyri brenda në qytet. Qeveria e Cetinjës, u mundua të shpjegonte pretekstin e pushtimit për sigurimin e furnizimit të Malin e Zi nëpërmjet Shëngjinit dhe lumit Bunë, pasi shqiptarët e rrezikonin në mënyrë të vazhdueshme. Historiografia ushtarake malazeze është përpjekur në vijimësi të “argumentojnë” se pushtimi i Shqipërisë së Veriut prej tyre “nga pikëpamja ushtarake ishte i drejtë” ndërsa për Italinë dhe Greqinë, ato “dhunuan asnjanësinë e Shqipërisë pa arsye”. Pushtimi i Shqipërisë prej ushtrive serbe e malazeze, bëri që ushtria greke të zgjeronte zonën e pushtimit duke arritur deri në afërsi të Beratit. Kjo gjendje pushtimi në Shqipëri nuk vazhdoi gjatë. Pushtuesit serb, malazez e grek u zëvendësuan nga pushtues të tjerë dhe territori shqiptar u bë shesh beteje nga të dy grupimet ushtarake më të mëdha të kohës.