Vendi ishte i pushtuar nga Italia Fashiste, kur në familjen Nova në qytetin e Kavajës, më 1 mars të vitit 1940, lindi djali, të cilin e quajtën Naim, jo më shumë se ky emër në arabisht donte të thosh “i lumtur”, por se ashtu quhej poeti ynë kombëtar, gjë që ishte edhe si protestë dhe mos pajtim me realitetin e trishtuar historik. Dhe kështu, mes atyre njerëzve që në çdo kohë e treguan dashurinë për atdheun e tyre, dhe popullit të thjeshtë e bujar kavajas, u rrit dhe u edukua Naimi, i cili pasi kreu shkollën shtatë vjeçare në vendlindje, ku i shtyrë nga instinkti, frekuentoi dhe u aktivizua në shtëpinë e Pionierit, dhe u përkrah nga regjisori i nderuar Mit Marku. Pa ndonjë dëshirë, shkoi në Tiranë për të vazhduar Politeknikumin “7 Nëntori”. Këtu studio për mekanik dhe i la mbresa të veçanta rregulli, disiplina dhe dëshira për punë, si rezultat i taktit pedagogjik e plot pasion të mësuesve si Gjergj Canco, prof. Kuneshka, Marko Menehemi e Ilo Kekezi me shokë. Kur më pas u caktua me punë në SMT – në e Lushnjes, ku qëndroi për tre vjet. mendjen po tek arti e kishte, ndaj përherë e mbante vrapin në shtëpinë e kulturës, dhe në vitin 1968 konkuron për të vazhduar studimet e mëtejshme në Institutin e Lartë të Arteve. Por, duke qenë se të drejtat e studimit, aso kohe planifikoheshin, dërgohet në degën e Inxhinierisë Mekanike, dega Naftë. I mërzitur e nis këtë degë që ishte kundër prirjeve dhe dëshirës së tij, gjersa një ditë, rasti bëri që talentin e Naimit ta pikaste një njeri i mirë, prof. Stefan Trebicka, drejtues në Institutin e Lartë të Arteve, i cili bën të pamundurën, dhe e tërheq në atë Institut. Ja pse Jose Saramago ka thënë se “Askush nuk e di se çfarë i fsheh e ardhmja”. Kështu, për të riun Naim Nova, u realizua ëndrra e madhe e tij dhe nis një tjetër rrugë në jetë. Këtu ai gjen shokë, që më pas bënë emër në artin teatror dhe kinematografik shqiptar si R. Arbana, R. Ljarja, Zh. Ziçishti, J.Riza, E. Plaku etj. të cilët patën fatin e madh të kishin pedagogë, artistët e shquar Pandi Stillu, Kadri Roshi, Lazër Filipi etj. Pasi u diplomua, në vitin 1968 Naimi emërohet si regjisor në Estradën e Lushnjes, ku bashkëpunon me miqtë e vjetër Hekuran Zhiti, Dhimitraq Nushi, Jovan Bizhuta, Tahsin Demiraj etj. me të cilët e çojnë më përpara trupën e Estradës dhe me shfaqjet e dhëna me sukses të plotë anë e kënd vendit, ja rrisin emrin që kish. Këtu Naimi fiton një përvojë të vyer, gjë që i shërbeu më pas, kur transferohet në Durrës. Qe një kënaqësi për të, pasi Durrësi kishte tradita dhe mundësi e hapësira shumë më të gjëra për zhvillimin e arteve dhe kulturës. Këtu gjen aktorë të njohur të estradës, teatrit e kinemasë, regjisorë me reputacion dhe një lëvizje amatore mjaft të organizuar.
E caktojnë si drejtues të Klubit të Kulturës “Mujo Ulqinaku” pranë Portit Detar, i cili numëronte mijra punonjës dhe ku në krye ishte Marko Karoli, një njeri i mençur që e donte dhe e përkrahte kulturën. Si drejtues i këtij institucioni, Naimi i përvishet me të gjitha forcat punës për krijimin e grupeve artistike, duke zgjedhur humoristët, këngëtarët dhe instrumentistët. Tani, me ndihmën e pakursyer të drejtorit të muzikës Taip Kadiu, krijohen kori dhe grupin e baletit dhe vijojnë shfaqjet, ku dallohen Fadil Hasa, Adem Gjepali, Marie Dema, Sherbet Qejvani etj. dhe që në Festivalin e Tiranës fitohet çmimi i parë. Në Durrës e më tej, të gjithë e mbajnë mend suksesin që arriti kori i Portit Detar prej 50 vetësh, ku u realizuan aq mirë profesionalisht operetat “Dallgët e kuqe” dhe “Bijtë e Skënderbeut”, ku ra në sy talenti i amatorëve Eqerem Shaqja, Xhevdet Korra, Latif Dauti, Hamit Dapi, etj. Po ashtu edhe TVSH bëri disa xhirime për emisionin aq të ndjekur “E shtuna gazmore” dhe Kinostudioja “Shqipëria e re” realizoi dy filma dokumentarë, një për saldimin e parë nën ujë nga Dashamir Luga dhe i dyti për ndërtimin e elektrovinçit të parë shqiptar nga mjeshtrit duarartë Petraq Kazanxhiu e Ali Bardhi. Në vitin 1970, ai së bashku me regjisorin Skënder Shala dhe operatorin Sokrat Musha ndërmerr një udhëtim me anijen “Durrësi”, ku me skenarin e tij u xhiruan për rreth katër muaj jeta dhe vështirësitë e marinarëve të Flotës tonë Tregtare. Ishte një film mjaft i goditur, me mjaft kurajë dhe të vërteta, që tregonte qytetet e vendeve perëndimore, muzeumet, pika turistike, historike, arkeologjike dhe në përgjithësi kulturën e atyre vendeve të panjohura nga ne shqiptarët. Por ky film qe pa fat, pasi ndodhi që nipi i Hysni Kapos, oficeri Vladimir, për idiotësitë e kohës, të arrestohet dhe dënohet me burg dhe ngaqë ai ishte në atë xhirim personazhi kryesor, nuk u shfaq. E gjithë kjo punë plot përkushtim i dha prestigj regjisorit Naim Nova, i cili pas dy vjetësh emërohet në detyrën e drejtorit të Pallatit “Rinia”. Për 13 vjet me radhë, ky Pallat Kulture, i ngritur në ndërtesën e xhamisë, një vepër e rrallë arkitektonike dhe që fatmirësisht nuk u shemb nga çmenduria komuniste, u bë një institucion mjaft i rëndësishëm, falë drejtimit plot fantazi e përgjegjësi, si nga ana e drejtorit të saj ashtu edhe e bashkëpunëtorëve të tij H. Rama, P. Kola, R. Lala, H. Zaharjan, Y. Ramzoti e M. Shehu. Një rol të rëndësishëm luajtën skenarët, libretet, tekstet e këngëve serioze, të interpretuar nga aktorë mjaft të pëlqyer si Tare Kurti, Vera Xhemali, Merita Llazo, Muharrem Hoxha, Gani Kalaja etj. dhe këngëtaret e këngëtarët Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Ylli Çifti, Petrit Dobjani, Ramadan Muhameti e plot të tjerë që kanë arritur të ngenë peshë sallat e mbushura plot e përplot me recitalet e tyre. Repertorët ishin me humor e shpoti të mençura dhe mirëpritja e tyre nuk mbështetej te rëndomësia e banalitetet, por te zgjuarsia dhe morali i pastër. Në këtë periudhë, drejtori Naim Nova,që dinte të mbronte kuadrot e tij, deri edhe nga letrat që vinin për ndonjerin që kishte “biografi” jo të mirë, ndërtoi marrëdhënie të shëndosha edhe me Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, duke bërë që më së shumti veprimtaritë e tyre të konsideroheshin nga publiku si të përbashkëta. Ku nuk dhanë shfaqje ata dhe ku nuk u pritën me aq dashuri e me duartrokitje të pareshtura. Ishte e vështirë të gjeje bileta për shfaqjet që ky Pallat Kulture përgatiste. Dhe natyrisht që një rol të padiskutueshëm kishte dhe vetë Naim Nova në rolin e regjisorit, i cili është edhe autori i ciklit të emisioneve për fëmijë “Shëtitje në Port”, dhe komedive “Njëra dorë lan tjetrën” dhe “Ruhuni nga grepat” që është inskenuar nga i mirënjohuri koleg i tij Enver Plaku. Por vetë Naimi është përzgjedhur edhe si aktor filmi dhe ka marrë pjesë në tre të tilla si “Duke kërkuar pesëorëshin”, “Balada e Kurbinit” dhe “Zëvendësi i grave”.Pas bashkimit të dy pallateve të Kulturës, Naim Nova caktohet drejtor, dhe veç të tjerash i kushton një vëmendje të madhe angazhimit të të rinjve në Ansamblet e Këngëve dhe Valleve, me të cilët janë bërë dhe regjistrimet përkatëse nga RTSH. Gjithashtu, falë interesimit dhe këmbënguljes së tij u mbajt në efiçencë Orkestra e Harqeve, ajo Simfonike dhe Banda e Qytetit e krijuar qysh në vitin 1909. Personalisht, e kam përjetuar nga afër gatishmërinë e tij si drejtues i këtij institucioni, për të ndihmuar këdo që ka pasur nevojë për të zhvilluar ndonjë veprimtari kulturore, artistike, kushtuar ndonjë figure të dalluar apo në raste promovime librash. Edhe pasi doli në pension në vitin 2000 deri në 2013 – ën, Naimi angazhohet si menazher në televizionet jo publike “Shijak TV” dhe “Teuta TV”, ku me eksperiencën e tij dha një ndihmesë të çmuar në ecurinë e këtyre televizione që hidhnin hapat e para në shërbim të qytetarëve. Për kontributin dhe vlerat e tij të mëdha në interes të kulturës tonë kombëtare, flet edhe fakti se Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar Naim Novën me urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Tretë dhe të Dytë. Edhe tani, në moshë të thyer, Naim Nova është plot energji, shëtit si përherë me bashkëshorten e tij të pandarë, me shokë dhe miq, por edhe e ka shqetësimin se pushteti vendor në Durrës, me gjithë mundësitë dhe talentet, që nuk i kanë munguar kurrë këtij qyteti, duhet të bëjë edhe më shumë për kulturën në përgjithësi dhe për estradën, teatrin dhe muzikën në veçanti.Por edhe këtë vrejtje dashamirëse ai e bën me atë fytyrën e tij të këndshme dhe përherë të qeshur, dhe njeriut duke e parë kështu nuk ka sesi të mos i kujtohet thënia e Ciceronit se “Fytyra është pasqyra e shpirtit”. Duke u shërbyer me gjithë shpirt njerëzve, Naim Nova ka plotësisht të drejtë të ndihet krenar dhe të jetë i lumtur, sikurse e paralajmëronte edhe emri i tij.