Shkolla vlonjate e pikturës dhe fati i veprave të piktorëve vlonjatë!

2402
Nga Ergys Alushi
Por çështja është, a dihen me saktësi ku janë veprat e shitura dhe të dhuruara?…
Autorët e tyre në radhë të parë duhet të dinë ku i kanë veprat e krijuara dhe, cilat konkretisht kanë dhuruar…”
Vasil Talo ishte i pari që solli në Vlorë pikturën në popull. Pikturën që pikturohej në mes të njerëzve të qytetit dhe shikohej lehtësisht prej tyre. Të dhënat që hidhte në bllok Vasili, i shoqëronte dhe skica detajesh e vizatimesh. Aty piktori u njoh siç na thanë edhe me nipin e heroit, i cili thoshin se i ngjante shumë. Dikush na tregoi dhe një portet të gdhendur në gur të heroit dhe piktori përsëri filloi të mbante shënime. Dalëngadalë filloi të merrte formë portreti i një heroi legjendar. 
Skënder Kamberi është piktor që kërkon e realizon shprehje të tilla artistike, që ngjallin mendime e emocion. Piktura e tij jep një përshtypje të shqetësuar dramatike përmes kompozimeve origjinale, kontrasteve të dritës, e ngjyrave të thella dhe të një linje vizatimi të përthyer në konture të nënvizuara. 
Piktura e Nestor Jonuzit ishte e pasur me ngjyra, që hyjnë shumë herë në raporte delikate dhe që mbartin ritmin e gëzuar të jetës. 
Në liceun artistik, Petrit Ceno, do të kishte profesorë të tillë të nderuar si: Buza, Kaceli, Paço, Kodheli etj. Petriti vazhdon një kurs tre vjeçar për specializim në pikturë dhe do jepte mësim në shkollën e mesme artistike në Vlorë. “Çfarë i bashkonte ata? Ata kishin afërsisht të njëjtën moshë, ishin shkolluar brenda vendit, kishin pasur po ata pedagogë. Mblidheshin rregullisht, duke folur e diskutuar për punët e tyre dhe zhvillimet e pikturës në vendin tonë e në botë, shkëmbenin mendime për motivet, temat, teknikat, gjinitë, përmasat ngjyrat deri dhe titujt.
Në shkurt të vitit 1989, në gazetën lokale të Vlorës “Zëri i Vlorës”, do të tërhiqte vëmendjen një shkrim me autor Gëzim Tushe, me titull “Ku janë veprat e piktorëve vlonjatë?”

Çfarë kishte ndodhur me pikturat vlonjate? Përse ngrihej një pyetje e tillë në qytetin që njihej si një shkollë origjinale e pikturës shqiptare?

Ja se çfarë shkruhej ndër të tjera në këtë shkrim:
“Në rrethin tonë aktualisht krijojnë 120 piktorë, midis të cilëve edhe piktorë të tillë të njohur si Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Agron Dine, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, Petrit Ceno e të tjerë etj. Shumica e tyre kanë krijimtari dhjetëravjeçare. Veprat e pikturuara prej tyre ndodhen kudo, në Galerinë kombëtare të Arteve Figurative, në galerinë e rrethit, në studio vetjake, në lokale të ndryshme të tregtisë e institucioneve, në mjediset e muzeumeve e kudo. Madje shumë vepra të autorëve tanë janë edhe në galeritë ose institucionet e rretheve të tjerë. Piktorët vlonjatë me zemërgjerësinë e tyre të njohur, dhe me dëshirën që vlerat figurative të zbukurojnë edhe mjediset e familjeve tona, kanë dhuruar jo pak të tilla për shokë e dashamirës të tyre, si në qytetin e Vlorës ashtu dhe në qytete të tjera… Vetëm Skënder Kamberi e Nestor Jonuzi kanë dhuruar qindra të tilla. Në qoftë se do të flasim për cilësinë e tyre, ato në përgjithësi janë nga më të mirat, sepse në shumicën e rasteve janë vepra që janë zgjedhur midis shumë punëve e veprave që piktorët kanë pasur të ekspozuara në studio ose në ekspozitat vetjake e kolektive. …Por çështja është, a dihen me saktësi ku janë veprat e shitura dhe të dhuruara?…

Autorët e tyre në radhë të parë duhet të dinë ku i kanë veprat e krijuara dhe, cilat konkretisht kanë dhuruar…” Kështu në fundin e viteve 80, në qytet kishte nisur të ndihej mungesa e pikturave të piktorëve vlonjatë. Ato po shiheshin gjithnjë e më rrallë, jo vetëm në galerinë e arteve, por edhe në institucionet e shtetit ku kishin qëndruar prej vitesh të ekspozuara, por edhe në vetë studiot e piktorëve. Veprat më të mira të piktorëve kishin filluar të zhdukeshin njëra pas tjetrës, duke përbërë në këtë mënyrë një humbje të madhe për kulturën e Vlorës, por edhe për artin e kulturën shqiptare. Shkolla vlonjate e pikturës po humbiste vlerat e saj më të mira. 

Fillimet e pikturës në Vlorë
I pari piktor i Vlorës do të ishte Vasil Talo. Para tij, piktura në Vlorë njihej nga punimet e David Selenicasit apo në kisha, ku janë të famshëm Kodikët e Vlorës. Vetëm kaq. Shumë pak njerëz e njihnin pikturën në Vlorë, ndoshta ata që kishin mundur të hynin e të dilnin në shtëpinë e Syrja Bej Vlorës e të Eqerem Bej Vlorës, muret e së cilës ishin mbuluar me piktura të shumta. Vasil Talo ishte i pari që solli në Vlorë pikturën në popull. Pikturën që pikturohej në mes të njerëzve të qytetit dhe shikohej lehtësisht prej tyre. Nuk ka ende një datë të saktë apo një periudhë të saktë të fillimeve të Vasil Talos në qytetin e Vlorës. Ajo që dihet me siguri është se ai ishte frymëzuesi e mësuesi i brezit të talentuar të pikturës vlonjate e asaj shqiptare që u quajtën përfaqësuesit e shkollës vlonjate të pikturës. Veprat e tij më të mira në pikturë cilësohen “Kavalona” dhe “Peshkatari i vogël”, fati i të cilave nuk dihet se ku ka përfunduar. Ndër pikturat e tjera përmenden “Peshkarexha”, “Fshat bregdetar”, “Ullinjtë”, “Anijet” e të tjera piktura.

Ata do të jenë Petrit Ceno, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Rakip Shabani, Agron Dine, Hilmi Bani, Sabaudin Xhaferri, Lefter Shtëmbari, Agim Sulaj e shumë të tjerë.

1955
Në një prej kujtimeve të tij, Themeluesi i muzeumeve të Vlorës pas Luftës së Dytë Botërore, Llambi Durolli, kujton dhe krijimin e portretit të heroit të Luftës së Vlorës 1920, Selam Musait, nga dora e piktorit vlonjat Vasil Talo.

Ishte 35-vjetori i luftës së Vlorës 1920
Në Vlorë do të hapej një ekspozitë e gjerë për kujtimin e luftës, por nuk kishte një fotografi të heroit të saj, Selam Musai.

Së bashku me piktorin Vaso Talo, bashkëpunëtor i muzeut të rrethit, shkuam në Salari dhe aty te sheshi, në qendër të lagjes na treguan shtëpinë e heroit. Në krye të shkallëve doli për të na pritur kunata e heroit, Safo Musai. Në shtëpi bashkë me ne hynë edhe burrat e fshatit që na shoqëronin. Pas pak piktori filloi të interesohej për tiparet karakteristike të fytyrës dhe veshjet së heroit. Të dhënat që hidhte në bllok Vasili, i shoqëronte dhe skica detajesh e vizatimesh. Aty piktori u njoh siç na thanë edhe me nipin e heroit, i cili thoshin se i ngjante shumë. Dikush na tregoi dhe një portet të gdhendur në gur të heroit dhe piktori përsëri filloi të mbante shënime. Dalëngadalë filloi të merrte formë portreti i një heroi legjendar dhe njerëzit që e kishin rrethuar piktorin mezi prisnin që ta shihnin të mbaruar vizatimin. Dikush aty tha se Selam Musai kishte patur dhe një plagë mbi vetullën e djathtë që e kishte marrë kur kishte luftuar në Janinë dhe ky ishte një detaj që duhej shtuar.

Ekspozita me karikatura, në janar të 1959-s 
Piktori vlonjat Sabaudin Xhaferi hapi në klubin e shkrimtarëve dhe artistëve e ekspozitën e parë personale me 66 karikatura. Mënyra e punimit herë me ngjyra uji, herë me penë dhe shpesh këto dy teknika të kombinuara së bashku, i japin ekspozitës një freski. Ngjyrat që vendos ai janë të pastra, të thjeshta.

Hapja e ekspozitës artistike, në korrik 1963-shit
Ekspozita hapet në një nga sallat e Shtëpisë së kulturës e Krijimtarisë Popullore.
Në ekspozitë u paraqitën 34 punime në pikturën 2 në skulpturë, të punuara nga 14 piktorë e skulptorë, disa prej të cilëve janë anëtarë të rrethit të pikturës pranë shtëpisë së kulturës.

Piktori Vasil Talo u paraqit me 18 punime të reja në vaj akuariel dhe tush.

Në ekspozitë morën pjesë për herë të parë dy piktorë diletantë, Fatos Nivica me 11 punime në vaj dhe Petro Çela me 8 punime në vaj.

1964 – 21 janar/Ekspozitë e dytë personale e Vasil Talos
Në Shtëpinë e Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore të Vlorës, u organizua një diskutim për ekspozitën personale të piktorit Vasil Talo. Diskutantët vunë në dukje talentin e piktorit, sidomos në gjininë e peizazhit, e cila përgjithësisht karakterizohet nga një freski dhe larmi ngjyrash që e bëjnë shumë interesante e të pasur. Kjo ishte ekspozita e dytë personale e piktorit Vasil Talo. Ai paraqiti 22 punime në vizatime e në 25 akuarele, si edhe me bojëra vaji.

1964 – tetor/Hapet ekspozita e gjashtë
Ekspozita u organizua në sallat e Galerisë së kulturës dhe krijimtarisë popullore të qytetit. U ekspozuan gjithsej 62 punime të gjinive të ndryshme dhe 5 punime në skulpturë.
Kjo është ekspozita e gjashtë që hapet në qytetin e Vlorës.
1966 – janar/Ekspozitë pikture
Në një sallat e Shtëpisë së Kulturës e krijimtarisë popullore u hap një ekspozetë me punimet e piktorëve të qytetit. Paraqitën punimet e tyre Skënder Kamberi, Spiro Lolo, Vasil Talo, Rakip Shabani, Skënder Pema etj, ku në pjesën më të madhe të punimeve mbizotëron peizazhi.

Dallohen punimet e piktorit Skënder Kamberi, i cili këtë vit mbaroi shkollën e lartë të arteve figurative.

1966 – prill/Ekspozita e parë e Skënder Kamberit
Në shtëpinë e kulturës Vlorë hapet e para ekspozitë personale e piktorit Skënder Kamberi, i cili sapo ka përfunduar Institutin e lartë të arteve figurative. Janë ekspozuar 52 punime; portrete, peizazhe, skica të ndryshme me bojë kine si dhe dy kompozime.

Skënder Kamberi
Lindi më Vlorë më 2 shkurt 1939. Mbasi kreu liceun artistik “Jordan Misja”, vazhdoi studimet në institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, degën e pikturës dhe e mbaroi më 1966. Skënder Kamberi ka një veprimtari të gjerë artistike. Përveç ekspozitave të shumta vetjake, ai ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare. Krijimtaria e tij në pikturë përfshin deri në vitin 1990: 50 kompozime, 70 portrete, 800 peizazhe, vepra në teknikën e vajit të akuarielit, si dhe mjaft skica e vizatime të botuara në shtyp. Kompozime e tij: “Çrrënjosja”, “Betimi i Vrana Kontit”, “Nëndetëset kthehen në bazë”, “Dhurata e jugut për veriun”, “Lufta e Gjolekës e Tafil Buzit”, “Buka e duarve tona”, “Vëllezërit Frashëri në Vjenë”, “Rrëzimi i beut nga kali”, “Zgjimi i thellësive”, “Djepi i shqipeve”, “Amanetet e flamurit”, “Greva e bukës” e të tjera. Skënder Kamberi është piktor që kërkon e realizon shprehje të tilla artistike, që ngjallin mendime e emocion. Piktura e tij jep një përshtypje të shqetësuar dramatike përmes kompozimeve origjinale, kontrasteve të dritës, e ngjyrave të thella dhe të një linje vizatimi të përthyer në konture të nënvizuara. Përmes veprave të tij, Vijnë njerëz të ditëve tona nga mjedise të ndryshme, peizazhi shqiptar e veçanërisht ai i bregdetit, ngjarje e figura historike të realizuara me art e frymë novatorë. Disa nga ekspozitat vetjake janë hapur pikërisht në ato vende ku autori jetoi dhe punoi për disa kohë, si në Patos, Ballsh, në fshatrat e rrethit të Vlorës, Gjirokastrës e të tjera. Krahas krijimtarisë artistike, autori ka dhe veprimtari të gjerë shoqërore. Ai ka qenë dhe Sekretari i degës së lidhjes së shkrimtarëve në rrethin e Vlorës. Deri në vitin 1988 ai kishte bërë mbi 43 kompozime dhe vazhdonte të punonte për të tjera. Por, vazhdonte të lëvronte edhe peizazhin, portretin dhe natyrat e qeta. Në Tiranë u shfaq për herë të parë pas pesë ekspozitave pararendëse që kishte hapur, nga të cilat tre në Vlorë. Një në Lushnjë e një në Patos, Fier. Për vizitorët që i kishin ndjekur ekspozitat e tij, nuk kishte qenë surprizë lëvrimi i gjinive të ndryshme në pikturë, përveç kompozimit. Në ekspozitën e Tiranës, lëvrimi i disa gjinive do të shkaktonte surprizë, pasi artdashësi tiranas e njihte Skënder Kamberin vetëm në gjininë e kompozimit, pasi në ekspozitat kombëtare, ai ishte paraqitur vetëm me kompozime. Skënder Kamberi disa herë është nderuar me çmime. Vepra të ndryshme të tij janë ekspozuar dhe në salla të mjaft kryeqyteteve të huaja. Me rastin e 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, Skënder Kamberit iu dha titulli “Piktor i Popullit”

1967 – janar/Ekspozitë e Eriko Veizit
Hapet në shtëpinë e kulturës një ekspozitë me karikatura të Eriko Veizit. Tema kundër agresionit imperialist në Vietnam zë rreth një të tretën e punimeve. Ne ekspozitë janë paraqitur 40 karikatura me format të madh. Pothuaj në të gjitha vizatimet ndihet një dorë e sigurtë dhe e kujdesshme. Eriko Veizi është inxhinier gjeofizike dhe punon në Patos, ndërkohë që karikaturat e tij janë botuar në revistën “Hosteni” e revista e gazeta të ndryshme.

1970 – mars/Ekspozitë e Rakip Shabanit
Piktori vlonjat Rakip Shabani hap ekspozitën e tij personale me 40 punime, kryesisht peizazhe.

Rakip Shabani
Ka lindur në Dhëmblan të Tepelenës në vitin 1943. Shkollën fillore e kreu në qytetin e Vlorës. Në liceun artistik “Jordan Misja” studimet i kreu për skulpturë, por mori mësime në pikturë, akuariel nga Abdurrahim Buza. Në vitin 1974 përfundon studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Vlorë ku për vite të tëra punoi si mësues i pikturës në shkollën e mesme artistike “Naim Frashëri”. Në nëntor të vitit 1980, piktori vlonjat do të hapte ekspozitën e tij personale në një nga sallat e Pallatit të Kulturës në Tiranë. Ekspozita ishte fryti i një pune disavjeçare të piktorit. Punimet më të vlerësuara ishin “Dallgët”, “Himara e vjetër”, “Dimër në Çikë”, “Tërbaç”, “Mëngjes në Fierzë”, “Lumi i Vlorës”, “Mali i Bratit”, “Shtëpi pushimi në Llogara”, “Maja e thatë”, “Labëri” e të tjera. Suksesi i ekspozitës të hapur në Tiranë, sipas kritikëve të kohës, qëndronte në radhë të parë në punimet e akuarielit, si në peizazh ashtu edhe në portret. “Punimet e Rakip Shabanit nuk janë kombinacione ngjyrash në studio, as përshtypje indirekte, ato janë krijime të dala nga kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën, nga kërkimi i motivit duke e vërejtur atë me një këndvështrim të qartë ideoartistik.” Ai ka çelur më shumë se 40 ekspozita vetjake, ndërkohë që ekspozitën e parë do ta hapë në fshatin Novoselë të Vlorës, në një moshë të re, por që premtonte shumë që do të bëhej një piktor i mirë, siç edhe u bë.

1972 – shtator/Hapet Galeria e Arteve në Vlorë
Shiriti i inaugurimit u pre nga Hysni Kapo.

1974 – maj/Me krijuesit e Vlorës
Skënder Kamberi është duke punuar për tablonë “Konferenca e paqes në Paris në vitin 1946” Për realizimin e plotë të idesë piktorit iu desh të bënte shumë punime në karton me karbon, dhjetëra e dhjetëra skica, të nxirrte shënimet nga leximi i literaturës së kohës, nga biseda me veteranë si dhe nga Arkiva e Shtetit. Piktori Skënder Milori ka filluar punën për kompozimin “Punëtorët diskutojnë” Piktori Nestor Jonuzi ka punuar tablonë “Goditja me top e Asamblesë tradhtare”

Sabaudin Xhaferri po përfundon bocetin e një kompozimi me temë nga Lufta Nacionçlirimtare e konkretisht nga jeta e lufta e Margarita e Kristaq Tutulani që do ta titullojë “Yje të pashuar”

Petri Ceno ka nisur punën për kompozimin e një pikture me temë nga shpallja e pavarësisë dhe, pikërisht në momentin e ngritjes së flamurit, më 28 Nëntor 1912. Kompozimi i Agron Dines u drejtohet viteve të para pas çlirimit. Tabloja titullohet “Konfiskimi”. Piktori Bujar Kapo është duke punuar për kompozimin “Qeriba Derri para torturës”

Vijon nesër


Sigal