Sherbet Karruli/ Kur skulptori Kristaq Rama realizoi memorialin e Pezës

1532
Sigal

Flet ish -partizani 88- vjeçarSherbet Karruli, veteran dhe invalid i LANÇ-it

Familjet e dëshmorëve dhe veteranët vlerësojnë vendimin e fundit të Ministrisë së Kulturës për të evidentuar, kataloguar dhe restauruar lapidarët dhe memorialët e LANÇ në gjithë territorin shqiptar. Fondacioni “Departamenti i Shqiponjave”, i krijuar enkas për të marrë përsipër këtë nisëm të rëndësishme në kuadër të 70- vjetorit të Çlirimit, përshëndetet nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe ajo e Veteranëve, të cilat në mënyrë të pandërprerë, gjatë gjithë këtij tranzicioni 23 -vjeçar, kanë ngritur gjithmonë shqetësimin për dëmtimin e lapidarëve e simboleve të luftës. Ata ndërkohë e quajnë këtë ndërhyrje të shtetit sot, edhe si respekt ndaj plejadës së madhe të artistëve e skulptorëve që i realizuan në vite këto vepra arti, anë e mbanë Shqipërisë. Sherbet Karruli, 88 vjeç, veteran dhe invalid i LANÇ, thotë për gazetën “Telegraf”, se respekti që po tregon qeveria e tanishme për simbolet e luftës, është një respekt e nderim edhe për vetë autorët e këtyre veprave të artit, siç janë artistët e mëdhenj Odise Paskali, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, etj.. Sidomos për këtë të fundit, “Skulptorin e Popullit” Kristaq Rama, ai ka edhe mbresa personale, pasi ka patur rastin ta takojë dhe të bisedojë me të në kohën kur realizoi memorialin e “Heroit të Popullit” Myslym Peza.

Kur u realizua memoriali për Babë Myslymin dhe çfarë historie ka ai?

-Ky memorial u realizua në vitin 1995, historia e tij dihet tashmë. Në vitin 1992, qeveria e kohës nxori një vendim absurd për të hequr nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit eshtrat e Babë Myslymit. Sado që u munduan ta justifikojnë disa politikanë atëherë atë vendim revanshist, e vërteta ishte në fakt një veprim hileqar, shumë i poshtër dhe harbut. Nuk ka veprim më të poshtër që i bëhet një figure të tillë të lavdishme, një patrioti kaq të madh e një luftëtari kaq të pakorruptueshëm, si Babë Myslymi. E zhvarrosën natën, si hijet, por populli, veteranët dhe rinia pezake, e rivarrosën në Pezë me nderimet më të mëdha heroin e tyre, por edhe të të gjithë popullit shqiptar. Kështu, deri në vitin 1995, u morën dhe masa për t’i bërë gjithashtu, edhe memorialin atij burri të madh.

Për memorialin investoi vetë familja e Myslym Pezës?

-Investoi, sigurisht familja e tij, por edhe të gjithë ne, veteranët pezakë, e  veteranë nga rrethinat, nga Durrësi, Kavaja, Tirana, etj.. Ishin shokët e betejave të Babë Myslymit, që menduan se si t’i bënin një memorial dinjitoz heroit të vet, njeriut që i udhëhoqi me trimëri të rrallë nëpër betejat e luftës partizane. Ata menduan se një vepër arti me nivel, mund ta bënte vetëm një artist i madh, i tillë si “Skulptori i Popullit”, Kristaq Rama dhe ja besuan atij. Kristaqi punoi disa muaj me memorialin.

Kur u bë inaugurimi i tij?

-Ka qenë 16 shtatori i vitit 1995. Ishte me rastin e përvjetorit të konferencës historike të Pezës. Ishte një moment i paharruar. Po para kësaj, u bë një para-inaugurim. Kristaq Rama, si artist i madh që ishte, qe edhe një njeri shumë i thjeshtë. Ai kërkoi, që disa ditë para se të bëhej zbulimi i memorialit, të vinin e ta shihnin fillimisht bashkëluftëtarët e Myslym Pezës, ata që kishin luftuar në një llogore me të. Të vinin dhe të jepnin një mendim, ta “miratonin”.

Mbani mend ndonjë detaj nga ky moment?

– Po, e kam të freskët atë çast kur ne, një grup veteranësh u përballëm me memorialin e Babë Myslymit. Lart, mbi siluetën e Heroit, ishte një shqiponjë, dukej sikur ajo i bënte roje komandantit legjendar. Kurse në fasadë shkruhej: “Këtu prehet “Heroi i Popullit” Myslym Peza, komandanti i çetës së parë antifashiste në Europë”. “Hë, si ju duket”, na u kthye Kristaqi neve.  Një nga shokët tanë, pas disa minutash tha: “I bukur, shumë i bukur! Po sikur është pak i shkurtër memoriali? Babë Myslymi ishte gjithë ai burrë!”. Skulptori, nuk foli për një çast. Më pas, shikoi kodrat e Pezës përreth, hodhi sytë te vendi, ku ishin vrarë 5 dëshmorët e parë, sikur kërkonte përgjigje prej tyre. Me fjalët që di t’i thotë vetëm një artist i madh, tha: “Memoriali i Babë Myslymit, është në radhë të parë, simbolikë. Simbolika e një luftëtari në llogoren e luftës, se partizanët nuk vinin nga qielli, por dilnin nga llogoret, nga dheu. Nga qielli vinin vetëm gjylet e topave të fashistëve. Është simbolika e një populli që nuk shuhet kurrë, nga asnjë lloj bombardimi. Luftëtarët “mbijnë” pambarimisht nga llogoret, nga dheu mëmë. Disa vriteshin, por ngriheshin me dhjetëra të tjerë, pastaj me qindra e mijëra. Kjo ishte lufta, luftohej shtatë me shtatëqind, me shtatëmijë, me shtatëqind mijë. Pezakët u’ a bënë jetën tmerr fashistëve. Ata “mbinin” kudo” dhe tregoi legjendën e Feniksit, qenies mitologjike që lindte nga hiri. Kaq tha ai. Vepra monumentale e të madhit Kristaq Rama për heroin Myslym Peza, ka mbetur një vend pelegrinazhi për mijëra vizitorë. Tamam si një vend i shenjtë dhe e tillë do mbetet përgjithmonë. Aty njerëzit shohin imazhin real të antifashistit dhe antifashizmit shqiptar dhe europian njëherësh.

Më pas ç’ndodhi?

-Vetëm një vit më pas, më 18 maj 1996, ne u mblodhëm një grup veteranësh me Kryetarin e KK-së të Organizatës së Veteranëve, Piro Dodbibën dhe i dorëzuam në shtëpinë e tij z. Kristaq Rama, një mesazh falënderimi, ku mes të tjerash ç’mohej kjo vepër dinjitoze për heroin. Kristaq Rama i prekur jashtë mase, tha se, “Unë në jetë kam marrë plot çmime, por ky mesazh që më jepni, më duket çmimi më i madh që kam marrë ndonjëherë”. Kurse gruaja e tij, motër dëshmori, Aneta Rama, u përlot e tha: “Më falni, por qaj se jam e ndjeshme, se mua një vëlla më është vrarë në luftë”.

Sipas jush, a është vlerësuar drejt nga historia, figura e Myslym Pezës?

-Shiko, Babë Myslymi, në fakt meriton një bust në mes të Tiranës, se ishte ai që krijoi të parën çetë antifashiste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Myslym Peza, e nisi luftën duke organizuar së pari familjen e tij. Ai veshi me uniformë luftëtari veten, bashkëshorten, dy djemtë, vajzën e tij, vëllanë Shyqyriun, vajzën e të vëllait Myrveten, gjithë familjen e fisin. E ku ka në histori, një rast kaq shembullor prej luftëtari të paepur, se sa ajo e Myslym Pezës? Më thuaj! Ndaj atij i’u mblodhën menjëherë në luftë gjithë ata luftëtarë. Peza u bë simbol i antifashizmit, simbol i luftës pa kompromis ndaj pushtuesve. Udha e lirisë, nisi në Pezë, prandaj në këtë 70- vjetor mendoj që “Heroi i Popullit” Myslym Peza, duhet dekoruar sërish me medaljen më superiore që ekziston.

————————————————————————————————–

Jetëshkrimi

“Skulptori i Popullit” Kristaq Rama

Kristaq Rama u lind në Durrës në vitin 1932. Mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e Arteve Figurative. Prej vitit 1951 deri 1954 ndoqi studimet e larta në Leningrad të Bashkimit Sovjetik dhe prej 1954 deri 1960 ka qenë student në Akademinë e Arteve të Bukura të qytetit rus. Pas diplomimit u kthye në Shqipëri, ku punoi fillimisht si inspektor i arteve figurative në ministrinë e Kulturës duke dhënë njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitet më pas Kristaq Rama përgatiti brezat e ardhshëm të skulptorëve në Akademinë e Arteve në Tiranë. Vdiq në Tiranë, më 11 prill 1998.

————————————————————————————————————

Veprat e Kristaq Ramës

-Monumenti “Nëna Shqipëri”, Tiranë, (në bashkëpunim me Muntaz Dhramin e Shaban Hadërin, 1971)

-Monumenti i Pavarësisë, Vlorë,(në bashkëpunim me Muntaz Dhramin e Shaban Hadërin, 1972)

-Monumenti “Shote Galica”, në Kukës.

-Monumenti “Kushtrimtari”, në varrezat e dëshmorëve në Bajram Curri.

-Përmendorja e “Baba Faja Martaneshit”, në Mat.

-Monumenti i “Ndrec Ndue Gjokës”, në Mirditë.

-Monumenti i “Mujo Ulqinakut”, në Durrës.

-Përmendorja e “Avni Rustemit”, në Vlorë.

-Përmendorja “Bijtë e saj”, në Korçë.

-Monumenti i “Kostandin Kristoforidhit”, në Elbasan

-Si dhe mjaft buste luftëtarësh, portrete individësh, e dekorime veprash.

————————————————————————

Një nga veprat më të njohura të Kristaq Ramës është monumenti “Nëna Shqipëri”, i realizuar në bashkëpunim me skulptorët Muntaz Dhrami e Shaban Hadëri, në vitin 1971