Selfo ALLKA/ Më e vogla heroinë, labushka nga Luzati, partizania Nimete Progonati

1192
Sigal

 Shefqet Peçi, Komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese shkruante: – “Duhet të jini kryelartë për bijën tuaj që luftoi heroikisht, duke dhënë jetën për interesa të larta të popullit dhe atdheut”

 (Në kuadrin e 70- vjetorit të çlirimit të atdheut)          

  “Heroina e Popullit” Nimete Progonati, partizane e Brigadës së Pestë, e “festoi” 15-vjetorin e lindjes më 26 korrik 1944 në betejën e përgjakshme nazisto-balliste në Sinjë të Dibrës me një plumb në gjoksin e saj të njomë, duke mbetur përjetësisht e pavdekshme. Në letrën që i dërgoi familjes tri ditë pas vrasjes së Nimetes, Gjeneral Shefqet Peçi, Komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese shkruante: – “Duhet të jini kryelartë për bijën tuaj që luftoi heroikisht duke dhënë jetën për interesa të larta të popullit dhe atdheut”.

Partizania Nimete Progonati, është bijë e fshatit Luzat, Tepelenë. Luzati gjatë LANÇ-it ka qenë një nga bazat e fuqishme për Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar dhe kuadrot e saj. Asnjë familje luzatjote nuk u vu në shërbim të okupatorit dhe organizatave tradhtare. Në Luzat funksionuan në mënyrë aktive dhe në bashkëpunim e koordinim të plotë me Komandën e Vendit: Këshilli Antifashist, Organizata e Gruas, e rinisë, njësiti gueril dhe DEBATIK-u. Luzatasit nuk u thyen e nuk u mposhtën nga terrori dhe reprezaljet e shumta që ushtruan nazisto-ballistët. E dogjën fshatin, vranë njerëz të pafajshëm, grabitën gjithë gjënë e gjallë etj., por luzatasit edhe më shumë i forcuan lidhjet me Frontin e Çlirimit të vendit. Nga ky fshat gjatë LANÇ dolën partizanë 65 djem e vajza, ku 12 prej tyre ranë dëshmorë të atdheut, midis tyre edhe “Heroina e Popullit” Nimete Progonati, vajza më e vogël partizane dhe heroinë.

        Familja e heroinës në origjinë ka jetuar në varfëri të tejskajshme, por gjithnjë ka ruajtur frymën e shëndoshë dhe dashurinë për atdheun. Babai i saj, Isufi gjatë jetës provoi punët më të rënda si punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga – Ura, si emigrant në Greqi dhe në Francë. Me ndjenjë përgjegjësie ndaj atdheut Isufi ka marrë pjesë në luftimet kundër andartëve grek gjatë viteve 1913 – 1914; kundër garnizonit italian për çlirimin e qytetit Tepelenë. Si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, Isufi ka marrë pjesë në betejat e Urës së Brarit, në Shkallën e Tujanit dhe si antizogist ka marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935 etj.. Ndërsa gjatë LANÇ-it, si anëtar i çetës territoriale ka luftuar në disa beteja, si ajo tek Ura e Dragotit, në Shkallën e Zezë, te Ura e Leklit, në Mogila të Vasjarit, Qafa e Miricës, në Dukaj etj.. Edhe dy xhaxhallarë të heroinës kanë kryer detyra si veprimtarë aktiv me organet e pushtetit gjatë LANÇ. Mamaja e saj, nënë Fatimeja, ka nga trungu i familjes saj tre dëshmorë të atdheut. Ajo kur mori lajmin për vrasjen e vajzës në luftë, kërkoi me këmbëngulje të shkonte në front e ta zëvendësonte të bijën, por autoritetet e pushtetit vendor nuk e lejuan për arsye moshe, shëndeti dhe kujdestari familjare.

        Nimete Progonati u lind më 26 korrik 1929, pasi përfundoi arsimin fillor në fshat vazhdoi me këmbëngulje mësimet në shkollën Plotore në qytetin e Tepelenës. Edhe pse në fëmijëri heroina njohu varfërinë migjeniane, në shkollë u dallua për inteligjencë e zell në mësime. Me prirjen e saj poetike vajza 15- vjeçare ka lënë një fond të vogël me poezi, kryesisht me përmbajtje patriotike të cilat janë edhe sot një mesazh i fortë atdhetarie për brezat e rinj. Dhe dëshira që ajo u ka shfaqur shoqeve të moshës dhe të afërmve të saj, ishte që në jetë të bëhej mësuese. Shpesh në shkollë dhe në veprimtaritë që kryheshin i pëlqente të recitonte vargjet e Vaso Pashës: – “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”. Si DEBATIKASE, ka shkruar mësuesi i saj Murat Koçiu, në demonstratën e bukës që u zhvillua më 15 shkurt 1942 në Tepelenë, Nimetja, ish – nxënëse e shkollës plotore recitoi para pjesëmarrësve vjershën “Liria”. Ajo me duart e saj të njoma kontribuoi e thuri për partizanët triko leshi, fanella, çorape, qepte yje, shpërndante trakte e komunikata dhe në disa raste iu besuan detyra për të ruajtur shokët kur zhvilloheshin mbledhje me rëndësi, ndaj të cilave ishte e përgjegjshme dhe i plotësonte me shumë korrektësi. Ishte kjo veprimtari e saj e gjerë që shkrimtari Haki Stërmilli e ka quajtur heroinen e vogel, Nimeten një “Amazonë”, Shevqet Musaraj e quan “poetja e vogël” dhe mëpas e krahasojnë dhe e njësojnë atë me Zhan d’Ark-ën franceze.

        Në një takim të rinjsh gjatë luftës me një kuadër të rëndësishëm të Frontit Nacionalçlirimtar, Nimetja ende sa kishte mbushur të trembëdhjetë pranverat, i tha të deleguarit: – Unë i dua shumë partizanët. Ah, sikur të më pranojnë edhe mua, dëshiroj shumë të shkoj partizane në mal dhe së bashku me ta të luftoj. Dhe disa muaj më pas, më 8 prill 1943 kur Nimetja ende nuk ishte 14 vjeçe, së bashku me tri shoqe të saj bashkëfshatare: Tefta Shehu, Qibro Gjyli e Dylb Kopaçi, ajo iu drejtua komandantit tëçetës territoriale, Ethem Gjinushit me këtë dialog poetik:

 

 Shoku komandant!

Më merrni me vete.

-Po je shumë e vogël,

  rritu ca Nimete.

-Ç’ka se jam e vogël,

zemrën e kam trime,

krah përkrah me shokët

dombroj pjesën time…

 

Dhe më pas, kur u krijua Brigada e Pestë me Komandant Shefqet Peçin dhe Komisar Hysni Kapon, Nimetja u inkuadrua partizane e kësaj njësie luftarake. Vitet e fëmijërisë, heroinën e vogël e mbushën me urrejtje për regjimin e kohës, për pushtuesit italianë dhe më pas edhe për nazistët hitlerianë, por brenda shpirtit të vogëlushes kishte shumë dashuri e optimizëm për jetën. Fryma e shëndoshë patriotike e familjes së saj, ndikimi i mësuesve patriot dhe mjedisi që e rrethonte në shkollë e kudo, si dhe propaganda e madhe që zhvilloi partia komuniste dhe udhëheqësit e saj për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj e tradhtarët në shërbim të tyre, Nimetes i ndriçuan mendjen, i rritën koshiencën e idealin dhe e poqën ideologjikisht para kohe vajzën 14 – 15 vjeçare. Në ndërgjegjen e heroinës u rrit e u kalit më shumë ndjenja e përgjegjësisë dhe dashuria për fatet e popullit, jeta e të cilit për shekuj me radhë është histori e pandërprerë luftërash për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar dhe për të mos u asimiluar kurrë.

        Pjesëmarrja në Luftën Nacionalçlirimtare heroinën e vogël, më të voglën vajzë në gjithë atë armatë të ushtrisëçlirimtare, e kaliti dhe e bëri më veprimtare energjike. Ajo mori pjesë në çdo betejë dhe kudo luftoi me trimëri. Partizanëve që nuk dinin shkrim e këndim heroina në kohën e lirë u bë mësuesja e tyre, gjithashtu shkroi poezi dhe zhvilloi veprimtari kulturore. Në frontin e luftimit dhe në çdo aksion e reja komuniste Nimete Progonati me thirrjen: “Para partizanë” në vijë të parë e ballë përballë armikut ngriti lart moralin e shokëve për fitore dhe mbolli panik e frikë në radhët e armikut. Pushka e heroinës që ishte më e gjatë se shtati i partizanes trime, shtiu pa pushim mbi armiqtë e tradhtarët, oshtima e saj u dëgjua fuqishëm prej Lumit të Vlorës, në malet e Kurveleshit, në Çajup, për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit; në Qafën e Gjarpërit, Gurin e Prerë, Zaloshnje e Mëlovë, Godolesh të Elbasanit, Shupal e Tujan – Tiranë, Burgajet e Macukull, të Burrelit e deri në Sinjë të Dibrës, ku në betejën e përgjakshme të 26 korrikut 1944, Nimete Progonati “festoi” ditëlindjen me një plumb në gjoksin e njomë, ku afirmoi pavdekësinë e kurorëzuar më pas me titullin e lartë të nderit “Heroinë e Popullit”.

        Veteranët e LANÇ Xhemal Murataj, Levend Lila dhe Ethem Kambo në kujtimet e tyre tregojnë se në betejën e Çarshovës më 9 – 11 maj 1944, Nimete Progonati zuri rob një ballist. Për këtë akt trimërie komandanti i Brigadës, Gjeneral Shefqet Peçi e falënderoi partizanen para njësisë luftarake dhe e krahasoi me figurën e heroinës franceze Zhan d’Ark dhe, si shpërblim për aktin e kryer i dhuruan një automatik anglez dhe dy granata dore. Partizania Nimete Progonati ishte bërë një personazh sa e njohur në gjithë brigadën partizane po aq edhe e dashur për shkak të moshës fare të re, për shkathtësinë, energjitë dhe trimërinë e rrallë që tregoi nga njëra betejë në tjetrën deri sa më 26 korrik 1944 në betejën e Dibrës, heroina dha jetën për lirinë e Shqipërisë. Vdekja vetëm hidhërim shpreh, por humbja e jetës së partizanes trime ditën që do të festonte me shokët 15 pranverat u ndje thellë në zemrat dhe në sytë e çdo partizani e partizaneje. Lotët si kurseu askush, midis tyre edhe komandanti e komisari i njësisë. Sot,- tha Komisari- humbëm një luftëtare, një trimëreshë, një vajzë që nuk ju tremb vdekjes, poeteshën e vogël, këngëtaren e mirë, vajzën hokatare, që në kohën e lirë na argëtonte, na çlodhte, na zbaviste dhe na bënte për të qeshur. Nderim për jetën e saj njomëzake.

        Partizanes së vogël si kujtdo që bie në luftë iu bënë nderimet e duhura. Për heroinën është shkruar nga shumë personalitete, figura kuadrosh e veteranë, ish-pjesëmarrës në LANÇ. “Heroina e Popullit”, Nimete Progonati mban shumë tituj nderi, si: – “Heroinë e Popullit”, medaljen e “Trimërisë”, të “Çlirimit”, të “Kujtimit”. Në vendin e ngjarjes, në Sinjë të Dibrës ka në nderim të kësaj ngjarje një lapidar. Shkolla 9-vjeçare e fshatit Sinjë, Dibër; shkolla 9-vjeçare e qytetit Memaliaj dhe Qendra e Edukimit të Fëmijëve (ish- Shtëpia e Pionierit Tepelenë) mbajnë emrin Nimete Progonati, “Heroinë e Popullit”. Në qendër të qytetit Tepelenë, në bulevardin kryesor është vendosur busti Nimete Progonati. Për heroinën 15-vjeçare janë botuar shumë shkrime, kujtime, portrete, tregime, poezi, këngë dhe dokumentarë televizivë, të cilët evidentojnë më së miri jetën dhe veprimtarinë e saj.

Është në nderin tonë qytetar që 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut organet shtetërore, institucionet përkatëse dhe organizata e shoqatat atdhetare e kulturore këtë vit ta kthejnë në vit festiv për data e ngjarje të rëndësishme të LANÇ. Nga historia e brezave të nxjerrim mësime, të shkuarën e lavdishme ta vlerësojmë e të përulemi me respekt para të rënëve për lirinë e atdheut, të cilët historinë e kanë shkruar me gjakun e tyre. T’i ruajmë me fanatizëm vlerat dhe po me atë zell të luftojmë antivlerat dhe çdo prirje regresive në gjirin e shoqërisë.

–        Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve për interesa të larta të atdheut.

–        Përjetë e paharruar qoftë jeta dhe veprimtaria e Heroinës së Popullit, Nimete Progonati

 

* publicist