Sefer Pasha: Si i nxorrën dramat e Paçramit nga burgu i Burrelit

671
Sigal

 

Në Çatistë Nuro Berberi punonte si shofer. Ishte shok fëminie me Ismail Kadarenë. Nurua para se të jepte dorën do të thoshte një frazë që e kishte përdorur Ismail Kadareja tek romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”: – “Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht bënte mot i keq”. Edhe kur pinte ndonjë gotë raki do të thoshte frazën e Kadaresë. Në mbledhjen e Pleniumit të rrethit, ku qe i deleguar Manush Myftiu, u ngrit për të diskutuar dhe Nuro Berberi, që ishte në pararojë të shoferëve të rrethit. Me të dalë tek mikrofoni Nurua para se të nxirte diskutimin tha shprehjen e njohur të romanit të Kadaresë. E gjithë salla shpërtheu në të qeshura. Manush Myftiu ktheu sytë i shashtisur.

Një figurë e njohur në Pogon e kishte emrin Thoma Kacanua. Shkurt i thërrisnin Kacano. Ai rrinte me oficerët e sigurmit të shtetit në Gjirokastër. Pinte kafe me ta. Kur e arrestuan borizanin postier Kolë Doracin, Kacanua, vajti në dyqan dhe bleu dy pako makarona dhe shkon aty ku Kola ishte i lidhur brenda në Gazin e Degës. Ai i thotë punëtorit operativ që ishte në vendin e parë të gazit që t’i merrte pakot e makaronave. Kola nuk ishte në forcën e ushqimit në burgun e Gjirokastrës. Por shakaxhiu i kishte bërë hesapet pa hanxhinë. Sigurimi pas arrestimit të Kolës i hodhi hekurat edhe Kacanos.

Gjatë viteve në Çatistë kam pasur mik punëtorin operativ të Pogonit Pirro Nuredini. U martua me një vajzë nga Poliçani. Ishte i njohur dhe i qortuar për bindjet e tij demokratike. I hapën dosje dhe e akuzuan si lidhje të Asfalisë Greke. Tentoi të vriste veten. E transferuan në Burrel, ku i dhanë linjën e të burgosurve politik. Siç ma ka treguar vetë Pirrua pas viteve nëntëdhjetë kur ai rifilloi punë në SHIK në Burrel: kishte zënë miqësi me Fadil Paçramin. Disa shkrime ditari dhe dy drama ai i kishte nxjerrë me dorën e tij nga burgu famëkeq. Nuk di asgjë për fatin e tyre.

Vetëm në një rast në karierën time unë nuk kam qenë i sinqertë me komandën eprore. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në Çatistë. Sipas rregullores unë u kisha dhënë lejë për të nxjerë thupra shelgu për shporta 11 arixhinjve. Emrat i shkruajta vetë se arixhinjtë nuk shkruanin në asnjë gjuhë. Atyre nuk u kisha merakun. Nuk mbahej mend në historikun e kufirit që të arratisej ndonjë arixhi. Atë ditë i nxora vetë tek porta. Por mbasdite kur i prita arixhinjtë ata nuk ishin 11vetë, por 10. U bëra shamata. Ku e kishin një arixhi. Jo të keqen më kundërshtuan më sherr të madh. Dhjetë vetë kemi qenë kur u futëm për të nxjer thupra shelgu. Ndeza belanë. Gjuhën nuk ua merja vesh. I rashë shkurt. Ikni u thashë dhe të mos u shoh më me sy.Dhe arixhinjtë ikën duke kënduar.Por pas disa muajsh ndodhi çudia. Në fshatin Sheper të Zagories arixhofkat kishin hedhur fall dhe kishin treguar se kur kishin qenë për thupra shelgu në kufi në Çatistë një burrë plak e kishte ngrënë gjarpëri dhe ai kishte vdekur në vend. Arixhinjtë e kishin hedhur në një shpellë. Këtë ngjarje, të cilën e mësova gati pas një viti nuk ia tregova kurkujt.

                         Isuf Ndreu ishte komandant i postës së Opsallës.

E kisha gjiton. Isufi qe dibran dhe ishte një diktator i vërtetë. Fjalën e tij s’kishte burrë nëne që ta bënte dysh. Ishte i pamposhtur. Por kishte një të metë. Po ta zinte gjumi edhe topat të zbrazeshin tek koka e tij ai nuk i dëgjonte. Natën e fundit kur kufitarët u liruan dhe i kishin bërë dorëzimet ata e marrin Isuf Ndreun me gjithë krevat dhe e çojnë në tokën greke. Pasi bëjnë këtë veprim ikin drejt familjeve të tyre. Kur Isuf Ndreu është çuar se i zuri frymën bora që po binte togje – togje e kuptoi hakmarrjen e efektivit. Qe tronditur. Ishte tmerruar se mund ta shqyenin ujqërit. Që nga piramida erdhi në postën e Opsallës me mbathje.

Në ato mote më bënte përshtypje këpucari i forcave të kufirit Loli Frengu nga Jergucati i Dropullit. Ishte i çalë, por i habitshëm. Me të ardhur futej në fjetoren e kufitarëve. Të gjitha këpucët dhe çizmet ishin të rreshtuara në fund të krevatit. 60 palë. Po kaq dhe çizme. Këpucari Loli u hidhte një vështrim. I njihte një për një se të kujt kufitari ishin. I kishte kaluar nëpër duar. Ah, ja bënte!. Këta lebërit sikur i hanë shollët e këpucve me bukë. Një kufitar qe kthyer nga leja. Loli e kishte takuar në Gjirokastër. I paske bërë këpucët copra në Librazhd, i tha. Nuk ka një javë që i kam arnuar. Çudia ishte se ai mbante mend këpucët e të gjithë efektivit të kufirit që nga Saranda e deri në Leskovik (Ishin 17 posta kufiri në teritorin e Gjirokastrës). Me mua qe grindur disa herë se përse i lejoja trupat që të luanin futboll më këpucët e shërbimit. Shikoni këpucët e ushtarëve grek thoshte Loli. Nuk kanë asnjë mballomë.

Kufiri nuk kishte hyjni. Në kushtet e gjakimit me armiqtë nga kreu në bisht vlerësoheshe kur mbroje fijet e barit mbi piramidë. Por bëmat e virgjëra nuk mund të kuptoheshin pa u përplasur me tipa si Vangjeli, që ishte instruktori i qenit të kufirit. Vangjeli me origjinë ishte nga Vurgu i Sarandës. Qe qitës i shkëlqyer. Merrte pjesë dhe në garat kombëtare. Për ca kohë unë i ngarkova detyrën e magazinierit të ushqimit. Ekonomisti kishte marrë lejën e zakonshme. Vangjeli ishte koronac i madh dhe ua thau zorrët kufitarëve. Por kufitarët ia dinin pikën e dobët. Ai qe qitës i mirë, por natyrë frikacaku. Dy kufitar një natë marin demin dhe e fusin në tualetin e ngritur në anë të pyllit. Kur Vangjeli në errësirë shkon në të famshmin tualet demi u përplas me të. Dhe Vangjeli i tmerruar si qitës i mirë që ishte e qëllon demin me pistoletë dhe e vret. Për drekë Vangjeli i shtroi efektivit mish viçi.

Për ngjarjet që lidheshin me fshatin unë thërrisja këshilltarin tim perfekt Sotir Koroveshin. Ai më nxirte nga moçali. Familjet e oficerëve të kufirit i kishin shtëpitë shumë afër me godinën e postës kufitare. Një natë në dritaren e gruas së instruktorit të qenit të kufirit dikush trokiti. Gruaja që ishte fillikat bërtiti. Më merr në telefon dhe unë dhashë kushtrimin. Ishte edhe turp. Unë nuk e diskutova se gruaja e bukur kishte lënë ndonjë takim me ndonjë djal nga Çatista aty afër. Kurrë nuk e mora vesh se përse ajo ulëriti. Sotir Koroveshi erdhi qysh herët në mëngjes. E gjeta “armikun” më tha ai. Pas shtëpisë së oficerëve të kufirit është depua me tagji e kafshëve të postës. Ndonjë fshatar ka ardhur që të vjedh tërshërë. Gjeta kokërra tërshëre gjatë udhës për në fshat. Kështu e mbyllëm.

        “Kryeqyteti” i Pogonit ishte Poliçani.

Në qendrën e madhe ishte një librari, ku shërbente si librare një vajzë poliçanase. Quhej Marjanthi. Ajo m’i siguronte librat. Marjanthi kishte vetëm një të metë. Ishte manjake e paparë ndaj pastërtisë. Edhe vezën e pulës së saj pasi e zjente ia lante lëvozhgën. Nuk kishte kufitar që të mos e dashuronte Marjanthin. Por siç ma thoshte mua ajo dashuronte në distancë djalin e Kryeministrit të Greqisë Andreas Papandreu. Marjanthi përveç punës së librares paguhej nga pogonasit edhe për një zanat që ushtrohej fshehtas. Mbi Poliçan ishte një shkëmb i lartë i thiktë që njihej si Shkëmbi i Kopellës. Çdo vajzë nuk quhej e pranueshme për t’u martuar nëse nuk e hidhte gurin nga fundi i shkëmbit në majën e tij. Marjanthi merrej si instruktore. Listat i mbante vetë. E kam takuar rastësisht pas viteve 90 – të po në Poliçan. Ishte po ajo. Mos ke ardhur që të marrësh rrugën për në Janinë.- më tha. Ndërsa unë e ngacmova. Po ti Marjanthi a u martove me djalin e Papandreut? Dhe i thashë Marjanthit se nuk dua ta kujtoj atë kohë. Unë ngrija flamurin në piramidë. Dhe për bukuritë e valvitjes së palave të flamurit përpara ushtarëve grek mendoja. Nuk doja t’ia dija se në pyll gratë e Pogonit mblidhin lule murrizi e trëndafil të egër dhe hanin bukën me gjizë dhe qepë. Dhe kjo ndodhte kur kushërirat e tyre nga Voshtima jetonin në Amerikë. Por as burrat dhe as gratë nuk e hapnin gojën. Sigurimi i Shtetit e pushkatoi pogonasin Nasho Mejdiu nga fshati Skore. Pogonasit nuk thoshin kurrë “unë”, por “ne”. Agjitonin fshatçe. Ansambli i Shtetit dha një shfaqje në Çatistë. Këndoi dhe Parashqevi Simaku. Për këngëtaren transmetohej dhe një vidioklip, ku ajo qe filmuar në një helikopter. Kur iku ansambli pogonasit këndonin në grup greqisht: –  /Tre helikopter që ka Shqipëria/ /Një e ka Parashqevia/.

Oficeri nga Dragobia Adem Ismaili kishte një qen gjahu. Kur e lëshonte në pyll zagari, që e kishte emrin Sharku, do t’i sillte Ademit ndonjë gicë të egër gjysëm të gjallë. Por një ditë Sharkun e rrëmbyen gjahtarët grek. Adem Ismaili u transferua. Pas pesë vjetësh Sharku u kthye. Qe plakur. Nuk e gjeti të zotin dhe ngordhi. E groposën në pyll. Njësitet e kufirit e zinin pritën tek “Varri i Sharkut”.

Ushtarakët grek nuk qenë të rreptë në ruajtjen e kufirit. Punën e tyre e bënim ne kufitarët e çmendur të Shqipërisë. Ushtarakët grek të Divizionit të Janinës në takimet që bëheshin vetëm në Kakavijë për të zgjidhur ndonjë incident qenë shumë tolerant. Në një rast tek Piramida Zero, ku kam qenë vetë dëshmitar, një kufitar për arsye se kishte fushë pamje qe ngjitur në majë të shkëmbit. Por me të dalë dielli në malet e Pindit, hija e kufitarit shqiptar e kaloi disa metra vijën e kufirit dhe preku tokën e Greqisë. Jam habitur kur pas ca kohësh në një takim rutinë në Kakavijë koloneli grek u kishte thënë përfaqësuesve të palës shqiptare se në Çatistë, tek Piramida Zero, një kufitar e kishte kaluar teritorin gre . E  kishte “pushtuar” disa metra. Paçka se kolonelët kishin bërë humor ata e kishin fiksuar hijen e kufitarit të Shqipërisë. Që nga maja e shkëmbit dielli i maleve të Pindit e shtyti hijen në teritorin grek.

Në rininë time, pas mbarimit të shkollës, ata që kishin miq mbetën në Tiranë. Kurse mua më përcollën mal më mal. Por sot jam me fat. Kam në dorë një “thesar”. Tani që po shkruaj për Pogonin, jo për një Pogon, por për dy, se gjysma e Pogonit tjetër, ku kishte rrënjët vallja pogonishte, ndahej tek Piramida Zero dhe shtrihej në territorin e Janinës. I shikoj si në ekran pamjet e myrtyera të klonit. Çfarë proze që kam shkruar në ato vite? Në brezin e butë të kufirit do të lexoje gjurmët e zogut, qimet e lepurit, lëvozhgën e vezës së thëllënxës, vesën e mëngjesit, zvarritjen e gjarpërit e pendët e gjeraqinave. Nga kufitarët do të lexohej kjo prozë nëse kishte shkelje të kufirit nga “diversantët”. Prej leximit të kësaj proze do të përpunohej komunikata, e cila çdo mëngjes vihej dhe në tavolinën e Enver Hoxhës. Kur u arratis Panajot Plaku në Qafën e Thanës Enver Hoxhës do t’i çonin dhe portofolin e Panajot Plakut, që i kishte rënë në vijën e kufirit bashkë me fotografitë e familjes.

Edhe në ato mote kishte “filozof” të cilët nuk e hanin sapunin për djathë. Kthehesha nga kufiri i ngrehosur si “ maçoku në thekërr”. Një mëgjes: tek Rrapi i Çatistës piva kafe me Barba Taqin. I thashë se greku na ka frikë. Kur ndeshem me ushtarakët grek në piramidë ata ndërrojnë udhën. Barba Taqi. që i kishte të hazërta rrëfenjat më tregoi një histori të hershme që kishte ndodhur tek Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Në kafene një “kolaq”, që quhej Jorgo Varoshi pinte nga një raki dhe i binte gjoksit. Po të vij greku,- thosh ai ne e bëjmë hashra lisi. Por aty në kafene qe dhe një gjirokastrit i hollë nga mendja. Ai ia kthente me këngë Jorgo Varoshit, të cilët kafexhinjtë ia kishin vënë nofkën: “ Derri”. Dhe ia merte këngës: – /Prit –  prit o Jorgo Derri/ /Prit sa të vij asqeri/ /Pa do t’u shoh se ç’mutër jeni/. Dhe për çudi kur erdhi haberi se asqerët e Venizellosit mbërritën tek Rrapi i Kordhocës poshtë Lazaratit Jorgo Derri e mbajti frymën në Golem të Gjirokastrës.

Nga rradhët e forcave të kufirit në çdo minutë jetohej e flitej për heroizmin e kufitarëve në piramida. Ram Sadria që u vra si komandant i postës kufitare të Çeremit në Tropojë dhe u bë Hero i Popullit. Po kështu dhe pionieri 12 vjeçar Nik Pjetër Ndreka. Por qenë problem gabelët që dega ushtarake i binin në kufi për të kryer detyrën sipas ligjit. Gabelët kishin frikë dhe nuk e duronin dot errësirën në prita. Për dreq më sollën dhe mua në Çatistër një gabel nga qyteti i Shkodrës. Quhej Xhovi. Qysh në ditën e parë të shërbimit u vetplagos në gishtin e njërës këmbë. Mora çantën e ndihmës së shpejtë dhe vajta urgjent. Ç’pate more Xhovi i thashë?. Më gjuajtën grekërit mu përgjigj ai. Plumbi goditi në krye të shkëmbit, pastaj në kreun tim dhe bëri rikoshet tek kreu i zogut të këmbës. Unë ja lidhja këmbën me fasho ndërsa Xhovi vazhdonte “krye më krye me shkëmbin e me grekun e me zogun e këmbës”.

Titullin e kësaj publictike doja që t’ja vija “Vreri i kujtimeve zbret si rrëke nga mali”. Por shumë nga kolegët e mi që janë shpërndar deri në Australi nuk janë të një mendimi me mua. Dhe do t’i revoltonte ky titull në gazetë. Ka nga ata që mendojnë se ajo kohë diellëzohej nga vlerat.Atëherë kishte Shqipëri.E megjithatë kujtimet e mia pikojnë vrer. Çdo kufitari të ri unë ja mësoja me detyrim poezinë e Ismail Kadaresë: “Qeni i kufirit”. Në mënyrë te veçantë vargjet brilante: – /Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim/ /Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim/ / Dhe ujqit vetë, po t’u dilte përpara/ /Do t’i hapnin udhën kafshës ushtare/. Sot po ta përmendësh këtë poezi të ndjerë të poetit  të hedhin thonjtë në fyt. Të fyejnë po tua zësh në gojë emrin e Ismail Kadaresë. Pse na e cënokërka poetin kjo poezi e bukur? Përgjigja është se nuk i duan as kufijtë, as piramidat dhe as qentë e dikurshëm.Duan që në Shqipëri të hyj derri dhe dosa. Tani në kufi kalohet me mushka hashashi, ia mbathin vrasësit, çajnë detin gomonet e trafikantët e të gjitha ngjyrave.

Isha në një stërvitje në Çatistë kur mora vesh se zboristët e repartit të Mallakastrës kishin ardhur në marshim në Libohovë. Komandanti i Korpusit Bako Dervishi u thotë zboristëve se do të ngjitemi në majën më të lart të Buretos. Divizioni i Janinës po afrohet në kufi. Një fshatari im, Baki Fetahu, ngrihet dhe i thotë komandantit : – “Pse të vemi ne me një barrë armatimi në majën e Buretos? Le të vijnë grekërit tek Rrapi i Libohovës”.Për këtë thënie në formën e shakasë e fusin në burg.

Për të ndërtuar bunkerët në qafat e Nemërçkës çdo kufitar do të merte në krah një element që peshonte 35 kilegram. Dhe do ta nxirte në Qafën e Gomares në lartësinë 2489 metra. Në sheshin e Qafës së Gomares do ta hahej dreka dhe do të këndohej kënga: – /Sa ka Janina fije bari/ /Ne kemi gryka zjarri/. Grekërit nuk kishin as bunker dhe as llogore.Ne ua prishëm bukurinë maleve. I bëm pulla – pulla e vija – vija. Më erdhi Lame Lena për kontroll. Ishte shefi i ushqimit. Kufitarët sa kishin mbaruar një transhe që lidhte fshatin me postën e kufirit. Lamja pasi u fut dhe doli nga guzhina mua më gjeti me disa kufitar. Kufitarëve po u flisja për Pushkinin. Lamja që ishte ekonomist i lart më tha: – “Djalosh! Lëre Pushkinin në hallin e tij. Fasulet që kishte gatuar guzhineri ishin plot me miza dheu”. Nuk e shpjegoi dot as sot se si u fut shpirti i reklamës për tu dukur superior përballë grekut. Kufitarët vendosën një bredh në kreshtën më të lart nga ku dukej qyteti i Voshtinës. Bredhi qe Pema e Vitit të Ri. Qëllimi ishte që ta shikonin voshtinasit. Mbi bredh u hodh një mal me lule. Rrotull bredhit kishte vetëm ujqër dhe arinj. Jo shumë larg mbi piramidën 19 komandant Memushi kishte vendosur një gëshojë topi ku kishte mbjellë lulen e Shqiponjës. Ta shikonin kufitarët grek që shqiptarët si vazo për lulet përdornin gëzhojat e predhave.

Në kohën time ndodhte e pabesueshmja. Oficeri himariot Paskal Kapino ishte komandant i postës kufitare të Buretos. I ndodhi një ngjarje e rëndë. U bë një arratisje që bëri bujë në shtypin grek. Ministri e nxori në lirim. U bë mbledhja ku Paskalit ju komunikua urdhëri i lirimit nga detyra. Më në fund i erdhi radha për të folur të dënuarit Paskal Kapino. Dhe Paskali në vend të lexonte autokritikën që ja pata qëndisur unë si kalemxhi ja mori këngës: – /Ne ishim komunist/ /Bijë të Enverit/. Ishte një këngë e preferuar në ato vite. E këndonte Marina Grabovari me tekst të poetit Hysni Milloshi. Paskali këndonte dhe qante. Kjo qe autokritika. Banon në qytetin e Vlorës.

Në kufijtë e jugut shërbenin shumë kuadro me origjinë nga veriu. Nuk mbaj mend ndonjëherë që veriorët të ofendoheshin me fjalën “malok”. Në postën kufitare të Buretos shërbeu dhe Sali Xhajku nga rrethi i Dibrës. Afër vijës së kufirit qe ngritur një bunker. Ishte pranverë dhe lulet e kishin rrethuar bunkerin me këndshikim nga toka greke. Kam parë njëherë një ulkonjë me klyshët që hante zambakët e bardhë. Atë ditë zhvillohej stërvitja treguese për ndërlidhjen që nga maja e malit të Buretos e deri tek Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha. Mbi qendrën e zjarrit u vendos një radio marrëse – dhënse, të cilën e kishte prurë në krah Islam Zaçja, shefi i stërvitjes. Radjoja peshonte 36 kilegram. Islami kishte dhe paimet personale dhe radjoja e kishte sfilitur. Në sekondat kur filloj stërvitja radjoja pësoi difekt. Sali Xhajku i vuri kufjet në vesh dhe i thosh radjos: – “Po fol moj virane! Me zi të ngjiti shef Islami që nga Libohova. Dhe stërvitja dështoi. Saliu e ngrinte zërin dhe u thosh kufitarëve: Kujdes! Mos i shkelni lulet e livadhit!. Ushtarët dhe barinjtë grek të lënë mendjen e kokës kur ta shikojnë bunkerin të rrethuar nga lulet. Mos i ngacmoni as lulet e kuqe që kanë mbirë vetëvetiu mbi supet e bunkerit. Lulet janë spaletat. Me ato lule bunkeri ka marrë pamjen e një gjenerali.

Nesër do lexoni:

  • Vizita e Karlos Papulias në Dropull dhe gadishmëria jonë e madhe
  • Presidenti grek puthi një vajzë që kërcente bukur, i fejuari ja veshi me pëllëmbë
  • Takim i rrallë me zbuluesin Jorgo Sulioti që grekët e kishin dënuar në mungesë
  • Ali Kelmendi në Çatistë i dorëzoi pushkën e tij heroit minoritar Theothori Mastora
  • Historia e rrallë e Piramidës Zero ku ishte Varri i Matianit, që në fakt ishte lojë e sigurimit

-Si zbulimi ynë kapi në një hotel në Greqi Anastas Marin, i cili kishte hedhur në erë Mapon