Sefer Pasha: Kur punonjësja e dosjeve mburrej me të dashurin e nënës së saj

431

Rrëfimi i ish-shefit të sigurimit: Biseda e veçantë me Neshat Tozajn për punonjësen e dosjeve, “e dashura e Kadaresë”  dhe e apasionuara pas çizmeve zvicerane. Maturantja e Sami Frashërit që u vlersua me 4 në hartimin që ja kishte përgatitur shkrimtari dhe takimi i menjihershëm i Thoma Delianës,Tozajt, dhe Kadaresë. Parafabrikimi i Sigurimit të Shtetit dhe e vërteta e agjentit francez me pseudonimin “Gjenerali”

Sigal

 

Neshat Tozaj tregonte se Sigurimi i Shtetit krijonte e përhapte legjenda për Kadarenë

E dashura e Kadaresë dhe e apasionuara e çizmeve Zvicerane

  • Meraku i mikeve të Kadaresë se mos e varrosin në Gjirokastër si Isuf Kalon në Luzat
  • Kur punonjëset e administratës mburren me të dashurit e nënës.
  • Si Sigurimi hodhi në qarkullim parafrabikatin se Kadare kishte pseudonim “Gjenerali” si agjent i francezëve.
  • Kadareja, Thoma Deliana, Neshat Tozaj dhe maturantja e “Sami Frashërit ” që mori 4 në provim

Nga: Sefer Pasha

Në një nga ministritë në Tiranë kisha shkuar disa herë. Nuk po gjendeshin disa dokumenta të cilat më kishin ardhur me postë që nga Athina. Punonjësja që kishte dosjet ishte në hall. Qe ditë e hënë dhe unë kisha shkuar përsëri. Ndesha të njëjtën pamje. Përgjegjësja e dosjeve filloi çfletimin. Në një kënd të zyrës tre – katër metra më larg bisedonin dhe dy kolege. I kisha parë dhe herë të tjera. Nuk kisha punë me to. Po rrija në këmbë. Njëra nga punonjëset, e cila më kishte kthyer shpinën po i tregonte koleges së saj historinë e çizmeve të saj. Shtatë palë çizme me lëkurë korkodili më erdhën nga Zvicra i thoshte koleges. Por për dreq këtë dimër nuk ra asnjë çikë borë. Çizmet e Zvicrës janë posaçërisht për borë. Mirpo Tirana është ndërtuar mbi moçal. Është nën nivelin e detit. Nuk bie borë. Edhe kur bie më të rrallë nuk mban; sa të gënjen. Tirana të ishte së paku në lartësinë e Dardhës së Korçës. Atje vajta me të dashurin dhe bëra foto. Ka lezet që t’i shikosh çizmet katër gisht mbi kupën e gjurit.

Unë po e dëgjoja me vëmendje…

 

Bisedën e çizmeve e kisha dëgjuar dhe një herë tjetër. Kolegia e pyeti manjaken e çizmeve të Zvicrës nëse e kishin paisur bibliotekën e re me libra? Po merret mami me bibliotekën ju përgjigj folësja kryesore. Ajo e ka pasur pasion letërsinë. Është mike e Kadaresë. Biseda u ndërpre se koleges i ra zilja e celularit. Pas një pauze e mori sërish fjalën e apasionuara pas çizmeve të Zvicrës. E patëm fjalën për mamin, që është mikeshë me Kadarenë mërmëriti ajo. Mos e ka dashnor e ngacmoi kolegia? Unë them se po pohoj me guxim. Edhe mami kur unë e pyes qesh me të madhe. Kadareja ka mbi njëqind të dashura në Tiranë.

Punonjësja e dosjeve ngriti kokën. U çudit ashtu si dhe unë me atë që dëgjoi. U plak Kadareja e vijoi ligjërimin e saj pa kripë e pa pikë turpi. Në fraksionin e minutës nisi ta tjerë përsëri emrin e Kadaresë. Mami është e shqetësuar se Kadareja po plaket. Të dashurat janë në merak se mos vdes Kadareja dhe e varrosin në Gjirokastër. Hapi punë Isuf Kalo. Ai e la amanet që ta varrosin në Luzat të Tepelenës, ku ta zbulon varrin era e malit. Mbi varr vijnë dhe të qajnë vetëm skifterët. Thonë se Kadarenë do ta varrosin në Këculë të Gjirokastrës. Prej Malit të Gjerë ai të shikoj si në pëllëmbë të dorës qytetin ku lindi. U bë përsëri një heshtje e shkurtër. Kur të ketë vdekur Kadareja të dashurat e tij do ta rrethojnë arkivolin me dy – tre rreshta theksoj me zë të lartë. Janë shumë. Mbi njëqind janë në Tiranë. Po ato nga e gjithë Shqipëria? Përfytyro të lutem gjithë ato gra rrotull arkivolit të veshura me të zeza. Të dashurat do ta shikojnë me inat njëra – tjetrën. Dhe sytë do t’i mbajnë nga arkivoli ku rri shtrirë Kadareja. Cilën nga ato që e kanë rrethuar ai e ka dashur më shumë nga të tjerat? Punonjësja e dosjeve u nervozua.

Të lutem dil në koridor më tha ajo! Mos u beso broçkullave që dëgjove. Unë dëgjoj me dhjetra për ditë. Si nuk i vjen për turp kur zë në gojë të dashurit e nënës. Asnjë nga këto që të zunë veshët nuk është e vërtetë.

Dola në koridor dhe fillova të qesh me veten time. Nuk u çudita. Legjendat urbane për Kadarenë i kisha dëgjuar me kohë. Kështu ndodh me shkrimtarët e mdhenj të botës. Dhe m’u kujtua një tregim, të cilin ma kishte treguar Neshat Tozaj. Ai ishte mik i Kadaresë. Para shumë vjetësh më rrëfente Neshati një komshie e Kadaresë i kishte kërkuar atij që t’i bënte një hartim për vajzën, e cila ishte maturante tek “Sami Frashëri”. Dhe Kadareja meqenëse e njihte nuk përtoj dha ja bëri një hartim për vajzën. Vajza e kishte marrë kopjen dhe siç qe në tekstin e shkruar nga Kadareja e kishte kopsitur në hartimin që u kërkohej. Por petagogu që kishte bërë korigjimet pikërisht hartimit të shkruar nga Kadareja i kishte vënë notë negative. Dysh. Kur ja kishin thënë Kadaresë ai qe habitur. Çështja kishte shkuar deri tek Thoma Deljana, që ishte Ministër i Arsimit.

 I thashë Neshatit nëse kjo që më tregoi ishte e vërtetë?

Nuk besoj m’u përgjigj ai. Sigurimi i Shtetit përditë hedh në qarkullim parafabrikate të tilla. Punëtorët opertiv e kanë për detyrë të shtjellojnë fantazira të sëmura kundër Kadaresë. Edhe pseudonimin “Gjenerali” si agjent i francezëve ata e hodhën në qarkullim. Pasi hidhnin gurin mblidhnin informatat.

Jetëshkrimi i Neshat Tozaj

 

Mbaroi studimet për Juridik në Tiranë dhe gjatë periudhës së diktaturës punoi si ekspert i kriminologjisë pranë ministrisë se Mbrojtjes, duke drejtuar për 17 vite me radhë laboratorin e kriminalistikës në Tiranë. Ka shkruar një seri librash shumë të suksesshëm dhe një pjesë e rëndësishme të tyre i ka kthyer në skenarë filmi që ende sot kujtohen jo vetëm nga brezi viteve ’90 po edhe nga më të rinjtë. Filmi i tij “Dora e ngrohtë” në fund të viteve ’80 u bë një dhe shembull për të rinjtë e asaj kohe, sepse mesazhi real i filmit ishte pikërisht izolimi dhe ndikimi themelor që kishte opinioni i “të tjerëve” në mbarëvajtjen ose jo të jetës së individit. Pothuajse të gjithë filmat që kanë pasur si skenarist Neshat Tozaj, ishin të bazuar në eksperiencën e tij personale në profesionin e tij si hetues. Ishte Neshat Tozaj i pari shkrimtar që sulmoi drejtpërdrejtë në 1987, korrupsionin e një sistemi të kalbur duke treguar terrorin e një gruaje të cilës, funksionarët e asaj kohe ja shkatërruan jetën dhe të ardhmen. Libri është përkthyer edhe në gjuhën frënge ku pati shumë sukses, natyrisht pas viteve ’90 me rënien e komunizmit. Pak vite pas rënies të rregjimit punoi në Helsinki si përfaqësues i një organizatë shqiptare për të drejtat e njeriut e pasi vendosi të lërë postin që mbulonte në Helsinki, vendosi të hapë shoqatën e “Albautor” duke dhënë kështu kontributin e parë e të duhur për mbrojtjen e të drejtave të autorit, por mbështetja ishte e paktë dhe iu desh të luftonte kundër një sistemi edhe më të korruptuar sesa ai i vjetri e mbi të gjitha kaotik e të rrezikshme. Nuk u ndal në rrugën e tij dhe librat e tij konkurrojnë mëse denjësisht edhe në merkaton ndërkombëtare. Aktivitetin e tij letrar e vazhdoi deri në momentin kur zbuloi se ishte i sëmurë shumë rëndë dhe në pak muaj shuhet pa pasur mundësi t’i përcjellë edhe më tej emocionet e tij lexuesit shqiptar. Pas vitit 1991 Tozaj, shkruante vazhdimisht opinionet e tij në gazetat më të njohura kombëtare pa bërë dallim se cilën parti përfaqësonin, si tek ‘Tema’, ‘Zëri i Popullit’ etj. I konsideruar si disident edhe gjatë regjimit komunist, Neshat Tozaj nuk kursen asnjë në kritikat e tij dhe i duhet të përballojë sulme nga të gjitha drejtimet e shpeshherë edhe në nivelin fetar. Libri i tij “Shalom” që përshkruan familje të thjeshta shqiptare që gjatë luftës së dytë botërore rrezikuan jetën për të fshehur e ndihmuar komunitetin hebraik në Shqipëri, bëri që të konsiderohej një “islamofob” term i ri ky i përdorur edhe ndaj disa prej shkrimtarëve të tjerë shqiptare (çuditërisht edhe me emra musliman, si Ismail, Neshat etj). Një ndër krijimtaritë e fundit të tij, libri “Turpi” përcjell mesazhe rrënqethëse dhe prek ndjeshëm lexuesin shqiptar dhe atë të huaj, sepse për herë të parë, një shqiptar shqyen çdo maskë nacionaliste dhe klith në çdo shkronjë të librit të tij “TURP” për hipokrizinë. Te dhunshëm reagimet e kundërshtarëve dhe rivalëve të tij duke përdorur çdo lloj mënyrë për të diskretituar librin në fjalë.

  • Vetmi (1990)
  • Vrasje në gjueti (1987)
  • Vendimi (1984)
  • Dora e ngrohtë (1983)
  • Gracka (1983)
  • Gëzhoja e vjetër (1980)
  • I treti (1979)
  • Nga mesi i errësirës (1978)
  • Fije që priten (1976)

Disa nga librat më të njohur të botuar nga ai.

  • Turpi (Elite, 1998)
  • Diktatura dhe demokracia në Shqipëri (Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, 1996)
  • Liria e Tjetrit,
  • Pragu i tjetërsimit (Albin, 1994)
  • Perversët (Bota Shqiptare, 1994)
  • Pse flas (Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993)
  • Në gjurmë të të tretit (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1979)
  • Thikat (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1989)
  • Mes nesh (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1986)
  • Rrëmbimi i arkivit (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1977)
  • Takimi i fundit (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1976)
  • Në emër të popullit (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1984)
  • Dora e ngrohtë (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1983)