Sefer Pasha: Kodi sekret për Postën kufitare të Pogonit: Në Gjirokastër ka ardhur aktori Bekim Fehmiu, të rritet vigjilenca

812
Sigal

Në moshën 22 vjeç mora detyrën e komandantit të postës kufitare në Pogon të Gjirokastrës

-Si realizova dramën  “Diversanti” që shtyn piramidat nga toka greke disa metra në kufirin shqiptar

-Arratisja e Nuri Kotorres nga fshatrat e Kavajës dhe pritja e arrestimit tim

Titull  “Kodi sekret”: – Në Gjirokastër ka ardhur  aktori Bekim Fehmiu, të rritet vigjilenca!

-Kuvendi Popullor dekoron sharrëtarët e punishtes së drurit, festë me këngë ku ushtarët grek u ngjitën në pemë të dëgjonin

-E pabesueshme ushtarët grek dëgjonin në radio Papadhopullin nga burgu dhe pastaj Enver Hoxhën

-Si erdhën nga Greqia në Sopik dhe vodhën pllakën e Patkoit te Ura e Turkut

-Vizita e papritur e Kadri Hazbiut: Ruhuni nga bombat e fshehura dhe rrufetë

 

 Rrugëtim nëpër motivet e yjta të motmotit të ngjizura me vrer kujtimesh nga Pogoni i Gjirokastrës me kufitar të rekrutuar në stuhi nga Asfalia Greke, fjalimi i Enver Hoxhës dhe i Papadhopullit në piramidë, si dhe vizita e poetit francez Pol Elyar në malin e Gramozit.                                                                                                                                                                   

Një shënim në fejzbuk pikë për pikë i Sotir Koroveshit nga Pogoni i Gjirokastrës qe i mjaftueshëm dhe në shpirtin tim u rebeluan e gufuan me ekzaltim gjithkah gjerdan perlash. Sotiri është nga fshati Çatistë. Bëmat e muzës dhe rregjistri i kujtimeve ishin në “gjumë” të thellë në gjirizet e errësirës. Atëherë isha 22 vjeç. Sa kisha marrë detyrën e komandantit të postës kufitare. Shënimi i Sotirit si të qe një afsh i denjë shpagimi më rinoi. Ushtaraku i kufirit Xhevdet Sakaj kishte rëmihur në letra dhe kishte botuar një libër me kujtime pa prapakthesa në Çikago ku ka emigruar. Ai kishte qenë dëshmitar në oborrin e postës kufitare të Çatistës kur unë kisha mbjellë një lis. E lexova librin dhe e solla në mendje në perin e jetës atë motiv romantik. Kur e mbollëm lisin unë u thashë kufitarëve me ton epik në habitatin gjeografik me logjikë trillane: – Ne do të ikim një ditë. Le të na kujtoj lisi i trimërisë në Çatistë si një adhurimtar qoftë dhe në mënyrë figurative. Xhevdet Sakaj shtonte në librin që kishte botuar se ditën që u mboll lisi në Çatistë unë kisha recituar Hygoin, i cili ka shkruar vargjet: – /Lis aq i madh sa kalit i duhen njëqind vjet/ /T’i dal tej hijes së tia/. S’besoj se e kam thënë qoftë dhe si metaforë. Por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Pas kaq motesh nuk di gjë për fatin e lisit në këtë rrokopujë. Është, apo pylltarët i kanë vënë sëpatën. Tani që u lidha me Sotir Koroveshin fillthi pas koronës do të shkojmë në Çatistë për të shijuar kënaqësitë e qashtra. Jeta nuk është shpenzuar e tëra. Në moshën 59 vjeçare Paul Valery kishte mbushur 257 fletore. Prej plorit të fjalëve mua më thërrisnin në Gjirokastër: – “Ku je Çato?”. Le t’i shkruajmë kujtimet e pashkëmbyera, ku shpërfaqet në dritë e me rrokje të llogaritura gjithçka që ndodhi në diktaturë, pa u marrw me tisin e trishtimit dhe hijezimet. Kufiri qe një regjim dramatik i shtrigëruar me përfytyrim mesjetar. Pogoni ishte gurra e jetës e një kopsht epitetesh megjithëse në socializëm nuk munguan skenat e satanait. Ngjarjet në rreshtin kronologjik nuk janë përmbledhje epigramesh, as shkrepje trilli rrokullimthi dhe as trumbë shpirtërash me rrënjët në ankth. Ato janë qortime të hidhura e personifikojnë shpërndarazi klloçitjen e një kohe të keqe në kështjellë letrash. Arti epror na shtyn t’i gërvishtim shushurimthi pasuritë lëndore të memorizuara e që datojnë në depot e dijeve të disa brezave. Na këndet me sfilitje ferri t’i shfletojmë copëzat e kujtimeve si autobiografi e alegori e bukur për të ngjizur e farëzuar libra, paçka se Gëtja thotë: – “Harro të shkuarën!”. Po si mund ta harrojmë atë kohë marrokësh kur në piramida kundrohej e këndohej shenjtërisht kënga: -/Ne jemi më të parë/Në Evropë nga çdo farë/.

Mbresat më pikante njëherthi që të kanë ndodhur në jetë me sinqeritetit natyror nuk të lënë të qetë.

Edhe kur ti i sjell në mendje me neveri e kërkon t’i vetëpërgënjeshtrosh. Por edhe kur do t’u bësh ngjarjeve të trallisura apologjinë me ngjyra narcizmi duke e tepruar me përdorimin e së artës. Në pranverën që shkoi kisha dal për vrap lart në Surrel. Në një lëndinë lashë një bluzë dhe maskën kundër koronës. Pa u futur në pyllin me ullinj pashë një pamje të pazakontë. Një shpend (çafkë) e mori me sqep maskën dhe u ngjit në ullirin e moçëm. E lashë vrapin dhe u ula mbi një shkëmb të shtuftë dhe nisa të mendohem. Kur isha në Çatistë njësiti i kufirit më telefonoi pas mesit të natës dhe më informon se një familje po lëviz nëpër luginë drejt shtetit grek. Në familjen që po arratiset dëgjohet dhe një fëmijë që qan me dënesë. Mora një skuadër kufitarësh dhe qenin e kufirit dhe u vura në ndjekje. Për dreq qeni i kufirit nuk vihej në gjurmë të atyre që kishin marrë arratinë. Unë vrapoja në errësirë dhe përgjoja. Dhe përnjëmend ishte e vërtetë. Dëgjohej e qara e një fëmije me grahma të sikletëshme. Ishte një vikamë e kob monoton. U sfilitëm tërë natën. Në mëngjes afër vijës së kufirit takova bariun e fshatit Nasho Buxhelin. Më pyeti dhe iu përgjigja se ç’na kishte gjetur. Mos flisni tha ai me ton urdhërues. E mbështeti veshin pas trungut të një panje dhe nisi të mbaj vesh. Fëmija filloi të qajw me zë të ngjirur. Jeni munduar kot tha bariu. Zëri që duket sikur qan është i shpendit të çafkës. Ajo edhe kur këndon të ngjan sikur rënkon. Çafka rri anës lumit të Pogonit dhe shpesh kalon nëpër luginë për tek lumi i Voshtinës. Eja të dalim mbi shkëmbin e lart shtoi Nashua si shpëtimtar. Ashtu bëm. Shikojeni tha bariu se ku është çafka me dy zogjtë e vegjël. Ajo ishte ulur mbi trupat e sharruar të punishtes së drurit. E qara e “fëmijës” vazhdonte. Mua më shkriu gjaku. Pas kaq motesh çafka e Surrelit ma kujtoi atë që më kishte ndodhur në kufi në rininë time. Çafkës së Surrelit ia fala “grabitjen” e maskës.

Ngjarjet në kufi janë si këngë morti në dendësinë e imazheve me shumëllojshmëri rrëfimesh. Koklaviten motivet që shpesh janë të zymta.

U arratis një kufitar nga fshatrat e Kavajës.

Quhej Nuri Kotorrja. Në fill kam shpëtuar nga arrestimi. Edhe pse ika nga Çatista për 20 vjet qëndisa një libër kundër personazhit Nuri Kotorrja. Shkruaj e prish. Nuk i lashë kusur atij njeriu që më solli një shqetësim të madh. Fytyrën ia pata lyer me bajga. Kufitarët e tjerë i valvisja në qiell. Me këtë libër të pabotuar më zunë vitet 90 – të. Por kur e lexova në kohën e re personazhi i Nuri Kotorres delte brilant në sojin e tij me të gjitha përthyerjet e përkundërta, kurse unë, kufitarët, pogonasit, bile edhe qeni i kufirit vizatoheshim si Don Kishot. Nuk e di se në cilin shtet të botës ndodhet Nuri Kotorrja, që t’ia jepja ta lexonte këtë libër ende në dorëshkrim nga këndthi im.

Pas kaq vitesh gjurmoj e shpështjell nga shpërgenjtë e kujtesës bëma të kripura e thagma prej qëmotit megjithëse prologu qe grotesk. Dikur Çatista ishte një “Gjirokastër” e vogël. Sot që çatistiotët e kanë braktisur vëndlindjen duket si e pabesueshme që në këtë vis të largët kishte dhe një grup teatral. Vetë bijtë e çatistiotëve ishin aktor. Salla e shtëpisë së kulturës ishte e bollshme. Teatri “Theodhori Mastora” do të shfaqte pjesën teatrale: – “Mos ma luaj piramidën ti monarkofashist!”. Dramën e kisha shkruar unë dhe kur do të jepej shfaqja mora me vete dhe një pjesë të kufitarëve. Në rolin kryesor ishte intelektuali Andrea Çelemengo. Qe i parruar dhe i paqethur. Andrea luante rolin e “diversantit” që shtyn piramidat nga toka greke disa metra në kufirin shqiptar. Në çastin kur “diversantit” njësiti kufitar i drejton armët ai me duart lart bie përmbys. Kalamajtw që ishin në sallë filluan të qajnë. Djali i Andrea Çelemengos filloi të thërrasë me zë të lartw: – “Mana mu!”(Nëna ime). Bubu! Të vranë o Papu! Klithmat qenë të forta. Ndaloi shfaqja. E gjithë salla duartrokiste.

Assesi në epilogun e narrativës muskujt e diktaturës mbeten asëll – asëll enigmë dhe mahnitje pa skaj. Në kufi mbanim në kasafortë “kodin sekret” që për lehtësi e quanim “shifër”. Kodi ishte shumë i vështirë për ta deshifruar. Orë pas ore nga Ministria vinin informacione me gjuhë të koduar me të cilat duhet të njihesh dhe njësiti i kufitarit në piramidë. Më ka ngelur në mendje një radiogram i ardhur me “kodin sekret” ku shkruhej: – “Në Gjirokastër ka ardhur për vizitë aktori nga Kosova Bekim Fehmiu. Ka luajtur filma në Amerikë. Të ngrihet në një nivel më të lart vigjilenca në kufi!”.

Po shfletoj kujtimet e fshehta të asokohshme. Qenë motet kur kishte simbole me ok më shumë se lule nemërçke. Flamuri me shqiponjë. Piramidat  gjithashtu me yll e shqiponjë. Dhe kjo ndodhte në mes të minoritarëve muza e të cilëve me rrëfenjat, zakonet, këngët, traditat, me grimca paranoje këndellej për Greqinë, ku allasoj ata kishin lidhjet gjenetike. Por pogonasit egërshan e sqimtar dinin të përshtateshin. Jetonin të dyzuar mes ndjeshmërisë dhe dramës.  Po e ilustroj me një shëmbull. Sharrëtarët e punishtes së drurit ishin dekoruar nga Kuvendi Popullor. Dreka u shtrua nën hijen e lisave. Ishte marrë për të kënduar dhe një muzikant i verbër nga fshati Sopik. Mua më bëri përshtypje një fotografi e Enver Hoxhës, e cila qe varur mbi trarët e stivosur. Po kjo thashë me vete? Punishtja e drurit nuk është zyrë që të vendoset fotografia e shokut Enver. Nuk shkonte ajo fotografi mes trarëve, sharrave, tallashit, dërrasave, vozave, govatave, grazhdeve dhe gardhit me tela. Nuk fola. Aty kishte dhe bashkëpunëtor të Sigurmit të Shtetit. Filloj gostia. Këngëtari i verbër nga Sopiku me këngët si stuhi shkundi shpatet e dy maleve. Ai hipi në stivën e trarëve dhe nuk mbahej. Pak më tutje një togë me usharak grek qenë ngjitur si gjeraqina nëpër pemë. Dëgjonin muzikantin dhe këngëtarin e verbër, që kishte famë dhe në gjysmën tjetër të Pogonit të Janinës. Kjo propagandë vazhdoi e ethëshme edhe për shumë vite të tjera. Kur më transferuan në verilindje unë i shpura djalit, që ishte në klasën e parë, një album me fotografi të poetit Naim Frashëri. Por djalit nuk i pëlqyen. Ku e ka pushkën në dorë Naim Frashëri,- tha ai i pakënaqur? Me ushtarakun Memush Loloçin, që tani është emigrant në Athinë, në vijën e kufirit disa ushtarak grek pinin konjak “Metaksa”. Lexohej raklama e shishes në shkëmb. Ushtarakët grek dëgjonin me vëmendje një radio dore që e kishin afër shishes së konjakut. Filloi të ma përkthejw Memushi, që dinte pak greqisht. Ai që fliste me zë të lart në radio ishte Papadhopulli, i cili dërgonte mesazhe që nga burgu. Papadhopullin e kishin futur në burg se kishte drejtuar grushtin e shtetit të Juntës Ushtarake. Kur mbaroi fjala e Papadhopullit u dëgjua një zë tjetër. Për ne qw i njohur. Fliste Enver Hoxha. As unë dhe as Memushi nuk e kuptuam se për ç’arsye ushtarakët grek i dëgjonin fjalimet e Papadhopullit dhe të Enver Hoxhës. Që të dy kishin emër në Greqi. Njëri ishte në burg, kurse Enver Hoxha shkëlqente në Tiranë.

          Larmia e ngjarjeve hollë – hollë i kërkonte zgjidhjet nga shumë mendje.

Në një rast më thirrën si ekspert në kufirin e Sopikut në vendin e quajtur Ura e Turkut. Kishte plot një javë që një grup nga ministria po merrej me një çështje të mjergullt. Një gjurmë njeriu hynte në vijën e kufirit, ku Sopiku ndan me Voshtinën. Gjurma që vinte nga kufiri me Greqinë mbwrrinte deri tek Ura e Turkut mbi lumin që vjen nga malet e Janinës. Ç’ishte kjo gjurmë? Qenë dhënë mendime me bollëk, por nuk po i vihej koka. Ekipi nga Ministria e Brendshme gjatë kërkimeve afër urës gjetën dhe një konservw peshku të hapur të markës së Korfuzit. Por asaj iu gjet vjega. Disa gjurmë shpendi aty ku ishte konserva e peshkut tregonin se ndonjë gjeraqinë e kishte prurë konservën nga ishujt grek. Zëvëndësministri Rexhep Kolli më kërkoi mendim. Nuk të kemi thirrur për burrë të mirë tha ai. U mendova gjatë i zënë ngushtë. E pyeta veten: – Ç’ka dashur greku apo kushdo qoftë deri tek buza e lumit? Dhe dhashë një përgjigje si i plevitosur. Personi që ka ardhur nga Greqia mbase ka pasur interes vetëm për Urën e Turkut thashë me zë të mekur. Kaq deshi Rexhep Kolli. Të nesërmen erdhën specialistët e arkeologjisë që nga Tirana dhe Gjirokastra. Në mes të harqeve  të urës mungonte një pllakë. Shenja ia bënte “mu”. U pyet plaku më i moshuar nga Sopiku, Tasi Maku, i cili tha se e mbante mend pllakën në formën e patkoit. Në të shkruhej turqisht një datë dhe ca fjalë të pakta po turqisht.

Jeta në kufi ishte një libër i hapur dramatik që as stuhitë nuk e shfletojnë dot. Në Presidencë ku kam shërbyer vitet e fundit të karierës më ndodhi kështu. Për faj të oficerit të shërbimit tek porta e Presidencës, ku futen punonjësit po i binte bories shoferi i një makine nga të personaliteteve. Unë i bëra fjalë oficerit të Gardës që hapte portën. Aty më thanë se në makinë ishte këshilltari i Presidentit Daut Gumeni. Ku e kam dëgjuar këtë emër i thashë vetes? M’u kujtua. Kur isha në Çatistë pata dëgjuar se një poet nga Labëria, me emrin Daut Gumeni, e kishin kapur në kufi në malin e Strugarës, kur ai po tentonte të arratisej. Vetëm kaq dija. Në kufi janë përplasur shumë personalitete të artit si Bilal Xhaferi, Martin Camaj e Sulejman Krasniqi. Ky i fundit e kishte kaluar kufirin nga Kosova në malin e Pikëllimës në Kukës. Në Tamare qe kapur një poet i ri, i cili kishte pasur me vete një fletore me vjersha. E kishte marrë rrugën e arratisjes se qe rrahur me kryetarin e këshillit. Disa nga vargjet e poezive të tia i shpërndau “era” në të gjithë kufirin. Edhe mua më erdhën në vesh atje ku shërbeja. Poeti i ri shkruante: /Mos paftë diell/ /E mos paftë hënë/ /Ai që më la pa nënë/…..

Të gjitha ndodhitë në kufi tregoheshin gojarisht brez pas brezi në piramida. Barinjtë kolonjarw më patën thënë në Kozel të Ersekës se kishin dëgjuar nga prindërit se poeti francez Pol Elyar në vitin 1940 ishte takuar me partizanët grek në malin e Gramozit. Partizanët grek e kishin ngjitur poetin francez në majën e Çukapeksit të Gramozit dhe i kishin treguar viset e Shqipërisë. Pol Elyari siç ma  rrëfyen barinjtë kolonjarw kishte ngrënë një drekë në stanet e vllenjve të Kozelit. Ndofta që nga maja e Çukapeksit në lartësinë 2523 metra poeti francez shkroi poezinë e përkthyer në disa gjuhë të botës me titull: “Mali Gramoz”.  Ajo është përkthyer në shqip nga Dritwro Agolli. Ja dhe vargjet e kursyera: / I ashpër ngrihet mali Gramoz/ /Por njerëzit malin e zbutin/ / Barbarët i vrasin, i futin në dhe/ /Që nata të bëhet e shkurtër/ ……..Unë nuk e dija fare këtë fakt. Një miku im Koço Kosta e kujtonte Pol Elyarin për shprehjen e tij të famshme: – “Të këndosh, të luftosh, të ndeshesh dhe të shpëtosh!”.

           Nuk kanë të sosur tregimet e jetuara në universin e simboleve të kufirit.

Kishim dalw për gjah me Sotir Koroveshin dhe disa pogonas të tjerë. Unë e Sotiri ngatërruam udhën në pyjet e pambarimta. Do humbasim e s’kanë si të na gjejnë tha Sotiri i shqetësuar. Mos u bëj merak ja ktheva. Unë mbaj me vete numrin 340 që është i stamposur në një copëz çeliku sa një thua. Numri 340 është në dosjen time. Nëse vritem në betejë më veçojnë nga ky numër. Me numra çeliku janë paisur të gjithë oficerët. E di shefi i kuadrit. 340 është S. Pasha. Edhe mushkat e kufirit e kanë numrin të stamposur në vithet e tyre. Mos u çudit që edhe për mushkat, kuajt dhe qenin e kufirit ka dosje.

Qyteti i Voshtinës ishte në fund të malit të Makrikamit aty ku fillojnë burimet e njërës degë të lumit të Drinos. Kufitarët duhet të dinin se sa lagje kishte Voshtina, rrugët, posta e kufirit, e korofillaqisë, industrinë e përpunimit të qumështit, leshit dhe të verës. Natyrisht që duhet ta dinin se në Voshtinë  kishte lindur Presidenti i Greqisë Karlos Papulias. Efektivi i kufirit duhet të dinte çdo”furrik” të qytetit prej nga ku niseshin “diversantët” për të dëmtuar Shqipërinë.  Mbi qytetin e Voshtinës ishte një fshat grek me emrin Martalloz.Një fshat me një emër të ngjashëm kishte dhe në Tepelenë. Kur ndonjë kufitar nuk përgjigjej dot për të dhënat e qytetit “armik” komandant Memushi ia kthente me këngë: /U pyet kufitari se ç’dinte për fshatin Martalloz//Dhe “mavrua” u përgjigj/ / Një herë si hu/ /Dhe tjetrën herë si lloz/.

          Trupat e kufirit kanë qenë të izoluar për shkak të detyrës. 

Por nuk ka munguar humori. Guzhinieri i postës kufitare të Çatistës ishte nga Valbona e Tropojës. Ai me porosinë time po rriste një derr të butë, që po merte përmasat e një shkëmbi. Në të dy anët e barkut te derrit Shkwlzeni kishte shkruar me bojë të zezë këpucësh fjalën me gërma të mëdha “VISHOVIÇI”. Vishoviçi ka qenë Kral i Malit të Zi dhe kishte bërë krime në Dragobi, Valbonë e Ragam. Shkwlzeni e ushqente derrin me hirrë e brumëra dhe merrte çiftelinë e niste të këndonte: – /Vishoviçi kokë tuli/ /Në zall të Valbonës topat i nguli/. Ditën e vitit të Ri “Vishoviçin” e lidhën dhe po e mbanin disa kufitar të fortë. Në çastin kur Shkwlzeni ia nguli thikën “Vishoviçi” me të gjithë fuqinë duke klithur i këputi litarët dhe me të katërta u fut në pyll. Natën e Vitit të Ri kufitarët hëngrën fasule e pilaf.

Kur delnim në vijën e kufirit Sotir Koroveshi më tregonte ngjarjen e një djaloshi nga Çatista,  që para çlirimit ishte bari me keca në Voshtinë. Bariu i vogël gjen një bombë nga të luftës italo – greke. Atij i pëlqeu filli i kuq që e lidhte bombën tek qafa. Atë fillin e kuq donte t’ia hiqte bombës dhe me të tw lidhte zilen e një keci të zi, që e ruante si manar. Kur nisi bariu ta hiqte fillin e kuq, i cili ishte fitili ndezës i bombës, ajo shpërtheu dhe çatistioti i vogël u bë copë e çikë.

Në një takim ku erdhi Kadri Hazbiu ai i bëri kritika komandantit të batalionit të kufirit. Rrufetë e malit kishin bërë dëme dhe tek kufitarët. I fundit që ishte plagosur ishte Medi Peçi nga efektivi i Çatistës. Komandanti Miti Laçi iu përgjigj kështu ministrit: – Shoku Ministër! Nuk kanë faj rrufetë. Ne u kemi zënë vendet. Rrufetë nuk kanë se ku të bien.

 

Nesër do lexoni:

  • Shoferi Nuro Berberi shok klase i Kadaresë dhe Manush Myftiu

-Si i nxorri Pirro Nuredini dy drama të Fadil Paccramit nga burgu i Burrelit

-U dhashë leje 11 arrxhinjve të kalonin klonin për thupra, u kthyen 10, shtanga

-Më vonë mësova se njërin e kishte pickuar gjarpëri dhe ata e kishin hedhur në greminë

-Natën e lirimit ushtarët e postës kur ishte në gjumë e ccuan komandnatin në tokën greke

-Këpucari Loli Frengu njihte dhe mbante mend këpucët e 17 postave të kufirit

-Marjanthi librashitësja e Policcanit  dashuronte në disatncëdjalin e Kryeministrit të Greqisë Andreas Papandreu