Rushit KUÇI/ 70 vjet nga krijimi i Br 16-të S, rrugë sakrificash, heroizmi dhe fitoreje   

804
Sigal

Në ditët e para Br.16 S kishte 530 partizanë të ardhur nga Skrapari, Vlora etj., më pas në fushat e Myzeqesë, radhët e saj u shtuan në 1300 partizanë  

Pak histori

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, pasi përballoi me sukses mësymjen e dytë të përgjithshme të armikut, në Qershor 1944, kishte marrë nismën operativo-strategjike në dorë dhe në zbatim të vendimeve të Kongresit historik të Përmetit. Ishte hedhur në mësymje për çlirimin e plotë të vendit dhe po realizonte me sukses veprimet në Shqipërinë e Veriut, kurse një pjesë e njësive të tjera ishin hedhur në mësymje për çlirimin  e qyteteve të Shqipërisë së Jugut dhe tërësisht të kësaj pjese të atdheut. Në qarkun e Beratit e në Myzeqe, si rezultat i veprimeve luftarake të guximshme, që zhvillonin forcat partizane, pushtuesit gjerman ishin të detyruar të mbylleshin në qytetet Berat, Kuçove, Lushnje e Fier dhe në disa garnizone të vogla, që siguronin rrugët e komunikacionit, që lidhnin këto qytete. Në zbatim të planeve të Komandës së Përgjithshme, për forcimin e shtimin e njësive të mëdha të UNCSH dhe çlirimin e plotë të vendit, u dha urdhër nga Shtabi Përgjithshëm që më 20 Gusht të krijohej Br16S në Therepel të Skraparit dhe të vepronte kryesisht në trekëndëshin Lushnje-Fier-Berat. Pse u zgjodh Therepeli për formimin e Brigadës së 16-të Sulmuese? -Therepeli i përfshirë në vargun kodrinor Qafa e Shkozës-Bregu Cicit-Tenda e Qypit, është një vend gjeostrategjik dhe ka shërbyer për kryerjen e shumë veprimeve luftarake. -Në këtë zonë kishte ende shumë luftëtarë të sprovuar që nuk ishin inkuadruar në njësi e formacione luftarake. -Në këto treva, armiku kishte pësuar dy humbje të mëdha në Tendën e Qypit e Qafën e Shkozës gjatë operacionit të dimrit dhe qershorit të vitit 1944. -Vite më parë në këtë zonë, armiku ka pushkatuar padrejtësisht rreth 15 burra e gra. Dita e inaugurimit të Br16S, ishte 20 gushti, ku deleguar i Shtabit të Përgjithshme ishte Spiro Moisiu. Atë ditë, partizanët bënë betimin luftarak, se do të mbanin lart dhe plot lavdi flamurin e njësive së tyre të dashur. Therepeli dhe gjithë treva e Vendreshës me 8 fshatra do t’i frymëzonte ata në çdo aksion luftarak, deri sa ta bënin realitet fjalën e dhënë. Në ditët e para Br16S kishte afërsisht 530 partizanë të sprovuar në luftime të ardhur nga Skrapari, Berati, Vlora e Myzeqeja dhe më vonë, me kalimin e veprimeve luftarake në fushat e Myzeqesë, radhët e saj u shtuan në 1300 partizanë. Në shtabin e Brigadës, të batalioneve e kompanive fillimisht u emëruan kuadrot si më poshtë:

-Komandant i Brigadës Rrahman Ruçi

-Komisar i Brigadës Abdyl Kellezi

-Zv. Komandant: Gjon Gjoni

-Zv. Komisar: Myzafer Trebeshina

-Intendent: Kozma Vasili.

Në shtabet e batalioneve: Në batalionin e parë, Komandant Petref Therepeli, ish- komandant në batalionin në Grupin e Skraparit. Komisar: Beqir Radhima, ish- kuadër në Grupin e Kurveleshit.Kuadro të tjerë në batalione e kompani: Hajder Strora, Neki Guri, Mete Strora e tjerë.Në batalionin e dytë: Komandant Kadri Aliu, Komisar Nuredin Dobrusha. Kuadrot e tjerë në batalione e kompani, Myrteza Vlusha, Karafil Abazi e Besim Prishta, për të cilin gazetari i njohur Bashkim Koçi ka shkruar se: “Besimi i frymëzuar nga mësuesit, patriot të zonës Nure Dobrusha e Tajar Grepcka, qysh në moshë të vogël u lidh me lëvizjen dhe më vonë u bë kuadër drejtues në këto lëvizje”. Në batalionin e tretë, Komandant Luto Pashaj, Komisar Sofokli Papavasili. Kuadro të tjerë: Sadush Myftari, Mazllem Sevrani, Sabri Shkëmbi e tjerë.

 

Disa nga aksionet luftarake të Br.16 S

Brigadës i ishte caktuar si zonë veprimi: Pashiku, Aranitasi, Lokfendi dhe kryesisht Myzeqeja në një sektor shumë delikat e të rëndësishëm. Detyra kryesore nga Shtabi i Përgjithshëm, ishte që Brigada të godiste autokolonat armike gjatë rrugëve: Vlorë-Fier; Fier-Lushnje, Berat-Ura e Kuçit- Lushnje, në Qafën e Koshovicës e të hidhte në erë urat, depot e kazermat që përdoreshin prej armikut; të godiste e shpartallonte forcat e nazistëve, të Ballit e Legalitetit, të zhdukte shtabet kryesore të tyre e tej. Rruga luftarake e saj qe e shkurtër, gjithsej 2 muaj, por ajo qe një rrugë e lavdishme heroizmash dhe plot sakrifica. Ajo luftoi 48 ditë dhe gjatë këtyre ditëve zhvilloi mbi 45 aksione, pothuajse çdo ditë një aksion, të cilët i shkaktuan armikut dëme të mëdha. Karakteristika e Brigadës ka qenë se gjithnjë ajo ndoqi një taktikë të sulmit dhe në të gjithë rastet iniciativa ka qenë në duart e partizanëve, armiku nuk qe asnjëherë, në gjendje që ta godiste brigadën në befasi. Dita e fillimit të aksioneve luftarake ishte 2-shtatori 1944. Batalioni i tretë, posa kaloi lumin e Osumit, vendoset në kodrat e Mbrostarit dhe në 2 shtator, së bashku me batalionin e dytë sulmojnë forcat gjermane në Ardenicë, që pas një sulmi të shkurtër i shpartallon dhe i djeg 5 depo me municione. Armiku vuri në përdorim artilerinë për të thyer forcat partizane, por kur pa se këto jo vetëm nuk po lëviznin nga vendi, por sulmuan, pa u gdhirë mirë nisi një autokolonë e prirë nga një tank. Rruga ishte minuar nga partizanët, shkatërrohet tanku dhe një autoblindë, vriten dhe plagosen shumë ushtarë nazistë. Nga forcat e batalionit të  tretë u plagos partizani Hysni Qerimi. Në datat 9 dhe 10 shtator u krye një aksion tjetër nga batalioni i katërt që u krijua në datën 9 shtator në fshatin Luar. Ky batalion sulmoi dhe shpartalloi forcat gjermane te Ura e Kuçit. Aksionet e vogla me kalimin e kohës kaluan në stil më të gjerë. Shtabi i Brigadës vendosi të organizojë një aksion më solid, duke sulmuar qytetin e Fierit. Ky aksion u krye më datën 13 shtator 1944, nga forcat e Brigadës në bashkëpunim me GrIII të Mallakastrës. Organizimi i këtij aksioni ishte i një shkalle relativisht të lartë. Brigada dhe Grupi i Mallakastrës krijuan një shtab operativ të përbashkët dhe më 12 shtator lëshuan një “Urdhër operacioni”,  i cili përcaktonte: -Armiku është i fortifikuar dhe i armatosur.  -Në Pojan ka llogore e artileri kundërajrore, në Qenas, armiku është i maskuar e fortifikuar. Detyra e shtabit operativ është: të rrethojë e asgjësojë armikun në këto zona, duke hapur zjarr të dendur, duke përdorur tre batalione e  vijë të parë e tre në  vijë të dytë, të mbahet një forcë rezervë, pranë shtabit operativ në Shën-Koll. Zjarri do të hapet në orën 24:00 datë 13 shtator dhe do të përfundojë në orën 04:00 të datës 14.9.1944. Qëllimi i këtij aksioni, siç del edhe  nga përmbajtja e urdhrit operativ ishte që: -Me zjarr e me sulm, të goditeshin forcat e armikut, që mbroheshin në qytet, të asgjësoheshin ato dhe t’u bëhej një presion gjithë forcave të okupatorit e të reaksionit, duke ngritur lart moralin në masat e popullit dhe besimin e tij në çlirimin e afërt të vendit. Situata e përgjithshme akoma nuk e lejonte, që të mbahej i çliruar qyteti i Fierit në mesin e Shqipërisë, midis rrugëve të tërheqjes së forcave gjermane, prandaj në urdhrin e operacionit parashikohej konkretisht edhe koha e tërheqjes. Një rëndësi e veçantë iu kushtua organizimit të zbulimit, i cili u krye në kohë e me sukses në bashkëpunim të ngushtë me terrenin. U morën masa konkrete për sigurimin material rezervë e sigurimin shëndetësor. U krijua raporti i përgjithshëm rreth 3:1 në favor të forcave partizane. Afrimi dhe zënia e vijës së sulmit, u krye me shumë kujdes e fshehtësi në orët e vona të natës 12 shtator. Në përputhje me planin, sulmi filloi në orën 24 njëkohësisht kundër të gjitha objekteve të armikut. Por, megjithëse i kapur në befasi, armiku bëri, qysh në fillim, rezistencë të ashpër, sepse kishte një mbrojtje të organizuar. Pavarësisht nga rezistenca e gjermanëve, partizanët sulmuan me furi, pa marrë parasysh rrezikun. Suksesin e parë e arriti batalioni i tretë që sulmoi garnizonin gjerman në fshatin Qenas dhe pas një ore luftimi, mundi të thyejë rezistencën e armikut, ku mbetën 6 gjermanë të vrarë. Partizanët u futën në qendër të qytetit dhe rrethuan Komandaturën gjermane. Nga luftimet u vranë 15 gjermanë, si dhe u kapën 13 xhandarë shqiptarë. Në këto luftime u plagos Komandanti i Batalionit Tretë Luto Pashai. Lufta vazhdonte, Brigada sulmoi kundër formacioneve të fortifikuara në Breg-Shkozë dhe Drizë-Myrtezak. Në afërsi të mëngjesit, forcave gjermane u erdhën ndihma nga Kuçova e Vlora. Kolona e ardhur nga Kuçova u prit në Qafën e Sqepurit, nga batalioni i katërt, ku u  zhvilluan luftime të ashpra, sa kolona armike u detyrua të tërhiqet duke lënë të vrarë 10 ushtarë e tri makina të djegura. Në Qafën e Koshovicës, pas një ore luftimesh , armiku pësoi 12 të vrarë. Veprimet luftarake në Fier ja arritën qëllimit. Armikut i u shkaktuan dëme të konsiderueshme në njerëz dhe mjete. Ai pati mbi 20 të vrarë, dhjetëra të plagosur, 13 robër e makina të djegura. Nga ana e forcave tona u vranë 4 veta e tre u plagosën. Aksionet luftarake të Brigadës pasonin njëri-tjetrin. Në luftën e Cukasit, më 6-tetor, armiku pësoi humbje të mëdha, mbi 35 të vrarë, u dogjën 14 makina, një  autoblindë e materiale të tjera luftarake. Por,  humbje të konsiderueshme pati  dhe nga brigada, ku u vranë 14 dëshmorë si Liri Gero, Heroinë e Popullit Rapo Luçi, Nako Bozo, Andon Basha etj.. Në datat17-18 tetor, u zhvilluan luftimet më të ashpra për çlirimin e qytetit të Lushnjës. Në këto luftime morën pjesë dhe disa forca të Br 8 S, ku i shkaktuan armikut humbje të mëdha, u  vranë mbi 20 ushtarë, 30 u  dorëzuan robër. Gjatë gjithë veprimtarisë luftarake prej afro 2 muaj, Brigada e 16-të Sulmuese, arriti një bilanc të pasur, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme armikut. Ajo nxori jashtë luftimit rreth 500 ushtarë e oficerë të armikut, dhjetëra ballistë e xhandarë, u çarmatosën, u shkatërruan 9 tanke, pesë autoblinda, 180 automjete, si  dhe u kapen 400 pushkë e mitraloza e 15 topa. Nga efektivi i Br 16-të S, ranë në fushën e betejës 56 dëshmorë si dhe u plagosën shumë të tjerë.

 Disa nga faktorët që ndihmuan në fitoret e Br. 16-të S

Studiuesi, Jovan Jano rrëfen nga kujtimet e të atit, Llaqi Jano, kuadër drejtues në luftimet e Myzeqesë, disa nga faktorët që ndihmuan në fitoret e Br 16-të S ishin: “Lidhjet e ngushta që mbanin partizanët me terrenin. Konkretisht, ditët e para të organizimit të Brigadës, ne u bazuam për ushqim në krahinën e Skraparit. Jemi çuditur me traditat dhe bujarinë e skraparllinjve. Megjithëse, ata të djegur e plaçkitur, në një varfëri të tejskajshme, hapën dyert për bijtë e bijat e Brigadës, i strehoi dhe i ushqeu duke ndarë me ne edhe kafshatën e gojës. Për gati 10 ditë, sa qëndruam në Therepelë e Vëndreshë, nuk u prek fare fondi i Brigadës. Një gjë të tillë gjetëm dhe në popullatën e Myzeqesë. Meqë ishim vazhdimisht në aksione luftarake dhe kishim shumë të plagosur, familjet Myzeqare hapën dyert dhe mbanin e kuronin të plagosurit. Na ndihmuan me ushqime vesh-mbathje e mjete luftarake.” Një rol të rëndësishëm gjatë luftimeve ka luajtur dhe organizimi i ndërlidhjes në Brigadë nga  lart-poshtë dhe anasjelltas. Partizani Brigadës, Hysni Musaj nga Vendresha  e Malit, tregonte nga kujtimet e tij se: “Ditën e dytë të formimit të Brigadës na grumbulluan rreth 20-30 veta më të rinj dhe na  shpërndanë nëpër fshatrat Vale, Therepelë, Lavdar, Vendreshë, Spatharë e Buzuq për të grumbulluar mjete të ndërlidhjes, të cilat për çudinë tonë ishin: Brirë kau, lope, cjapi, e dashi. Gryka shisheje të thyera. Shoje opingash e këpucësh gome,  turjela e cmilare. Kuptohet që turjelat dhe cmilarët përdoreshin për të  bërë birrat, vrimat në shtylla, kurse brirët, shishet dhe llastikat për izolatore.” Në këtë 70-vjetor të lavdishëm ne kujtojmë e respektojmë të gjithë ata  që iu bashkuan LANÇ-it, nderojmë të rënët në këtë luftë si dhe përulemi para  atyre veteranëve të luftës që jetojnë e do të  festojnë këtë 70-vjetor. Më shumë jehonë e punë konkrete duhet të bëjë pushteti qendror e vendor për këtë jubile.

  Pasardhës, veterani Rushit KUÇI

 “Vite më parë në këtë zonë, armiku ka pushkatuar padrejtësisht rreth 15 burra e gra. Dita e inaugurimit të Br16 S, ishte 20 gushti, ku deleguar i Shtabit të Përgjithshme ishte Spiro Moisiu. Atë ditë, partizanët bënë betimin luftarak, se do të mbanin lart dhe plot lavdi flamurin e njësive të tyre të dashur. Therepeli dhe gjithë treva e Vendreshës me 8 fshatra do t’i frymëzonte ata në çdo aksion luftarak, deri sa të bënin realitet fjalën e dhënë.