Rrëfimi i Çobo Skënderi: Ish piloti i avionit qeveritar të Enverit, tregon nga fluturimet tek internimi

278

Rrëfimi i ish-aviatori i aeroplanit  të Enver  Hoxhes, Çobo Skenderi:  Si më luftuan  se isha nipi i  Hito Çakos

00- Enver Hoxha ka thënë se Hito Çako kishte emëruar nipin e tij në avionin qeveritar ndoshta me qëllim të caktuar.

01-Në shtator 1953, më doli bursa për studime në Bashkim Sovjetik, na  çuan në shkretëtirën e Karakumit, që ka një sipërfaqe rreth 326 mijë kilometra katrore

02- Në stërvitjeje tepër të përkushtuar, në një temperaturë, rreth 66 gradë plus, zumë vendin e dytë, pas  rusëve, u habitën

03- Për festën e 15 vjetorit të çlirimit, më 29 Nëntor 1959, u mundësua montimi, i tre avionëve  supersonikë

04- Në vitin 1958, në qytetin e Kuçovës, dolën  nga  Niko  Hoxha  pilotët e  parë Klasit të Parë në Shqipëri.

05- Më 24 prill të vitit 1963 mora titullin “Pilot i Klasit tw Parw” firmosur nga Haxhi Lleshi

Një “kthesë” e beftë përjashtohet nga ushtria si nip i gjeneralit Hito Çako

Servet Tartari

Çobo Skënderi, ka lindur në Progonat, më 22 Prill 1934. Në vendlindje, filloi shkollën fillore. Më, 1946, po atë vit, e mori në  Sarandë  ajua i tij, Karafil Çako, i cili ishte oficer. Nga fundi i 1946, më vonë transferohet në Gjirokastër. Këtu Çobo, vijon shkollimin në klasën e dytë, në shkollën “Drita” të Gjirokastrës, ku qëndroi deri më 15 shkurt të vitit 1947, pasi dajo Karafilin e transferuan në Durrës. Aty, si mësuese, kishte të shoqen e dajo Hitos. Mbas një muaji, me që nipi, ishte i shkëlqyer në mësime, Çobon e regjistroi në klasën e tretë. Dhe në fund të majit të vitit 1947, e vendosin në “Strehën Vorfënore”, apo siç u quajt më vonë “Shtëpia e Fëmijës” së Tiranës. Me mbarimin e klasës së katërt, Çobua e vazhdon shkollën në konviktin shtetëror në Vlorë. Atje mbaroi klasën e pestë dhe të gjashtë. Gjatë pushimeve verore, Çobua mësoi dhe dha provimin ku mori edhe klasën e shtatë. Mbas këtij suksesi, i del bursa për në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.  -Në vitin 1953, në shtator të atij viti, në shkollën ushtarake “Skënderbej”, i del bursa për studime në Bashkimin Sovjetik, në shkollën e aviacionit për pilot. Atje ku kishte studiuar piloti Rus, një personalitet i shquar, Valeri Pavlloviç Çllakov, që në fund të viteve tridhjetë të shekullit XX-të, me avionin e vet kaloi, nga poli i veriut në Kanada, Amerikë! Dhe shkolla ku ai mësoi, mori emrin e tij, që e ka edhe sot. Atje studioi, për katër vite. E mbaroi shkollën në shtator të vitit 1957. Nga pesë veta që ishin, katër mbaruan shkëlqyeshëm, dhe morën gradën më të lartë Toger, një nga këta ishte edhe Çobo Skënderi.  Mbas kthimit në atdhe, u dhanë leje një muaj. Pastaj shkoi në Kuçovë, si efektiv i Regjimentit luftarak. Çobo Skënderi, ishte përgatitur për avionin reaktiv MiG-15. Të gjithë emrat e avionëve, në ish-Bashkimin Sovjetik, madje edhe sot, kanë emrat e konstruktorëve, si p.sh. Tu-104, është i Tupolievit- II-14, gëzon emrin e Llushin, ose Jak-18 dhe Jak-11, kanë emrin e Jakovelit, ashtu si edhe Migët, kanë emrin e konstruktorit Armenianit, Mikojan.     Në vitin 1959, Çobo, së bashku me njëmbëdhjetë pilot të tjerë, shkojnë sërish në Bashkimin Sovjetik, në afërsi të Moskës, për të kaluar në avionin supersonik MiG-19 PM, një tip i përkryer. Jo vetëm, që kishte një shpejtësi të jashtëzakonshme për kohën por supersoniku ishte i pajisur edhe me radar, dhe si armatim kishte katër raketa, të cilat i komandoje, nga kabina e secilit. Ato mund ti lëshoje të katra njëherësh, ose dy e nga dy, apo edhe një e nga një, si të dëshiroje.

Kur dhe si shkuat në Bashkim Sovjetik për pilot?

Në shtator 1953, më doli bursa për studime në Bashkim Sovjetik, për pilot, ku atje kam ndenjur katër vjet- 1953-1957. Na shpunë në shkretëtirën e Karakumit, e cila ndodhej në lindje të Detit Kaspik, që ka një sipërfaqe rreth 326 mijë kilometra katrore. Përgatiteshim në kushte reale. Përgatitje speciale. Atje u vendosëm në një Hotel Ushtarak, në afërsi të qytetit të Krasnovodskut, që ndodhej në lindje të detit Kaspik, afër kufirit me Iranin. Avionët pa pilot i merrnin në krahë avionët bombardues, dhe në një vend të caktuar i lëshonin. Ne duhet që t’i kapnim dhe t’i eliminonim, apo asgjësonim avionët pa plot. Ata avionë pa pilot, në vend të karburantit, kishin barut, me të cilin ndiznin motorin, dhe merrnin shpejtësi, gati si supersonik. Me atë furnizim, ata mund të fluturonin tetë minuta. Në një situatë stërvitjeje (atë kohë) më caktuan shoqërues të çiftit të parë shqiptar. Nga toka u udhëzuan, që kur të ngriheshin në ajër, të ngjiteshim në lartësinë 14 mijë metra, ku ndodhej objekti. Sipas urdhrit u ngjitën në çift, dhe morën lartësinë e duhur. Nga toka i drejtonte një radar i fuqishëm për të gjetur objektin. Komandanti i çiftit e pa dhe filloi të manovronte, për ta futur në radarin e avionit, dhe që andej në shënjestër për ta eliminuar. Pilotimi qe i shkëlqyer, dhe në distancën e duhur, ai, qëlloi, por nuk e rrëzoi, sigurisht prej ndonjë defekti. Piloti Rus, që i shoqëronte (ata shoqëronin cilindo nga çiftet, me qëllim, që nëqoftëse, nuk e rrëzonin, atë objekt, duhej, që pa tjetër të eliminohej prej atyre, se, sa të mbaronte karburanti, pasi mund të binte në detin Kaspik mbi ndonjë anije). Kështu ai më urdhëroi mua, që të veproja kundër avionit pa pilot, dhe fati e deshi që e rrëzova, isha i pari nga grupi im. Theksoj nga grupi, se në atë kohë, në atë poligon, apo Karakum, kishte nga dymbëdhjetë pilotë, prej të gjitha vendeve të Traktatit të Varshavës. Në atë mjedis, shqiptarët kishin dy pilot të Klasit të Parë, kurse të tjerët ishin të klasit të tretë, klasë që  rusët e quanin me humor, si klasë, që ishte sa për të lidhur  “rripin e pantallonave”. Si rezultat i një stërvitjeje tepër të përkushtuar, në një temperaturë, rreth 66 gradë plus, zumë vendin e dytë, mbasi, nga dymbëdhjetë veta, që ishin rrëzuan dhjetë avionë. Efektivi i pilotëve Sovjetik, që ishin mësuesit e këtyre pilotëve shqiptar, theksuan se ishte një sukses. Me këtë rast, vunë lekë dhe ju bëjnë një dark përcjellëse të shkëlqyer. Po kjo ceremoni vazhdoi edhe në mbrëmje, ku ata morën me vete edhe familjet e tyre, dhe organizuan mbrëmjen në shtëpinë e oficerëve, me orkestër, me kor dhe humor, si asnjë herë tjetër. Në ditët e para të nëntorit, të atij viti u kthyem në atdhe. Atë kohë aerodromi i Rinasit, kishte përfunduar. Atje u vendos skuadrilja, me komandant pilotin e Klasit të Parë Haki Jaupasin. Avionët supersonik kishin ardhur, por ende nuk ishin montuar.

-Kur u montuan?

Për festën e 15 vjetorit të çlirimit, më 29 Nëntor 1959, u mundësua montimi, vetëm për tre avion. Në këtë paradë, mbas Regjimentit të Kuçovës, u ngritën edhe tre avionë prej Rinasit. I pari ishte Lulo Musai, i dyti Kosta Dede dhe i treti unë, që kaluam mbi tribunë. Një vit më vonë më 1960, shkuam sërish në Bshkimin Sovjetik, mbasi ishte, si rregull, që një herë në vit duhej të bëje qitje kundër avionëve pa pilot. U vendosëm në qytetin Astrahanit, ku derdhet Vollga.  Duhet pohuar se, pritja e shqiptarëve prej efektivit inxhiniero-teknik Sovjetik, këtë herë ishte mjaft e ftohtë, mbasi politika jonë kishte kthyer fytyrën nga Pekini, që në konferencën e Bukureshtit. Nuk u përgatitëm, si më parë, nuk rrëzuam asnjë objekt, apo avion pa pilot. Shkak ishte se, teknika, që u vunë në dispozicion, nuk funksiononte, si duhej, nuk punonte radari dhe as aparati i raketave.

Kështu që u kthyem me duar bosh.

-Si  vazhdoi   rruga e jetës në aviacion?

Në vitin 1962, Skuadrilja u bë Regjiment, dhe si komandant u caktua Nënkolonel Niko Hoxha. Ai kishte qenë partizan në moshë 16 vjeçare. Ishte njeri i mrekullueshëm, oficer, pilot i talentuar dhe trim e guximtar i jashtëzakonshëm. Në vitin 1958, në qytetin e Kuçovës, mësoi e diplomoi, për herë të parë pilot luftarak të Klasit të Parë në Shqipëri. Si bashkëshorte kishte të bijën e Gjeneral Spiro Moisiut. Duhet theksuar edhe një herë se, Niko Hoxha kishte cilësi të rralla. Ai për vit të Ri, kur shikonte se si filani, apo X a Y, kishin dalë me rezultate të larta, i ftonte për drek në shtëpinë e vet. Ishte i paimitueshëm, nga të gjitha drejtimet. Si njeri, si shef e si komandant. Sa erdhi nga Rinasi si komandant Regjimenti, i mblodhi pilotët dhe ju tha: “Ju me të vërtet jeni pilotë të supersonikut, por mungon Klasi i Parë. Atdheu na do që të jemi të kualifikuar, si të gjithë pilotët e vendeve fqinjë, për të mbrojtur kaltërsinë e qiellit tonë. Kështu, që këtë vit duhet të stërviteni për ta marrë atë titull aq të domosdoshëm”. Dhe stërvitja filloi mjaftë intensive, duke fluturuar ditën dhe natën, në të gjitha kushtet e kohës e të motit, dhe kryesisht në ditë apo net me re. Ajo që duhet të theksohet, ishte se patjetër fluturimin e parë, në të gjitha kushtet atmosferike e kryente vet, Niko Hoxha. Nga fundi i vitit 1963, kishin ngelur tre, katër fluturime natën në re, pasi mungonin kushtet e motit. Ata që përgatiteshin për të fituar titullin e pilotit të Klasit të Parë, ishin tetë veta. Disa prej pilotëve jetonin në fshatin Valias afër aerodromit, ku ishte edhe vet Nikua familjarisht!. Disa prej nesh jetonin në Tiranë, ndërsa beqarët në Rinas.Më kujtohet si, sot, që ishte një ditë e diell, kur unë së bashku me time shoqe, kishim shkuar në Kinema Partizani. Aty, nga ora katër, dëgjoj një zë, buçitës apo gjëmues: “Nëse këtu ndodhet Çobo Skënderi, të dali jashtë, se e kërkojnë!”. Dola, dhe ushtari më njoftoi se, komandant Nikua, ka dhënë alarm, që të shkoni urgjentisht sa më parë në Rinas, mbasi sonte do të ketë kushte të favorshme meteorologjike, për fluturim natën në re. Ushtarët i kishte vënë në kërkim të efektivit fluturues. Disa në Tiranë, një në Maminas, ku ishte Mamut Hysa, në Ndroq ishte Halit Bulku. Në orën pesë pasdite na mblodhi Nikua dhe na dha udhëzimet. Sa u err, mori avionin e vet dhe u ngit në ajër për të kontrolluar kushtet atmosferike, si dhe lartësinë e tyre, sidomos shtresën e poshtme të reve, ngarkesën elektrike, lëkundjet, e të tjera fenomene. Sa u kthye, na rreshtoi dhe na tregoi, se ato kushte nuk qenë aq të qeta, prandaj na pyeti: “Si thoni do fluturojmë?”. Të gjithë një zëri: Pooo! Ai u bë me flatra. Secili shkoi në avionin e tij, dhe filluam  fluturimet. Kur mbaruam, aty nga ora një e natës, sa u ul avioni i fundit, Niko Hoxha, që i drejtonte, lëshoi në ajër tetë fishekzjarrë! Në atë errësirë pusore, ndezi qiellin flakë prej gëzimit. U vendosëm në start, ku ndodheshin të gjithë së bashku, dhe na përqafoi, me një dashuri atërore tejet të veçantë. Kështu më 24 prill të vitit 1963, përkoi me ditën e krijimit të aviacionit, ku u mblodh gjithë Regjimenti, në kinemanë e repartit dhe u komunikua: Ju japim medaljet e trimërisë dhe titullin “PILOT I KLASIT TË PARË”, të firmosur nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Haxhi Lleshi.

-Si u rrëzua Niko Hoxha?

 

Niko Hoxha, si oficer enciklopedik, përveç pilotimit në aviacion, jepte mësim edhe në Akademinë Ushtarake në Tiranë, sigurisht për artin ushtarak. Më kujtohet si tani…ishte 20 tetor i vitit 1965. Efektivi i pilotëve, atë ditë do të kryenin qitje në malin e Krujës, kundër objekteve tokësore. Një ditë më parë, Kolonel, Niko Hoxha, në orën e mësimit u kish thënë oficerëve: “ Nesër do të jetë kohë e mirë, ejani në Rinas, dhe do tu shpiem afër poligonit, për të parë nga afër qitjen, që do bëjnë pilotët me avionët supersonik, kundër objekteve tokësore. Do të vini, nëse, nuk do të ketë re mbi malin e Dajtit. Por qielli ishte i mbushur me re, aq sa nuk dukej as Kruja, dhe jo më mali përmbi të. Pritej mos hapej koha, por më kot. Atëhere Nikua, jep urdhër që fluturimet të anuloheshin, dhe teknika të hiqej nga starti. Urdhri u zbatua me përpikëri. Kur po largoheshin nga starti në drejtim të Hotelit të beqarëve, pa pritur po vinte një autobus. Niko Hoxha u habit, pse erdhën këta. Po kush janë këta, shoku komandant? Ata janë nxënësit e mi të Akademisë. Ata kanë ardhur të shikojnë qitjen. Niko urdhëron: Lini në start katër avion, me të cilët do fluturojmë ne, që nuk kemi realizuar qitjen si, Çobo Skënderi, Kosta Defe, Bilal Josa, dhe Zia Memi. Shkoni në fund të pistës dhe vizatoni me gëlqere, një rreth me përmasat e avionit. Urdhri, nuk kundërshtohej, prej askujt, ishte urdhër i prerë. Mua më caktoi, të merresha me oficerët, ti shpija në klasën taktike, dhe t’ju shpjegoja mënyrat e qitjes deri sa avionët të bëheshin gati për fluturim. Kur avionët të ngriheshin në ajër, t’i shpija oficerët në afërsi të vendit, apo rrethit, ku do të zhvillohej qitja.

Avionët u ngritën në ajër, dhe Niko Hoxha i pari mori drejtimin për qitje, duke demonstruar teknikën e përkryer të pilotimit. Në një lartësi e futi avionin në pikiatë dhe hapi zjarr. Unë, po i ndiqja me vëmendje. Me ndërprerjen e qitjes, nxori avionin nga pikiata. Ndërkohë po shikoja dhe u shtanga, avioni ai me turi lartë, po vinte drejt tokës, aty u përplas. Këtu Niko Hoxha i dha fund jetës. Por shkaku i vërtet nuk dihej, pasi, siç thonë shkencëtarët Amerikanë: -Atë të vërtetë e merr me vete, ai që ikën! Niko Hoxha ishte gjigant dhe vdekja e tij na shkaktoi një dhembje të madhe, na shkaktoi një tragjedi dhe hidhërim të madh. Ishte tronditëse, si për ne shokët dhe kolegët i tij, që u ndodhëm aty pranë, e në veçanti për familjen dhe të afërmit e tij.

       Kujtimi i “Heroit të Popullit” Niko Hoxha, do të jetë i përjetshëm, si një yll, që nuk ka për të perënduar, kurrë prej qiellit.

Lidhja juaj me librin pasi keni shumë poezi dhe tregime të botuara?

Në vitin 1959, ndodhesha me pushim në shtëpinë e oficerëve në Durrës. Meqë isha i abonuar në shtypin Sovjetik, sidomos në veprat e zgjedhura të Aleksandër Pushkinit, e të Sergej Eseninit, më bie në dorë një prej vëllimeve të Sergeit, ku lexoj: “Poetë të vërtet janë çobanët, mbasi ata, jetojnë tërë jetën në natyrë, duke par lindjen e perëndimin e diellit e të hënës, këputjen e yjeve, ylberet, si dhe furinë e erës e shkreptimat e vetëtimave dhe bubullimat…”

Këto dy rreshta, apo, ky mendim filozofik më frymëzoi për të shkruar një poezi, që mban titullin:”BIJ ÇOBANËSH NEVE JEMI”, që e ka kënduar Grupi Polifonik, i Bënçës, me në krye bilbileshën, zonjën Paro dhe zotin Golik, së bashku me grupin fantastik, të cilët janë yje të rrallë të këngës Labe.

-Ku keni botuar kryesisht?

Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kam punuar në shtypin ushtarak, në gazetën “Luftëtari” dhe kam drejtuar si, Kryeredaktor Gazetën “Veterani”. Meqë zotëroja mirë gjuhën Ruse, kam përkthyer dhe kam botuar me dhjetëra  poezi, të korifenjve të artit poetik rusë dhe ish-BS si “Kur do të mbaroi Lufta” të Nurdal Grinit nga Norvegjia, si dhe “Demonin” e Lermotovit, dhe mjaft poezi të poeteshës armene Silva Kaputjisen mandej  romane e novela si: “Puthja e judës”, “Egërsia e Dimrit”, “Lushia e Rubinit”, “Bijtë e Qiellit”, “ U zgjova”, “Shota”, “A vritet dashuria”, ”Dasma e vonuar, “Shpirt Brengosura”, etj.

Në jetën ushtarake si pilot, çuditërisht më kishin vënë në dispozicion të Komandantit të aviacionit kolonel, Edip Ohrit pilot i Klasit të Parë..

***

       Një “kthesë” e beftë përjashtohet nga ushtria si nip i gjeneralit Hito Çako

Në vitin 1974, filloi fshesa, për ata që u quajtën “armiq të popullit”. Por kjo, nuk u ndal vetëm tek familjet e tyre, por edhe tek të afërmit. Çobua ishte nipi i Hito Çakos të cilin diktatura, e quajti “Armik i Popullit”. Po kështu u quajt edhe Çobo Skënderi dhe familja e tij. Një moment kritik, kur Çobon e lajmëruan  “mos u kthe  në repart”. Ishte shkarkuar nga të gjitha detyrat. Hakmarrja, e zemërzinjve nuk kurseu as familjen e Çobos. Askush nuk hynte e dilte te shtëpia e tyre, të gjithë, sidomos të afërmit, po edhe komshinjtë, nuk komunikonin, dhe as flisnin, me këtë familje “të goditur”, si armik, pasi diheshin edhe pasojat. Ata ishin të burgosur në shtëpinë e tyre. Për shkak të luftës së klasave, ai nuk merte pjesë në dasma apo hidhërime. Enver Hoxha diku ka thënë se         Hito Çako kishte emëruar nipin e tij në avionin qeveritar ndoshta me qëllim të caktuar. E pabesueshme Hito Cako ishte një gjeni në ushtri ndërsa Cobua një aviator dhe patriot korrekt!  Çobua e duroi edhe këtë dhembje të madhe, sepse rridhte, nga një familje burrërore dhe njerëzore, që kanë shpalosur historikisht, trimërinë dhe patriotizmin shqiptar. I tillë ishte edukuar dhe mbeti edhe Çobo Hibro Skënderi, gojëmjaltë.