Rrëfimet e Qemal Lames/ Pse nuk pranova të bëheshin arrestime gjatë protestave në Shkodër. Platforma e Sigurimit dhe si më raportoi zv/ministry Zylyftari tek Simon Stefanin dhe Ramiz Alia

754
Sigal

Kujtimet e Qemal Lames, ish-Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë:

Ramiz Alia  kërkon të mos rrimë në pritmëri, porosit arrestime dhe informacione

-Ramiz Alia  dërgon porosi të thërrasim personat që dyshojmë për t’i pyetur

– Zëvendësministri, Zylyftari, raporton ministrin Simon Stefani dhe Ramiz Alinë për qëndrimin tim për zbatimin e ligjit

– Sigurimin i Shtetit, vepronte në bazë të platformës së miratuar nga Byroja Politike.

-Në dhomat e izolimit Sigurimi i Shtetit kishte futur 12 persona në kundërshtim me ligjin

– Sigurimi i shtetit nuk do të rrijë si më parë, – reagoi Zylyftari ndaj meje. – po nuk pyetëm njerëz, nuk marrim dot të dhëna. Kemi porosi për të vepruar në këtë mënyrë. Shoku Ramiz Alia  kërkon të mos rrimë në pritmëri. Ai porosit të thërrasim personat që dyshojmë,  për t’i pyetur dhe për t’i parandaluar nga veprimtaria kundër shtetit. Këtë ai e përsëriti prapë para pak kohe. Prokurorin e njoftuam kur bëmë ndalimet. – Çdo veprim duhet bërë në bazë të ligjit. Unë nuk jam kurrë dakord me këtë metodë pune të paparashikuar  në  kodin e procedurës  penale dhe në ligjet në fuqi. Në kundërshtim me ligjin nuk mund të vendosen praktika të reja pune për Sigurimin e Shtetit. Kur dola nga kjo zyrë, nuk e pashë më atë grua, as të shoqin e saj dhe as qytetarë të tjerë nëpër shkallët e në oborrin e degës. Kuptohej që bëri efekt të menjëhershëm fakti,  që unë vajta në degë për të parë konkretisht situatën. Bindja e padiskutueshme dhe veprimtaria në bazë të orientimeve  të udhëheqjes së partisë  së punës, ishin tipike për organet  e punëve të Brendshme, si dhe të ushtrisë. Në mënyrë të veçantë për  Sigurimin e Shtetit,  që vepronte në bazë të platformës së miratuar nga  Byroja politike. Për këtë qëllim zgjidheshin dhe emëroheshin edhe drejtuesit e armës  së Sigurimit të Shtetit. Kështu, emëroheshin drejtues që kishin besimin politik, megjithëse nuk kishin asnjë njohuri dhe aftësi profesionale agjenturore. Kjo ndikonte që të krijohej një disnivel  i dukshëm arsimor dhe profesional me oficerët që kishin mbaruar shkollën e lartë të Ministrisë  së Punëve të Brendshme.  Pas ministrit, zëvendësministri, Zylyftar Ramizi, ishte personi tipik që i ishte besuar drejtimi i Sigurimit të Shtetit. Ai e kishte zakon të tregohej  i  pushtetshëm me vartësit e tij. Ai  referohej direkt te Ramiz Alia,  kur i viheshin në dukje  shkeljet ligjore dhe i prishnin planet e tij të operacioneve operative të paligjshme, Zylyftari e shfrytëzonte mirë  rastin për të treguar dhe imponuar,  që ishte personi më i besuar që komunikonte direkt dhe merrte urdhra nga Ramiz Alia. Me këtë përpiqej të mbulonte edhe paaftësinë  e tij profesionale  ndaj vartësve të aftë  dhe me shumë  përvojë agjenturore. Prandaj edhe vartësit e kishin frikë. Ai ishte personi që i besoheshin nga ministri dhe direkt nga Ramiz Alia, si dhe veprat që mbeteshin enigmë për opinionin shoqëror dhe drejtësinë. Arma e Sigurimit të Shtetit, në shërbim direkt të partisë, kishte në krye edhe njerëz  të  tillë që ishin të gatshëm të vepronin me bindje tw verbër dhe me përkushtim.

Shkeljet e ligjit

Shkeljet e ligjit i bëjnë frikacakët,  ata persona që guxojnë të kryejnë veprime në kundërshtim me rregullat e caktuara.  Sado pushtet të madh politik ose policor e agjenturor që të kenë, ata nuk janë aq  trima sa të vazhdojnë  të kryejnë  haptazi veprime që  përbëjnë  shkelje ligji. Kur këto veprime zbulohen,  dihet se  personi fajtor kërkohet të merret  nën përgjegjësi penale dhe të dënohet për pasojat e shkaktuara. Në këto raste, sado pushtet që të ketë urdhëruesi, kur urdhri i dhënë  zbulohet dhe demaskohet  publikisht, ai tërhiqet dhe merr masa që të shpëtojë nga përgjegjësia  personale  e tij direkt, duke ua kaluar përgjegjësinë  për pasojat  e ardhura, personave  të tjerë në vartësi të tij. Megjithatë, ata nuk tërhiqen aq shpejt. Këta persona me pushtet, të cilët përdoren për qëllime të këqija, do të hakmerren  me format më të ndryshme dhe me egërsinë  primitive të njeriut të zhytur  në veprime të paligjshme. Këta dinë të hakmerren, duke vënë në dijeni dhe duke kërkuar ndihmën e më të fuqishmëve që i urdhërojnë dhe i përdorin si vegla për qëllimet e ruajtjes së pushtetit. Personat që nuk kanë nivelin e mjaftueshëm kulturor dhe  arsimor përkatës, njerëzit me horizont të ngushtë në mendje dhe me vese të këqija në ndërgjegje dhe cinikë e hakmarrës në shpirt, mbeten gjithmonë të vegjël në gjykime dhe veprime. Ata e tregojnë fytyrën e karakterin  e tyre agresiv dhe të rrezikshëm  për shoqërinë, në rastin  më të parë kur cwnohen interesat për të cilat veprojnë me bindje të verbër. Këta kundërveprojnë egërsisht, në rastin më të parë që kërkohet mbrojtja e idealeve për të cilat janë betuar  dhe  shfrytëzojnë  çdo mundësi  për të manovruar  me anë të pushtetit, dinakërisë dhe dhunës.  Këto mendime më silleshin  në kokë në kohën që po largohesha nga ajo zyrë për të shkuar në dhomat e izolimit, duke marrë në brendësi të ndërgjegjes gjendjen e njerëzve të ndaluar që trajtoheshin padrejtësisht, por që, në ato rrethana, unë  nuk kisha mundësi  më shumë për   të kundërshtuar. Unë po bëhesha më i ndërgjegjshëm  për pasojat e shpejta që më prisnin për të më ndëshkuar, për mosbindjen dhe mospërfshirjen  në këto veprime të paligjshme të urdhëruara  nga vetë  Ramizi. Kryesore mendoja se ishte fakti që njerëzit u larguan dhe nuk do të thirreshin më, kështu pasivisht, për t’u treguar forcën dhe për t’i frikësuar.  Zëvendësministri, Zylyftari, me siguri ka raportuar edhe për qëndrimin tim,  dhe ka vënë menjëherë në dijeni me anë të telefonit,  ministrin Simon Stefani dhe  Ramiz Alinë, sapo unë kam dalë nga ajo zyrë. Ata do ta ndiejnë drejtësinë e reagimit tim të ligjshëm. Kjo ka rëndësi për mua. Nuk do të kenë më kurajë  të vazhdojnë  të frikësojnë  njerëzit me thirrje, pyetje dhe presione të tjera të paligjshme. Le ta ndiejnë edhe  distancimin tim. Rrugët ndahen,  kur veprohet në kundërshtim me ligjin dhe luhet me mendjelehtësi me popullin,  edhe kur për këtë  vendos padrejtësisht ai, që ka pushtetin më të madh në shtet. Heshtja apo qëndrimi përulës,  për të ruajtur karrigen që ke, është me pasoja të rënda për vete dhe të tjerët në të ardhmen. Kështu, përforcohej konkluzioni im, që të isha i kujdesshëm dhe të bëja punën time në bazë të ligjit. Për aq kohë sa do të isha në atë detyrë, isha i bindur të mos lejoja të thelloheshin padrejtësitë  dhe  represioni  shtetëror. Në  qëndrimet që  mbaja, isha i  vetëm. Kundër  kisha drejtuesit e  ministrisë  së  Brendshme, prokurorin  e  përgjithshëm  dhe  kryetarin  e Gjykatës së Lartë. Këtë e kisha ndierw  prej vitesh. Në këtë situatë  të rënduar politike, qëndrimi im po luftohej  më haptazi. Isha i ndërgjegjshëm për të përballuar çdo pasojë që do të vinte, por shkelje ligji nuk do të lejoja. Vazhduam rrugën për në dhomat e izolimit. Edhe pasi u shkëput hetuesia si organ i pavarur, ato mbetën po pranë këtyre zyrave, po në territorin  e  Degës së Punëve të Brendshme.

Dega e Punëve të Brendshme tërësisht e varur

Mendoja me keqardhje,  që nuk arrita prej vitesh t’i hiqej ministrisë së punëve të Brendshme kompetenca  e saj për organizimin dhe vartësinë  e dhomave të izolimit. Megjithë  përpjekjet e bëra dhe argumentet e parashtruara në organet më të larta shtetërore për riorganizimin e dhomave të izolimit dhe të burgjeve, vartësia e tyre nuk ndryshoi. Rritja e objektivitetit në hetime dhe gjykime, si dhe respektimi më mirë i të drejtave të të ndaluarve dhe të burgosurve, shtronte nevojën e shkëputjes të tyre nga ministria e punëve të Brendshme. mungesa e ministrisë së Drejtësisë ndihej edhe më shumë në këtë periudhë të rritjes së tensioneve shoqërore dhe të masave për ruajtjen e pushtetit personal nga udhëheqja.

Hyra në dhomat e izolimit për t’u njohur konkretisht me punën e lodhshme të hetuesve që bënin me të ndaluarit.

Ishin 12 persona të ndaluar nga Sigurimi i Shtetit, deri në atë kohë. Sipas rregullave proceduriale, ata po pyeteshin nga hetuesia si të dyshuar, për t’u marrë shpjegime dhe sqaruar të dhënat në ngarkim të tyre. Më shoqëroi kryetari i hetuesisë së rrethit, në disa pyetje që drejtova direkt. Por nuk ishte e nevojshme të ishim bashkë në pyetjen e të ndaluarve, prandaj e porosita që të merrej konkretisht me pyetjen e të ndaluarve të tjerë, si dhe për të lehtësuar hetuesit në punën e tyre. Atje gjeta edhe prokurorin e rrethit, Feriat Brati, të cilin e kishin lajmëruar të vinte në dhomat e izolimit, edhe ai dëgjonte dhe ndërhynte aktivisht ndaj të ndaluarve për të dhënë shpjegime. Prania e prokurorit gjatë pyetjes së të pandehurve nga hetuesi, ndihmonte që ai të krijonte direkt bindjen e tij për zbatimin e ligjshmërisë për ndalimin e personave të dyshuar, për t’u sqaruar dhe saktësuar të dhënat paraprake dhe jo të plota, të cilat sigurimi kishte dërguar në hetuesi. Dyshimet dhe të dhënat ligjore që kërkohej të ishin administruar para ndalimit të atyre personave, do të shërbenin për të argumentuar akuzat që do të mund të bëheshin ndaj personave të dyshuar si fajtorë. Akuzat ishte e domosdoshme që të bazoheshin në prova që administroheshin nga hetuesia sipas kodit të procedurës penale, si dhe në elementët e veprës penale të parashikuar shprehimisht në kodin penal.

Nga llogaritjet e bëra, në bazë të shpjegimeve të dhëna në mbledhjen e komitetit të partisë, pyetjes së të dyshuarve dhe raportimeve nga hetuesit, krijova mendimin se mund të ishin thirrur për t’u pyetur disa qindra persona. po të ishte e vërtetë se afro 60 kuadro me funksione drejtuese dhe punëtorë operativë nga Dega e punëve të Brendshme dhe të ardhur nga ministria e punëve të Brendshme, secili kishte marrë si detyrë të pyeste afro 10 persona, sipas ndarjes operative të zonave, dilte se mund të ishin thirrur dhe pyetur në ambientet e Degës së punëve të Brendshme dhe në vende të tjera të caktuara afro 600 persona të dyshuar. Mund të thuhej se ishin thirrur, pyetur, paralajmëruar dhe kërcënuar me zbatimin e ligjit, me masat për ndalime, internime dhe dënime penale, pothuajse të gjithë qytetarët e dyshuar nga Sigurimi dhe policia, pra një pjesë e mirë e qytetarëve shkodranë.

Gjendja e shkeljes së të drejtave të qytetarëve ishte e rëndë. Sigurimi dhe policia vepronin me dorë të lirë, në bazë të urdhrave direkt nga lart, për të vepruar pa kufizim, gjë që konkretizonte dhunën shtetërore me bekimin e udhëheqjes.

Sigurimi i Shtetit, me Zylyftar Ramizin në krye, si dhe drejtuesit e tjerë më të rëndësishëm, pretendonin se kishin zbuluar e ndaluar organizatorët e demonstratës të kryer për herë të parë në mënyrë masive në qendër të qytetit gjatë viteve të socializmit. Ky demonstrim i paligjshëm parashikohej nga kodi penal në fuqi si krim kundër shtetit të diktaturës së proletariatit.

Zbulimi dhe ndalimi i organizatorëve të demonstratës brenda disa orëve, ishin pretendime absurde. nuk  mund të  ishte bindës dhe  nuk mund të pranohej, se në ato kushte sigurimi kishte arritur të realizonte një goditje masive aq spektakulare. Falsiteti mbështetej me dyshimet se Sigurimi i Shtetit nuk e njihte mirë situatën dhe njerëzit nuk pranonin të jepnin shpjegime. Në ato rrethana politike dhe sociale të fillimit të lëvizjes demokratike, njerëzit ishin më të predispozuar për të heshtur, si dhe të mbronin ata që kishin guxim të vepronin haptazi, sesa të jepnin shpjegime, edhe po të ushtrohej dhunë.

Hetuesi Kujtim Ymeri po pyeste një të ndaluar, i cili thoshte se:

– Nuk kam qenë në demonstratë. në kohën e zhvillimit të demonstratës, kam qenë për të parë një të afërmin tim në spital. Për demonstratën kam dëgjuar dhe kam dijeni, si gjithë qytetarët e tjerë shkodranë, prej disa ditëve. Do të kisha vajtur edhe unë në demonstratë, po të mos kisha detyrimin familjar për të vajtur në spital.

Nga këto të dhëna, kuptohej dhe krijohej bindja se i pandehuri ishte i sinqertë në shpjegimet e tij. Ai fliste me fakte të verifikueshme dhe bindëse. Pyeta hetuesin se për çfarë akuzohej i ndaluari?

– Akuzohet për organizimin e demonstratës, si dhe për rrëzimin e monumentit të Stalinit, në bazë të veprave penale të parashikuara nga nenet 50, 52 dhe 55 të kodit penal.

– Çfarë provash dhe të dhënash të administruara ka në ngarkim të tij?

– Nuk më kanë dhënë materiale, as procesverbal ndalimi nuk është bërë nga Sigurimi i Shtetit që e ka ndaluar dhe futur në dhomat e izolimit.

– Pse? Si është ndaluar ky person pa u respektuar ligji? Si mund të ndalohet pa prova një person i dyshuar nga Sigurimi?

 

– Kështu janë të gjithë të ndaluarit e sotëm, – më plotësoi mendimin hetuesi. – nuk ka prova dhe dokumente. Kryetari i hetuesisë dhe prokurori i rrethit më thirrën këtu në degë, në dhomat e izolimit dhe më thanë që të fillojnë hetimin me të ndaluarit që po bëheshin pak më parë nga Sigurimi i Shtetit. Dokumentet e nevojshme do të na i sjellin më vonë.

– Si mund të ndodhë kështu?! pse pyet dhe heton pa dokumente proceduriale? Hetuesi vepron në bazë të ligjit, të provave, me bindjen e tij të brendshme juridike dhe jo me urdhra. Askush nuk ka të drejtë të japë urdhra të paligjshëm. Hetuesi  nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjin dhe nuk mund të pajtohet me shkeljet e ligjit. Mbi ligjin nuk ka asnjë interes tjetër. Të zbatohet ligji, – urdhërova.

– Si urdhëron, shoku kryetar, – mu përgjigj hetuesi, i cili tregohej…

Nesër do të lexoni:

– Frika ndaj hetuesisë, ishte kultivuar kohë më parë nga e kaluara e gjatë e metodave të dhunës

-Të arrestuarit: Stalinin nuk e lidh asgjë me Shkodrën