Rrëfen Spiro Mëhilli: Kërkimet për të gjetur anijen spitalore “PO”, ku ishte infermiere Edda Çiano, vajza e Duçes

408

Rrëfen Spiro Mëhilli: Ja si i morëm në dorëzim katër nëndetëset nga sovjetikët, gjatë provave nëndetësja shpëtoi nga mbytja

Sigal

l Në nëndetësen 105 ishin komandanti i brigadës së nëndetëseve I.S.Jegorov dhe komandanti i brigadës së shqiptarëve, Dashamir Ohri

l Nëndetësen e drejtonte Petrit Myftiu dhe instruktor, kapiteni i rangut të tretë, Komarov

l Komandat e gabuara e indinjuan Jegorovin, pasi mund të çonin në fundosjen e anijes dhe dramën e gjithë ekuipazhit

l Në muajin korrik 1960, palombarë sovjetikë, midis tyre dhe shqiptari Xhavit Belba, u zhytën për të hulumtuar spitalierin italian “PO”

Anija spitalore ishte mbytur në gjirin e Vlorës, afër bregut në pranverën e vitit 1941 dhe kishte ardhur për të tërhequr të plagosurit italianë

 

Pala shqiptare pretendonte se ekuipazhet e katër nëndetëseve ishin të aftë për t’i marrë në dorëzim, sovjetikët bënë disa testime. Qershor 1960. Nëndetësja nr.4 u planifikua për një dalje ditore në poligonin nr.4 në perëndim të Sazanit. Thellësia maksimale 200 metra. Kjo dalje u bë për të parë aftësinë e oficerëve dhe marinarëve shqiptarë për të drejtuar një nëndetëse. Në bord ishin komandanti i brigadës së nëndetëseve I.S.Jegorov dhe komandanti i brigadës së shqiptarëve Dashamir Ohri. Nëndetësen e drejtonte Petrit Myftiu dhe instruktor kapiteni i rangut tretë Komarov. Si u shkëputë nga bankina, nëndetësja u diferencua në poligon dhe pasi doli mbi ujë, për rreth 1 orë e 30 minuta me shpejtësi lundrimi 10 milje në orë, mbërriti në poligonin e stërvitjes. Pas disa minutave komandanti i saj Petrit Myftiu urdhëroi:

– Nëndetësja të kalojë në zhytje, 25 metra thellësi.

– Si urdhëron, 25 metra thellësi.

– Në terrin e detit, nën drejtimin e busullave nëndetësja vazhdoi të lundronte për një orë.

Komandant Jegorovi për të provuar aftësinë e komandantit shqiptar urdhëroi:

– Të punohet me dy motorë.

Petrit Myftiu përsëriti urdhrin:

– Të lundrohet me shpejtësi 13.7 milje në orë.

Pas 2-3 minuta lundrimi Jegorovi përsëri tha:

– Dy motorët gjithë forcën “përpara”!

Nëndetësja çante në thellësi, kur u dha urdhri i dytë:

– Stop motorët. Dy motorët, gjithë forcën prapa!

Kryemotoristi Xhemal Çala vendosi me shpejtësi timonët në pozicionin e zhytjes duke harruar se nëndetësja ecte përpara, për rrjedhojë nga që timonët u vendosën para kohe në “zhytje”, ajo filloi të zhytej, por tani me një diferencë, që shkonte gjithnjë duke u zmadhuar nga bashi dhe kur diferenti arriti në 300 në bash, gjë që në këtë diferent nëndetësja duhet të mbahet mirë për mos t’u përmbysur, Komarovi urdhëroi Enver Pajengën:

– Jep një flluskë me ajër në të tria cisternat e bashit.

Duke thyer rregulloren, pa dashur dha një urdhër gabim:

– Shfryni dy cisternat e grupit të mesit!

Nëndetësja doli pothuajse e tëra në sipërfaqe në gjendje pozicionale. Komandat e gabuara e indinjuan Jegorovin, pasi mund të çonin në fundosjen e anijes dhe dramën e gjithë ekuipazhit.

Hulumtimet për vaporin spital “PO”

Në muajin korrik, palombarë sovjetikë, midis tyre dhe shqiptari Xhavit Belba, u zhytën për të hulumtuar spitalierin italian “PO” të mbytur në gjirin e Vlorës, fare afër bregut në pranverën e vitit 1941. Anija spitalore kishte ardhur për të tërhequr të plagosurit italianë. Midis infermiereve ishte dhe Edda Çiano, vajza e Benitto Mussolinit, e shoqja e Ministrit të jashtëm të Italisë, Kontit Çiano. Ajo kishte mbaruar një kurs për infermiere. Anija u fut në Gjirin e Vlorës në një natë me hënë. Anglezët duke menduar se ajo shërbente edhe si vendkomandë e Musolinit e siluruan me anë të avionëve. Në anije ndodheshin shumë të plagosur. Vdiqën 40 anëtarë të ekuipazhit dhe disa infermiere që Edda i kishte marrë në Dhërmi. Shpëtoi vetëm Edda Çiano duke notuar për rreth katër orë pa ditur se ku shkonte. Për fat të saj në breg ndodhej një motopeshkatare që arriti ta ndihmonte në të gdhirë. Kishe marrë një pneumoni. Pas disa orësh doli në tokë dhe e çuan në spitalin e përgjithshëm. 3-4 orë në ujë nuk është shaka.

Pamje llahtarë

Në zhytje ata panë se anija ishte në gjendje të mirë dhe se kishte dhoma akoma hermetike, ku nga xhamat dukeshin skelete njerëzish që duhej të ishin të plagosur. U bë një shpërthim i detyruar dhe u mor kutia ku ishin shënuar të dhënat e kapitenit[1]. Ngjarje e papëlqyer ishte vdekja e Kapitenit të rangut tretë Zemljanin. Ai kishte pirë gjithë natën. Në mëngjes duke iu marrë këmbët doli në kuvertën e bazës lundruese. Këndonte “Rasia, Rasia rodina maja”[2]. U mbështet në bord dhe u përkul që të villte. Duket iu morën mendtë dhe ra me kokë drejt e në bordin e njërës prej nëndetëseve. U dëgjua zhurmë e mbytur. Ata që ishin të pranishëm arritën të thoshin: “Ndihmë, ndihmë!” dhe asgjë më shumë. U thirr palombari shqiptar Xhavit Belba i cili u zhyt në thellësi tetë metra dhe nxori trupin e pajetë të Zemljaninit.

Prag tragjedie me një nëndetëse

Më 28 tetor 1960 Aleko Prodani gjatë lundrimit me nëndetësen që komandonte, nuk zbatoi rekomandimet e kryeinspektorit sovjetik, në lidhje me ajrosjen e nëndetëses pas karikimit të baterive. Kjo shkelje e urdhrit për pak sa nuk çoi në shpërthim të nëndetëses.

Na ishin një herë pesë femra sovjetike

Në fund të tetorit në Pashaliman papritur u shfaq një grup arkeologësh. Ishin 13 vetë. Numër ters. Trembëdhjetën si numër dhome ose kati nuk e gjen në hotele, radhën 13 nuk e gjen as në avionë. Ja, këtu, në Pashaliman ndodhi. Nga ana e sovjetikëve ishin 5 meshkuj e 5 femra si dhe 3 shqiptarë. Grupin e kryesonin Vladimir D. Bllavatski dhe Dhimitër J. Budina. Emrat Vladimir, Grigori, German, Maria, Tatjana, Elisaveta ishin të njohura nga shqiptarët. Atyre i bënin përshtypje emra të tillë si Iroida apo Dmitr, kurse mbiemrat Zeesi, Onajko,Gunvkin apo Nafkina e kishin të vështirë t’i shqiptonin. Megjithatë pëshpëritej sikur sovjetikët kishin sjellur edhe një grek, sepse njëri prej tyre e kishte mbiemrin Agriropullo. Asnjë nuk e kishte të qartë pse kishin ardhur, çfarë donin e çfarë bënin. Ata vinin vërdallë amfiteatrit, varrit të Pashait dhe gurëve shekullorë që i përkisnin qytetit antik të Orikut. Me aparate fotografikë në duar fotografonin vendet e zbulimeve arkeologjike. Zërat melodioze të arkeologeve mbushnin mjedisin e zymtë të klubit të marinarëve në Pasha, sepse zakonisht ato zbaviteshin në Orikum bashkë me gratë e oficerëve që shërbenin në bazë. Kur sytë e marinarëve u mësuan me praninë e tyre vërdallë mjediseve ushtarake, papritur, ashtu sikundër dhe kishin ardhur, ato u larguan ditët e para të dhjetorit. Në kujtesë mbeti shprehja: “Na ishin një herë pesë femra, pesë sovjetike”, sepse syri i tyre ishte bërë bakër në atë drejtim.

Një gabim i përsëritur

Më 30 dhjetor 1960 komanda shqiptare e dokut dhe komandanti shqiptar i nëndetëses C-358, me gjithë paralajmërimin e instruktorit sovjetik në lidhje me ajrosjen e nëndetëses pas karikimit të baterive, nuk e bëri gjë që mund të shkaktonte shpërthimin e saj dhe vrasjen e marinarëve dhe oficerëve. Pra ishin dy gabime radhazi të njëjta. Shërbimi në nëndetëse paraqet vështirësi sepse ka të bëjë jo vetëm me ajrin e reduktuar në saje të mbylljes hermetikisht, por edhe nga gazrat që lëshojnë mekanizmat gjatë punës, nga hidrogjeni që nxjerrin dy gypat e baterive akumulatore, si dhe nga gazrat që lindin gjatë frymëshkëmbimit të ekuipazhit. Masat e marra për ventilim si dhe për uljen e përqindjes së gazit të hidrogjenit që del nga gypat e akumulatorëve të baterive, pavarësisht se gazi karbonik digjet dhe kthehet në oksigjen, prapë ky ajër është i reduktuar dhe i dëmshëm për shëndetin. Gazi i hidrogjenit digjet me anë të aparateve KP-6. për mos ta lejuar që ai të kalojë 2.5% , sepse mbi këtë përqindje një shkëndi e vogël bën që të ketë shpërthim. Në nëndetësen 4 ndodhi një fenomen i tillë. Mbas përfundimit të riparimit të mesëm, për mos zbatim të rregullave të sigurimit teknik gjatë karikimit të baterive akumulatorë nga bregu, për lejim të rritjes së përqindjes së hidrogjenit mbi normat e lejuara nga mos takimi i aparatit KP-6 për djegien e tij, duke qenë një aparat i takuar, i cili nuk mundi ta përballonte djegien e hidrogjenit, nga një shkëndijë e tij shpërtheu gjithë nëndetësja dhe 3 veta gjetën vdekjen, kurse dy miçmanë u dogjën rëndë.

Marrja në dorëzim e bazës Lundruese “Nemiçkov”

Marrja në dorëzim e bazës Lundruese “Nemiçkov”dhe e 4 nëndetëseve shtyhej nga java në javë. Kundëradmiral Zagrebi gjente pretekste nga më të ndryshmet. Nga hyrjet e daljet e të dy palëve, puna filloi të çalonte. Para një situate të tillë Ministri i Mbrojtjes Popullore, Gjeneral-kolonel Beqir Balluku, u detyrua t’i dërgonte një letër admiralit Gorshkov në Moskë, ku në mes të tjerash i thoshte:

“Anija dhe nëndetëset janë gati të merren në dorëzim. Komanda shqiptare është e përgatitur. Për bazën lundruese “Nemiçkov” qenësia e dy ekuipazheve, sovjetike dhe shqiptare, ka bërë të ulet gatishmëria e saj luftarake, ka penguar perfeksionimin e mëtejshëm të ekuipazhit shqiptar. Kohët e fundit baza lundruese është kthyer në depo të materialeve të prapavijës dhe shërben për tregtim të artikujve ushqimorë dhe qendër strehimi të njerëzve që shërbejnë në bazë. Për sa i përket nëndetëseve, mund të them se C-360 ekuipazhin e ka më se të përgatitur për ta marrë në drejtim dhe ajo C-242 megjithëse është në rimont, ekuipazhi është më se i gatshëm ta marrë në dorëzim. Po kështu edhe për dy nëndetëset e tjera. Me keqardhje po u them se kundëradmiral Zagrebin dhe kundëradmiral Jegorov nxjerrin pretendime të pabaza. Pas një përgatitje trevjeçare, shkalla e përgatitjes se ekuipazheve shqiptare është plotësisht në nivelin e duhur. Ju lutem të ndërhyni që baza dhe anijet mbiujëse t’na dorëzohen në mënyrë që oficerët dhe marinarët tanë të kryejnë detyrat që do i ngarkohen nga komanda eprore”.

Fill pas kësaj Jegorovi u largua për në BS dhe vendin e tij e zuri kapiteni i rangut të parë, Riballko dhe komandant i Flotës Luftarako-Detare Shqiptare u emërua, Admiral Hito Çako.