Sigal

Diplomatët shqiptarë, një jetesë plot privime

 Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

 Mund të blije një magnetofon, meqenëse në Shqipëri rrallë qëllonte të kishte në shitje të lirë, një televizor me ngjyra, që gjithashtu ishin të kufizuar dhe me autorizim, apo çamçakëzë, stilolapsa me ngjyra e pantallona xhins. Nëse kishte gjëra të tilla të përdorimit të përditshëm, mendohej se jetoje mirë. Dhe shumë pak njerëz e dinin, që duhej të mblidhje rripat e të kurseje, për të blerë “xhingla-mingla” me të cilat mund të shisje mend në një vend ku sapuni “Lux”, cilësohej me të vërtet një lluks. Por këtë “privilegj” (nëse mund të quhej si i tillë) e kishin vetëm ata që arrinin të kalonin kufirin shqiptar, si të ngarkuar me detyrë shtetërore.

Me gjithë pamjen e jashtme, pakkush e dinte se të qenit diplomat i shtetit shqiptar në një vend të huaj, nuk ishte ndonjë qejf i madh, edhe pse në fillim dukej sikur kishe kapur qiellin me dorë. Duke rrëfyer për jetën brenda mureve të ambasadës shqiptare në Paris, Dr Hasan Luçi, ish diplomat dhe njëkohësisht zbulues pranë pranë kësaj ambasade, përgjatë viteve 1961-1968 dhe 1972-1977 thotë gjëra, të cilat në fakt, vite më parë ,mund të cilësoheshin herezi:

Si jetonin diplomatët shqiptarë në një ambasadë si ajo e Parisit?

Realisht duhet thënë se buxheti ynë, i ambasadës tonë, në Paris, ishte tejet minimal dhe nuk mund të bënim një jetë dinjitoze. Por kjo nuk ndodhte vetëm në Paris por edhe gjetkë, në Beograd dhe në Stamboll, ku me sa kam parë unë, ishte më keq. Disa kohë unë mbajta edhe llogarinë e ambasadës dhe jam përballur me shërbimin financiar të ministrisë pasi kryellogaritari i saj erdhi në Paris dhe na caktoi një kuotë gati të një ushtari, duke përcaktuar edhe një qethje një herë në muaj, pikërisht kur ne diplomatët duhet të shkonim dy herë të rruar në takimet ditore, në mëngjes dhe mbasdite. Takimi më i ashpër u bë me zëvendësministrin e jashtëm, Vasil Nathanailin, ku ai më kritikoi rëndë për argumentet e mija me shkrim që nuk mbanin parasysh hallet e shtetit e të popullit. Po kështu ministri i jashtëm, Behar Shtylla, ma preu shkurt me nervozizëm se: “sa të mbushen valixhet tuaja le të mbushet arka e shtetit” Edhe unë reagova me nervozizëm duke i kërkuar: “Ju lutem shkojmë së bashku në klubin e diplomatëve dhe të shikojmë çmimet reale” dhe e teprova me harbutllëk duke i kujtuar se ai pazarin nuk e bënte tek “xhaxhi Tati” që ishte pazari siç i thonë tani i “gabit” ku ne e kishim të ndaluar të shkonim, por e bënte në dyqanin e famshëm “Otrua Kartie” që ishte një dyqan luksi.

Kjo do të thoshte hapur se Shqipëria nuk kishte “këllqe” për të mbajtur një shërbim diplomatik dinjitoz?

Në të vërtet e kuptonim vështirësinë e vendit por duhej gjetur një ekuilibër real i trajtimit me nivelin e përfaqësimit diplomatik. Nuk përjashtohet se pati edhe persona që abuzuan duke u kujdesur vetëm për të përfituar nga qëndrimi jashtë vendit për të marrë mallra që ende nuk kishin hyrë në Shqipëri si, televizorë, frigoriferë etj, një pjesë e të cilëve u dënuan edhe në doganë, ose në parti, por kjo nuk do të thoshte se ne diplomatët qenkëshim të lindur me këmishë dhe notonim në flori. E them sinqerisht se mua çimkat më kanë ngrënë në Paris sepse mobilet e shtëpisë ku banonim ishin gati të papërdorshme. Vetëm me ndërhyrjen e Hysni Kapos, i cili pa sekretarin e dytë dhe gruan që hanin në një qylyk këmbëkryq, ai urdhëroi dhe po ato ditë ne morëm një komplet kolltukësh nga më të lirët dhe një tavolinë me katër karrige për të ngrënë bukë. Kjo gjendje e vështirë bëri që në vitet ’70 e mbrapa familjarët t’u dërgonin ushqime nga Shqipëria, punonjësve të përfaqësive. Megjithëse kritikoheshin në mbledhjet shtetërore e të partisë, nevoja i detyronte që të mos hiqnin dorë.

Ai organizoheshin pritje në ambasadën shqiptare në rastet e festave zyrtare?

Dua të them se fondet e pritje përcjelljeve në ambasadë nuk mjaftonin as për ambasadorin dhe zëvendësin e tij në punën me miqtë dhe jo më për të tjerat. Ndërsa pritjet me rastin e festave mezi i përmbushnim me mezet që bënin gratë tona duke u përcëlluar në disa stufa të vjetra, pasi ne hoqëm dorë nga ndërmarrjet që organizonin këto pritje me çmime të larta. Gjithashtu gratë tona dhanë një ndihmesë shumë të madhe, për të gatuar dhe shërbyer udhëheqësve si dhe për të bërë punë vullnetare në pastrimin e selisë dhe gjatë punëve të tjera për shpërndarjen e materialeve nga shërbimi i shtypit dhe i kulturës.

Si i organizonit lejet e zakonshme vjetore. Pushimet i bënit në Shqipëri apo në vendin ku ishit me shërbim?

Për sa i përket lejeve vjetore ne kishim të drejtë teorike por në fakt kjo shtyhej me vite. Për shembull, unë erdha në Shqipëri për një pushim të shkurtër pas 3.5 vjetësh dhe pasi më kishte vdekur vjehrri. Ndërsa patëm raste që u vdiqën edhe prindërit dhe nuk iu dha leje për tu kthyer në familje, për arsye shpenzimesh. Pati punonjës që vajtën dhe u kthyen pas shumë vitesh, kur u kthyen përfundimisht nga shërbimi. Gjithashtu një pjesë nuk arrinin të merrnin edhe fëmijët në pushimet e verës. Unë për shembull, kam paguar vetë shpenzimet e vajtje-ardhjes për mjekimin e djalit që bëri një operacion të rëndë, ose të gruas pasi pësoi një paralizë, dhe duhej të bënte plazh gjë që e solli afërsisht në normalitetin e jetës. Ata që i çonin privatisht gratë apo fëmijët i përballonin vetë shpenzimet. Qenë shumë të rrallë ata diplomatë që morën prindërit e tyre për vizitë.

 

LIBRI / Pjesë nga vëllimi i Hasan Luçit; “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

Plani i komplotit pas ikjes nga Traktati i Varshavës

Dihet se më 20 gusht 1968 forcat ushtarake të BS, Polonisë, Hungarisë e Bullgarisë kryen agresionin ushtarak kundër Çekosllavakisë. PPSH e dënoi me vendosmëri atë si një “agresion të tipit fashist”. Më 13 shtator, 1968 Kuvendi vendosi denoncimin e Traktatit të Varshavës nënshkruar më 14 maj 1955 dhe çlirimin e RPSH nga çdo detyrim që rridhte prej tij, duke kryer një akt me rëndësi të madhe historike kombëtare ndërkombëtare. Krerët e Lindjes e akuzuan Shqipërinë socialiste si “përçarës” të unitetit, se “po forconin izolimin e vet” aleatët se “kishte rënë në “pozitat e imperializmit” dhe “po afrohej me SHBA, Anglinë” etj. Shtetet kapitaliste, në radhë të parë fuqitë e mëdha perëndimore, daljen e RPSH nga ky traktat e rritjen e një rreziku nga ndonjë agresion sovjetik në Ballkan, sidomos acarimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me BS në shtator – tetor 1968, e shikonin si një rrethanë politike të favorshme e premtuese, se më në fund, Shqipëria e vetmuar në Evropë do të integrohej në kampin perëndimor, prandaj propaganda e tyre i dha publicitet me karakter provokues e luftënxitës në fushatën ndërkombëtare e antikomuniste. Kështu BS përqendroi forca të mëdha ushtarake në Bullgari duke i dhënë shkas edhe reaksionit shqiptar jashtë e brenda vendit tonë të shpërthente në fushata armiqësore e të shtonte veprimtarinë e tij kundër RPSH. Zbulimet perëndimore bënë të njëjtën gjë. Kështu UDB, QIP etj., dërgonin diversantë në Shqipëri. Fletushkat e emigracionit sidomos i organizatës “Vatra” ngrinin me forcë se gjoja rrezikun që i kanosej Shqipërisë Xh. Deva po bashkëpunonte me udhëheqësit kosovarë. Ballistët nxitnin sulmin se “Shqipëria është nxjerrë jashtë T. Varshavës e nuk garantohet me nga anëtarët e paktit, e kjo gjë është më shumë rëndësi” dhe disa krerë ballistë kishin bërë e bënin vizita në BS, Bullgari, Rumani e gjetkë në vendet Lindore. Më 30 shtator 1968 radio Moska u mbante avazin se “Tirana është një vegël aleate e imperializmit ndërkombëtar”, sepse doli nga ky traktat. Edhe BK bërtiste në korr me sovjetikët: Shqipëria nën “rrezik’, duke provokuar kështu BS që të pushtonte edhe Bullgarinë e Jugosllavinë Çekosllovakisë. Nga ana tjetër, në 1968 kur Agnu, me origjinë greke u zgjodh zv. president amerikan (me Niksonin), hafëz Jusuf, anëtar i KQ të L. Kosovare i bëri letër zonjës Sharlote Reid kongresiste, ku i shprehte dyshim se mos Agnu-ja si grek vepronte të dëm të Shqipërisë e Kosovës, duke përkrahur Athinën për synimet saj, por edhe Sh. Reid edhe Niksoni bënë deklarata qetësimi. Po këtë vit, anëtar i komitetit krahinor të BK Eqerem Bardha në Detroit (SHBA) u prit nga presidenti Nikson, i cili deklaroi se “të gjithë amerikanët pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare gëzojnë kujdesin tim të posaçëm… Unë interesohem posaçërisht për të gjithë popujt që jetojnë nën shtypjen komuniste”. Në 60 vjetorin e Diellit të “Vatrës” në Nju Jork morën pjesë kardinalet Kuk (Cooks) i Nju Jorkut e Cishing i Bostonit, të cilët mbajtën fjalimet e rastit. Më 25 prill 1968 papa Pali II priti refugjatët politikë shqiptarë në Vatikan me rastin e 500 vjetorit të Skënderbeut, ku nga 24 – 26 prilli u bënë disa aktivitete në Romë dhe viti 1968 u caktua si viti i festave për Skënderbeun. Në këto manifestime morën pjesë krerët E. Koliqi, Karl Gurakuqi, Nexhat Peshkëpia, Ndue Gjonmarkaj, Rakip Frashëri, Martin Camaj, Dudushe e Hava Këlcyra, kryesia e organizatës Vatra etj. BK e përshëndeti papën e Romës për këtë festë duke theksuar se “një mirënjohje e përjetshme i shkon selisë së shenjtë në Romë për dokumentin pontifikal që përhapi latinisht me 17 janar 1968, me frymë të shenjtërisë së tij, Palit II. Ky dokument i lartë e fisnik në shprehje e përmbajtje për kombin shqiptar… është dhuratë e paçmuar që na bëhet në këtë dyfish zije”. Shoqata e miqësisë anglo – shqiptare dhe Lidhja Britanike manifestuan kundër komunizmit në nëntor 1969 në Hyde Park të Londrës. Edhe Hafiz Jusuf Azemi e Qazim Prodani, krerë të BK, u pritën më 3 janar 1969 nga prof. Dr. Ibrahim Shefki Atasogun, kryetar i Senatit turk dhe senator Dr. Fethi Tevetogiu, kryetar i komisionit për punët e jashtme për NATO-n, për TPE etj. Në prezencë të gazetarëve vendas e të huaj, pasi atje ishin dërguar me mision të “kombeve të robëruara”. Në maj 1968 kryetari i KSHL, R. Krasniqi bëri një vizitë në Evropë në Londër, Paris, Bon e Romë, me nxitjen e CIA-s për të koordinuar veprimtarinë.

KËRCËNIMET

Plani sovjeto – amerikan i trajtuar në Glasbori në 1968, pas daljes së RPSH nga T. Varshavës dhe pas pushtimit të Çekosllovakisë nga BS,. parashikonte variante veprimtarish kundër vendit tonë për të bërë presione e kërcënime, shantazhe e dizinformime të ndryshme. Kështu flitej se RPSH do të sulmohej nga Jugosllavia, duke krijuar pretekste me incidente nëpërmjet kosovarëve në kufi dhe pastaj të hynte në front të gjerë ushtri jugosllave për të marrë brenda 24 – 48 orësh të tëre Shqipërinë. Krahas kësaj theksohej, se BS do të nxiste agjentet e tij në Shqip: me pozita të larta në Parti e pushtet, për të thyer rezistencën popullore e krijuar një qeveri prosovjetike. Thuhej se ky plan u imponohej jugosllaveve dhe pasi u ishte dhënë varianti përfundimtar. Në se Titua nuk do të pranonte, ai do të hiqej e do te vihej Rankoviçi. Flitej gjithashtu për një sulm të Jugosllavisë e Greqisë, se me nxitjen e SHBA-se, me qëllim pushtimi e copëtimi të Shqipërisë” mes tyre Thuhej se paskish edhe një variant për pushtimin e Shqipërisë nga Greqia me pëlqimin e SHBA-se. Thuhej se BS garantoi SHBA për variantin e parë, sepse të tjerët (partnerët) i shikonte me rreziqe për shkak të gjendjes jo të qetë në Greqi. Nga ana tjetër sovjetiket thoshin se për këtë plan Kina do të bënte vetëm zhurmë dhe nuk do të merrte asnjë veprim mbrojtje të RPSH. Pra, plane e dizinformime plekseshin kështu kundër RPSH nga Perëndimi e Lindja, duke futur në lojë edhe reaksionin shqiptar brenda e jashtë vendit.

AGJENTURAT

Përpjekje për komplote

Enver Hoxha paralajmëroi se “E dimë mirë se edhe pas kësaj (është fjala për bandën e Xh. Mustafës – H.L.) nuk do të rrinë rehat agjenturat e huaja e, bashkë me to, as UDB-ja. Po në gjumë s’do të na gjejnë kurrë” (u mburr ai se vështirësitë po shtoheshin në vitet ‘80 – H.L.). Por E, Hoxha kishte të drejtë se nuk vonoi shembja e komunizmit. Dhe vërtet në vitet ‘80 përsëri u bënë përpjekje nga Perëndimi e Lindja kundër RPSSH dhe Kosovës. Në fakt, goditja e M. Shehut i tërboi armiqtë e jashtëm e të brendshëm. Përfshi emigracionin politik. Prandaj ata nuk heqin dorë nga planet. Kështu që në vitet ’80 u intensifikua fushata antishqiptare e reaksionit grek. Lidhur me këtë Ramiz Alia ka shkruar: “Është e qartë qe si reaksioni grek, ashtu edhe CIA e Jugosllavia duan të na futnin midis dy zjarreve, Greqisë e Jugosllavisë”. Pas humbjes së Enver Hoxhës armiqtë e ndryshëm bënin insinuata e përhapnin fjalë për “largimin e shqiptarëve nga vija e Enver Hoxhës”. Të dy superfuqitë, SHBA e BS u përpoqën që PPSH ta hidhnin në dorë dhe ta përdornin si bazë për interesat e tyre përkatëse. Në një gazetë amerikane, nëntitullin “Leka pretendues për fronin shqiptar”, shkruante se “mbreti në mërgim shikon kërcënimin e Shqipërisë pas vdekjes së Enver Hoxhës… vdekja shënon fillimin e një periudhë pa stabilitet brenda vendit që do të prek direkt shqiptarët në Jugosllavi e tërthorazi stabilitetin në Ballkan, në Adriatik e Mesdhe”. L. Zogu u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve etnike “të bashkohen për të siguruar krijimin, brenda kufijve etnike të shtetit të lirë demokratik”. Një organ tjetër amerikan shkruante se “Gjëja më e mirë për Shqipërinë do të ishte dhënia fund e komunizmit dhe sjellja në fuqi e mbretit Leka I”. Në fakt këto thirrje po bëheshin edhe në vendet e Evropës Lindore si në Hungari për rikthimin e Haubsburgëve e mbretërive ballkanase etj. Reaksioni botëror dhe reaksioni shqiptar i jashtëm dhe i brendshëm do të vazhdonin t’i shërbenin fuqive të mëdha e qarqeve shovene fqinje në luftën antikomuniste. Këto orientime u përvijuan dhe u realizuan në fillim të viteve ’90.

(vijon nesër)

 NESËR DO TË LEXONI

-Si u iniciua studimi “Veprimtaria Sekrete e Mërgatës Politike Shqiptare”

-Mbledhja e fakteve rreth veprimtarisë së fqinjëve e fuqive të mëdha antishqiptare

-Pse “Mërgata” e dikurshme armike tashmë është e rehabilituar