Rexhep G. Alimemaj: Rexhini në Luftën e Vlorës 1920

967
Sigal

 

Organizimi i Kurveleshit dhe Rexhinit për luftë

Lufta e Vlorës u bë forcë lëvizëse për lirimin e trojeve shqiptare dhe gjallërimin e kërkesave për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Krahina e Kurveleshit, krahas krahinës së Vlorës e Tepelenës, dha ndihmesë të fuqishme në Luftën e Vlorës.

Në vijim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës (janar 1920), përfaqësuesit e krahinës së Vlorës, krahinë me rrethina që gjendej nën pushtimin ushtarak italian, “Komisionin e Vlorës” të ngritur më 3 shtator 1919 e ktheu në “Komitet i Mbrojtjes Kombëtare” më 10 mars 1920, nën kryesinë e Osman Haxhiut. Komiteti thirri më 29 maj 1920 një kuvend me mbi 200 pjesëmarrës nga Vlora-qytet, paritë e fshatrave të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës. Kuvendi zgjodhi Këshillin Kombëtar prej 30 vetash dhe ky komitetin e ri me 12 anëtarë. U ngrit edhe komisioni ushtarak me komandant major Ahmet Lepenica dhe operativ të tij kurveleshasin major Ismail Haki Kuçi, i dërguar i qeverisë së Tiranës. Kuvendi vendosi që të fillonte kryengritja dhe forcat kryengritëse të mblidheshin më 2 qershor në Beun të Vlorës. U ngritën Komitete të fshehta edhe në Tepelenë e Gjirokastër. Kurveleshi u përfshi në Komitetin e Tepelenës. Për përgatitjen e popullit për luftë u bënë disa mbledhje e takime në Teqenë e Turanit. Më 26 maj u bë takimi në Nivicë dhe më 27 maj në Gusmar, ku të deleguarit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” mblodhën përfaqësues nga gjithë Kurveleshi dhe përcaktuan masat përgatitore për kryengritje.

Çetat e Kurveleshit u bënë gati për marshim qysh më 29 maj. Në Kurveleshin e Sipërm qëndronin në gatishmëri: Çeta e Gusmarit, e Golemit, e Rexhinit, e Kolonjës, e Nivicës, e Picarit, e Lekdushit, e Vërmikut, dy çeta të Progonatit. Në Kurveleshin e Poshtëm u vunë në gatishmëri çetat e Bolenës, e Kuçit, e Kallaratit, e Çorrajt dhe e Fterrës. Luftëtarët kryengritës kishin armatim të lehtë, pushkë të tipave të ndryshëm të kapura në luftimet e mëparshme apo të marra edhe italianëve. Madje kishte edhe pjesëmarrës të çetave që nuk kishin fare armë dhe u armatosën gjatë luftimeve. Gjithashtu municioni i tyre ishte i kufizuar. Numri i luftëtarëve kurveleshas arrinte në rreth 800 veta. Çdo fshat i Kurveleshit krijoi dhe dërgoi çetën e vet (ndonjëri edhe dy e më shumë çeta) me 30-80 luftëtarë, sipas vendimit të marrë në Mbledhjen te rrapi Tahire në Gusmar, bënë sigurimin me ushqim të forcave të veta për gjithë kohën që vijoi lufta.

Në Luftën e Vlorës Rexhini mori pjesë me një çetë të përbërë nga 45 vullnetarë nën komandën e Bajram Hasanit dhe zëvendëskomandant Dule Balili. Në çetën e Rexhinit u reshtuan këta luftëtarë: Bajram Hasanit komandant, Dule Balili zëvendëskomandant, Gani Aimemaj, Hoxha i krahisës së Kurveleshit të Sipërm, Ahmet Isufi, Avdulla Alimemaj, Alem Demiri, Aliko Hodaj, Arshi Ruçi, Ali Hitaj, Bastri Abazi, Balil Isaraj, Bekri Hodaj, Beqir Hasanaj, Bush Demiraj, Dine Mehmeti, Duro Sejdiu, Jasho Lena, Jaho Xhebraj, Maliq Hadëraj, Kanan Shakaj, Kajtaz Ruçi, Lulo Imeri, Laze Kadënaj, Demo Kadënaj, Musto Mehmeti, Maliq Xhebraj, Ruzan Isufaj, Merko Shabani, Muharrem Abazi, Haxhi Skëndi, Rizo Lena, Razip Kadënaj, Felek Kadënaj, Rushit Skëndi, Shahe Alimemaj, Lulo Ymeraj, Velo Xhebraj, Zaçe hasanaj, Godo Balili etj. Çeta kreu veprime luftarake, fillimisht bashkë me çetën e Gusmarit dhe të Nivicës mbi garnizonin italian të fortifikuar të Kotës dhe më pas, deri në mbarim të luftës në rajonin e Babicës, Qafës së Fierit e rrethinat e qytetit të Vlorës.

Komandant i çetës së Rexhinit, Bajram Hasanaj lindi në Rexhin në vitin 1887. Përfundoi studimet e larta në Stamboll. Komandoi çetën e fshatit në luftime kundër andartëve grekë (1913-1914), si dhe në Luftën e Vlorës, më 1920. Përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924 dhe qeverinë e Fan Nolit. Regjimi i mbretit Zog e përndoqi, e arrestoi në vitin 1925 e internoi në Mursi të Delvinës, ku edhe vdiq në vitin 1937. Në gjithë veprimtarinë e tij atdhetare bashkëshortja, Sakine Hasani, i qëndroi gjithnjë në krah. Edhe ajo vdiq në internim.

Luftimet e çetës së Rexhinit

Në fazën e parë grupimi më i fuqishëm i forcave kryengritëse, për vetë vlerat që kishte, sidomos në shpinë e pranë garnizonit të Vlorës, por edhe për fuqinë ushtarake që përfaqësonin, u përqëndrua mbi garnizonin e Kotës dhe të Gjormit. Lufta, pasi forcat kryengritëse ishin organizuar e përhapur në sektorët e caktuar, filloi natën e 5-6 qershorit 1920, rreth orës 23:00. U goditën njëherazi të gjitha garnizonet armike, përveç atij të Vlorës dhe Kaninës. Veprimet luftarake, në 5-6 ditët e para, u përmbushën nga forcat vullnetare të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës, të cilat përbënin grupimin kryesor kryengritës. Më pas erdhën edhe forca nga krahina të tjera të vendit dhe grupe të vogla të xhandarmërisë.

Garnizoni ishte tepër i fortifikuar dhe i mbështetur nga artileria. U sulmua nga dy drejtime: forcat e Kurveleshit të Sipërm nën komandën e Riza Runës dhe çeta e Mavrovës sulmuan në drejtimin nga Lindja e garnizonit dhe çetat e Lumit të Vlorës, Kaninës, Kuculit nga Qafa e Dushkut për në Kotë. Veç Gjormit dhe Kotës u pushtuan edhe Drashovica e Vajza ndërsa Rradhima, Jonufra e Matohasanaj u dorëzuan pa luftime.

Sulmi i përgjithshëm i forcave kryengritëse mbi garnizonin italian të Vlorës e të Kaninës u caktua të fillonte natën, në mëngjesin e 11 qershorit. Për këtë në datat 9 e 10 qershor u bë përhapja e forcave kryengritëse sipas planit të sulmit mbi Vlorë. Çetat e Kallaratit, të Bolenës dhe një pjesë e çetës së Kuçit, në bashkëveprim me çetat e Vranishtit dhe të Kaninës zunë pozicionet në anën lindore e verilindore të kalasë së Kaninës, pjesa tjetër e çetës së Kuçit dhe ajo e Shullëri vepronin në kodrat e Qishëbardhës dhe Kallafetit për të sulmuar në drejtim të maja e Vreshtave të Mëdha. Çetat e Kurveleshit të Sipërm dhe të Tepelenës me objektiv Qafën e Koçiut që zotëronte Vlorën, u ndanë në tri grupime: Selam Musai me 57 tepelenas veproi në krahun e majtë, çeta e Gusmarit dhe e Lekdushit në qendër dhe ato të Nivicës dhe Rexhinit nën drejtimin e Riza Runës bashkë me çetën e Libohovës dhe të Nepravishtës në krahun e djathtë të Qafës së Koçiut. Ndërkohë çeta e Vërmikut, duke qenë se njihte mirë vendin, ishte ndarë nëpër çetat e tjera. Çeta e Progonatit vepronte nën komandën e Musto Buxos midis Panajasë dhe Oshtimës.

Sulmi i forcave kryengritëse ishte i menjëhershëm mbi Kaninë, Babicë e Panaja. Duke shfrytëzuar errësirën e natës ato mundën të kalojnë edhe pengesat me tela. Por kundërveprimi italian ishte i menjëhershëm. U vunë në veprim edhe projektorët, artileria që hapte zjarr nga kalaja e Kaninës, Qafa e Koçiut dhe maja e Vreshtave të Mëdha si dhe artileria e anijeve nga moli i Vlorës. Forcat italiane u detyruan të tërhiqen nga vijat e para në drejtim të maja e Vreshtave të Mëdha e Gropa e Derrit ndërsa Selam Musai fillimisht e më pas edhe çetat e Kurveleshit të Sipërm, pasi kaluan pengesat e telave me gjemba duke hedhur mbi to gunat, përparuan në drejtim të Qafës së Topit e në Vreshtat e Mëdha dhe dolën në Kuzbaba, mbi qytet. Çetat e Kurveleshit të Sipërm përparuan deri te Bregu në Babicë ku u ndaluan edhe për shkak se forcat e Mallakastrës u vonuan në përparimin e tyre dhe mund të binin në rrethim. Në orët e para të mëngjesit zjarri i artilerisë u bë edhe më i dendur. Luftimet në këtë vijë vijuan deri afër drekës kur Komiteti dha urdhrin e tërheqjes për t’u përforcuar më mbrapa në vijën: Qishbardhë-Xhyherinë-maja e Risilisë-maja e Bestrovës.

Sulmi i dytë i përgjithshëm mbi garnizonin e Vlorës u ndërmor në ora 22:00 të 22 korrikut. Garnizoni u sulmua nga shtatë drejtime. Forcat e Kurveleshit të Poshtëm (çeta e Kallaratit, Bolenës e Kuçit dhe Fterrës) sulmuan nga vija Vreshat e Mëdha – Gropa e Derrit – pranë Qafës së Shullërit duke bashkëvepruar me çetat e Shullërit dhe të Rrëzës, ndërsa forcat e Kurveleshit të Sipërm në bashkëveprim me forcat e Lepenicës dhe të xhandarmërisë së Korçës sulmuan nga Llakatundi për në Vlorë. Duke shfrytëzuar epërsinë e natës ato zhvendosën në agim luftimet në periferi të qytetit. Por të ndeshura tashmë edhe në zjarrin e fuqishëm të artilerisë, të artilerisë së anijeve dhe të aviacionit, nuk mundën të përparonin më tej. Afër mesditës u tërhoqën në vijën e nisjes duke mbajtur garnizonin italian të bllokuar e në gjendje të dëshpëruar. Luftimet morën karakter mbrojtës nga të dy palët.

Qeveria italiane duke nënshkruar me qeverinë e Tiranës protokollin shqiptaro-italian të 2 gushtit 1920, shënoni mbarimin e Luftës së Vlorës. Kështu u realizuan edhe synimet e forcave kryengritëse të drejtuara nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” për Vlorën. Forcat kryengritëse hynë ngadhënjyese në Vlorën e boshatisur nga pushtuesi më 3 shtator 1920. Lufta e Vlorës dhe trimëria e labëve në këtë luftë pati jehonë të madhe brenda e jashtë vendit. Gazeta “Koha” e Korçës shkruante: “Labët, të bashkuar me vlonjatët dhe me trimërinë e tyre të rrëfyer, s’kishin nevojë as për top, as për mitraloza, as për gërshërë të presin telat, … por vinin gunat e tyre të dhirta që të kapërcenin”. “Dyfekët e lidhur me gjalmë”, shpatat e kamat, gunat e lesat, trasta me një copë bukë misëri “…ishin municionet, artileritë, mitralozat, ushqimi, mbrojtja dhe mjetet e luftës përpara të cilave fortifikatat e hekurta dhe të çelikta, artileria dhe ushtria e madhe, flota, çdo gjë, shkenca heshti e pushoi dhe u mund…”, do të vinte në dukje Teki Selenica. Ndërsa Halim Xhelo, duke vlerësuar kontributin e shquar të labëve në këtë luftë, theksonte “nëse pati Greqia e lashtë një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut”.

Çetat e Kurveleshit zhvilluan veprime luftarake që nga garnizoni italian në Tepelenë, ai në Gjorm, në Kotë, në Mavrovë, në Drashovicë e duke u treguar shumë aktive edhe në dy sulmet e përgjithshme mbi garnizonin e Vlorës. Kurveleshi në këtë luftë pati 9 dëshmorë të rënë për atdhe dhe 10 të plagosur. Luftëtarët kurveleshas treguan akte të larta heroizmi. Shumë prej tyre u dekoruan më vonë me urdhra e medalje të ndryshme.