Qeveria e Lushnjës dhe personalitetet e tjera që nderon Protokolli shqiptar

1041
Sigal

Sulejman Delvina (1884-1932)

Ministër, Kryeministër. Kryeministër i qeverisë i dalë nga Kongresi i Lushnjës. Përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në revolucionin e Qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq në Vlorë në vitin 1933. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare.

Eshref Frashëri (1874-1938)

(Kryetar i Këshillit Kombëtar, 1922-1923) – (Kryetar i Kuvendit Kushtetues, 1924) – (Kryetar i Senatit, 1924-1925) – Qe një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës zv.kryeministër dhe drejtor i përgjithshëm i Punëve Botore në qeverinë e dalë nga ky Kongres. Kish përfunduar studimet universitare në inxhinieri. U zgjodh Kryetar i Parlamentit Shqiptar që doli nga zgjedhjet e para parlamentare të prillit të vitit 1921. Më 1925 u zgjodh senator dhe në shtator të atij viti u caktua kryetar i Senatit. Deputet i parlamentit shqiptar në shumë legjislatura.

Mehmet Konica (1878-1948)

Ministër. Diplomat karriere dhe veprimtar politik. Anëtar i delegacionit të Qeverisë së Vlorës dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Në qeverinë e dalë nga kongresi i Durrësit u emërua ministër i Punëve të Jashtme, detyrë të cilën e mbajti edhe në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Në vitet ’20-‘24 shërbeu si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Në periudhën 1925-1939 ka shërbyer si këshilltar politik pranë kryetarit të shtetit shqiptar.

Mbreti Zog i Parë, 1895-1961, Ahmet Zogu

Ministër, Kryeministër, President, Mbret i Shqiptarëve. Krejt i ri, pas Shpalljes së Pavarësisë u angazhua në lëvizjen kombëtare e politike të vendit. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Caktoi Tiranën Kryeqytet. Vendosi bazat e shtetit të ri shqiptar. Në 7 prill të vitit 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria së bashku me familje. Jetoi si emigrant në disa vende, në Turqi, Angli, Egjipt dhe përfundimisht në Francë.

Ndoc Çoba (1870-1945)

Deputet, Ministër. Ishte delegat i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës dhe në qeverinë e dalë nga ky kongres ju caktua detyra e ministrit të Financave. Gjatë periudhës 1921-1936, kreu detyra të ndryshme shtetërore, ndërsa në vitin 1937-1939 qe kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Nuk u pajtua me pushtimin fashist të Shqipërisë. Drejtues i Mbledhjes së Konferencës së Pezës me qëllimin e bashkimit të të gjitha forcave antifashiste. U zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm NÇl. Pas çlirimit të vendit arrestohet nga komunistët dhe vdes në hetuesi nga torturat.

Hoxhë Kadri Prishtina, 1878-1925

Deputet, nënkryetar i Këshillit Kombëtar, Ministër. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare jurist. Themelues dhe kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 1918. Një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Në vitin 1921 ishte deputet dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar. Në Kongresin e Lushnjës (27 -31 janar 1920), ku iu vunë themelet e Shqipërisë, Ministër i Drejtësisë u zgjodh Hoxha Kadri Prishtina. Vdiq në moshën 47 vjeçare.

Ali Riza Kolonja (1880-1930)

Ushtarak, politikan, Ministër. Ushtarak i lartë, politikan, diplomat. Ishte një ndër gjeneralët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që u themelua nga qeveria e Vlorës. Ministër i Luftës në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Ali Riza Kolonja, ishte përfaqësues i palës shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve të Shqipërisë (1921-1925). Ai ka luajtur një rol të veçantë për organizimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.

Sotir Peci (1873-1932)

Ministër, anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Rilindës i shquar. Figurë e madhe i arsimit shqiptar. Shtypi fjalorin shqip të Kostandin Kristoforidhit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) dhe drejtoi Mësonjëtoren shqipe të Korçës. Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe në qeverinë e formuar prej tij u emërua Ministër i Arsimit. Anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar.

Bajram Curri (1862-1925)

Heroi i Popullit, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare dhe një nga drejtuesit politik e ushtarak të kryengritjeve popullore kundër osmane dhe të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të vendit. Organizator i Lidhjes Shqiptare të Pejës. Zgjidhet anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918). Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh senator i Këshillit Kombëtar dhe u caktua ministër pa Portofol në qeverinë e dalë prej saj. Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë e Hasan Prishtinës (1921). Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe vazhdoi qëndresën kundër regjimit të Zogut derisa u rrethua dhe u vra në një shpellë të Dragobisë.

Spiro Jorgo Koleka (1880-1940)

Deputet, Ministër. Veprimtar politik. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh senator i Këshillit Kombëtar dhe për një kohë të shkurtër ka qenë nënkryetar i tij. Ka qenë ministër pa Portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës si edhe deputet në Parlament (1921-1923), Ministër i Punëve Botore në disa qeveri në vitet në vijim.

Hysen Vrioni (1881-1944)

Politikan, diplomat dhe ministër në disa kabinete qeveritare. Delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjës, zgjidhet senator dhe emërohet ministër pa Portofol në qeverinë e dalë prej saj. Disa herë ministër i Drejtësisë dhe i Punëve të Jashtme në kabinetet qeveritare në vitet 1921-1931. Deputet i prefekturës së Beratit në vitet 1921, 1925 dhe 1932-1939.

Hasan Prishtina ( 1873-1933)

Arkitekt i Pavarësisë së Shqipërisë. Ideolog, vizionar, udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Tre herë deputet në Parlamentin Osman, ku luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare etj. Hasan Prishtina u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vlorës dhe kryeministër në qeverinë e vitin 1921. Ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës dhe deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar në vitin 1921. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare. Hasan Prishtina ndër udhëheqësit kryesorë të Komitetit”Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitet 1922-1923 shfaqet si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, duke marrë pjesë në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit (1924). Vdiq gjatë një atentati të organizuar kundra tij në Selanik (1933). Gjithë pasurinë e tij e dha për çështjen kombëtare shqiptare.

Isa Boletini ( 1864-1916)

Luftëtar dhe udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar. Hero i Popullit. Luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga përkrahësit e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë. Udhëheqës dhe organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundër osmane të viteve 1909-1912. Në ditët e shpalljes së pavarësisë, ai u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës, kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë?.

Abdyl Frashëri (1839-1892)

Udhëheqës kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atdhetar demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare. Heroi Popullit. Ministër i Jashtëm i qeverisë së Përkohshme Shqiptare e formuar në Prizren. Abdyl Frashëri ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman. Ai u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, dhe ishte një nga hartuesit e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare. Abdyl Frashëri nuk e shkëputi asnjëherë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm.

Naim Frashëri (1846-1900)

“O malet e Shqipërisë dhe ju o lisa të gjatë…” Kush nga ne nuk i ka në mendje këto vargje të poetit tonë më të madh të Rilindjes Kombëtare. Atdhetar, mendimtar iluminist dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës së Rilindjes Kombëtare. Morri pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe me penën dhe vargjet e tij iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe, të letërsisë kombëtare si dhe ngritjes së shkollave shqipe. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore, Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i shqiptarizmës”.

Sami Frashëri (1850-1904)

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Dijetar, shkrimtar dhe publicist. Ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes. Në Stamboll, zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit me Shkronja Shqip, u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” u bë manifesti politik dhe ideologjik i Rilindjes, ku u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të arsimit, të kulturës e të shkencës. Ai shkroi edhe mjaft vepra të tjera, artikuj, libra shkolle për gjuhën shqipe, fjalorë etj…

Mehdi Frashëri (1874-1963)

Deputet, Ministër, Kryeministër. Veprimtar politik, publicist dhe përkthyes. Delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ministër në shumë kabinete qeveritare duke filluar nga viti 1919. Deputet i parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923 dhe kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936. Një nga ideatorët e themelimit të Bankës Shqiptare dhe të reformës Agrare në Shqipëri. Dënoi pushtimin fashist. Në përfundim të luftës largohet nga Shqipëria.

Dedë Gjo Luli ( 1840-1915)

Dedë Gjo’ Luli duket se kishte lind me pushkë. Prijës dhe luftëtar i Lëvizjes Kombëtare, për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Hero i Popullit. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës. Aftësitë e tij organizatore u shfaqën gjatë Kryengritjes kundër osmane në vitin 1911. Në bashkëpunim me qarqet patriotike, ai parashtroi në Memorandumin e Greçës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, megjithëse në moshë të thyer, iu desh të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Vritet në shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët.

Imzot Luigj Bumçi, 1872-1944

Klerik i lartë, veprimtar politik, diplomat. Mik dhe bashkëpunëtor i vjetër i Luigj Gurakuqit. U aktivizua në ngjarjet politike të vendit në prag të pavarësisë. Në vitin 1911 mori pjesë në bisedimet e kryengritësve shqiptarë të mbi Shkodrës me autoritetet osmane. Në dhjetor 1918 u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme që doli nga Kongresi i Durrësit si dhe kryetar i delegacionit të kësaj qeverie në Konferencën e Paqes në Paris. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar në Këshillin e Lartë.

Elez Isuf Ndreu (1861-1924)

Elez Isuf Ndreu ka lindu ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Bir i Isuf Ndreut, nga një familje që do bëhej simbol i Dibrës. Strateg dhe udhëheqës popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare. Në krye të forcave atdhetare dibrane u ndesh me pushtuesit serbë. Tre herë forcat serbe ja dogjën kullat e familjes Ndreu. Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe udhëhoqi kryengritjen e armatosur në krahinën e Dibrës. Në janar të vitit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoron Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhrit të Franc Jozefit (dekoratë lufte). Ka marrë pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe vdiq në betejën e zhvilluar në Peshkopi kundër forcave të Ahmet Zogut.