Prof. Spiro Mëhilli: Si e filloi sulmin Gjermania ndaj BRSS

1010
Sigal

Si filloi sulmi i Gjermanisë ndaj ish-BS-së

-Mosbesimi i Mikojanit dhe Stalinit për sulmin gjerman

– Stalini  udhëzon  Zhukovin  dhe Timoshenkon të ruhen nga provokimet gjermane

– Gjenerali Kuznetcov: “Të kërkoj të informosh shokun Stalin se aeroplanët gjermanë po bombardojnë  Sevastopolin. Ka shpërthyer lufta!”

– Më 21 qershor, Beria deshifroi një raport nga shefi i shërbimeve ushtarake, F. I. Golikov ku thuhej: “170 divizione gjermane po përqëndrohen drejt kufirit perëndimor të BRSS”

– Nga Gjermania, Rusia kishte marrë 467 milionë marka mallra duke blerë një kryqëzor “Lutzov” me gjysmë çmimi

Prof. Ass. Dr. Spiro Mëhilli

-Mikojani rendi në zyrën e Stalinit dhe i raportoi, por mori përgjigjen: “Është fjala për një provokacion. Le të ikin”. Më 2015 Timoshenko u kthye në komisariat të mbrojtjes  dhe  e lajmëroi Stalinin se një dizertor  kishte zbuluar se lufta  do të fillonte në 4 të mëngjesit. Stalini iu përgjigj: “A nuk e kanë dërguar dezertorin apostafat për provokim?” Në orën  21  të darkës së 21 qershorit shefi shtabit i qarkut ushtarak të Kievit gjeneralkoloneli M. A. Purkajev raportoi se në qytetin kufitar Vladimir – Volinsk të Ukrainës, është dorëzuar  një dezertor, nënoficer gjerman,  i quajtur  Alfred  Liskov, i cili pasi kishte kaluar me not lumin Prut, deklaroi se  ushtria gjermane po lëviz drejt rajoneve të daljes në sulm, i cili do të fillojë në mëngjesin e 22 qershorit. Stalini urdhëroi që Liskovi të pushkatohej, sepse  kishte dhënë informacion fallco. Stalini  i tha Zhukovit  dhe Timoshenkos: “Është e parakohëshme të japim një direktivë të tillë, ndoshta çështjen mund ta zgjidhim vetëm në rrugë paqësore. Duhet dhënë një direktivë e shkurtër, në të cilën të thuhet se sulmi mund të fillojë me veprime provokuese të reparteve gjermane. Formacionet e qarqeve luftarake nuk duhet t’i përgjigjen provokacioneve për të mos shkaktuar ndërlikime”. Dhe më tej, Zhukov do të thoshte:  Përafërsisht në ora 24 të datës 21 qershor komandanti i qarkut ushtarak të Kievit, M. P. Kirponos,  raportoi se u dorëzua edhe një ushtar tjetër gjerman i regjimentit 222 të këmbësorisë të Divizionit 74. Ai notoi nëpër lumë, u dorëzua te kufitarët tanë dhe njoftoi se në ora 400 trupat gjermane do të kalonin në  mësymje. Në atë kohë, disa komandantë dhe shtabet e tyre flinin të qetë ose argëtoheshin. Në të gdhirë të 22 qershorit, në 307 komandanti i flotës së Detit Zi, admirali F.S.Oktjabërski njoftoi: “nga ana e detit afrohet një numër i madh aeroplanësh  gjermanë. Flota ndodhet në gatishmëri të plotë. Presim udhëzime”. Në ora 330 shefi i shtabit të qarkut të perëndimit, gjenerali V. S. Klimovski, raportoi për  sulmet e aviacionit gjerman mbi qytetet e Biellorusisë. Pas tre minutash,  shefi i shtabit të qarkut të Kievit, gjenerali M. A Purkajev, raportoi për sulmin e aviacionit mbi qytetet e Ukrainës. Në 340, telefonoi komandanti i qarkut ushtarak të Priballtikut, gjenerali F. J .Kuznjecov, për sulmet e aviacionit armik mbi Kaunas dhe qytete të tjera. Stalini në atë orë flinte. Në ora 417 komanda e Detit të  Zi i telefonoi Zhukovit për një mizori avionësh gjermanë bombardues. Admirali Kuznetcov mori nga komanda e Sevastopolit dhe raportoi drejt e në Kremlin “Gjermanët kanë filluar bombardimet”, por oficeri i rojës u përgjigj: “Shoku Stalin nuk është këtu dhe nuk di se ku ndodhet”. Dhe Kuznetcovi i indinjuar dhe me zë të lartë tha: “Të kërkoj të informosh shokun Stalin se aeroplanët gjermanë po bombardojnë  Sevastopolin. Ka shpërthyer lufta!”  Kur Stalini u zgjua,  Zhukovi i  transmetoi shqetësimin e Admiralit Kuznetcov, por mori përgjigjen: “Mos vallë ky është një provokacion i gjenralëve gjermanë?”  Zhukovi ja kujtoi me indinjatë: “Gjermanët po bombardojnë qytetet tona në Ukrainë, në  Biellorusi dhe në Priballtik”. Më 21 qershor, Beria deshifroi një raport nga shefi i shërbimeve ushtarake, F. I. Golikov ku thuhej: “170 divizione gjermane po përqëndrohen drejt kufirit perëndimor të BRSS”, por  nuk u mor parasysh. Stalini në vend që të ruante fortifikimet e vjetra të ndërtuara në vitet tridhjetë, kishte kohë që kishte urdhëruar që  të ngrihej një vijë e re fortifikimesh  përgjatë kufijve perëndimorë, që të përfshinin territoret e marra kohët e fundit. Në qershor 1941 ngritja e fortifikimeve të reja ishte akoma në hapat e para, ndërsa fortifikimet gjatë kufijve të vjetër ishin shkatrruar.  Mbi  35%  e llogoreve të projektuara  kundërtankeve dhe të pengesave kundër ushtarëve, tashmë  ishin prishur, gjë që i bëri kufijtë sovjetikë të çaheshin  shumë shpejt në pika të ndryshme. Në ditën e sulmit, shumë aeroporte nuk ishin gati për fluturim dhe avionët gjuajtës ishin grumbulluar në ato pak  aeroporte që funksiononin, gjë që e bënte të vështirë maskimin, përdorimin në rast sulmi dhe  shpërndarjen e tyre. Disa fusha ishin ndërtuar afër kufirit dhe ishin plotësisht të zbuluara  përpara sulmit të papritur, prandaj dhe aviacioni sovjetik pësoi humbje të jashtëzakonshme. Pak pas mesnate, në orët e para të 22 qershorit ekspresi Berlin – Moskë kaloi urën hekurudhore në Bug drejt qytetit rus të Brest – Litovskit, pas tij edhe një tren tjetër  i ngarkuar me grurë. Gjeneral Rokosovski  ishte i ftuar në koncert me shtabin e përgjithshëm, kurse komandanti i distriktit perëndimor gjenerali Pavllov, ishte i pranishëm në një komedi ukrainase. Në atë kohë, 2.500.000 ushtarë sovjetikë të gatshëm në kohën e sulmit në distriktin perëndimor u përballën  me 3.200.000 trupa gjermane,  ndërsa 2.200.000 ushtarë të tjerë sovjetikë ishin rezervë për të mbrojtur Moskën,  Leningradin dhe rajonet industriale të pellgut të Donit dhe  të Uraleve. Për habi të Stalinit, sulmi u krye po atë ditë. Sorge i ofenduar i transmetoi qendrës:“Ju shprehim urimet tona më të mira në këto ditë të vështira. Ne të gjithë këtu do të kryejmë me vendosmëri detyrën tonë”. Ditën e sulmit, gjeneral  Boldini mori në telefon mareshallin Timoshenko, komisarin e popullit për mbrojtjen, për ta  informuar mbi sulmin nga ana e gjermanëve, por ai  ju përgjigj:  “Shoku Boldin, kini parasysh që asnjë veprim  nuk duhet të merret kundër gjermanëve para se të mos jeni informuar. Ju lutem t’i thoni Pavllovit që shoku Stalin, ka ndaluar të përdoret artileria kundër gjermanëve”. “Po kjo nuk është e mundur, trupat tona janë tërsisht në tërheqje” – bërtiste Boldini në receptor, por mori përgjigjen “Jo”,  kur avionët gjermanë ishin 50 km përtej kufirit.

Avionët e Geringut dhe të Kanarisit që nga tetori 1939 deri më qershor 1941 në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare,  mbi 500 herë shkelën hapësirën ajrore të BRSS-së, me detyrë të zbulonin fortifikimet mbrojtëse, vendqëndrimin e trupave, bazat e flotës ushtarako detare dhe aerodromet në qarqet kufitare sovjetike, si dhe të përgatisnin akte diversioniste. Më qershor 1940, kundërzbulimi sovjetik, zbuloi në territorin e pushtuar polak, pranë kufijve me Bashkimin Sovjetik,  95 pika zbulimi dhe kalimi agjentësh. Nga janari 1940, deri në fund të marsit 1941, u zbuluan 66 rezidenca të zbulimit gjerman, u demaskuan 1956 agjentë gjermanë, prej të cilëve 1338 në rajonin perëndimor të Ukrainës, të Biellorusisë dhe në Priballtik. Nga vjeshta 1940 deri më qershor 1941, organet e sigurimit sovjetik kishin në dorë të dhëna të sakta të marra nga burime të ndryshme mbi përqëndrimin në kufirin me Bashkimit Sovjetik,  të ushtrisë prej 4 milionë ushtarë, për planet fashiste të sulmit. Që më 15 qershor 1941 Gjermania filloi të hidhte  në territorin e Bashkimit Sovjetik  një numër të madh bandash, grupe diversioniste  zbuluese dhe diversantë të shkëputur që kishin për detyrë me fillimin e veprimeve luftarake  të prishnin linjat e ndërlidhjes telefonike dhe telegrafike, të hidhnin në erë ura dhe trase hekurudhe në rrugët kryesore të trupave sovjetike, të shkatërronin depo ushtarake, të zinin në prapavijat e Ushtrisë së Kuqe ura hekurudhore dhe rrugore edhe t’i mbronin deri në mbërritjen e njësive të përparuara të ushtrisë gjermane. Ditën duke gdhirë 22 qershori, zbulimi hitlerian në disa drejtime operative hodhi nga toka dhe ajri matanë kufirit një numër të madh grupesh të vogla me diversantë, të cilët ishin veshur me rroba civile, ose me uniformë të ushtarakëve sovjetikë. Organet e sigurimit  sovjetik  në rajonet e prapavijës së frontit Biellorus zbuluan 6000 agjentë.  Nga 150 grupe spiunazhi dhe diversioni  me 3 deri 10 veta “Abverskuadër 104” që nga tetori 1942, gjatë 12 muajve të ardhshëm u kthyen vetëm dy, dhe këta pa sukses. Dorë pas dore u asgjësuan 226 grupe  agjentësh të hedhur me parashutë në prapavijat sovjetike. Në pranverën e 1941, Stalini injoroi sulmin gjerman. Atij i erdhën rreth 84 sinjalizime nga burime informative të vendeve të ndryshme të botës dhe nga simpatizantë  gjermanë të komunizmit, që precizonin  datën edhe forcat e sakta që do të sulmonin. Stalini këto i quajti provokime të anglezëve për të futur Bashkimin Sovjetik  në luftë. Beria, në një letër disa orë para sulmit  i shkroi Stalinit: “Unë dhe populli sovjetik i dashur Josif  Visarion me respekt kujtojmë fjalët tuaja të urta se Gjermania këtë vit nuk do të na sulmojë”. Dhe për më tepër u lejuan, që  në prag të luftës të  shkonin  në Berlin familjet e shumë përfaqësuesëve diplomatikë dhe tregtarë, të cilët natën, në të gdhirë të 22 qershorit, u arrestuan nga Gestapo.  Zhukov  do të thoshte: “Unë dhe N. F. Vatutini,  përgatitëm projektdirektivën  e komisarit të popullit: Kopje komisarit të popullit për flotën ushtarako – detare: 1- Gjatë 22 – 23  qershorit  1941, mund të ndodhë sulmi i papritur i gjermanëve në frontet e qarkut ushtarak të Leningradit, qarkut ushtarak të veçantë të Priballtikut, qarkut ushtarak të veçantë Perëndimor, qarkut ushtarak të veçantë të Kievit, qarkut ushtarak të Odesës. Sulmi mund të fillojë me veprime provokuese. 2- Detyra e ushtrisë tonë është që mos t’u përgjigjet veprimeve provokuese që mund të sjellin ndërlikime të mëdha. Njëkohësisht, formacionet ushtarake të qarqeve të Leningradit, të  Priballtikut, të Perëndimit, të Kievit dhe të Odesës, të jenë në gadishmëri të plotë luftarake për të pritur sulmin e  mundshëm të gjermanëve ose të aleatëve të tyre. 3- Urdhërojmë: a- gjatë natës duke u gdhirë 22 – 06 -1941 të zihen fshehurazi pikat e zjarrit të rajoneve të përforcuara me kufirin shtetëror. b- para agimit të datës 22 – 06 – 1941 të shpërndahet nëpër aerodromet fushore i gjithë aviacioni, dhe ai i formacioneve  dhe të maskohet me kujdes. c – të gjithë repartet të vihen në gatishmëri luftarake. Ushtria të mbahet e përhapur dhe e maskuar. d-mbrojtja kundërajrore të vihet në gatishmëri luftarake. Të përgatiten të gjitha masat për errësimin e qyteteve dhe të objekteve. e – asnjë masë tjetër të mos merret pa urdhër të veçantë.

21-06-1941 Timoshenko, Zhukov.

Disa historianë rusë mbështesin mendimin, se Stalini, me të vërtetë e dinte mirë se çfarë do të  ndodhte, por i ndërgjegjshëm  se strukturat ushtarake sovjetike nuk ishin të përgatitura dhe të dëmtuara shumë rëndë nga spastrimet, vazhdonte të shpresonte  në një zgjidhje diplomatike. Ai vepronte sikur agresioni do të shmangej dhe për pasojë dukej plotësisht i vendosur të mos t’u besonte dëshmive gjithmonë e më të shumta për qëllimet e vërteta të Hitlerit. Nga Gjermania, Rusia kishte marrë 467 milionë marka mallra duke blerë një kryqëzor “Lutzov” me gjysmë çmimi. Në  orën 2 të mëngjesit të 22 qershorit të vitit 1941,  sapo  treni me drithëra kaloi Bugën, Hitleri i derdhi Stalinit 239 milionë marka  dhe fill pas saj,  179  divizioneve  nga 256 që kishte në tërë Evropën (70% të Vermahtit) si dhe 61 divizione aleate, gjithsej 240 divizione: 22 rumune, 14 finlandeze, 10 italiane, 13 hungareze, 1 sllovake, 1 spanjolle dhe  6000 avionë paraprinë sulmin.  Këto 240 divizione kishin 3.000.000 ushtarë gjermanë, kroatë, finlandezë, rumunë, hungarezë, italianë të pajisur me,  3600 – 4000 tanke,   600.000 mjete të motorizuara, 7000  –  7184  topa,  6000 avionë, 65.000 kuaj. Bashkimit Sovjetik, në atë kohë kishte 14.000 tanke Klim Voroshillov  KV1 dhe KV2 respektivisht 43 dhe 52 tonë deri atëherë të panjohur,  2000 prej tyre modernë,  34.000 topa dhe 8000 avionë. Ushtria e Rajhut  rreshtohej sa më poshtë: Gruparmata  “Veriu” me komandant mareshallin fon Leeb, me dy armata dhe një grup të blinduar  që duhej të kalonin Memelin nga ana e Prusisë Lindore. Misioni  i saj ishte të asgjësonte forcat sovjetike në territoret Balltike dhe të pushtonte Leningradin. Grupin e blinduar e komandonte gjeneral Hoepner. Gjeneralët fon Manstein dhe Reinhardt komandonin  dy njësi të lehta. Flota parë ajrore e  futur në këtë grup komandohej nga gjenerali Keller. Gruparmata  “Qendra” me komandant marshallin fon Bock, me fushë veprimi nga Marurisi deri në jug të Brest Litovsit, në një territor prej 400 km. Grupi më i rëndësishëm përbëhej nga dy armata me 30 divizione këmbësorie,  15 divizione të blinduara ose të motorizuara, ku futej  grupi i dytë i blinduar me gjeneral Guderianin dhe grupi  i tretë i blinduar  me gjeneral Hothin. Flota dytë ajrore me marshall Kesselringun  dhe me disa skuadrilje Stukas që shtonin  forcën goditëse. Detyra e gruparmatës Qendra ishte  të asgjesonte  deri në reduktim forcat sovjetike që zinin  trekëndëshin Brest Litovsk – Vilna – Bialistok – Smolensk, me forcat e tyre të blinduara e të motorizuara,  duke pasur si qëllim në fillim Smolenskun  dhe më pas Moskën.Gruparmata “Jugu”, midis kënetave të Pripiatit dhe Karpateve me komandant mareshallin fon Rundstedt me tre armata,  që kishin  5 divizione të blinduara dhe 25 divizione këmbësorie nga të cilat 4 të motorizuara dhe 4 malore  me drejtim  Dnieprin  dhe Kievin, për të likujduar dhe shpartalluar forcat sovjetike të gjeneralit  Kirponos në Galici dhe në Ukrainën perëndimore përballë Dnieprit dhe më pas në marrje të Kievit. Forca ajrore  e Flotës katërt do të  mbulonte atë hapsirë. Aleatët rumunë dhe Armata XI gjermane që i ishin bashkangjitur Rundstedtit do të qëndronin të gatshme kur ta kërkonte nevoja. Në veri, forcat finlandeze do të merrnin ofensivën atëherë kur do të fillonte sulmi gjerman. Përballë ushtrisë gjermane qëndronin 170 divizionet dhe 29 brigada   sovjetike me 4.700.000 trupa të  shpërndarë në një gjërsi  prej 3375 km, nga Deti Barenc deri në Detin e Zi dhe thellësi 400 km. Në frontin e veriut me gjatësi 1275 km ishin vendosur 21 divizione dhe 1 brigadë këmbësorie, ku  çdo divizioni i takonte  të hapej mesatarisht në  61 km. Nga vendet Priballtike  deri në Odesë gjatësia ishte 2100 km me dislokimin e 149 divizioneve dhe 1 brigade, ku çdo divizion do të mbronte 14 km front. Qarku i Priballtikut me komandant gjeneralkolonel F. I. Kuznecovin  kishte 25 divizione,  ku    4 divizione ishin tankiste, 2 divizione  të mekanizuara dhe 1 brigadë këmbësorie. Qarku i posaçëm i  perëndimit me komandant gjeneralarmate D. G. Pavllovin, kishte 24 divizione këmbësorie, 12 divizione tankesh, 6 divizione të mekanizuara dhe 2 divizione kalorësie,  gjithsej 44 divizione. Qarku i posaçëm i Kievit me komandant gjeneralkolonel M. P. Kirponosin  kishte 32 divizione këmbësorie, 16 divizione  tankiste, 8 divizione të mekanizuara dhe 2 divizione kalorsie, gjithsej 58 divizione. Divizioni ushtarak i Odesës me komandant gjeneralleitenant  Cerevinçekon,  kishte 22 divizione: 13 divizione këmbësorie, 4 divizione tankiste, 2 divizione të mekanizuara dhe 3 divizione  kalorësie. Vetëm në Biellorusi rusët kishin 6000 avionë, por shumica e tyre  ishin demode. 1300-1500 ishin avionë të kohës. Rusët në atë kohë kishin 35.000 tanke.