Prof. Dr. Spiro Mëhilli: “Diktatorë dhe Aventurierë”

716
Sigal

Në vitin 1930 Byroja Politike aprovoi një dekret  për ta ndaluar Stalinin të ecte në këmbë në qytet

 

Marrë nga libri Diktatorë dhe Aventurierë

 

Më 25 mars të vitit 1908, shefi i policisë së Bakusë, arrestoi shumë kriminelë, mes të cilëve, Gajoz Besoviç Nijeraxen, që ishte Josif Visarionoviçi (Koba, Soso), të cilin e çuan në burgun Baillov të Bakusë, ku qëndroi 7 muaj. Ai u mundua të arratisej duke prerë hekurat e qelisë, por u zbulua dhe u dënua 2 vjet azil politik në provincën e Vologdës, në Rusinë Qendrore. Një shok nga Batumi i propozoi atij motrën e tij të bukur, 18 vjeçaren  Allvasi Talakvaxen, që u bë e dashura e Kobas. Në fund të shkurtit të vitit 1909, nga Vollogda, ai arriti në fshatin Solvishegodsk. Aty u prit në gjirin e komunitetit nga mësuesja Tatjana Sukova, me të cilën pati një lidhje që zgjati për disa muaj. Në Solvishegodsk do të zinte edhe dy dashnore të tjera. Në fund të qershorit, i veshur me fustan, i shoqëruar nga Sukova, me anije arriti në Kotlas dhe me tren në Petërburg për ta mbajtur frymën në rrugën “Potjomkin”. Në fillim të korrikut, u shfaq në Baku me emrin Oganez Totomianc, tregëtar armen. Më 23 mars 1910, Josifi ose “Shitësi i qumështit”, që në atë kohë mbante emrin Zakhar Melikiance, u arrestua për të tretën herë nga koloneli Martinov dhe kaloi mbi 6 muaj në burgun Bajlov, në Baku dhe më pas u dërgua për 5 vjet në Solvishegodsk, duke iu ndaluar të jetonte në Kaukaz dhe në shumë qytete të Rusisë. Atje u njoh me gruan e re Stefani Petrovskën, e cila mbajti lidhje dashurie dhe donte të martohej me Soson. Në fillim, ai e mohoi lidhjen që patën, dhe më pas, për shkak të tuberkulozit, u detyrua të martohej me Stefaninë në prani të drejtorit të burgut. Mësuesja 23 vjeçare, aristokrate nga Odesa, me besim katolik, kishte kryer studimet e larta në Moskë dhe ishte dënuar 2 vjet azil në Vologda. Ajo sapo kishte kryer dënimin, kur u njoh me Soson. Nuk u largua nga Solvishegodsku dhe i shkoi atij nga pas deri në Kaukaz. Në shtator të vitit 1910,  osifi u transferua në provincën e Vollogdës. Në fillim u vendos në familjen Grigorov. Pas 23 shkurtit 1911, ai u regjistrua si çift me pastruesen Serafina Korosheninën, por, pas kësaj date, me urdhër të provincës së Vologdës, Serafina u dërgua të shlyente dënimin e mbetur në Nikolsk. Atëherë ai filloi të bashkëjetonte në një dhomë të vetme me vejushën Maria Kozakovën, të cilës, burri i ishte vrarë në luftën ruso-japoneze në vitet 1904-1905 dhe kishte 5 fëmijë në ngarkim. Kur Soso u largua prej saj, ajo kishte mbetur shtatzënë. Më 25 maj 1911, Zivilevi e arrestoi atë, sepse kishte marrë pjesë në një mbledhje me revolucionarë dhe e dënoi 3 ditë izolim në burgun lokal. Kur u lirua dhe u kthye për t’i dhënë lamtumirë qiradhënëses, mësoi se i kishte lindur djali, Konstandini, që iu dha ligjërisht atësia në emrin e burrit të vdekur, pra Konstandin Stepanoviç (Konstandini u bë profesor universiteti, pastaj zëvendëskryetar i drejtorisë së propagandës në KQ e më pas zv/ministër i prodhimeve kinematografik. Gjatë LIIB, Konstandini u gradua kolonel, ndërsa e ëma vdiq nga uria në rrethimin e Leningradit).

Në atë kohë Josifi shkrojti disa letra, ku njëra nga ato i drejtohej të dashurës dhe nënës së gruas së ardhshme, Ollga Allilujevës“Jam më shumë se mirënjohës, e dashura Olga Evgenievna, për ndjenjat e tua të ëmbëla dhe të mira ndaj meje. Nuk do ta harroj kurrë përkujdesjen që ke treguar për mua. Pres momentin në të cilin koha ime në azil të mbarojë dhe të vij në Petërburg, që të të falenderoj personalisht për çdo gjë, juve dhe Sergein. Kam akoma dhe dy vjet për ta përfunduar. E mora pakon. Faleminderit. Mendoj  se nuk duhet të shpenzoni para për mua; paratë do t’ju nevojiten juve. Do të isha i lumtur jashtë mase, nëse më dërgoni ndonjë kartolinë me pamje të natyrës dhe kjo mjafton. Në këtë përhumbje të gjatë, bota e  natyrës  është  një  mjerim i përçudnuar, ku,  në verë,  lumi dhe në dimër, bora. Ja,  në këtë katandiset  natyra dhe unë jam i prirur nga një dëshirë e çmendur, të shikoj panoramat e bukura, megjithëse ato do të jenë në letër.Përshëndetjet e mia  djemëve dhe vajzave. I transmetoni atyre përshëndetjet më të mira nga ana ime. Unë jetoj pak a shumë si më parë. Ndihem mirë.  Shëndetin e kam të mirë dhe jam mësuar  me kushtet e këtushme. Por natyra është mjaft e egër: tri javë kemi përjetuar  një temperaturë 45 gradë nën zero.. Përshëndetje respekti.  Josifi”.

Më 6 korrik 1911, Josif  Xhugashvili,  shkoi në Kotlas dhe më tej në Vologda. Hafijet i vunë emrin “Kaukaziani”. Këtu u njoh me   Pelageja (Polia) Onufrievën, nxënëse në gjimnazin e Totmas, vajzë e një bujku të pasur të Solvishegodskut. Ajo ishte dashuruar me Shizhikovin, që ishte i internuar  në Totma dhe ia kishte mbathur me atë në Vologda. Këtu u njoh me Soson. Sapo Shizhikovi,  punëtor në magazinën e mallrave dilte në orën 9 nga shtëpia për të shkuar në punë, brenda futej Josifi.  Më 9 shtator 1911, policia e arrestoi në pensionin “Rusia”, në Petërburg. Ministri i Punëve të  Brendshme,  Makarov, e dënoi me 3 vjet. Përsëri, pasi mashtroi policët, u arratis. Deri në dhjetor të vitit 1911, u fsheh te shtëpia e Simakovit. Në prag të vitit të ri, ai u kthye në Vologda në shtëpinë e një çifti të moshuar, që kishin një vajzë të divorcuar, Maria Bogolovskajan, nënë e tre fëmijëve të vegjël dhe një shërbyese 16 vjeçe, Sofia Kriukovan. Josifi grindej shpesh me Marien dhe sipas Sofies, përmendeshin emra grash me të cilat ai shkonte, midis të cilave bënte pjesë edhe vetë Sofia. Nga fundi i shkurtit të vitit 1912, Soso arriti në Petërburg dhe mori detyrë të kthente të përjavshmen “Zvjezda” në të përditshmen “Pravda”. E çuan te Tatjana (Tania) Sllavatinskaja, 30 vjeçe, bolshevike, e martuar, e arsimuar dhe e bukur, jetime, që kishte studjuar në konservator dhe ishte e marrosur pas zërit të Shaliapinit. Josifin ia prezantuan me emrin “Vasili”, pseudonimi i fundit. Të dy patën lidhje dashurie (Më vonë  ajo u bë anëtare e Komisionit  Qëndror të Kontrollit. Në vitin 1937, dhëndri i saj general, u pushkatua, e bija dhe i biri u arrestuan dhe u internuan për 8 vjet)Më 7 qershor 1913, ministri i Punëve të  Brendshme, Maklakovi,  e dënoi me 4 vjet azil politik, në Turukhansk, në Siberinë e errët. Udhëtoi nëpër Jenisej, në Krasnojarsk, në temperaturë minus 60 gradë për 26 ditë dhe mbërriti në fshatin Manastirskoje. U caktua të banonte në “Miroedika”, lagje në jug të fshatit. Dy javë më vonë u shpërngul në lagjen “Kostino” dhe më tej, pasi i dhanë 50 rubla, u zhvendos 180 vjorsta drejt veriut, madje 80 vjorsta në jug të rrethit arktik, në Kurieka. Në Kurieka jetonin 67 fshatarë, 38 burra dhe 29 gra, në 8 shtëpi prej druri. Pjesa më e madhe i përkisnin Tarasevëve, Saltikovëve dhe 7 jetimëve Perepriginë: pesë vëllezër dhe dy motra, Natalia dhe Lidia. U vendos në shtëpinë e Alekseit dhe Anfisa Tarasevit. Në prill të vitit 1914, Stalinit i ra në sy vajza e vogël e jetimëve Perepriginë. Tridhjetekatërvjeçari  Stalini nisi lidhje me 13 vjeçaren  Lidia Perepriginën. Lidia mbeti shtatzënë. Kjo i xhindosi vëllezërit, por Stalini i premtoi xhandarit Laletin se do ta merrte për grua sapo Lidia të mbushte moshën.  Në dhjetor të vitit 1914, Lidia lindi fëmijë, që i vdiq pas pak kohësh. Dimrin e viteve 1915-1916, Stalini  e kaloi në familjen e Perepriginëve dhe vazhdoi të ruante lidhjen me Lidian. Gjatë verës ai e la përsëri shtatzënë dhe siç e kishte zakon, u zhduk për të shkuar në ishullin Polovinka, për të gjuajtur peshk në lumin Jenisej. U kthye në fillim të vjeshtës tek Lidia 15 vjeçare, në fazën e përparuar të barrës. Në vitin 1916, ajo lindi djalë dhe ia vunë emrin Aleksandër. Stalini e braktisi. Lidia, duke mos pasur shpresë te Josifi, u detyrua të martohej me fshatarin peshkatar Jakov Davidovin, i cili e adaptoi Aleksandrin si fëmijën e tij (Lidia u bë parukiere në Igarka dhe pati 8 fëmijë të tjerë. Aleksandri u bë postier dhe instruktor në komsomol, por në vitin 1935, u thirr në KPPB. Gjatë LIIB, shërbeu si ushtar i thjeshtë. U plagos 3 herë, pastaj u gradua major në luftën e Koresë. Drejtoi mensën e qytetit minator të Novokuzneckut, ku u martua. Pati 3 fëmijë dhe vdiq në vitin 1987). Në vitin 1916, Josifi u thirr nën armë, së bashku me shokët e tjerë të azilit politik. Më 12 dhjetor 1916, Kibirovi mblodhi 20 veta nga dy grupe azilantësh. Në 9 shkurt 1917, ata mbërritën në Krasnojarsk. Josifi u sistemua në apartamentin e bolshevikut  Ivan Samoilov.  U paraqit në komision dhe doli i paaftë për shkak të krahut të majtë që e kishte më të shkurtër. Më 16 shkurt 1917, ai  i kërkoi guvernatorit të Jeniseiskut t’i kalonte 4 muajt e mbetur në Atshinsk, ku banonte Kamenievi me të shoqen. Më 21 shkurt, u shpërngul te shtëpia e Vera Shveicerit, ku të dy kaluan  netë të arta.  Më 7 mars 1917, Stalini, Kamenievi dhe Olga, motra e Trockit, u nisën me tren dhe më 12 mars, arritën  në Petrograd dhe ai e mbajti frymën tek Allilujevët, ku takoi Ollgën; 16 vjeçaren brune, Nadjezhdën, motrën e saj, Anën dhe të villain, Fedor. Nadjezhda filloi punë si sekretare e Leninit. Në prill të vitit 1918, kur Stalini shkoi me detyrë komandant në Caricin, në vagonin e blinduar mori Nadjezhdën  si daktilografiste, pasi kishte frikë se mos Lenini e shtinte në dorë dhe duket, aty u dashuruan. Pas kthimi, ata u martuan dhe banuan në Kremlin e më pas në vilën elegante të quajtur Zubalova. Revolucionari 38 vjeçar, u martua me vajzën 16 vjeçare, me një diferencë moshe prej 22 vitesh.   Në vitin 1920, Stalini u dashurua me Liza Akopovan. Më vonë, flirtoi me Marusien, të dashurën e Molotovit, për të vazhduar me gruan e bukur të Aleksandër Jegorovit, Galina  Jegorovnën, e lindur Zakrevskaja, 34 vjeçe, aktore kinematografije, brune, me famë për veshjen dhe  dashuritë e saj. Në 10 maj 1929, Stalini  ftoi në daça Ekaterina Mikulinasen, 23 vjeçe dhe kaloi një natë duke përfituar nga mungesa e Nadjas, gjoja për t’i bërë vërejtje mbi librin e saj “Gara e punëtorëve në socializëm”. Po ashtu, shkonte  me bukuroshen topolake Ljudmilla Stal, 6 vjeçe më e madhe, aktiviste e njohur në radhët e grave, vajzë pronari në një fabrikë prodhimi çeliku, në jug të Ukrainës (Stal punoi në KQ dhe vdiq para LIIB), po ashtu shkonte edhe  me Dora Kazan, shoqen e Nadjes. Në vitin 1930 Byroja Politike aprovoi një dekret  për ta ndaluar Stalinin të ecte në këmbë në qytet. Në atë kohë ai u lidh  me Gusevën, gruan shumë të bukur të një oficeri (Sipas të dhënave nga Roma,  në  28 maj 1930,   gjatë  bisedimeve midis ministrave  mbi përmirësimin e gjëndjes së fshatarëve, u hap një diskutim i ashpër midis diktatorit  dhe ministrit Rikov. Në bisedim e sipër Rikovi nxori pistoletën nga xhepi dhe shtiu mbi Stalinin, por plumbat nuk mundën ta godisnin. Ndërhyri policia dhe Rikovi u arrestua).  Në vitin 1932,  Stalini u dashurua me  Vera Aleksandrovna  Davidovën, këngëtare  yll e Balshoi Teatrit. Ajo për atë do të thoshte: “Kur e pashë për herë të parë Stalinin, isha në skenën e Kremlinit duke kënduar në operën “Demoni”.

 

 

Pas shfaqjes, u shtrua një banket dhe mua protokolli më vendosi të ulesha në mes të Stalinit dhe të Voroshillovit. Stalini hante shumë pak dhe pothuajse nuk pinte. Më shikonte me ca sy të zgurdulluar nga mahnitja. U ktheva në konviktin e artistëve dhe rastësisht futa dorën në xhepin e palltos dhe papritur ndjeva se po prekja një copë letër të palosur. E nxora shpejt nga xhepi dhe lexova: “Pas banketit do t’ju pres në makinë. Shoferi do t’ju sjellë në vendin e duhur. Ruani letrën. Mos flisni me asnjeri për këtë takim”…..Fillova të dridhem. Në mendjen time fillova t’i lidh faktet me njëra-tjetrën…..Kaluan disa çaste  ku unë solla në kokë  sytë e tmerrshëm të Stalinit…..M’u afrua një mesoburrë, më përshëndeti me respekt dhe më tha, “Shoqja  Vera, po ju pret makina, mund të hyni dhe të ngroheni se jashtë bën shumë ftohtë, është 32 gradë nën zero” ….Pas pak, hyra e ngrirë nëpër një korridor të gjatë dhe si u gjenda në një dhomë, u lëshova mbi divanin e butë e raskapitur nga tensioni dhe ankthi. U hap një derë dhe u shfaq Stalini. “Ju paskeni ardhur?”, “Po, sapo mbërrita.” Erdhi një grua, më mori peliçen, dorezat, kapelen dhe shallin. Pasi u darkuam, pash orën dhe i thashë Stalinit: “Visarionoviç është shumë vonë dhe duhet të kthehem në shtëpi, sepse dhe ju jeni shumë i lodhur.” “Vera unë kam një bisedë  serioze me ju, shkojmë në dhomën tjetër, atje askush nuk do të na shqetësojë. Kam nevojë të flas me ty Vera, por, pa dritë, sepse, shpirtrat në errësirë  flasin më mirë”….Kërkesës time të ndershme dhe të thjeshtë për t’u larguar ai nuk i kushtoi as rëndësinë më të vogël. Në errësirën e plotë, dallova dy sy të flakëruar si dy zjarre, m’u duk  se para meje qendronte  një  bishë e tërbuar, e neveritshme dhe jo një njeri normal. Stalini vazhdonte të më puthte dhe të më ledhatonte, mustaqet e tij të mprehta  dhe të egra, gërrvishtnin  fytyrën time dhe sytë. Më erdhi vështirë nga e gjithë kjo histori,  por nuk bëja dot më asgjë…..Atë natë të tmerrshme nuk do ta harrojë deri  sa të jem gjallë”. Ai në takimet e shumta që kishte me Verën, do t’i thoshte shpesh asaj: “Dua të shoh nudo me dritë të ndezur, mos ki turp. Duhet të më ndihmosh. Hajde, ç’më rri si statujë. Koha është e çmuar. S’duhet ta harxhojmë kot. Je e bukur, frymëzuese. Ti ma ndez gjakun kaukazian. E kam të vështirë ta përmbaj veten. Gratë janë shtuar më shumë se qentë. Më ofruan një kameriere të re, gjoksmadhe, që kur ta shoh të më  ndizet shpirti e të më bëhet copash. Veroçka, në jetën time kanë hyrë shumë gra, por asnjërën prej tyre s’e kam dashur me kaq pasion sa ju” dhe në vitin 1934, do t’i thoshte: “Jeta është e shkurtër, pastaj na mbulon bari nën tokën mëmë të lagur dhe shpejt na pret një varr pa qefin. Do të bëj një banjë me avull, me degë mështekne, të më kalojnë nëpër trup e nëpër duar putrat e forta të xhaxha kreshnikut rus”. Gjatë gjithë periudhës  që Vera ishte dashnore e Stalinit  ajo ka qenë dëshmitare  e ngjarjeve  më të llahtarshme  që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë  së njerëzimit.

Në nëntor të vitit 1932,e shoqja e Stalinit,  Nadja Allilujeva vrau vetën. Kur Evgenia (Zhenja) Zemljanitshin Allilujeva me të shoqin,  Pavël Allilujevin, kunati i Stalinit, diplomat, u kthyen nga Berlini, midis saj dhe Stalinit lindi një miqësi. Pavli nga diplomat u kthye në komisar ushtarak në komisionin e mbrojtjes. Pas vdekjes së Pavlit, Zhenja u martua me Nikollai Moloçnikovin, funksionar me origjinë hebre (Ai më vonë do të lidhej  me anëtarët e Komitetit Hebraik Antifashist, që ishte krijuar gjatë LIIB. e që drejtohej nga aktori i njohur ndërkombëtar Solomon Mikhaels. Stalini filloi procesin e zhdukjes së Komitetit Hebraik Antifashist dhe eliminimin e të gjitha shfaqjeve të kulturës “Yiddish” (hebraik). Mikhaelsi u pushkatua nga NKDV-ja dhe Evgenia u arrestua më 1947 dhe u çua në Gulak, ku qëndroi 7 vjet. Stalini ishte i dashuruar me nënën time, mendon Kira, vajza e Zhenjës. Pas inagurimit të kushtetutës në vitin 1936, Zhenja Allilujeva dhe Stalini u bënë dashnorë.

Do të ndalem edhe në një flirt  nga të shumtit, atë me aktoren më të madhe të kinematografisë sovjetike, Lubov Orlovën. Lubov Petrovna Orlova aktore,  këngëtare dhe muziciste,  ishte lindur në një familje aristokrate. I ati, Pjotër Fedoroviç Orllovi, oficer madhor në Ministrinë e Luftës me titull nderi imperial dhe e ëma, Evgjenia Nikolajevna Sukotina, me prejardhje aristokrate, krushqi me familjen e kontit Tolstoi. Që në fëmijërinë e saj, Lubova kishte një talent për artiste, që iu vu në dukje nga miku i familjes, i famshmi Fjodor Shaljapini. Fill pas grushtit të shtetit më 1917, ajo i mohoi prindërit e saj dhe deklaroi se ishte lindur në një familje punëtori dhe fshatareje. Në saj të talentit, fillimisht u regjistrua në një shkollë muzike dhe studioi për pianofort në Konservatorin e Moskës, për të vazhduar më pas në Teatrin e Arteve me emrin e E. E. Telesovës. Në vitet 1920-1926, ajo shërbeu  si interpretuese në shumë teatro të muzikës dhe si pianiste që shoqëronte në kinema filmat pa zë. Më 1923-1933, ajo gjendet   koriste dhe më pas, artiste në teatrin muzikal nën drejtimin e Vladimir Nemiroviç Dançenkos. Në vitin 1926 u martua me nënkomisarin e popullit për bujqësinë, Andrea Berzinin, që u arrestua më 1930. Nga viti 1932 deri në vitin 1933, ajo bashkëjetoi me një sipërmarës austriak me emrin Frans. Më pas, tërhoqi vëmendjen e regjisorit Grigori Vasileviç Aleksandrovit, burrit të saj të ardhshëm, që në vitin 1934 e përzgjodhi të interpretonte në filmin  “Gjithë bota qesh” së bashku me aktorin Leonid  Utjesov.  Në BS filmi është shfaqur  me titull “Të rinjtë e gëzuar”, ndërsa në vendin tonë “Të rinjt e gëzuar- gjithë bota qesh”.  Orlova  u bë e famshme edhe me filmat “Cirk”, “Vollga-Vollga,  “Pranvera” “Nata Petërburgase” “Rruga e ndritur” “Çështja e Artamanovëve”, “Takim në Elba”, “Musorski”, “Kompozitori Glinka”, që janë shfaqur edhe në vendin tonë. Në vitin 1941 për filmat “Cirk “ dhe “Vollga – Vollga” dhe më pas, në vitin 1950  për filmin “Takim në Elba”, ajo u vlerësua me çmimin Stalin. Deri në vitin 1960, urdhërat dhe medaljet nuk kishin së reshturi.

Filmi “Të rinjt e gëzuar – gjithë bota qesh”, ishte më i kontestueshmi. Ai ishte një film gazmor, por, nga udhëheqja sovjetike u konsiderua një film dekadent që fuste frymën amerikane me muzikën xhaz për të degjeneruar rininë sovjetike. Grigori Vasileviçi dhe Lubova dolën para inkuizicionit, ashtu sikundër dilnin filma tanë që prodhonte Kinostudioja “Shqipëria e re” ose regjisorë dhe aktorë, megjithëse u mbrojtën nga mësuesi dhe miku i tyre, regjizori i madh Sergei Mihailoviç Ejzeshtein, i cili së bashku me Georg Vasilievin në vitin 1928 kishin vënë në skenë filmin “Tetori”, me skenar të Xhon Ridit. Duke ditur deri në detaje biografinë e Lubovës, Stalini që tashmë e adhuronte, një natë e thirri në selinë e tij, në Kremlin, bashkë me të shoqin në prani të shumë personaliteteve të politikës dhe të artit, dhe së fundi pas presionesh “të padukshme”e mori në dhomë e tij. Të pranishmit, ku ishte edhe Ezenshteini, heshtën. Grigor Vasilieviçi u detyrua ta priste të shoqen në të ftohtë,  në oborin e Kremlinit për një kohë të gjatë. As ai nuk e pyeti atë pse u vonua dhe as ajo nuk i tha gjë mbi atë takim të gjatë dhe të çuditshëm. Vite më vonë, ajo do të thoshte. “Nuk kisha se çfarë të bëja. Shkurtabiqi dhe i frikshmi Stalin më kalli datën”.

Stalini  u dashurua edhe me pianisten hebreje Maria Veniaminovna Jodinën,  lindur më 9 shtator 1899, në Nevel të Rusisë, në një familje hebraike. Ajo studioi në Konservatorin e Shën Petërburgut nën drejtimin e Leonid Nikolajevit. Midis shokëvë të klasës ka pasur Dmitrij Shostakoviçin dhe Vladimir Sofronskin. Ajo ishte e preferuara pianiste nga Stalini. Një ditë, kur ai po dëgjonte me radio koncertin për pianofort në la maxhore të Volfang Amadeus Moxartit të interpretuar nga Judina, kërkoj një kopje të regjistruar nga koncerti. Stalini i shkroi Judinës dhe i dhuroi 20000 rubla, shumë e madhe për kohën. Ajo, me mirësjellje dhe kurajo të jashtëzakonshme i shkroi: “Ju falenderoj Josif Visarionoviç për ndihmën tuaj. Lutem për ju natë e ditë duke iu drejtuar Zotit t’u falë të gjitha mëkatet që i keni bërë njerëzimit  dhe vendit tonë. Zoti është i dhimshëm  dhe i njerëzishëm. Njëzetmijë rublat ja dhurova kishës ku unë jam famulltare.”Ajo, me pianofortin e saj, sfidoi diktatorin Stalin.

 Në prill të vitit 1937, Stalini ka pasur lidhje sentimentale me mjeken 27 vjeçare, Bronka Poskrebishevën. Nëntë muaj më vonë, Bronka lindi Natali Poskrebishevën. Vajza e Mihail Suslovit, i tha Natalisë: “Të gjithë e dinë se babai yt i vërtetë shtrihet në Mauzoleumin e Leninit”. Një kuzhiniere e re, Valentina Istomina nga Zubalovo,  në vitin 1938, u transferua në Kuntzevo dhe vazhdonte të ishte e dashura e Stalinit (Më vonë ajo u martua, por qahej për xhelozi nga i shoqi. Veleçka u ngrit në detyrën e guvernantes që të kujdesej për veshjet e Stalinit). Në fund të viteve tridhjetë qarkullonin fjalë se pas vdekjes së Nadjas, Stalini donte Roza Kaganoviçin, motrën e Llazar Kaganoviçit dhe se kishte pasur një martesë të tretë me këtë si dhe kishte pasur një djalë prej saj, ose vajzë, Majën, por që nuk u vërtetua. Po kështu, u përfol dhe kunata e Malenkovit, por që dhe kjo nuk u vërtetua. Në vitin 1939, Stalini u dashurua  me balerinën Marina Timofejevna Semenovën dhe me Kira Simoniç Ivanovnën (mbiemri i vajzërisë), që u zhduk në 5 maj të vitit 1940. Në 7 maj 1940, 2 ditë pas zhdukjes së Kira Simoniç Ivanovnas, i shoqi, Grigor Ivanoviç Kulik, u gradua mareshall i B.S; për të vazhduar me hebrejen Natalia Dmitrijevna Shpiler, që i ishte qepur Stalinit; me Natalia Sap, që ishte e dashura edhe e disa personaliteteve të shquar si Tukaçevskit, Zinovievit, Kirovit, Budionit, Voroshillovit, Poskrebishevit, Jagodës etj si dhe me Galina Josifovna Serebrjakovën, shkrimtaren e njohur, që në vitet tridhjetë merrte pjesë në pritjet që bëheshin në Kremlin. 

 

Midis shumë të tjerave mund të përmendim balerinën e madhe Ollga Lepeshinskën që pasi e mbajti për disa kohë ia kaloi anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike; Valeria Brasovën dhe  Bronisllava Zllatogorskën. Diku nga viti 1950-1951  Stalinit i dërguan një vajzë 17-18 vjeçe nga Kievi për t’i shërbyer udhëheqësit të madh. Ajo u shoqërua nga rinia e qytetit  për t’u kthyer pa mbushur vitin me barkun te goja sa traumatizoi familjarët e saj.