Problemet e Fatos Lubonjës dhe sulmet kundër Kadaresë

1059
Sigal

Flet shkrimtari Sadik Bejko: “Ta mjegullojmë apo ta iluminojmë të kaluarën”

1. Nga deriçka e hekurt e qelisë

Më vitin1992 Fatos Lubonja ka zbritur në qelitë e burgut të Tiranës dhe ka bërë një bisedë të gjatë me Nexhmije Hoxhën. Ndër të tjera, i është drejtuar asaj me pyetjen: “Mirë me etërit tanë, po me ne djemtë që na kishit rritur vetë, ç’patët, pse na burgosët?” Nexhmija, me atë cinizmin e regjur që nga viti 1942, kur vuloste dekorata (plumba pas qafës) për armiqtë e Partisë, e ka tallur Lubonjën sy për sy. “Nuk e kam ditur që paske qenë në burg”, i ka thënë.(B.Fevziu: E. Hoxha fq. 314)

Kanë kaluar njëzet vjet. Tani Lubonja është autor librash, yll i mediave televizive, por shpesh në shkrimet e reagimet e tij ka vrer dhe mëri. Ende nga motet e diktaturës dhe nga hekurat e kryqëzuara të qelive të asaj kohe vërshon urrejtje e ligësi. I ndodhur padrejtësisht mbrapa asaj deriçkës në portën e hekurt të qelisë ai ende gjykon politikën, historinë, gjuhën, kulturën, shkrimtarët, shkencëtarët, tërë mitet e tabutë, sipas tij. Këta janë shkaktarët që ai u vu me hekura në duar. Faji gjithmonë janë të tjerët, është përtej, jashtë, jo sado pak edhe brenda vetes, kastës a familjes së tij.

I tillë, plot mllef, ishte edhe sulmi i tij i fundit ndaj Kadaresë, botuar në gazetën “Panorama”, dt. 19 tetor 2012. Tani pas njëzet vjetësh mund të pyetet: nuk u ngop ky Lubonja me sulme të tilla ndaj Kadaresë? Kadareja nuk i ka ndonjë borxh atij, apo familjes së tij. Mos e ka zili si shkrimtar Kadarenë? Lubonja bën publicistikë, shkruan libra, po nuk është shkrimtar. Në e ka zili si shkrimtar, le ta ketë. Për sot e për gjithë jetën e tij.

Lubonja rreh të na mbushë mendjen se Kadareja ka qenë eksponent i lartë i diktaturës, se librat e tij janë turpi i botës, se ai duhet të mbyllë gojën e të mos e zërë në gojë atë që Nexhmije Hoxha i ka përvetësuar një dorëshkrim, se Kadareja dhe Nexhmija kanë qenë të një klani, etj., etj.. Kur sulmon me themel të tjerët, jep shkak të thuhen ca gjëra edhe për ty. Siç del nga biseda e tij me Nexhmijen më 1992, Lubonja ka qenë “djali” i diktaturës, jo Kadareja. Ka qenë komunist nga rrënjët, me nënë e me babë. I ati – një pasha i lartë i nomenklaturës. Vetë Fatosi u lidh me Paçramët, në një martesë nepotike siç ishte normë për kastën e lartë komuniste. Kadareja nuk ka patur asnjë komunist në familje, në prindërit e tij a të gruas. Komunist a deputet mund të thuash se, e kanë emëruar. Politika nuk ka qenë vokacioni i tij. Atëherë nuk kishte karrierë, hierarki, konkurrencë politike. Edhe sot, kur kooperativat janë zhdukur, prapë flitet sikur gara në politikë është katandisur në listë kooperativash. Atëherë zgjedhjet, Kuvendi, Fronti, të gjitha institucionet ishin formale. Edhe partia ishte bandë e Enver Hoxhës (S. Ngjela). Sa për garniturë në postet e larta emëronin dhe ca shkrimtarë, piktorë, aktorë. I ulnin krahë për krahë me lopçarë, saldatorë, naftëtarë. Një analfabet, që firmoste me gisht, e vinin në Presidium, në hierarkinë më lartë të shtetit. Një profesor universiteti si Lame Kodra e degdisnin të shiste samarë e patkonj. Minatorin pa arsim e ulnin në kolltukun e deputetit, Fatos Lubonjën, që kishte studiuar pesë vjet për fizikë, e rrasnin kot së koti në burg. Le të bëje naze dhe të mos bindeshe, po të doje.

Këto Lubonja i di e i ka hequr në shpinë. Por si duket e ka fiksim t’i denigrojë me rrënjë e me degë Ismail Kadarenë… Skënderbeun… I. Qemalin, historianët, gjuhëtarët, etj., etj.. Cili është shkaku?

Lubonja, si yll i mediave, tashmë ka veshur kostumin e atij që thotë të vërtetën. Ndër shumë nga analistët tanë të paguar ai i thotë ca të vërteta të hidhura për politikën e ditës. Por ca të vërteta, jo të gjitha. Dhe kaq sa thotë, bën shumë mirë. Kjo, si duket, i jep autoritetin e sigurinë sikur ai na qenka zëri i së vërtetës për gjithçka. Dhe është kategorik në të vërtetat e tij. Ndaj ka dhe namin e sherrxhiut, e kontrapedalit, e tipit që del kundra edhe kot së koti, edhe për sport. Si i tillë, si kundrapedal, mbase pa dashjen e tij, por me dashjen dhe me leverdinë e drejtuesve të mediave, Lubonja është vënë në rolin e atij që u hedh kripë e spec djegës debateve. Si një gaztor, me gjithë fytyrën e vrerosur, ai i bën më shpërthyese, u jep ngjyra spektakli bisedave të mërzitshme televizive.

Kjo është zgjedhja e tij. Veç kur hyn në fusha të historisë a të kulturologjisë me zellin prej diletanti zemërak, nuk lë njeri të flasë.

2. Vitet 1971-1973, klima kulturore

Me sulmet e tij Lubonja nuk ndalet edhe ndaj shkrimtarëve të tjerë shqiptarë të asaj kohe. Sipas tij, edhe ata duhet të dëshmojnë që Kadareja ishte shkrimtar i regjimit, që atëherë gjithë shkrimtarët u falnin shefave komunistë librat, dorëshkrimet e ç’t’u kërkonin.

Në çdo kohë intelektualët do të bashkëpunojnë me ata që u blenë prodhimin e tyre intelektual. Edhe sot analistët si Lubonja kanë kontrata disa milionëshe me punëdhënësit. Madje, sipas shtypit, marrin dhe zarfe të trashë nga partitë për analizat e tyre “të pavarura”. Atëherë, në diktaturë, kishte vetëm një punëdhënës dhe do t’u bindeshe rregullave të tij ose do të shkoje në burg. Njerëzit donin të mbijetonin, jo të bënin heroin. Duhet t’i luteshe punëdhënësit të vetëm të të jepte banesë, se strehimi ishte monopol i shtetit. Sot analistët e shquar, siç pëshpëritin gojët e liga, kanë nga tre e katër shtëpi, veç vilave. Një letër të Kadaresë për shtëpi na nxori sot N. Hoxha, si dëshmi shantazhuese të gjoja marrëdhënieve favorizuese ndaj shkrimtarit.

Më 1972 Faslli Haliti shkroi poemën “Dielli dhe rrëketë” ku thuhej se, nga tavani i karakatinës, ku fuste kokën, mbi fëmijët e tij derdheshin rrëketë e shiut. Por thuhej… edhe se Partia, Enveri janë dielli, janë streha jonë … Faslliu kishte vënë gishtin në plagë: jemi të pastrehë. Autori u kritikua dhe shkoi të ankohet deri te Ramiz Alia… (Nuk e di a ia fali dorëshkrimin e poemës Ramizit, siç thotë Fatos Lubonja. Një gjë e di me siguri: atëherë nuk faleshin dorëshkrime). Ramiz Alia e përgëzoi F. Halitin për guximin dhe i tha të vazhdojë kështu, ‘të mos i hedhë ujë verës’, d.m.th, t’i kritikojë të metat. Por Faslliu e pësoi… dhjetë vjet kooperativist në baltrat e arave. Një poet tjetër, Viktor Qurku, shkroi një poemë, ku thoshte se gjithçka shkëlqen, por janë edhe ca njolla të zeza. Viktori që s’e mori veten nga kritikat, u hodh me kokë mbi një shkëmb.

Këto lloj poezish, ku kritikoheshin të metat e kohës, por ama dielli i Partisë vetëm shkëlqente, në fjalimet e Plenumit të Katërt u quajtën pilula, helm i lyer me sheqer. U kritikua në Plenum nga vetë Enver Hoxha dhe një varg i Thanas Dinos, vargu “Unë jam fik deti”. Thanasi të guxonte të thoshte “unë jam fik deti”, kur të tjerët thoshin në vargje: Jam komunist për jetë të  jetëve, jam elektricist, jam montator, jam aksionist… ndaj Thanasi nga Tirana u degdis në malet e Picarit.

T’i qasesh asaj kohe me mendjen e së sotmes, përbën cinizëm. Jetonim në një klimë të terrorit dhe shkrimtarët përndiqeshin e ishin nën lupën e vëzhgimit për çdo varg, për çdo fjalë. Fatos Lubonja niset nga Babai më ka thënë, Nexhmija ka thënë… Kam punuar me babanë e tij. Kam përgatitur tekstet e Festivalit të Njëmbëdhjetë. Ashtu siç kanë lexuar Ramizi e Nexhmija kapitull për kapitull “Dimrin…” e Kadaresë, shoku Todi Lubonja dhe shoku Fadil Paçrami (ati dhe ish-vjehrri i Lubonjës) i kanë lexuar rresht për rresht, kanë bërë dhe vërejtje me laps të kuq mbi tekstet e Festivalit. Po, kjo ishte praktika: tekstet e Festivalit shkonin deri në Komitetin Qendror. (Të pranosh vërejtje me laps të kuq të shefave? Kjo është e turpshme, thotë sot Lubonja). Por, megjithëse këta shokë të lartë i panë e i aprovuan tekstet dhe muzikën e këngëve të atij Festivali, doli e i kritikoi një më i madh se ata, dhe punët shkuan ashtu si shkuan. Shoku Todi e shoku Fadil, që, ashtu si Ramiz Alia poetit F. Haliti, na thanë mos t’i hedhim ujë verës, që tekstet t’i bëjmë të bukura, d.m.th jopolitike, më pas, kur na linçuan, nuk na dolën për zot. Ata nuk i dolën për zot as vetes, as familjeve të tyre. Në poemat e Agollit ata do të quheshin “rrufjanë të zinj politikë”, kufoma politike.

Ky ishte fati i atij brezi krijuesish: të bashkëpunonin me shtetin dhe pastaj ta hanin. Kështu iu vu fshesa shumë redaksive, kryeredaktorët u bënë fshesarë, ministrat barinj të lopëve. Edhe më keq u ra gjëma mbi kokë disave prej muzikantëve, piktorëve, dramaturgëve, regjisorëve etj..

Të afërmit e Fatos Lubonjës, Todi dhe Fadili, iu nënshtruan filozofisë së spastrimeve. E ulën kokën, se edhe ata vetë kishin qenë autorë në spastrimet e mëparshme për llogari të Partisë. Se spastrimet nga armiqtë, Partinë e bënin më të fortë. Edhe në burg ata prapë shpëtimin e prisnin nga Moska. Prisnin që mareshallët e Ushtrisë së Kuqe të arrestonin Gorbaçovin. D.m.th prisnin ripërtëritjen e atij sistemi që ata i kishte spastruar. Një rreth vicioz dhe absurd? Po, i tillë është. Prandaj duhet kthjelluar nga pasardhësit e tyre. Por Fatos Lubonja i mënjanon aparatçikët e mykur komunistë dhe vazhdon të fajësojë shkrimtarët, I. Kadarenë, historinë dhe mitet kombëtare të shqiptarëve.

3. Romani “Dimri i vetmisë së madhe”

Në këtë klimë në vitin 1973 nisën dhe fushatat e egra ndaj romanit “Dimri…” të Kadaresë. Komiteti i Partisë së Tiranës kërkoi ndalimin e romanit. Megjithëse mund të jetë lexuar fjalë për fjalë, ai është nga romanet më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe i tillë do të mbetet për atë gjerësi vështrimesh, për atë prerje transversale të të gjithë shtresave e klasave të shoqërisë shqiptare në një moment të dhënë. Romani “Dimri…” mbetet vepër e madhe për cilësinë e lartë të shkrimit dhe të procedimeve artistike në subjekt e në kompozicion dhe, dihet, elementet e formës së lartë janë edhe përmbajtje, madje janë përmbajtja më kulluar dhe më autentike e gjithë veprave të artit. Romani sjell disa risi në teknikën narrative që ende nuk janë tejkaluar nga proza shqipe. Me gjithë figurën e Enver Hoxhës në 90 faqe, romani në thelbin e tij është kundër sistemit. Shqipëria është në ditë të zezë, në vetmi të madhe, e uritur, e terrorizuar dhe pa asnjë rrugëdalje. Shkrimtari, njëzet vjet para se të bjerë komunizmi, ka parashikuar se në këtë vend do të tërhiqen zvarrë krerët e komunizmit, do të çahet dheu e do të dalin pronarët me tapitë e tokave, njeriu do të shitet në pazar si skllav (imazhi plakave të Këlcyrës që shesin robër). Këto janë vënë në gojën e personazheve tuafë e të margjinalizuar, por i gjen të shkruara në faqet e librit që më 1971.

4. Poema e Pashallarëve të kuq

Teknikën naive të poemave që thamë më lart, poemave të helmit të lyer më sheqer, Kadareja e ka përdorur te “Pashallarët e kuq”, një poemë që Lubonjës i djeg në mënyrë të veçantë, si i kastës së pashallarëve që ka qenë. Teknika ishte “naive”: terroristët partiakë sundojnë me gjak, por nga ata do t’na shpëtojnë Byroja, Enveri. Ironia shpërthente si një minë në themelet e sistemit. Me gjakun e kujt i kishin lyer duart deri në bërryl këta pashallarë të kuq? Për llogari të kujt? Po ai që ishte në krye të tyre, si mund të mbetej jashtë kësaj kasaphane? Domosdo, me larghedhje poema merrte në shenjë, së pari, atë, Padishahun e madh, ndaj ajo u ndalua, u zhduk me gjithë dorëshkrim. Autori bëri një autokritikë me shkrim, ku pranonte se ishte armik i regjimit, autokritikë tashmë e botuar.

Bijtë e sotëm të pashallarëve të djeshëm me kast këtë poemë e interpretojnë si servilizëm të shkrimtarit ndaj diktatorit. Kjo nuk qëndron. T’i thuash sot një kryeministri që ekipi yt ministror është i gjithi i kalbur, i korruptuar, por ti je yll e i pastër si qelibar, të parin ke vënë në shtyllën e turpit vetë kryeministrin. Kur i thua Enver Hoxhës që ti qeveris me kriminelë, por vetë je i larë, edhe je tallur me të, edhe indirekt i ke thënë ti je kryebandit e kryekriminel. Pse nervozohen sot pinjollët e pashallarëve nga kjo poemë? Mendojnë se etërit e tyre kishin merita? Merita prej pashallarësh komunistë!? Për Enver Hoxhën vetëm Partia (d.m.th vetëm ai Kryepashai) kishte merita. Të tjerët, kur nuk i duheshin, i piqte në hell, po të donte. U zhdukte dhe varrin. Ende nuk e kanë kuptuar këtë pasardhësit e pashallarëve?

Lubonja kërkon Edipin, atëvrasësin në trashëgiminë politike dhe historike shqiptare, Edipin, vrasësin e miteve dhe të tabuve, por atin e vet shpirtëror, pashanë komunist, kulturalisht ende nuk e ka vrarë. Bashkim Shehu me kohë e ka hequr nga supet këtë barrë. Edhe S. Ngjela tani së fundi.

5. Dëshmi dhe fakte të panjohura

Por çfarë kish ndodhur që shkrimtarëve, piktorëve, muzikantëve, regjisorëve më 1971 u thanë që “mos t’i hidhnin ujë verës” dhe më 1973 i linçuan? Edhe dorëshkrimet e muzikës dhe të teksteve të Festivalit të Njëmbëdhjetë u zhdukën. Disa prej tyre u gjetën pas tridhjetë vjetësh, të ruajtuara nga Tish Daija. Diktatura kishte një mëri të një lloji të veçantë me dorëshkrimet. Sa futej një autor në burg, atij i sekuestroheshin dhe i varroseshin dorëshkrimet, pikturat… Janaq Paçoja, i terrorizuar, theu me çekiç gjithë skulpturat nudo të fshehura në studion e tij. Të tjerë dogjën dorëshkrime e libra të autorëve të ndaluar.

Ngjarjet e kthesave të tilla të papritura lidhen me rrethana politike ende të panjohura. Atë Zef Pllumi në vëllimin e tretë të librit “Rrno vetëm për me tregue” shkruan se baza ushtarake sovjetike e Pasha Limanit u hoq nga Shqipëria në zbatim të një marrëveshjeje të Hrushovit me Xhon Kenedin. Kjo e dhënë,  sado që ngjan e besueshme, mbetet ende e paverifikuar nga burime arkivore.

Spartak Ngjela sjell një të dhënë të re në librin e tij “Përkulja dhe rënia…”. Bukuria e stilit, dimensioni i lirisë, analiza e hollë kirurgjikale e diktaturës shqiptare vit pas viti, hap pas hapi janë vlerat kryesore të librit “Përkulja dhe rënia…”. Ngjela ndalet dhe te Festivali i Njëmbëdhjetë. Pasi e analizon gjatë klimën artistike të viteve 1971-1973, vite të quajtura të liberalizmit, ai jep dhe shkakun për ndryshimin e menjëhershëm dhe drastik të këtyre zhvillimeve pozitive. Sipas tij, Shqipëria atëherë kishte hyrë në traktativa sekrete me Francën për një hapje nga Perëndimi. Në vijim të ujdisë, u bë një hapje e urdhëruar në kulturë, në Shqipëri erdhën dhe investitorë francezë…, por presioni i sovjetikëve dhe i Titos ndaj Francës, solli si pasojë mbylljen e bisedimeve sekrete. Sa i vërtetë është ky fakt, i bie që të vërtetohet nga arkivat ende të kyçura. Megjithëse Ngjela jep indikacione. Thotë se bisedimet me Francën i kryente Gafur Çuçi dhe shton se të dhënat gjenden në arkivin e ShIK-ut.

Romani “Dimri…” në gojën e personazheve e shtron alternativën nga do t’ia mbajë Shqipëria tani që mbeti e izoluar. Zani, fshesaxhiu rom i romanit, mendon se do të lidhemi prapë me Turqinë. Një intelektual i vjetër preferon Zvicrën. Romani linte të kuptohej se Shqipëria ia kishte mbyllur portat çdo bashkëpunimi me Kremlinin dhe me sistemin e tij. Këto ide mbase i leverdisnin dhe klimës politike të bisedimeve të nëndheshme me Francën. Por ndodhi që Franca i mbylli përfundimisht portat. Ç’do të bëhej tashmë me romanin? Shitja e romanit u ndalua. Mbase është menduar dhe varrosja e tij, dhe zhdukja e dorëshkrimit. Nexhmija ka qenë sigurisht e ngarkuara me këtë punë. Ajo viziton shkrimtarin dhe si rastësisht kërkon ta vërë në mbrojtje dorëshkrimin. Në një moment të dytë është menduar që romani të ruhet, vetëm të ndreqet, të bëhet i pranueshëm politikisht. Dhe kështu u bë.

6.  Kushtrimi i të parëve

Për të gjitha këto peripeci Fatos Lubonja, bën fajtor Kadarenë. Bën fajtor dhe shkrimtarët e tjerë që nuk flasin për atë kohë. Por jo edhe aq Nexhmije Hoxhën. Sipas tij, ajo duhet ta mbajë dorëshkrimin, jo autori. Del dhe kundër gjykatës, kundër ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Në fund të fundit, tani mbas dyzet vjetësh ç’i duhet Nexhmije Hoxhës dorëshkrimi? Do t’ia lexojë në origjinal Enverit kur të shkojë andej matanë? Do t’ua lërë në trashëgimi për vlerën e lartë monetare pasardhësve? Lubonja që është vetë autor, pse vihet në anën e një terroristeje të mplakur, që ende e mban të kyçur gojën për shumë nga gjëmat e krimet e kohës së saj? Bën të paditurën dhe për krimin ndaj vetë familjes së tij.

Pra, Lubonja ka një problem të errët me të kaluarën. E kaluara e mban rob në burgun e saj. Ndoshta në inkoshientin e tij ai ende pret prej N. Hoxhës përgjigjen e pyetjes që i bëri më 1992-n. Pse diktatura i vrau djemtë e saj? Ai është një djalë i vrarë nga “nëna” e tij, por trauma ia mjegullon shikimin dhe fajtorët i kërkon tjetërkund. Mbase te viktimat, jo te ekzekutorët.