Pëllumb Çuni: Ja çfarë i shkruaja Enver Hoxhës në 15 letrat e mia: U dënuan tre burra, me 13 vjet burg, për një dolli?

1022
Rrëfimi i 80 vjeçarit Myfit Topi: Si më bënë armik mua partizanin e Brigadës së Dytë dhe urdhri i Simon Stefanit për dollinë e Petrit Dumes
“Njëri dhëndër nuk është spiun tamam. Ai është gjysmë. Dhëndri i madh ai është spiunë i vërtetë. Por edhe baxhanaku ma drodhi në gjyq. Që të tre këta dhe dhëndrin e vogël atë që më rrëmbeu vajzën, kur unë isha në burg, nuk i kam ftuar asnjëherë të pinë edhe një kafe në shtëpinë time”, rrëfehet Myfit Topi.
Si ka ndodhur historia. U dënuat tre burra, me 13 vjet burg, për një dolli?
Unë fejoja vajzën e vogël në Lubonjë të Korçës me djalin e Feti Ibros. Si mbles hyri Fuat Hasani, nga Gostomicka e Përmetit që ishim bërë vllam të dy. Fuat Hasani, Feti Ibron e kishte krushk. Në datën 20 korrik do të bënin fejesën. Më datën 19 korrik më ka ardhur Fuati, me dhëndrin Hysenin në shtëpi dhe lamë orën se kur do të vinin krushqia e re. Unë isha kryetar i fushatës së grurit. Me detyrë isha Kryetar i Këshillit të Bashkuar të kooperativës së Vërçishtit. Caktuam me Fuatin që miqësia të vinte në orën 11 dhe muhabeti të zgjaste dy orë deri në orën një. Shfrytëzonim kështu pushimin e drekës.
Krushqit erdhën në orar, nuk e shkelën?
Fiks në orën që lashë me Fuatin, ku ai u printe para dhe pas tij vinte i ati i djalit, Feti Ibrua me djemtë; Hysenin dhe Fadilin që do ta fejonim me Artën, vajzën time. Me ata ishte Ferruzeja, kunata e Fetiut. E bija, Rekua martuar në Selenicë të Kolonjës. Po me këtë karvan hyri dhe baxhanaku im nga Gostomocka, Hetem Jaupi, kushëriri i vllamit tim, Fuat Hasanit. Do të bënim 2 orë muhabet, po s’e dinim në fund sesi do të dilnim.
Si dolët në fund?
Fund i thellë ai i joni. Nuk na u poq, na u dogj kulaçi. Po le të themi dhe ca gjëra që duhet të mbeten dhe të mos u mbetet asnjërit qejfi. Nisi fejesa. Dolli, këngë e valle. Nuk mjaftuam me këto, por zbrazëm dhe koburen që unë e kisha me lejë. Me lejë kisha dhe një belxhik e një çifte teke. Në gosti u mblodhëm rreth muhabetit 32 komuniste. Kisha ftuar edhe Ilmi Halimin sekretarin e organizatës së fshatit Gostomikë. Rabi Demo, Agim Mane, Rustem Bregasi, komunist. Nuk lashë pa ftuar shokë se na kishin ftuar dhe e kisha vajzën e vogël që po fejoja. Nuk i kisha ndarë as në dy të tjerat. Deri nga fundi ishim mirë. Kur po bëheshin gati që ta mbyllnim drekën dhe të ndaheshim se do të shkonim në korrjen e grurit, Tefik Abaz Takua kërkoi të bënte një dolli. U hëngrëm pak që ta lejojmë apo jo, që të bëjë dhe një dolli shtesë. Fuati tha që ta bëjë dhe të gjejë Feti Ibron. Veç dollisë për Enver Hoxhën që u pi 6 herë që ishte e para u ngrit dhe një për të zotin e shtëpisë, për mua. “Këtë e kemi për Myfitin”, tha dollibash Tefik Takua. Të gjithë ishim të dehur nga rakia dhe gëzimi. Rakinë e kisha pa hile, rrush safi. Fetiu, që në atë kohë ishte 75 vjeç, në vend që të thoshte emrin tim Myfit iu mor goja dhe tha Petrit. Në atë gosti unë kisha dhe dy dhëndurët, Fatmir Metollarin dhe Gëzim Meçen, të cilët nuk donin që të shtonin baxhanak djalin e Feti Ibros, Fadilin. Në këtë kohë që Fetiu piu gotën për shëndetin tim se për mua ishte ngritur dollia, e jo për Petritin, u hodh nëna ime, Hysnija e tha: “Pije dollinë e të bëftë mirë o Feti Ibrua se jemi skraparllinj të dy. Unë nga Potomi e ti nga Backa. Në këtë kohë kërcen dhëndri im Gëzim Meçja dhe i thotë të kujt e ke këtë dolli apo të Petrit Dumes. Nana ime i tha. “Gëzim mos fol kështu se Feti Ibrua nuk pi dolli për Petrit Dumen. Në këtë shtëpi pihet për Enver Hoxhën dhe Myfit Topin. Gëzimi e mbylli gojën. Ky sa ndezi sherrin. Nuk e zumë në gojë Petrit Dumen. Ky qe shkaktari i parë. Fetiu i tha: “O Gëzim mua m’u mor goja se kam pirë e nuk jam gagaç. Mos më bëjë të prish muhabetin e të nxjerr thikën”. Hidhet dhëndëri i madh që ai pastaj na bëri gropën e thotë: “Poshtë Petriti e lart Myfiti, por duhet folur një çikë më me rregull, o Feti Ibrua”. Në atë kohë ndërhyra unë me autoritetin e vjehrrit. Mbyllini këto fjalë e lërini këtu brenda se nuk pihet dolli për Petrit Dumen, por për Myfit Topin se unë u nxjerr përjashta edhe ty Fatmir edhe ty Gëzim. Fatmiri pa u mbyllur muhabeti iku për në fshatin e tij Qinam. Ne u përcollëm dhe po ndaheshim secili në hall të vetë. Më thotë Ilmiu a ma jep atë belxhikun ta zbrazim nja dy herë, për këta miqtë. Nuk e zbrazi. Përjashta grupi i komunistëve që morën pjesë në muhabet ishte mbledhur dhe po bisedonin që unë nuk mora masa për gotën e Petritit. Ishin Rustem Bregasi, Ilmi Halimi dhe Hetem Jaupi, baxhanaku im. Të tre këta shkojnë në qendrën e kooperativës, në Vërçisht dhe bisedojnë me Enver Bregasin. Enveri nuk deshi t’ia jepte motrën djalit të Fetiut dhe më tha dhe mua që të mos e jepja vajzën. Ai ish- brigadier dhe anëtar i plenumit të rrethit. Ishte kushëri me Rustemin. Unë me Fuatin e kishim hequr Rustemin si kryetar kooperative. U shkreh kazani i muhabetit me gjithë zhurmën që u bë. Dhe mendova se nuk do të rrëmohej më tej.
Kush e rrëmoi më tej?
Ditën e hënë, më 21 korrik shkova në sektor se, ishte fushata e korrjes së grurit. Enver Bregasi ishte brigadier. “Kam dëgjuar se dje në drekën e fejesës së vajzës suaj u pi gota për Petrit Dumen”, më tha mua. “Nuk është e vërtetë, u mbrojta unë”. Unë nuk dija gjë se këta kishin marrë në telefon sekretarin e parë, Simon Stefanin. Në telefon e kishte marrë Ilmiu dhe i kishte thënë që në shtëpinë e Myfit Topit në drekën që pati sot për fejesën e vajzës u pi shëndet për Petrit Dumen dhe Myfiti nuk mori asnjë masë. Mua më lajmëron roja i fshatit, Izet Gurra se më kërkonte në telefon Simon Stefani. Më tha Simoni që na ka ardhur Ilmi Halimi dhe na ka vënë në dijeni se në shtëpinë tënde është pirë shëndet për Petrit Dumen. Si qëndron puna. A është e vërtetë kjo Myfit? Të merrje masa. Unë ia kthej se Enver Hoxha nuk na ka mësuar që të marrim njerëzit kot më qafë. Nuk është e vërtetë që është pirë gota. Ajo gotë është pirë për mua të zotin e shtëpisë. Të mblidhet organizata e partisë e të diskutohet problemi si ka ndodhur dhe si është e vërteta rreth këtij informacioni që kemi. Unë bëra mbledhjen e komunistëve. Feti Ibron e kishin prangosur pa vajtur në fshatin e tij Lubonjë se atë natë fjeti tek krushku, Fuati në Gostomickë.
Si dolët me mbledhjen?
U hodh Teki Takua e tha që të mos e marrim më qafë Myfitin se nuk u pi për Petrin, por për vetë atë. Ngrihet Enver Bregasi e tha: Myfit Topi pse zbrazi armë, organizata duhet të marri masa. Të përjashtohet nga partia. Unë i them pse të përjashtohem apo pse do ti. Organizata vendosi që Fuat Hasani të përjashtohet nga partia, kurse unë të zbrisja në kandidat. Ngrihet baxhanaku im, Hetem Jaupi dhe bënë autokritikë se nuk morëm masa për agjitacionin që u bë në shtëpinë time. Hidhet Enver Bregasi që ishte anëtari plenumit të rrethit. Unë propozoj që Hetemit t’i jepet një këshillim me shkrim në protokoll. Edhe për Rabi Demon të njëjtën masë si ajo e Hetemit. Për mua përjashtim që kam fejuar vajzën nën moshë, zbraza armën dhe nuk mora masa për krushkun e ri. Vajza ishte 16 vjeçe. Po organizata la me vota masën e zbritjes në kandidat. U mbyll dhe dita e dytë. Por…

Më pas si eci muhabeti?
Dhëndri im, Fatmir Metollari që edhe ai ishte anëtar partie se nuk ia jepja vajzën pa qenë me partinë, sa mbërriti në fshatin e tij takoi kryetarin e kooperativës Ilmi Çukon që ishte anëtar i plenumit të Kolonjës e i thotë se Feti Ibrua nga Lubonja ka pirë shëndet për armikun e popullit Petrit Dume, në shtëpinë e Myfit Topit. Ilmiu nuk ia mori për bazë herën e parë. Përsëri i vajti e i tha se nëse nuk e lajmëronte ai sekretarin e parë do të shkonte vetë në Ersekë. Unë qesh vetë në gosti, i tha dhe e dëgjova me veshët e mi. Ilmi Çukua merr sekretarin e parë të Kolonjës, Elmas Budon, i cili sa ishte transferuar nga Përmeti. Unë e njihja dhe më njihte. Nuk ka mundësi i thotë Ilmiut, Elmasi. Ore po vetë dhëndëri i tij më ka ardhur tri herë. Elmas Budua merr Simon Stefanin në telefon, ku i thotë se një dhëndëri i Myfit Topit deklaron. Më merr përsëri Simoni në telefon e më thotë se ishte e vërtetë ajo puna e dollisë se kishte denoncuar dhëndri im, Fatmir Metollari. Unë i them se kjo nuk është e vërtetë. Ndërkohë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme kishte njoftuar Kadri Hazbiun dhe i merr lejë Simon Stefanit që të vinte e të më arrestonte mua. Me tre policë në orën 9 të darkës vjen Kryetari i Degës dhe më urdhëron mua që të hapja zyrën e Këshillit të Bashkuar. Hyjmë në zyrë unë, kryetari i degës, shefi i hetuesisë Nazmi Osmani dhe operativi i Frashërit, Agron Bubësi. Me kryetarin e degës isha ngrënë disa herë. E kisha kundërshtuar. Ai më pati thënë se do të ma gjente anën. Kryetari i Degës: “Në shtëpinë tënde është ngritur dolli, është bërë agjitacion e propogandë dhe është bërë problem deri tek Kadri Hazbiu, pasi ka njoftuar katër herë dhëndri juaj”. Lajmëruam dhe u mblodh përsëri organizata në mbrëmje vonë. U hodh në votë dhe mua më përjashtuan nga partia pasi pjesa e komunistëve u tërhoqën nuk ishin të vendosur. Ma drodhi baxhanaku, ku doli dhe dëshmitar në gjyq. Në atë çast më ranë lot nga sytë dhe i them pse më merr në qafë o kryetar, kam një vatër fëmijë, nënën, kam marrë plagë në luftë. Pse më vini mua në këtë sofër që nuk e meritoj. Mori në telefon Simon Stefanin dhe pastaj më hodhi prangat. Nga ora 12 e natës deri në orën 4 mbasdite kam qëndruar i lidhur në zyrën time. Thërrisja. Pse ma bënin këtë të mirë të zezë. Nuk mbylla sy. Kujtova vitet partizane. Si mora plagë në kokë dhe më shpunë në Rajcë të Librazhdit. Pastaj më sollën në Korçë, ku më mjekoi doktor Sotir Polena që ish dhe drejtor i spitalit. Kujtoja mbledhjet, vendimet që kishim marrë. Si ma drodhën shokët kështu. Në mëngjes erdhi nëna dhe e zuri për gryke kryetarin e degës. Erdhën fëmijët. Donin të më shpinin, ku korrej gruri për të më demaskuar, por e kthyen mendjen dhe u nisëm drejt Përmetit. Tre muaj në hetuesi. Nuk pranova, nuk është e vërtetë. Kur erdhi Feti Ibrua ia kishin shkulur mustaqet aq e kishin torturuar. Nga torturat ai kishte pranuar që e kishte pirë gotën për Petrit Dumen. Ishte 75 vjeç. Në gjyq më doli dëshmitar edhe baxhanaku. Mua më dënuan 5 vjet dhe kandidatin për krushk 7 vjet për agjitacion e propagandë. Të dyve na shpunë në Ballsh. Nuk i premë vajtje-ardhjet. Vllamin tim, Fuatin e dënuan një vit si mbles me të mitura.

A patën pasoja të afërmit tuaj?
Nisën me vëllanë, motrën. Dhëndrin, Fatmirin nuk e ngacmuan e lanë komunist. Bile e caktuan dhe oficer rezervist me çetat vullnetare. Sa isha në burg nuk na shkelën në shtëpi si familje dëshmori. Unë kisha vëllanë dëshmor Muke Topin të vrarë në Verusht të Jugosllavisë. Vëllanë e kisha komunist të ‘43-shit. Babanë kryetar të Këshillit NAÇL. Nëna aktiviste. Nëna, por edhe unë e kishim takuar disa herë Enver Hoxhën në festën e 24 majit në Përmet. Po nëna e kishte takuar edhe në vitet e luftës kur ai po udhëtonte për në Odriçan dhe hëngrën drekën tek shtëpia jonë. Vëllanë tjetër Syrja Topin, komunist të vjetër që në luftë se, unë vetë në 1948-ën u bëra anëtar partie.

Nuk ju ndihmuan shokët e luftës?
Komandanti i brigadës, Beqiri kishte rënë nga froni. Mua nuk më ndihmoi Enver Hoxha. Kur isha në burg i shkrova 15 letra dhe nuk mora asnjë përgjigje. Kur dola nga burgu mora rrugën për në Tiranë për ta takuar. Nuk më vinin në shtëpi si familje dëshmori.

Kur dole nga burgu të erdhi ndonjë shokë a mik për vizitë?
Pas 10 ditësh që unë dola nga burgu më erdhi vllami, Fuat Hasani me një kushëririn e tij, Njazi Gurrën. Ky ishte anëtar partie. Por vizita në shtëpinë time i kushtoi pak se, e ulën dhe e bënë kandidat partie. Enver Bregasi mblodhi frontin e fshatit Gostomickë për t’i hequr Fuatit triskën e frontit. Kryetar i Frontit të fshatit ishte Hamit Jaupi. E nxjerrin Fuatin para popullit për demaskim duke i thënë se kish vajtur tek armiku i popullit, Myfit Topi që është i burgosur politik. Enver Bregasi propozon që t’i hiqet triska e frontit e të shpallet armik. Populli i Gostomickës nuk e mbështeti këtë propozim. Ngrihet Hetem Jaupi e thotë që t’i hiqet se, Fuati ka sjellë përçarjen e partisë që nga viti 1961, që hoqi Rustem Bregasin si kryetar kooperative. U ngritën Zyra Boçi, Fadil Jaupi si dhe vajza e Rushanit, Fatbardha, që kundërshtuan heqjen e triskës së frontit Fuatit. 

Po vajza me kë u martua?
Mua vajzën ma kishin kërkuar në fshat. Unë nuk desha dhe e fejova në Lubonjë. Si ramë ne në burg se e pyetën vajzën: E do atë që u fejove? Ajo tha: “Nuk e dua tani se, babai më ra në burg”. Ai që ma kishte kërkuar e kërcënon se do ta vriste dhe e mori. Unë atë dhëndër si edhe dy të tjerët nuk i kam qasur në shtëpi. Me gjithë baxhanakun më bëhen katër. Dy baxhanakë thonë që mbajnë pusinë, por unë me atë timin as miqësinë as shoqërinë.
BOX
Sherri me baxhanakun 
“Baxhanakun nuk e qas në shtëpi që nga viti 1975. Ai më doli dëshmitar në gjyq duke thënë se u pi gota dhe unë nuk mora masa. Unë jam më i madh se ai. Po të tregoj një ndodhi mes djalit tim dhe atij. Pas disa kohësh atë e përjashtuan nga partia dhe e çojnë bari me dhi. Djali im, Vladimiri po në këtë tufë merrte qumështin dhe e shpinte në baxho. Një ditë Hetemi i thotë: Ku e ke Myfitin. Doli kundër Enver Hoxhës ai. Ladi, im bir i thotë se ai edhe atje në burg me Enver Hoxhën është e nuk heq dorë. Po ato pëllëmba që do të jepte ai, unë po t’i jap grushte. E qëllon burrin e tezes me grushte. Po ti gjynah që ke marr tezen time se e drodhe bishtin dhe ja ku je tani se, po të ishte Myfiti nuk kishin ç’të bënin. Për t’i ndarë hyn Ilmi Halimi dhe Rabi Dema që ishin barinj me dhi”.

BOX
Spiunimi i dytë i dhëndrit
“Dhëndri i madh, Fatmir Metollari, desh më futi përsëri në burg, pasi mbarova dënimin.
Pasi kisha mbushur një vit që kisha dalë nga burgu, më vjen natën në shtëpi së bashku me të shoqen, vajzën time, Myneverin. Unë në shtëpi kisha dhe dy vajza të pa martuara. E katërta vajzë ishte Qëndrimja që nuk i kishte mbushur 16 vjeç. Në kohën që unë po hahesha brenda me dhëndrin sesi na çoi në burg dhe po bëhesha gati që ta përzija, vajza ime Myneveri i thotë motrës që merr gjymat dhe shko na mbush ujë të ftohtë në çezmë. Vajza u vonua. Kur del ime shoqe, Xhekua tek porta i gjen gjymat bosh. Fatmiri, dhëndri iku në shtëpi. Dy djemtë e mi i qepen nga mbrapa. Po me ata shkon edhe Mynaveri. Fatmiri më tha mua që do të vinte dhe vëllai i tij, Engjëlli. Unë i thashë se ku e ke. Ai ishte beqar. Dola së bashku me time shoqe se mos na bënin ndonjë sherr djemtë. Po ata shkuan natën në Qinam. Nxire motrën i thonë se u vramë. E nxjerrin vajzën, e ajo u thotë që burrë desha, burrë mora. Të dy djemtë e mi të mëdhenj rrahin motrën e madhe dhe vijnë në shtëpi e na vënë në dijeni. Bobo, thashë por unë për fejesë nën moshë u dënova. Tani ai do të njoftojë që na e dha vetë Myfiti dhe prit kur të më thërresin e të nis prapë nga historitë e vuajtjeve. Po këtë herë si bëri vëllanë me nuse, kishte marrë në telefon Degën e Punëve të Brendshme në Përmet, ku i kishte vënë në dijeni që të më lajmëronin mua që të mos e kërkoja vajzën se e kishin rrëmbyer. Kështu ma bëri dhëndri i madh”. 

BOX
Kërkesa për të takuar Enver Hoxhën 
“Po të them edhe për vizitën në Tiranë, kur shkova për të takuar Enver Hoxhën. Nuk e gjeta në Tiranë se, kishte shkuar në Kolonjë të Lushnjes ku kishte rënë një tërmet. Me ndihmën e Ilir Zhurdës munda të takoj sekretaren e KQ-së, që me sa më kujtohet e quanin Liri. Nuk dua përgjigje nga ty i thashë. Dua të takoj vetë Enver Hoxhën se jam dënuar kot dhe kam qenë partizan dhe familje dëshmori. I shkrova një letër aty në Tiranë, por nuk mora përgjigje. Pas vdekjes së Enver Hoxhës i bëra një letër Ramiz Alisë. Ai urdhëroi Komitetin e Partisë në Përmet që të më vinin në shtëpi për festën e dëshmorëve”.
Sigal