Nexhat Merxhushi/ Në 70 vjetorin e tragjedisë çame

927
Sigal

Statuja e Zervës, me fytyrë e duar drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë martire

Para pak kohësh, duke lexuar librin “Margariti” (Athinë 1989, f. 125), shkruar nga Tula Stefanidhu (Malakata), më tërhoqi vëmendjen një letër tronditëse, e shkruar me dhimbje, dashuri, e plot humanizëm… Është një letër-mesazh, ku shpaloset drama e popullsisë çame, që u bë pre e nacionalizmit ekstrem grek, që u penalizua në masë, që nga fëmija i pafajshëm e deri tek plaku i pafuqishëm dhe i sëmurë. Tula Stefanidhu (Malakata) u flet bashkëkombësve të saj, troket në ndërgjegjen e trazuar të atyre që bënë krime monstruoze, apelon për drejtësi e humanizëm, rikujton të pafajshmen, motrën e saj çame, miqësitë e ndërprera nga dhuna mizore…

Ja përmbajtja e letrës, përkthyer nga historiani i ndjerë Petrit Demi:
Bashkatdhetar që kthehesh nga Shqipëria! Mos ke mësuar vallë për motrën time? Si ne, çame, nga vendet tona është. Jam e pikëlluar. Asnjë nuk di pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Bashkatdhetar! Ti, që je kthyer para do kohe nga Shqipëria, mos vallë e di nëse rron ende motra ime e dashur? Ishte trupakë, sygështenjë. E bukur. E martuar së vogli. Bijë e vetme mes katër vëllezërve. Dhe s’kishte mbushur motin që kishte lindur një vajzë. E pamësuar ishte me vështirësitë e jetës. Të vogla, ktheheshim në ovorja dhe loznim me guralecë. Në sterenë e madhe ulnim kokat dhe thërrisnim të dëgjonim jehonën e zërave tanë. Motmoti besimi nuk na ndante, kisha dhe xhamia na bashkonin. Një miqësi e lashtë i lidhte familjet tona.
– Ta ketë duruar rrugën e mërgimit?
– Mendoj se po, jeton – përgjigjet zemra e përmalluar. Por, vitet kalojnë pa lajme dhe gjithçka e bren dyshimi dhe ankthi.
Dhe ja, dyzet e ca vjet më pas, nga Shqipëria vjen një letër e përmortshme, bukur shkruar nga vëllai i madh.
Në fillim për të afërmit pyet: Kush rron? Kush nuk është më? Dhe në fund vijnë vuajtje pa fund:
“Sapo lamë vatrat tona, rrugës na vdiq motra jote. Ishte vetëm njëzet vjeç. Dhe nuk vonuan ta ndiqnin e bija dhe i shoqi.
Vdiq edhe i ndjeri baba me gjyshen. Të pambaruara qenë lotët e hidhërimit para se të arrinim të çlodheshim diku.” Letër e kobshme! Kaq vjet zemërdredhur, kaq vjet dyshimet largoja.
O Zot! Sa të tmerrshëm, sa të neveritshëm gjakatarët, tiranët, paranoitikët që vunë popujt të vriten dhe nuk i lanë të rrojnë me dashurinë e zemrën për njëri-tjetrin.

Si u vranë 2771 shqiptarë të Çamërisë

Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë nga ushtarët grekë që nuk bënin më pjesë në formacionet ushtarake më 27 qershor 1944, në zonën e Paramithisë, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes. Sipas dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një batalion tjetër i EDES hyri në Parga, ku u vranë 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944 u plaçkit qyteti Spatar dhe u vranë 157 veta. Gra të reja dhe vajza u përdhunuan dhe ata burra që mbetën gjallë u grumbulluan dhe u dërguan në ishujt e Egjeut. Në bazë të statistikave që jep shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë: në Filat dhe rrethinat 1286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250000 kv grurë dhe 80.000 kv vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milionë kg grurë dhe 3 milionë kg vaj ushqimor. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.

-Kush i kreu masakrat në Çamëri?

Gjenocidi kundër popullsisë çame është një krim kundër njerëzimit, një spastrim i egër etnik, i cili jo vetëm nuk u ndëshkua asnjëherë, por  u kalua në heshtje nga qarqet ndërkombëtare. Vetë ministri i jashtëm grek, dikur Guvernator i Janinës, në verën e vitit 1913 deklaronte: “Mos ushqeni asnjë iluzion. Edhe në rast se do të jemi të detyruar (nga Fuqitë e Mëdha) të braktisim Epirin, ne nuk do të lemë asgjë nga pas, veçse tokë djerrë. Çdo gjë që ngrihet mbi këtë tokë do të rrafshohet”. Pra ishte një strategji e mirëmenduar dhe obsesive. Qeveritarët dhe zyrtarët e lartë grekë justifikojnë me të ashtuquajturin “bashkëpunim i çamëve me fashistët dhe nazistët”, por në fakt e kundërta është e vërtetë: Bashkëpunimi i forcave të djathta greke me nazistët. Ja faktet: Gjermanët ngritën në Athinë qeverinë kuislinge të Ralisit. Anglezi M.Mazoëer, në librin “Inside Hitler’s Greece 1941-44”, Londër 1993, thotë: “Në Athinë anëtarë të EDAS-it nën komandën e Zervës hynë në shërbim të batalioneve të shërbimit të krijuara nga gjermanët për të mbajtur rregullin e qetësinë. Anglezët këmbëngulën  që Zerva të ndërpriste lidhjet me qeverinë Kuislinge, por ai vazhdonte me ta. Në shtabin gjerman ai mbante një oficer ndërlidhës dhe bëri me gjermanët një armëpushim disa mujor. Janë pikërisht këto veprime që Zerva kishte dorë të

-Si krenohej Napoleon Zerva për mizoritë e tij në letrën që i shkruante një miku

N. Zerva krenohet për mizoritë e tij në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në letrën që i shkruante mikut të tij Jani Dani Popovitit, më 4 gusht 1953, ai thoshte: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin nga Atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët qëndruan 500 vjet mbi qafë të helenizmit dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha” (S.Muselimi. “Istoriko Peripato ana ti Thesprotia”, Janinë 1974). Në qeverinë e Athinës ishte ministër edhe N.Zerva. Më pas, në sajë të presioneve ndërkombëtare, sidomos të SHBA, pasi u zbuluan lidhjet e tij me nazistët, Zerva u detyrua të japë dorëheqjen nga qeveria greke. Megjithatë ai mbeti një “figurë e nderuar” nga autoritetet greke. Statuja e tij, me fytyrë e duar të drejtuar nga Shqipëria, qëndron në qendër të një prej qyteteve të Çamërisë martire.

-Studimet greke që kanë pranuar gjenocidin ndaj çamëve

 Një studim i paraqitur në vitin 2008 në Universitetin Pandio të Greqisë, nga një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, është i pari që tregon për gjenocidin mbi çamët, nga një grup nëpunësish grekë. Numri i çamëve të dëbuar dhe të vrarë, që paraqitet në studimin grek, është më i madh edhe se numri që paraqet zyrtarisht Shoqata Politike Atdhetare Çamëria në historikun e saj. Studimi, i cili solli të gjithë debatin në vendin fqinj,pranonte gjenocidin grek mbi popullsinë çame, duke thënë se 770 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDHES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre. Për më tepër, në këtë studim thuhet se “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDHES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”. Megjithë presionet, pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit tha se “nuk po flasim për çështje kombëtare por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”. Ky është studimi i dytë grek, që pranon gjenocidin e çamëve. I pari është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera se “ky rast është padyshim një gjenocid”.