Nexhat Merxhushi/ 101 vjetori i Masakrës në Përroin e Selanit

1011
Sigal

Historia makabre: Si u vranë dhe u varrosën të gjallë 72 vetë nga paria e Çamërisë

 Pas rënies së Janinës me 21 shkurt 1913 popullata e Çamërisë përbëhej me afro 40.000 shqiptarë myslimanë çamë dhe 30.000 ortodoksë çamë, me një përqindje të papërfillshme ortodoksë grekë.

Më 23 shkurt 1913 Çamëria u pushtua nga trupat greke. Para pushtimit, populli çam u bëri qëndresë bandave greke në Shkallën e Paramithisë. Me guxim dhe shpirt atdhetar Assaf Ajdonati, me banim në lagjen Maksudat të Paramithisë, luftoi disa ditë, duke zmbrapsur forcat greke disa herë. Gjithashtu vlen të përmendet beteja në Mullirin e Bardhë të Gardhqit, ku heroikisht dhanë jetën Beqir Bako dhe “Shote Galica” e Çamërisë, Daje Sako. Në këtë kohë bandat greke bënin kërdinë në territorin e Çamërisë, duke vrarë e djegur njerëz të pafajshëm, duke grabitur shtëpi dhe produkte ushqimore. Më e madhja masakër në territorin e Çamërisë nga bandat greke është ajo e Përroit të Selanit, në verilindje të Paramithisë, më 27 mars 1913. Për këtë masakër shkruan dhe historiani grek, G. Fessopullos, bashkëkohës i asaj periudhe: “Pas pushtimit të Janinës dhe gjithë Çamërisë, andartët grekë lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë. Banda me ushtarë kretas, të drejtuar nga Manalos Montakis e Granicas, nuk kursyen asgjë të gjallë tek myslimanët”. Po kështu edhe K. Buehberg, në veprën “Vitet e mia në Shqipëri”, në fq. 141 shkruan: “Pas pushtimit të Janinës, në rrethinat e saj kishte kufoma shqiptarësh të shpërfytyruar në mënyrën më të egër”. Masakra e Selanit vërtetohet dhe nga një letër që i vjen komandës italiane në Paramithi në vitin 1917, letër e cila gjendet në Komunën e Paramithisë, ku thuhet: “Në 19 mars 1913 Furarhio e Paramithisë, mblodhi kryetarët Petro Ringa, Vasil Ringa, Dhimosten Ringa, Apostol Zogani, Mitro Caci dhe Jorgji Pabro prej Gliqise etj. Këta, nën kryesinë e Dhespotit të Paramithisë, bënë një komision dhe sipas listës që hartuan vendosën të arrestojnë të gjithë ata që luftuan në mbrojtje të Çamërisë nga pushtimi i dytë, tani jo më nga forcat osmane por nga ushtarët grekë. Si qendër e Administrates Politike, policore dhe fetare u bë qyteti i Paramithisë që ishte e baraslarguar nga fshatrat dhe qytetet e tjera të Çamërisë. Menjëherë pas pushtimit në krye të këtij qyteti, u vu Mitro Caci (kryetar bashkie nga Sajadha ) dhe zëdhënës i tij, Petro Papllomati. Në mbështetje të tyre u vunë gjeneral Moskopullo, Gjeneral Kalari, kolonel Alesander Konduli, Marko Deljanaqi, Nikoll Kutupi, Nikolla Qamo, Dhimitri Muselimis. Këta bënë një ndarje nëpër fshatrat e Paramithisë dhe të gjithë Çamërisë; Në Drahomi postëkomandën e udhëhiqte Vangjel Jani dhe Dhimitraq Pasko.

Në Karbunar ishte krimineli Vasilaq Canaku. Në Drams komandante Harilla Kollovoj. Në Globoçar, Salicë e Grikohuar, komandonte Hirsto Spiropulli. Pargën, Arpicën, Mazrekun e kontrollonin kriminelët Dhinois Xhima. Në Mininë udhëhiqte Vasil Ringa. Në Kostricë Jani Nasi, Mico Papai e Panajot Vrisi. Në Shulash printe Theodhori Kaceli, në Margëlliç printe prifti i qytetit, në Kurtec kolonel Meksi, në Njihuar Vangjel Sotir Cili, në Shëmrizë e Koriqan vepronte Sholi Mitro. Më 18 mars 1913 erdhi në Janinë Princi Konstandin, i cili në fjalën e tij premtoi se popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë do t’i sigurohej jeta, liria e besimit, pasuria dhe identiteti.

Pikërisht në këtë kohë popullsia myslimane e fshatrave të Frarit pësoi reprezaljet më të mëdha nga bandat greke.

Më 19 mars 1913 në qytetin e Paramithisë, mitropoliti Athanagora Neofiti, kapiten Dhimitriadhi, Dhemosten Ringa etj., kurdisën planin djallëzor për masakrën e krerëve patriotë çamë. Këtë detyrë u caktua për ta bërë krimineli nga Gjiriti Marko Deljanaqi dhe Joti Spiro Popovo, Stefan Thoedhoraqi, Kozma Kaloi etj.

U tha se ky urdhër “vjen nga lart”, ku u përmend emri i kolonel Ebitis. Marko Deljanaqi mblodhi andartët e fshatrave përreth, si kriminelë antishqiptarë të fshatrave Curril, Leftrohor etj. Rreth 200 kriminelë antiçamë, ca të veshur me uniformë ushtarake dhe ca civilë të armatosur, u grumbulluan në garnizonin e Paramithisë. Iu tha kriminelëve të kryenin shpejt e pa zhurmë masakrën, me një dinakëri greke, pa shkrehur asnjë plumb.

Pas disa ditësh stërvitje, ditën e diel më 27 mars 1913, në orën 3 të mëngjesit, dolën nga Garnizoni dhe u drejtuan nga verilindja e Paramithisë, drejt fshatit Njihuar. E gjithë kjo ushtri, nga një mbledhje operative, u vendos të ndahej në grupe. Filloi operacioni i arrestimeve të befta dhe tinëzare.

Në Njihuar u arrestuan 10 veta, në fshatin Shemrizë 4 veta, në Nikolicë 6 veta, në Grikë 2 veta, në Vrisi 4 veta, në Skupicë 6 veta, në Mininë 13 veta, në Vratilë 4 veta, në Koriqan 3 veta, në Dramës 9 veta, në Bedelen 5 veta, në Rrëzanj 5 veta, në Petrovicë 1 person, në Paramithi 3 veta.

Vetëm nga prefektura e Paramithisë u arrestuan 38 veta. Kur trokisnin në dyert e shtëpive pjesëtarëve të familjes u thuhej se: “këta i kërkon qeveria për të caktuar kryetarët e fshatrave” . Sa dilnin matanë fshatit, i lidhnin me tela 2 e nga 2.

Pasi ecën disa kilometra arritën në fshatin Skupicë dhe pikërisht në shtëpinë e Kushejve, një shtëpi e madhe me një oborr me mure të larta. Familjarët i nxorën nga shtëpia dhe i strehuan tek komshinjtë. Në oborr i riu 21 vjeçar nga Vratila, Vejsel Rexhepi, pasi u zgjidh nga një shok aty pranë, kërcen nga muri dhe me vrap kalon matanë fushës. Pasi dolën nga shtëpia e Kushejve dhe ecën 4-5 kilometra, grupit i del përpara një njësi luftarake prej 5 vetash me një letër për Marko Deljanaqin. Kjo letër vinte nga një mbledhje urgjente e nënprefektit të Paramithisë, Panajot Zorba dhe me firmën e Dhespotit. Në letër thuhej se të arrestuarit nuk duhet të hynin në Paramithi se do të kishte probleme. Atëherë u vendos që të drejtoheshin në një grykë të fshatit dhe të ekzekutoheshin. Ata u futën në  Përroin e Selanit, në një vend shumë të ngushtë, se mezi ecnin 2 veta. Me t’u futur në ngushticë, të lidhurit ecnin në mes të Përroit, të rrethuar nga të dy anët nga andartët. Dikush thirri: “Apanu” (përsipër ). Të 200 andartët u hodhën sipër të lidhurve, duke i goditur me bajoneta e sëpata të vogla të 72 krerët çamët. Menjëherë, gjysma e të goditurve ra përtokë. U dëgjuan ulërima të llahtarshme, ca u shpuan me bajoneta, ca u goditën fort në kokë. Kush binte përmbys në përrua i vërvitej ndonjë gur zalli në kokë me tërë forcën që të mos ngrihej më. Uji i përroit u mbulua me gjak. Një masakër të tillë kanibaleske skish njohur më parë historia. Andartët s’i lanë as të jepnin shpirt; nisën t’i kontrollonin, duke u marrë teshat e trupit dhe u thyenin me gurë dhëmbët e florinjtë. Pas grabitjes u mbuluan me gurë zalli…  Thonë se edhe pas një jave dëgjoheshin akoma ulërima.

Ai vend u ruajt me roje specialë dhe asnjeri nuk u lejua të merrte njeriun e vet. Masakra e Selanit ishte vrasja më makabre që ndërmori qeveria greke kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë. Pas masakrës së Dionis filozofit, më 1611 në fshatrat çame të Granicës dhe Aorovucit, një tjetër masakër po përgatitej dhe që u bë pas 30 vjetësh (1944-1945), në fillim në Paramithi dhe pastaj në gjithë Çamërinë. Dhe për  ironi të fatit, prapë në Paramithi dhe fshatrat e gjithë Çamërisë. Historiani grek Jorgo Margariti, në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” shkruan: “Të rrëqethin faktet tronditëse, jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913, vite 1923-1926, vitet 1930-1940, por edhe ato të 27 qershorit 19944.”