Mustafa Koçerri dhe Memush Habili/ Vërmiku i Vlorës në memorial e mirënjohjes në Izrael. Shkollimi, kuadrot e luftës dhe punës dhe strehimi i hebrenjve. Ja emrat që e nderuan dhe i dhanë lavdi

829
Sigal

Plejada e kuadrove dhe intelektualëve të shquar në krahinën e Labërisë

Vërmiku i Vlorës në memorialin e mirënjohjes në Izrael

Mustafa Koçerri                                         

Memush Habili

Me mbarimin e LNÇL, vërmikasit iu përveshën punës për ndërtimin e shtëpive, për shkollimin, jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rriturve nëpërmjet disa kurseve disa ditore dhe mujore. Disa nga kuadrot e pas luftës, që kontribuan jo vetëm për Vërmikun, por edhe për gjithë vendin, janë: Xhule Çiraku, Kudret Eveli, Besho Mëzuri, Elmaz Kondi, Servet Tushi, Qemal Çiraku, Xhemo Tushi, Dervish Lloi, Lelo Halla, Ahmet Çiraku, Seit Çiraku, Murat Tushi, Hashim Alimuçi, Shorto Alimuçi, Jonuz Çiraku dhe shumë të tjerë, të cilët tërë jetën e tyre punuan me përkushtim ndaj atdheut, ku do të theksonim se kuadro të tillë do t’i gjesh rrallë, për të mos thënë nuk i gjen më sot. Pa bërë dy vjet nga dita e çlirimit, në Vërmik më 1 shtator 1946 u hap shkolla fillore me 51 nxënës. Nga këta 27 ishin vajza dhe më 1 shtator 1968 filloi të funksionojë shkolla 8 – vjeçare. Këtu do të përmendnim banorin e këtij fshati, mësuesin e palodhur Seri Tushi, i cili ka qenë një ndër mësuesit e paktë në këtë kohë, jo vetëm në Vërmik, por edhe në krahinë. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë në edukimin e brezit të ri në Vërmik. Si rezultat i kësaj pune, ai edhe sot kujtohet me respekt jo vetëm nga nxënësit e tij, por dhe bashkëfshatarët.

Shkollimi i Vërmikasve

Me shumë sakrifica djemtë dhe vajzat vërmikase vazhdonin shkollën e mesme nga Vërmiku në Brataj, Himarë, Vlorë dhe në qytete të tjera duke u ndihmuar edhe nga të afërmit e tyre. Vlen për t’u theksuar se një nga cilësitë e mira të vërmiksave është dëshira, vullneti dhe këmbëngulja për t’u arsimuar. Kjo ka bërë që shumë djem dhe vajza të vazhdojnë universitetet dhe institutet që ishin ngritur dhe funksionin. Këtu do të përmend disa nga kuadrot e para si: inxhinierin mekanik Luan Veshi, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në fushën e industrisë ushtarake; inxhinierin elektrik Hamit Bleta; inxhinierin e ndërtimit Havdul Mëzuri, inxhinierin mekanik Petref Zheku, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në Kombinatin Metalurgjik Elbasan dhe shumë të tjerë.

Është për t’u përmendur rasti i familjes së Jakup e Kasem Koçerrit, të cilët nuk morën parasysh pasojat që mund të kishin nga strehimi i familjes hebreje, të Mojze e Zhabeta Sollomoni për disa muaj në fshatin Beshisht në shtëpinë e tyre

Kuadrot e mjekësisë

Në fushën e shëndetësisë përfunduan studimet për mjekësi: Kafaz Xhuveli, Memo Boçi, Lavdie Anija, Ali Bala e shumë infermierë të tjerë, të cilët edhe sot disa prej tyre shërbejnë me pasion dhe humanizëm. Këtu do të theksonin kontributin e veçantë që doktor Memo Boci, ka dhënë dhe jep jo vetëm për njerëzit e tij, por edhe për bashkëfshatarët. Ai iu është gjendur atyre në çdo kohë e moment duke i kuruar dhe duke bërë të mundur të shpëtoj jetë njerëzish. Ai është organizatori i parë i shërbimit të luftës kundër të HIV-AIDS në Shqipëri. Falë përgatitjes së lartë profesionale, ai edhe si një njëri tepër komunikues dhe i afrueshëm, vazhdon të jetë një njëri shumë dashamirës dhe i respektuar, jo vetëm nga bashkëfshatarët e tij por edhe qytetarë të tjerë. Ai ka kryer detyra të rëndësishme në Ministrinë e Shëndetësisë. Doktor Kafaz Xhuvelin e njeh gjithë Tepelena, ai shërbeu për shumë vite në detyrën e drejtorit të spitalit në këtë rreth, ku ai është bërë edhe Qytetar Nderi. Funksionimi i mirë i shëndetësisë bëri që edhe në Vërmik që në vitin 1950 të hapej ambulance dhe t’u shërbente banorëve. Në vitin 1953, djali vërmikas Vero Gjoka filloi punë ndihmës mjek dhe tërë jetën punoi me pasion dhe përkushtim në ndihmë të bashkëfshatarëve të tij. Në vitin 1974, për t’u ardhur në ndihmë nënave të reja të porsalindura, në Vërmik filloi të funksionojë ‘Shtëpia e Lindjes”, me infermiere-mami Dituri Zheku. Më 7 nëntor 1969 në Vërmik përfundon elektrifikimi i fshatit. Për shkak të kushteve të vështira, mungesës së rrugës, shteti e çoi transformatorin e dritave me helikopterin e ushtrisë. Këtë ditë banorët e Vërmikut, pilotët e helikopterit dhe punonjësit e elektrifikimit e kthyen në një ditë feste dhe të paharruar.

Pjesëmarrës në

rindërtimin e vendit

Thirrjes për të marrë pjesë në rindërtimin e vendit, banorët e Vërmikut ishin ndër të parët që morën pjesë në ndërtimin e fabrikave të reja, uzinave, hekurudha, duke dhënë shembullin e tyre me punë të palodhur e duke mos kursyer as jetën e tyre. Kështu më 19 tetor 1950, në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë u vra Dervish Anija. Po në vitin 1955, u vra duke punuar në minierën e Selenicës, Dalip Sela. Midis shumë fatkeqësi të ndodhura në familjet vërmikase, do të përmendim atë të dy djemve të Shefo dhe Farfurim Mëzuri. Në lulen e rinisë djali i tyre Kujtimi u vra nga shkëmbinjtë në Zagojë duke ruajtur bagëtitë e kooperativës. Ndërsa djali tjetër, Esati kryente detyrën e brigadierit dhe aksidentalisht duke shirë grurin e kooperativës pëson aksident dhe humbet jetën. Të gjitha këto, si hapja e shkollës, elektrifikimi, funksionin i vatrës së kulturës, kurset e ndryshme, pjesëmarrja në aksione, bën që të ndryshonte jeta në Vërmik, të hynin elementë të kulturës, të jetuarit, të ushqyerit, të veshurit, të cilat po e bënin jetën e banorëve më të mirë.

Vërmikasit në Forcat e Armatosura

Mund të themi se ka qenë një ndër pasionet e djemve të Vërmikut për të shërbyer në mbrojtjen e vendit. Ata janë të shumtë dhe që kanë shërbyer me devotshmëri, atje ku ka patur nevojë atdheu, pa marrë parasysh asnjë vështirësi. Më poshtë po përmendim disa prej tyre: – Limoz Alimuçi, i diplomuar në akademinë ushtarake me përvojë në ish-Bashkimin Sovjetik. Ishte inxhineri i parë hartograf, i cili vuri në zbatim metodat e përparuara të përgatitjes dhe botimit të hartave ushtarake. Ka dhënë një kontribut të veçantë në ngritjen dhe funksionimin e Institutit të parë të Topografisë Ushtarake në Shqipëri. Limozi ishte një njëri me cilësi e virtyte të rralla, dashamirës dhe i apasionuar i fshatit të tij të lindjes, Vërmikut. – Reshat Lloi, ashtu si edhe xhaxhai i tij, Dervish Lloi punoi për shumë vite në Gardën e Republikës derisa doli në lirim. Ai kreu detyrën e rëndësishme të Komandantit të Gardës në moment delikate dhe të vështira të vendit në vitin 1997-1998 ku u dallua për korrektësi dhe drejtim profesional të efektivit të saj. – Ramadan Anija, piloti i kualifikimit të lartë, tërë jetën e tij është dalluar për korrektësi, rigorozitet dhe përkushtim në detyrën ushtarake. Dashuria për vendlindjen, njerëzit, të afërmit, shokët dhe miqtë bëjnë që ai të jetë një njeri i dashur dhe i respektuar edhe sot. Por ka dhe shumë të tjerë si: Bendo Alimuçi, Xhevdet Bleta, Sulo Lloi, Dasho Mëzuri, Shkëlqim dhe Përparim Alimuçi, Bandill Mëzuri, Memush Habili inxhinieri kimist i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në armën e kimisë në ushtri dhe në fushën e mbrojtjes së shëndetit të popullatës nga helmimet e ndryshme. Po ashtu janë edhe Mustafa Koçerri, Kastriot Sela, Perlat Kondi, Hysni Bleta, Malo Gjoni e shumë të tjerë. Gjurmë kanë lënë edhe ekonomistët e lartë Astrit Sela dhe Bino Koçerri, që shërbyen jo vetëm në ekonomitë e rrethit të Vlorës, si në Smokthin, Sevaster, Risili, por eksperiencë e tyre e përhapën dhe kontribuan si në Mirditë dhe atje ku pati nevojë atdheu, duke sakrifikuar dhe punuar me përkushtim dhe në kushtet larg familjeve.

Vërmikasit në fushën e mësuesisë

Në fushën e mësuesisë, vërmikasit janë të shumtë, por po përmendim disa:

– Bejkush Bleta, qysh student, por edhe mësues në gjimnazet e Vlorës është dalluar për rezultate të larta, këmbëngulje dhe kërkesë llogarie, ku edhe sot kujtohet,s i një figurë e respektuar e arsimit në Vlorë. – Buran Çiraku, Satedin Mëzuri dhe Gëzim Tushi, me përvojën e fituar në fushën e mësuesisë, arritën të bëhen pedagogë të denjë në Universitetin e Tiranës. Një nga virtytet e Vërmikasve ishte të gjendurit pranë dhe ndihma për mikun, të afërmin, por edhe për atë që nuk kishin lidhje gjaku, në momente të vështira dhe kritike. Mbas kapitullit të ushtrisë italiane, ashtu si në shumë fshatra dhe qytete të tjera mbetën disa ushtarë dhe oficerë italianë, të cilët u strehuan dhe u mbajtën në shtëpitë të banorëve. Nga tregimet e Samedije Habilit veçojmë: “Në shtëpinë tonë kishim dy italianë, një oficer dhe një ushtar. Ata u mësuan me ne, i trajtonim mirë, madje arritën të mësonin edhe të punonin në mullirin që kishim ne si shtëpi në Vërmik”.

Strehimi i hebrenjve

Pushtimi gjerman për hebrenjtë në Vlorë, do të krijonte probleme si për ekzistencën, strehimin dhe fshehjen e tyre. Është për t’u përmendur rasti i familjes së Jakup e Kasem Koçerrit, të cilët nuk morën parasysh pasojat që mund të kishin nga strehimi i familjes hebreje, të Mojze e Zhabeta Sollomoni për disa muaj në fshatin Beshisht në shtëpinë e tyre. Ndihma në strehim iu dha pa më të voglin interes. Kjo bëri që miqësia midis tyre familjeve të forcohet edhe më shumë. Për kontributin e dhënë ndaj familjes Sollomoni, shteti i Izraelit, ashtu si shumë qytetarëve të tjerë, edhe këtë familje vërmikase e ka vlerësuar dhe dekoruar, gjë e cila nga shteti shqiptar nuk është bërë dhe mesa duket as ka ndërmend që ta bëj, për këtë njerëz që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis Shqipërisë dhe Izraelit. Në Vërmik ka patur disa mësues nga fshatra të tjerë, ata janë trajtuar shumë mirë, u janë krijuar kushtet më të mira të mundshme të jetesës, duke qenë pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve të banorëve. Po kështu në fshat ka patur për disa vite, disa qytetarë të internuar. Megjithëse ata kishin “njollë” por edhe këta mbaheshin dhe trajtoheshin nga vërmikasit, jo si armik dhe kundërshtarë por si banorë të barabartë me ta. Shumë prej tyre, edhe më pas, si mësuesit, edhe të internuarit kanë mbajtur lidhjet me familjet vërmikase. Nga çlirimi i vendit deri në ndërrimin e sistemit, nga Vërmiku u përgatitën një numër i madh kuadrosh që drejtuan ekonomitë në Vërmik dhe në Babicë. Ata ishin të nivele të ndryshme, si agronomë, brigadierë, financierë, ekonomistë dhe specialistë të fushave të ndryshme. Ata janë shumë, por po përmendim disa prej tyre: Nimet Anija, Xhemo Tushi, Kasem Koçerri, Difo Braka, Rakip Bleta, Pasho Lloi, Kamber Mëzuri, Gurim Anija, Lala Gjoni, Ciko Habili, Colo Anija, Bajram Koçerri, Bashkim Mëzuri, Cane Sela, Sako Bleta e shumë të tjerë.

Vërmikasit në vitet 1950-1992 qendrën kryesore ku grumbulloheshin e kishin në vendin e quajtur “Koshti i Çirakajve”. Këtu veç bisedave me njëri – tjetrin, do të dëgjoje shpesh edhe meloditë e bukura të këngëve labe, të cilat më pas do të vazhdonin në mënyrë të organizuar dhe të programuar në shtëpinë e kulturës që kishte ky fshat. Kënga i ka shoqëruar vërmikasit si në sebepe, dasma, fejesa, aksione, në kohë pushimi gjatë punës dhe në çdo rast tjetër gëzimi. Përveç që dalloheshin si këngëtarë, të cilët kanë qenë të shumtë, Vërmiku ka patur edhe shumë valltarë të mirë si: Sinan Mëzuri, Faslli Çiraku, Kojdhel Veshi, Qerim Veshi, Ali Koçerri, Salo Lloi, Liko Zheku, Kalem Bleta, Bajram Koçerri, Qerem Mëzuri, Goxho Çapo, Ramadan Brahimi, etj. Grupi folklorik i Vërmikut ka bërë disa herë incizime në RTSH, më këngë e valle të ndryshme, ka marrë pjesë në shumë koncerte në qytetin e Vlorës dhe dy herë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Edhe sot, grupi folklorik vazhdon traditat e mëparshme dhe për drejtimin e aktivitetit të tij vlen të përmend vërmikasi, Felek Bleta, i cili vazhdon të drejtojë më pasion këtë grup. Pas transformimeve të viteve 90, vërmikasit si gjithë të tjerët, u përfshinë dhe përkrahën proceset demokratike. Ata i gjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, si SHBA, Kanada, Itali, Greqi, Gjermani, Angli etj. Numri i familjeve vërmikase në Shqipëri dhe jashtë vendit arrin mbi 600. Me punën e tyre, shumë vërmikas, ngritën biznese të suksesshme si Eduard dhe Leonard Mëzuri, vëllezërit Tushi, Agim Çiraku, Zenel Alimuçi, Krenar Bleta, Zigur dhe Lato Mëzuri, e shumë të tjerë. Ne dëshirojmë që historia e pasur, traditat, folklori, këngët, kultura, shpirti punëtor dhe arsimdashës, sakrifica të shumta, dëshmorët dhe invalidët e LNÇL, të zënë më shumë vend në familjet vërmikase kudo që janë, të mbahet gjallë kujtimi i tyre dhe të trashëgohet brezi pas brezi, ndër vite.