Msc. Albert Habazaj: Tërbaçi në Epopenë e Luftës Kombëtare të Vlorës

1091
Sigal

 

Tërbaçi me Vranishtin, Bratin, Lepenicën e Gjormin përbënin çetën e Rrëzës

 Tërbaçi, si pesë e së tërës kombëtare, ka vendin dhe rolin e tij në rritjen e frymës atdhetare, dashurisë për vendlindjen dhe forcimin e ndjenjës kombëtare, treguar me pjesëmarrjen masive dhe qëndrimin trimëror edhe në Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920. Nga Tërbaçi në luftën antiimperialiste të Vlorës, morën pjesë 226 luftëtarë, ndër të cilët Murat Miftar Habazaj (mësues, anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare), Halim Xhelo Skëndaj (mësues, sekretar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe përgjegjës i Organizimit e Propagandës pranë Komisionit Ushtarak), Selman Hysen Gjondedaj (komandant i Çetës së Tërbaçit), Selam Abaz Habazaj e Selman Aliko Çelaj, (zëvendëskomandantë të çetës së Tërbaçit), Laze Malo Skëndaj (anëtar i Këshillit të Luftës), Muço Delo Balilaj e Nuro Ahmet Hoxhaj, (të dy mësues, sekretarë pranë Komisioneve), Gani Iljaz Habazaj, (mësues, korrespodent i gazetës “Drita” të Gjirokastrës), Çelo Matan Kiçaj, Kapo Miftar Habazaj (korrierë pranë Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare), Islam Hariz Ganaj, dhe gjithë ata trima të tjerë. Dy ranë dëshmorë Qamil Mezin Cacaj e Sali Selman Gjikaj (shehitë quheshin atëherë). Në betejat e Luftës së Vlorës u plagosën 16 të tjerë Ali Iljaz Bozhekaj, Aliko Muço Gacaj, Boro Lab Gjokaj, Belul Nane Nanaj, Cano Ali Skëndaj, Hito Dalan Jahaj, Hyso Memush Saliaj, Islam Hariz Ganaj, Ibrahim Parosaj, Nurçe Boro Haxhiaj, Meçan Karafil Thimoj, Selman Hysen Gjondedaj, Selman Aliko Alikaj,Selam Asllan Hoxhaj, Selman Bajram Çelaj dhe Xhebro Sinan Gjikaj. Të dekoruar nga Kuvendi Popullor (organi më i lartë legjislativ i Shqipërisë në vitet pas Çlirimit deri në 1990) për Luftën e Vlorës kanë qenë: Belul Nane Novruzaj, Boro Ali Gjokaj, Çaush Hysen Gjondedaj, Cano Ali Skëndaj, Halim Xhelo Skëndaj, Hyso Memush Saliaj, Islam Malaj, Metush Ali Gjikaj, Nuredin Selman Salataj, Ramadan Mustafa Hoxhaj, Selman Hysen Gjondedaj Qamil Mezin Cacaj, Selman Aliko Çelaj, Sali Selman Gjikaj dhe Tahir Hadër Gjondedaj.

Tërbaçi me Vranishtin, Bratin, Lepenicën e Gjormin përbënin çetën e Rrëzës.

Gani Iliaz Habazaj, kronikani i kësaj lufte, me shënimet e mbajtura në llogoret e Epopesë së madhe, nëpër plumbat e armikut, i ka dhënë historiografisë një ndihmesë të dukshme, të cilat e panë dritën e botimit në vitin 1995 nën titullin “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia” me kujdesin e studiuesit të njohur prof.dr. Bardhosh Gaçe. Aty mësojmë se, në fillimet e luftës, çeta e Tërbaçit dhe e Dukatit kishin malin e Shashicës, qysh nga ana e detit e deri në Qafën e Brumbullit. Një plak nga Tërbaçi, por trim i fortë, i quajtur Selman Aliko, doli në buzë  të përroit Megallako dhe i foli anës sonë në Brumbull për t’i dërguar municion. Iu dërgua menjëherë me Elmas Ademin nga Ramica një kafshë me municione… Rapsodi Xhebro Gjika ka një këngë të gjatë “Lufta e Vlorës 1920”. Ja disa vargje: “Në Vlorën me histori/ është lufta që ka bërë/ më njëzetë me Itali/ me ca të rrallë dyfekë/ të rrëmbyer në Turqi/ ca sëpata dhe hanxharë/ u derdh mbi artileri/…Kapedan Sali Muranë/ plagë plumbi mori tri,/ Selman Hysen zemërstërrallë,/ i ra gjylja në kërci…/ E ç’gjë t’u këndosh më parë/ një argjend e një flori…”

Gani Iliazi më tej vazhdon: “Për luftën e Shashicës, gazeta “Dielli”, organ i Vatrës në Amerikë, shkroi një kryeartikull, në të cilin duke lavdëruar luftën dhe trimërinë e luftëtarëve të Shashicës më kujtohet se thoshte: “Tërbaç – por duhet t’u thonë të tërbuar”. Kështu lavdëronte gjithë trimat e Luftës së Vlorës. Komandanti i çetës Selman Hyseni vlerësonte vullnetin e sekretarëve Muço Delo, Nuro Ahmeti e Gani Iliazi, që s’u ndaheshin luftëtarëve, edhe pse i çmonte dhe i ruante për të tjera detyra. Nga libri njihemi me të tjerë trima tërbaçiotë si Hysen Sinani, Sali Gjika, Ali Bozheku, Musa Muho fare i ri, Beqir Selimin e papërmbajtur.

Portreti i komandantit çetës Selman Hysen Gjondedaj (1882 – 1940) mbahet mend, se që në moshë të re, dallonte për zhvillimin e tij trupor. Ai kishte një trup të gjatë, muskulor dhe të fuqishëm. Selmani së bashku me Halilin dhe Çaushin, (vëllezërit e tij – shën. im, AH) mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Gjithashtu, së bashku me Halilin, Laze Malon, Abaz Koçiun etj., në vitin 1913, ai mori pjesë në Kuvendin e Mesaplikut, ku drejtues ishte Ismail Qemali. Selmani ishte jo vetëm i fuqishëm, por edhe trim e zemërzjarr. Për këto cilësi në Luftën e Vlorës, më 1920, me propozimin e Halim Xhelos e Murat Tërbaçit, fshati e zgjodhi komandant të çetës së fshatit. Këtë detyrë ai e kreu më së miri. Megjithëse u plagos në të dy këmbët, nga gjylet e topave të armikut, ai nuk u tërhoq deri në çlirimin e plotë të Vlorës nga pushtuesit italianë. Për trimëritë e tij, të treguara në luftë, rapsodi popullor i ka thurur këto vargje: “Selman kobure argjendi,/U flet shokëve: mos u trembni,/Po i bini këtij qeni,/Sa të shporret nga vendi…”. Në Luftën e Vlorës, më 1920, kundër pushtuesve italianë, Selman Hyseni në frontin e luftës e të betejave bashkëpunoi ngushtë edhe me udhëheqësit e kësaj epopeje si: Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Ibrahim Abdullahu dhe me kryetarët e çetave të tjera.

Trimëria në Luftën e Vlorës e bëri Selmanin të njohur në krahinë e kaza, sidomos me familjet patriote të njohura si: Sharraj, Xhindaj, Abdullahu, Mezini etj., familje këto me të cilat Halili kishte njohje dhe miqësi më të hershme. Patriotizmin, ashtu sikurse gjithë shqiptarët, edhe toskët, labët, lumasit, mesaplikasit, edhe tërbaçiotët e kanë pasur në gjak dhe, si gjithmonë, edhe në në LV kanë dhënë prova për të. Atdhedashuria ishte ylli polar që frymëzoi pleqtë, burrat, gratë dhe rininë në luftën për çlirimin e Vlorës dhe trojeve të tjera shqiptare të pushtuara nga kolonizatorët italianë. Në LV, ku i pari i Tërbaçit Halim Xhelo në Beun të Velçës mblodhi burrat e krahinës, hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi si organizator, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë. Ky ishte ligj i padiskutueshëm edhe pse i pashkruar, se ashtu qe vendosur nga krahinarët, burrat e kuvendeve. Nuk qe vetëm për Tërbaçin, ky vendim burrash, por për të gjithë, atje ku ra e u ndie bobla: nga Kolonja e Devolli në Çamëri, nga Skrapari në Elbasan e Kavajë, nga Myzeqeja në Korçë e jo vetëm në Lumin e Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë, Mallakastër, Himarë e Labëri. Edhe kënga e thotë: “Binte bobla fshat më fshat…”. (Bobla, një mjet akustik prej briri me të cilin jepej kushtrimi, një bri dashi në formë hinke, ishte sinjali i alarmit, i kushtrimit për liri, për të shporrur hasmin që shkeli në kufi e livadhiste në trojet e tyre, as i ftuar si mik, as për ndihmë kërkuar). Edhe nga Mexhit Kokalari marrim një informacion të rëndësishëm për një nga bijtë e shpatës shqiptare, për njërin nga trimat e kryengritjeve popullore, Selman Hysen Gjondeda, që nis me vargjet e këngës: “Sokëllin Selman Hyseni,/ I tërbeçe kryetari/ – O burra me dorë t’i zëmë/ Topat e atij barbari.” Ishte një burrë gjigant, rreth dy metra i gjatë, shpatullgjerë, truplidhur, me duar të fuqishme dhe me sy shqiponje. Mbante mustaqe të gjata e të kthyera deri tek mollëzat e faqeve. Buzëqeshja dhe fjalët e tij të ëmbla qysh në fillim të bënin për vete. Gjithë ai gjigant të vështonte në sy, kur kuptonte mikun dhe sikur gjithë fytyra i ndritte. Me armikun shpërthente si harku që shkrep vetëtima mbi Çikë  në një natë dimri me tufan. Trimëri e patriotizëm, fisnikëri e bujari kullonte. Fjala e tij në kuvendet e burrave të fshatit e të krahinës peshonte si guri, dallohej veçanrisht për logjikën e fortë dhe për këmbënguljen e tij në zbulimin e së vërtetës, ndërsa kur flitej për mbrojtjen e Atdheut, çika i lëshonin sytë, s’e mbante dot vendi: “Mor, sido që të na bëjë hasmi, nuk na e shkul dot Shqipërinë nga duart tona, ka zot vatani” – thoshte xha Selmani. Furtuna të shumta kaluan mbi Atdheun tonë, por në çdo kohë Selman Gjondedën e gjeje në këmbë, vazhdimisht me armë në dorë pranë vegjëlisë kryengritëse fshatare të Lumit të Vlorës.

Trimërinë dhe patriotizmin e madh të kësaj shqiponje të Tërbaçit, populli e përjetësoi në këngë. Portreti moral dhe fizik i luftëtarëve është gdhendur si me daltë dhe në mënyrë origjinale nga këngët popullore: “Kush e njeh Selman Hysenë,/ Copat e gjyles e shqenë,/ Derdhi gjak për mëmëdhenë…/ Selman kobure ergjëndi,/ u thosh djeme: – Mos u trëmbi,/ jemi bij të këtij vëndi”[1]. Caush Tafili karakterizohet “Zorkath mali”; “vetëtimë shëndreu” paraqitet Selman Hyseni. “Në Bolen’ kush qe i parë?/ Mato Robi, djal’ i gjallë,/ Trimi me shokë të rrallë./ Selman, gjarpëri me pika/ Nga Tërbaçi, n’ato gryka,/ Që s’e nji’ se ç’ ishte frika,/ Vetëtimë shënëndreu,/ Si ujku në dhën kërceu,/ Italianët – ë i shqeu”. Rapsodi, me fjalë të ngjeshura mirë, i kursyer në fjalë, duke e përdorur atë si thesar, jo duke e shpërdoruar, na jep portrete shumë tërheqës, ku buisin figurat stilistike bukur, marrë nga mjedisi floreal, nga fauna, fenomenet atmosferike, meteorologjike, natyrore, që ndodhin në trevën përkatëse.

Ago Agaj, si  një Marub i portretit të shkruar për ata luftëtarë që ka njohur, vetëm me 9 rreshta, ja si na e paraqet Selman Hysenin: “… vinte nga malet e Tërbaçit, me karakter të thjeshtë e burrëror, u shqua në LV si kryetar i çetës së fshatit të tij dhe u simpatizua prej të gjithë atyre që e njihnin. Vigan me trup, nuk mund të përmbysej, veçse prej një vigani të madh dhe ashtu ngjau: në Çikën e Tërbaçit e zuri nën vete një bredh kolos e i dha fund jetës së tij që në rini, aty nga fillimi i dhjetëvjeçarit të tretë të këtij shekulli (v. 1940, shën ynë. AH). Të gjithë u përlotën për të e më shumë Qazim Koculi atje larg në Vjenë, ku ndodhej syrgjyn”. Ndërsa Halim Xhelo Tërbaçi quhet Frymëzimtari i kësaj Epopeje dhe cilëzohet si Abdyl Frashëri i Njëzetës.