“Mos e anashkalo Ardenicën, z. deputet!”

880
Nga Kozma GJINI

Thjesht sa për të komunikuar me ju nëpërmjet “Telegrafit”, zoti deputet.
…Jemi në Vitin Jubilar të Skënderbeut. Pa dyshim, jemi krenar për heroin Kombëtar dhe inkurajojmë organet përkatëse shtetërore për sjelljen në vëmendjen e shoqërisë të heroizmit të këtij burri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i gozhdoi hordhitë osmane për një çerek shekulli, duke u bërë një Parzmore e pashembullt në Evropën plakë që u ndaloi vrapin për më tej hordhive osmane. Bëri kështu të lavdishme Arbërinë e vogël dhe vetë u shndërrua në një legjendë.

…Disa ditë më parë, në Myzeqe u hap lajmi entuziast e serioz se një grup turistësh arbëreshë kishin ardhur për të rikthyer në kohë “Dasmën e Skënderbeut”. Ju, z.Velaj, ishit vetë javën e kaluar në Manastirin e Ardenicës dhe njerëzit u motivuan e u gëzuan. Ju e dini sa të ndjeshëm janë njerëzit tanë për të qenë prezent në shërbesa fetare e për më tepër, kur bëhet fjalë për kurorëzimin e Skënderbeut, ku ishin bërë gati kurorat me degë ulliri nga prifti dhe buqeta lulesh etj. E mori vesh në pak minuta tërë Myzeqeja (telefoni e interneti bëjnë punën e tyre) dhe njerëzit u përgatitën shpirtërisht.

Nga Shoqata “Myzeqeja”, qendër, (z, Naun Kule, kryetar), njoftohen degët e rretheve se ekipi turistik arbëresh, pasi të kremtojë dasmën e Donikës në Kaninë të Vlorës, do të qëndrojë në Manastirin e Ardenicës, për të kujtuar kurorëzimin e Prijësit legjendar dhe pastaj do të niset për në Tiranë…apo Krujë. Dolëm për ta pritur mikun si i ka hije që në orën 15:00. Ishin një grup burrash e grash të Myzeqesë dhe jo vetëm, të ardhur nga Tirana, Fieri, Lushnja, Berati, Divjaka, Vlora dhe mjaft turistë të rastësishëm e banorë të periferisë…kishte mes tyre historianë e studiues flokëthinjur me libra në duar, profesorë të nderuar, gazetarë, punonjës të arsimit e të kulturës, përfaqësues të pushtetit vendor, por rruga, koha e harxhuar e shpenzimet, u shkuan huq. I kemi pritur në Ardenicë deri në orën 17:30 dhe befasisht na vjen një telefonatë… se autobusi kishte kaluar nën hijen e qiparisave të Ardenicës, pa u përshëndetur me mikpritësit në Manastir.(?) Njerëzit u ndjenë shumë keq. Mbetën të fyer nga ky gjest jo vëllazëror e aspak kulturor. “Më mirë të mos na kishin njoftuar, se sa na futën xixat e pritjes, thoshin”. Mbetën gojëhapur e të zhgënjyer. Tani, një çast, le ta lëmë mënjanë mundimin e miqve tanë që nga Tirana e rrethet që erdhën me mjete të rastit dhe ndenjën në autostradë deri nga ora 20:00 për t’u kthyer në qytetet e tyre (bashkë me ndjesën). Një pyetje lind vetvetiu: “Cila ishte arsyeja që ju, (udhërrëfyes e shoqëruesi i parë) i ekipit turistik, nuk kthyet në Manastirin e Ardenicës? Ky anashkalim u bë qëllimisht, apo nga arsye subjektive rastësore? Pra, meraku ynë është: Ndërruat mendje më parë, nga ndonjë spunto ngacmuese me karakter dyshues historik për ngjarjen, apo nisur prej ngjyrimeve krahinore a fetare të tejkaluara? Nëse ishit të lodhur, bëjini mirë planet, miq! Një opinion i dalë nga pjesëmarrësit në pritje, (ata që ndiqnin informacionin e studiuesit që mori rolin e ciceronit, z. Naun Kule, (çudi si ky manastir që pret e përcjell afër 2000 turistë në vit të mos ketë një ciceron e turistët ta kenë falas hyrjen?), ishte se: “është vepruar kështu, pasi vihet në dyshim ngjarja”. Kështu? Atëherë, po të jetë kjo arsyeja, nëse, (po e ritheksoj, nëse), të gjithë ata që e kanë hedhur hijen e dyshimit mbi këtë fakt historik, le të pyesin historianët, studiuesit, e le t’i “djegin” e “t’i grisin” librat e atyre që kanë dokumentuar se Skënderbeu ka vënë kurorë në Manastirin e Ardenicës, Lushnjë, më 26 prill 1451. Studiuesi më i freskët, z. N. Kule në librin “NDRYSHE”, shkruan: “…për të bashkuar këta princër lakmitarë e qejfmbetës, 66 vjet pas kësaj beteje, (26 prill 1451), Skënderbeu do të zgjidhte pikërisht Myzeqenë…ballkonin e bukur të saj, Manastirin e Ardenicës, për të kurorëzuar martesën e tij me Donikën, teksa kthehej nga Kanina e Vlorës, si dhëndër i Gjergj Arianitit.” Ja një e vërtetë, thënë gojë më gojë nga myzeqarët e gjallë… “Festa e kurorëzimit të Skënderbeut vetëm në diktaturë u ndalua (siç u ndalua edhe feja), sepse ajo festohej brez pas brezi, gjatë kohës së Zogut e deri në 1967, me anën e një meshe të posaçme në kishë, deklaron i njohuri i artit dhe pasardhësi i priftit të famshëm myzeqar (Papa Kostandin Kola-1887), z. Llukan Kola, … kurse sot dyshoj të jetë anashkaluar qëllimisht…”. Mos qoftë thënë kështu!
Sigal