Marshimi luftarak i Brigadës I Sulmuese, në Operacionin e Dimrit 1944

1099
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Marshimi luftarak me objektiva të qarta
Marshimi luftarak i disa batalioneve të Brigadës I Sulmuese nga Shqipëria e Jugut për në Shqipërinë e Mesme, u krye në kushte të vështira të terrenit, të motit, por dhe të goditjeve të vijueshme të forcave të armikut dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Marshimi luftarak u bë nën drejtimin e komandantit të brigadës Mehmet Shehu. Ky marshim u bë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në një kohë kur operacioni armik i Dimrit 1944 po vazhdonte akoma me egërsinë më të madhe. Partizanët dhe repartet e kësaj njësie sulmuese marshimin e kryen në saj të studimit dhe të njohjes së terrenit. Qëllimi i këtij marshimi luftarak ishte që forcat e Brigadës I Sulmuese, të cilat në këtë kohë ishin më të organizuara dhe kishin fituar eksperiencë dhe përvojë në lufte, të çorientonin fashistët gjermanë dhe veglat e tyre, të lehtësonin veprimet luftarake të forcave partizane të qarkut të Elbasanit për të manovruar në krahinat e Çermenikës, Shëngjergjit e Martaneshit, si dhe t’i vinin në ndihmë një pjese të Shtabit të Përgjithshëm, që ishin bllokuar nga armiku në zonën e Çermenikës. Terreni, malet e larta, dëbora e madhe që kishte mbuluar gjithë vendin dhe pritat e vazhdueshme të ngritura nga armikut nuk e penguan këtë marshim luftarak të luftëtarëve të Brigadës I Sulmuese, që të kryenin këtë detyrën të ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH.

Tri batalione në marshimin luftarak
Forcat e brigadës, më 21 shkurt 1944, pas luftimeve të ashpra që kishin zhvilluar në zonën malore të Skraparit, u nisën nga Kapinova, duke kaluan në kushtet e pamjes së kufizuar dhe terrenit tepër të rënduar në Qafë-Dardhë, Guri i Prerë, Opar, Gorë dhe më 25 shkurt mbërritën në Çezmë të Mokrës. Duke ndjekur me përpikëri kërkesat e urdhrit të komandantit të Brigadës, batalionet kishin lëvizur me shpejtësi, për të arritur në mënyrë të organizuar deh në kohë sa më të shpejtë në zonën e Çermenikës. Marshimi luftarak do të vazhdonte po me këtë ritëm edhe në drejtim të Qukës-Qarrishtës dhe Çermenikë-Shëngjergjit. Përsëri më 26 shkurt, të tri batalionet vazhdonin marshimin luftarak nga Çezma e Mokrës për të arritur objektivin. Kushtet e dimrit të ashpër, kalimi i maleve dhe shpateve të lartë, të cilat i kalonin mbi 1000 m, si dhe përballja me pritat dhe sulmet e fashistëve gjermanë dhe tradhtarëve. Këta duke ndjekur gjurmët e luftëtarëve, më 27 shkurt fashistët i goditën forcat e brigadës në katundin Skroskë, afër Qukësit. Luftime të ashpra u zhvilluan midis forcave naziste deh bashkëpunëtorëve të tyre me batalionin e parë që ishte dhe në pararojë të forcave. Kështu, forcave kryesore të Brigadës iu dha mundësia të vazhdonin marshimin luftarak për në objektivin e caktuar. Duke mbuluar pjesërisht njëri-tjetrin, repartet e brigadës mbështetën edhe tërheqjen e forcave të batalionit të parë, të cilat, pas shkëputjes së kontaktit me armikun u bashkuan me forcat kryesore. Luftëtarët e Brigadës I Sulmuese zhvilluan luftime të ashpra me forcat armike, të cilat me shpejtësi kishin ardhur nga Librazhdi në katundet Velçan e Pishkash. Kundërgoditjet e forcave të Brigadës I Sulmuese i detyruan gjermanët të tërhiqeshin në bazën e nisjes, duke zënë përsëri pozicionet e tyre në rrugën Librazhd-Qukës.

Komandanti i brigadës Mehmet Shehu, në krye të marshimit
Pas këtyre përpjekjeve, nga më të vështirat të bëra prej kësaj njësie, komandanti i Brigadës I Sulmuese Mehmet Shehu iu tha luftëtarëve, të cilët nuk dinin gjë konkretisht mbi misionin që u ishte ngarkuar të kryenin. Ai iu kërkoi të shfaqnin mendim rreth vendimit për të vazhduar marshimin luftarak për realizimin e detyrës së ngarkuar. Përgjigja ishte një e vetme: “Të gjithë, të gjithë do të shkojmë!”, “Rroftë Shtabi i Përgjithshëm!”, shkruan Mehmet Shehu librin me “Kujtime nga jeta e Brigadës së Parë Sulmuese”, në vitin 1959. Dhe luftëtarët shkuan më me vrull përpara. Ata iu ngjitën me guxim malit të Shebenikut dhe më 28 shkurt mbërritën në Kasollet e Dragoshtunit. Këtu, organizuan një pushuan prej disa orësh. Ata kishin tepër vështirësi në veshmbathje, ushqime, por deh në armatime. Edhe pse ishin, të pa ngrenë e pa gjumë qysh prej datës 26 shkurt, vazhduan marshimin luftarak dhe çanë rrugën për në drejtim të Qarrishtës, një fshat edhe më i thellë malor i rrethit të Librazhdit. Por më datë 29 shkurt, rreth 600 nazistë gjermanë dhe bashkëpunëtorë të tyre, i goditën forcat e brigadës në Qarrishte. Forca të tjera të armikut, të ardhura nga Librazhdi, kishin zënë grykën e Lunikut dhe donin t’u prisnim rrugën, forcave partizane. Luftëtarët e brigadës luftuan me heroizëm, duke i shkaktuar armikut dëme. Vetë forcat e brigadës pësuar humbje të pakta dhe vazhduan marshimin duke kaluan malin e Letmit. Me luftime në ecje dhe me trimëri shkatërruan pritën që u kishte ngritur armiku në Lunik. Prej këtu zbritën me shpejtësi në rrugën Librazhd-Dibër, dhe në afërsi të fshatit Llëngë, zunë pozicione para se armiku ta zinte. Nga këto pozicione vazhduan marshimin në drejtimin Llëngë-Zabzun-Okshtun-Kaptina-Martaneshit (1700 m lartësi)-Gurabardhë-Shëngjergj. Rrethimi në fshatin Qarrishtë, goditjet që ju bënë gjatë gjithë rrugëtimit dhe në tërësi të gjitha përpjekjet e fashistëve për të shpartalluar luftëtarët e Brigadës I Sulmuese dështuan.

Marshimi ishte një manovër e shkëlqyer
Kur qëllimi ishte arritur dhe luftëtarët e kish përfunduar misionin e ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm, kryen një manovër të shkëlqyer. Forcat e Brigadës përshkuan gjithë krahinën e Pezës, kaluan lumin Shkumbin, zunë mjaft robër në Dumre (rreth 170 xhandarë) dhe, më 20 mars mbërritën në Sulovë. Kështu pas një muaji, batalionet u bashkuan me forcat e tjera të brigadës. Gjatë marshimit luftarak të batalioneve manovra e kryer shkaktoi habi e panik në forcat e armikut. Komanda e Përgjithshme e xhandarmërisë kuislinge, në një qarkore që bënte fjalë mbi informatat e pasigurta që jepnin qarqet dhe rrethet shkruante se rrethi i Lushnjës na njofton, se sot Mehmet Shehu me 500 veta ka hyrë në katundin Rase të Elbasanit. Kurse qarku i Elbasanit në datën 18 të këtij muaji, bazuar në informatat e rrethit të Peqinit, njofton se Mehmet Shehu me çetat e tij i bashkuar me ata të Pezës, pothuaj se 500 veta, janë futur në Çikallesh, Mlikë dhe Kostenjë, të rrethit të Peqinit. Gjithashtu, qarku i Beratit njofton se Mehmet Shehu ka shkuar në Pezë dhe, së bashku me fuqitë e Myslim Pezës, ka qëllim të sulmojë Kavajën ose Peqinin. Çuditemi si Mehmet Shehu brenda dy ditëve të ketë kaluar Shkumbinin me 500 veta, kurse lumi është dhe pakalueshëm, shkruanin njoftimet e degëve të Komandës së Përgjithshme dhe të Xhandarmërisë Kuislinge. Për këtë marshim luftarak të përkryer Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare falënderoi partizanët dhe drejtuesit kryesorë të brigadës, ku në mesazh midis të tjerave, thuhej se Shtabi i Përgjithshëm nënvizon kujdesin e veçantë që komandanti i asaj brigade, Mehmet Shehu, tok me batalionet e Brigadës I Sulmuese ka treguar dhe që, pa marrë parasysh as lodhjen, as pengesat që mund të haste rrugës, por të bindur dhe të disiplinuar si u ka hije partizanëve, të shtyrë nga dashuria e madhe ndaj Shtabit të Përgjithshëm, kanë vepruar në ndihmë të një pjese të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm që ndodheshin në zonat e rrezikshme dhe të përshkuara nga gjermano-ballistët. Në këtë rrugëtim të përshkruar nga luftëtarët e Brigadës I Sulmuese, për vite me radhë shkollat ushtarake, në programet e tyre mësimore, në mënyrë të vijueshme kanë përshkruar këtë marshim. Eksperienca e fituar në këtë marshim luftarak, ka shërbyer për të mësuar dhe edukuar breza të tërë ushtarakësh me këtë përvojë, duke njohur nga pranë terrenin, vendet, njerëzit, bazat, pozicionet etj., si dhe për t’u përqasur sa më shumë me kushtet e luftës. Kjo përvojë dhe traditë ka shërbyer edhe për të kalitur dhe përgatitur kuadrot e ushtrisë, për njohje të terrenit, të kapaciteteve të tij, por dhe për të studiuar traditat luftarake dhe njohur historinë e formacioneve luftarake të UNÇSH.
Sigal