Luftimet e Divizioneve Sulmuese shqiptare jashtë kufijve shtetëror

660
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Divizionet shqiptare në ndjekje të armikut

Tërheqja e Korpusit XXI të ushtrisë gjermane nga drejtimi i ri Podgoricë, Kolashin, Prijepolje, Vishegrad, Sarajevë doli më i vështirë sesa pritej. Ai u pengua shumë nga koha e keqe me shi e dëborë, nga fryrja e lumenjve edhe nga urat e prishura. Por pengesa kryesore u shkaktua nga goditjet e njësive të UNÇSH, gjë që komanda gjermane nuk e kishte llogaritur. Me çlirimin e Shqipërisë, me kërkesën e Komandës së Përgjithshme të UNÇSH dhe me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, Divizionet V-VI të UNÇSH vazhduan ndjekjen e trupave hitleriane në Jugosllavi. Ndjekja e trupave gjermane në Jugosllavi në nëntor të vitit 1944 u parashikua të kryhej në dy drejtime operative. Divizioni VI S do të kryente operacionin mësymës kundër armikut që mbrohej në krahinat e Malit të Zi, ndërsa Divizioni V S në krahinat e Sanxhakut. Realizimi i detyrave luftarake dhe dalja në kohë në vijat e caktuara ndikoi në kryerjen me sukses të operacioneve të divizioneve të UNÇSH në Bosnjën Jugore. Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, në planin e saj operativ kishte parashikuar ndjekjen e forcave të ushtrisë gjermane nga Shkodra në drejtim të Malit të Zi. Më vonë doli çështja e marshimit drejt veriut, Senicë-Vishegrad, në Jugosllavi edhe e njësive të UNÇSH që çliruan Kosovën. Divizioni V dhe Divizionin VI vareshin drejtpërdrejt nga Komanda e Përgjithshme e UNÇSH, por do të kishin lidhje me shtabin e Korparmatës III, me qendër në Shkodër. Në pikëpamje operative dhe të furnizimit me municione, ushqime etj., divizionet shqiptare do bashkëvepronin dhe me njësitë e UNÇ Jugosllave. Më 29 nëntor shtabi i Korparmatës III mori urdhër nga Komandanti i Përgjithshëm, për ndjekje të ushtrisë gjermane në Mal të Zi të shkonte i gjithë Divizioni VI në përbërje të të cilit ishin Br. VI, VII e XXII S. Ndërsa më 4 dhjetor 1944, këtij divizionit ju shtua dhe Br. VIII S, të cilës ju ngarkua detyrë të kalonte menjëherë për veprime luftarake në Mal të Zi.

Veprimet luftarake të Divizionit VI të UNÇSH për çlirimin e Malit të Zi

Në mesditën e datës 29 nëntor 1944 batalionet e Br. VI S kaluan të parat kufirin shtetëror në Hot e në Grudë. Detyra e parë e caktuar ishte shkatërrimi i pikëmbështetjeve gjermane në Medun e Bioçe. Të nesërmen doli në Mal të Zi edhe Br. XXII S (tre batalione), që u ngarkua të sulmonte armiqtë drejt Tuzit. Br. VIII S do të kapërcente kufirin më 8 dhjetor për t’u bashkuar me brigadat e tjera të Divizionit VI. Ditët e para të dhjetorit Br. VI S zhvilloi luftime me armiqtë në verilindje të Podgoricës, ndërsa Br. XXII S në drejtim të Tuzit, në Bozhaj e në Deçiç në juglindje të Podgoricës. Në Medun, në Bioçe e në Deçiç luftimet ishin të përgjakshme. Për Deçiçin e Bioçen u zhvilluan luftime të tjera të rrepta, kurse pikëmbështetjen gjermane në Medun luftëtarët e UNÇSH e shkatërruan, duke i hequr armikut nga duart një nga pikat e rëndësishme për mbrojtjen e Podgoricës. Forcat partizane pas luftimesh të ashpra, më 2 dhjetor 1944 çliruan Tuzin dhe në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, Podgoricën. Forcat e Divizionit VI u hodhën në mësymje kundër trupave armike të Div. 81, dhe pjesërisht të Div. 22 granatier, nga vija që shtrihej në të djathtë të lumit Lin, në drejtim të rrugës Dobrunjë-Vishegrad, në krahun e majtë të Çaçiçit, Drinskos, Poljaniçit, Suagorës. etj. Luftimet në këtë drejtim e detyruan armikun të tërhiqej nga Dobrunji dhe të vendosej në pozitat e fortifikuara të Vishegradit, i ndjekur këmba-këmbës nga forcat partiane, të cilat përparonin me guxim, dhe u përhapën për t’u rreshtuar në frontin e Vishegradit. Lufta për çlirimin e Vishegradit ka qenë nga më të përgjakshmet.

Veprimet luftarake të Divizionit V të UNÇSH për çlirimin e Kosovës dhe të Sanxhakut

Divizioni V ka zhvilluar luftime të ashpra për çlirimin e Kosovës dhe për të ndihmuar fuqimisht forcat partizane jugosllave në çlirimin e Sanxhakut nga pushtuesit fashistë. Në përbërje të këtij divizioni ishin rreshtuan Br. III, V, XXV S. Më 8 dhjetor 1944 shtabi i divizionit, që ndodhej në Prishtinë, mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, që forcat e tij të lëvizin në drejtim të Senicës dhe në bashkëpunim me forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave të ndiqnin forcat armike që ishin në zonë. Përparimi i forcave të Divizionit V në drejtim të Prijepoljes, për të dalë në rrethinat e Pribojit dhe të Vishegradit, e ndante frontin e trupave gjermane në dy pjesë duke i vënë ato në kushte rrethimi dhe asgjësimi. Lëvizja e forcave partizane në këto rrugëkalime u krye në kushte mjaft të vështira të dimrit të ashpër dhe të terrenit malor që i kalonte 1000 m. Vështirësitë shtoheshin dhe më shumë nga mungesa e ushqimit dhe veshmbathja e papërshtatshme që kishin partizanët. Me mbritjen e brigadave të UNÇSH në rajonet e caktuara trupat gjermane e kishin lëshuar Senicën dhe ishin afër Prijepoljes dhe rrugës Prijepolje-Priboj-Vishegrad. Më 18 dhjetor forcat e Br. III dhe V S, u afruan për të zënë vijat e sulmit, por armiku i zbuloi veprimet e forcave partizane. Në orët e para të mëngjesit të 19 dhjetorit një batalion i Br. V S u sulmua nga një batalion hitlerianësh, afër fshatit Halinoviç, në veriperëndim të Senicës dhe papritur u gjend i rrethuar dhe ishte pothuaj në asgjësim. Por, duke ruajtur gjakftohtësinë, komanda e batalionit dhe partizanët mundën të çanin rrethimin dhe më 21 dhjetor, së bashku me një batalion tjetër i sulmuan ushtarët hitlerianë, i thyen ata dhe i ndoqën deri afër Miloshevos, 15 km në juglindje të Prijepoljes. Më 24 dhjetor forcat e Br. III e V S kaluan në sulm të fuqishëm në të gjithë frontin. Përparimi i Br. V S dhe marrja e lartësisë së Bitovnikut prej një batalionit të saj bëri mbylljen e tërheqjes së trupave gjermane në drejtimin Prijepolje-Priboj-Vishegrad. Me këtë u krijua një front i pashkëputur midis brigadave. Në ditët e para të janarit 1945 të dyja brigadat kryen pothuajse çdo ditë sulme kundër pikëmbështetjeve gjermane nga Kashevoja, Izovçiku për në Prijepolje dhe nga Prijepolja kundër pikëmbështetjes dominuese në malin e Bitovnikut, duke e përmbledhur më tej armikun përqark Prijepoljes. Më 10 janar dy brigadat e UNÇSH dhe forca të Divizionit XXXVII të UNÇJ u hodhën në mësymje të përgjithshme mbi armiqtë në Prijepolje. Pas luftimesh të ashpra armiku u thye dhe natën e 10-11 janarit u tërhoq krejt nga qyteti duke lënë dhjetëra të vrarë dbe material të shumtë luftarak. Në mëngjes në Prijepolje hynë partizanët. Ndërkaq Br. V S e ndoqi armikun në tërheqje drejt Vishegradit. Të nesërmen, më 12 janar, ajo çliroi qytetin e vogël Priboj, 25 km nga Prijepolja. Luftimet për çlirimin e Prijepoljes e të Pribojit ishin veprimet e fundit të Divizionit V kundër trupave pushtuese gjermane në Jugosllavi. Më 14 shkurt 1945 forcat e Divizionit VI S hynë në Vishegrad. Qyteti u çlirua. Kujtimi i 350 dëshmorëve që dhanë jetën në luftën e përbashkët për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, do të mbetet i paharruar për popujt. Luftën legjendare që bënë divizionet shqiptare në tokat e Jugosllavisë dhe gjakun që derdhën partizanët shqiptarë, nuk do të mundin ta mohojnë dhe errësojnë, demagogjia e historianëve serb, as shtrëmbërimet pa baza që i bëjnë kësaj lufte disa pseudohistorianët. Populli dhe FA gjithmonë do ta përkujtojnë me krenari luftën e të dy divizioneve tona në tokat e Jugosllavisë. Këto veprime luftarake dhe kjo ndihmë nga luftëtarët shqiptarë ka zënë vend në faqet e historisë së popullit shqiptar dhe të popujve përparimtarë të botë, të cilët bashkëpunuan dhe luftuan kundër forcave fashiste të kohës, ashtu si dhe sot në luftën kundër forcave regresive e që duan të prishin qetësinë dhe paqen botërore.