Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Festat Kombëtare

1248
Sigal

Nga Vilson Haxhiraj

“Popujt që harrojnë historinë e tyre, nuk janë të lirë”

Fransua Miteran

K/ministri Rama shpalli vitin 2018,“Viti i Skënderbeut, i Lidhjes së Prizrenit dhe Kongresit të Manastirit.” Disa vite më parë qeveria e tij financoi sjelljen në atdhe të eshtrave të Eqerem Vlorës, figurë e njohur e viteve 1912-1944. Së shpejti, nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe Institutit “Lumo Skëndo”, pritet kthimi prej ShBA-ve, i eshtrave te Mid’hat Frashërit. Këto veprime të z.Rama, meritojnë të llogariten ndër punët e mira të qeverisë së tij. Ato u shtohen përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë për rivlerësimin e historisë, si reaksion ndaj harresës, shtrembërimit dhe përbaltjes që regjimi komunist i bëri ngjarjeve dhe figurave historike që nuk puqeshin me qëllimet e tij. Falë këtyre përpjekjeve, sot Fishta, Konica, Koliqi dhe dhjetëra personalitete të fushave të ndryshme,kanë zënë vendin e merituar në aktualitetin shqiptar. Por nuk ka ndodhur kështu edhe me ngjarjet e mëdha të historisë kombëtare. Përjashtim bën vetëm Lufta Nacional Çlirimtare. Të tjerat janë dënuar me harresë dhe indiferencë ekstreme. Disa vite më parë, Agim Shehu, poet i njohur, në një artikull kushtuar Luftës së Vlorës, me emërtimin akuzues “Harresa kriminale e një Epopeje të madhe” konsideron harresën e ngjarjeve të mëdha, venitje të identitetit kombëtar, bjerrje të qytetarisë dhe të atdhetarisë.

Për ilustrim, 3 Shtatori i Luftës së Vlorës, u përkujtua në nivel qeveritar ne vitin 2010, në përvjetorin e 90-të të tij. Festimi i mëparshëm daton 30 vjet më parë. Pra 30 vjet harresë, për një nga ngjarjet e mëdha të historisë sonë. Hartimi prej qeverise i një kuadri ligjor, që ngarkon pushtetin lokal me përkujtimin e përvitshëm të këtyre ngjarjeve dhe festimi i tyre në nivel qeveritar, çdo 10 vjet, do të ishte hapi i parë serioz për zgjidhja e këtij problemi të rëndësishëm. Vendimi i qeverisë për festimin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, është pozitiv, por i pa shoqëruar me veprimtari të tjera, ai mbeti formal. 40 vjet më parë,100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, qeveria komuniste e kohës, e përkujtoi me madhështinë dhe dinjitetin që i takonte një ngjarjeje te lavdishme. Konkurset kombëtare në letërsi dhe në artet figurative, festivali folklorik kombëtar, sesioni shkencor i Akademisë së Shkencave, dekorime, të ftuar nga trevat shqiptare dhe diaspora dhe veprimtari te tjera, shoqëruan vitin jubilar 1978. Lidhja e Prizrenit ishte krijesë e ideve të Rilindjes Shqiptare, me synim final, krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Ky koalicion mbarëshqiptar, më i madh se Besëlidhja e Lezhës, do të shpaloste gjatë tre viteve në vazhdim, një aksion madhor politik, diplomatik, ushtarak dhe administrativ. Lidhja u bë zëdhënës dhe interpret i aspiratës kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar të bazuar mbi etninë dhe jo mbi besimin fetar, qe shënon daljen ne skenën evropiane, të nacionalizmit mbrojtës shqiptar, ne dallim nga nacionalizmi agresiv i fqinjëve. Pas katër shekujsh konfrontimi me pushtuesit osmanë, Lidhja kërkoi bashkimin e vilajeteve të Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit, në një shtet autonom shqiptar, si hapi i parë drejt pavarësisë. Lidhja i dha atdheut dëshmorët e parë të çështjes kombëtare, krijoi përvoja të rëndësishme për zgjidhjen çështjeve madhore, rilindi ndjenjën e harruar të krenarisë kombëtare, nxiti veprimtarinë e Rilindjes Shqiptare në fushën e arsimit dhe sidomos të krijimit të domosdoshëm të ideologjisë kombëtare, qe do të konkretizohej me manifestin politik dhe ideologjik të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qene, ç’është dhe ç’do të bëhet. “Lidhja e Prizrenit është djepi i Kongresit të Manastirit, i kryengritjeve dhe e veprimtarive të tjera, që do të çonin në aktin e shpalljes së pavarësisë kombëtare. Me Lidhjen e Prizrenit nis Historia e Re e Shqipërisë, me veçori dalluese, përpjekjet e pareshtura të shqiptarëve për krijimin dhe konsolidimin e shtetit te tyre. Kongresi i Manastirit, qe zgjidhi problemin e alfabeti të gjuhës shqipe, ishte kurorëzim i përpjekjeve shtatëdhjetë vjeçare të Rilindësve, Veqilharxhit, Kristoforidhit, Frashërllinjve, Mjedës, Fishtës, Logorecit, Gjeçovit. Protagonistët e tij, Mid’hat Frashëri, Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Bajo Topulli, Sotir Peci, Shahin Kolonja ishin intelektualë dhe atdhetarë të shquar, faktor që ndikoi shumë suksesin e punimeve të tij. Kongresi i Manastirit vendosi themelet e arsimit dhe të kulturës kombëtare, që është një arritje e jashtëzakonshme për kombin, ndaj Profesor Xhevat Lloshi e konsideron atë, “Kongresi që shpalli pavarësinë kulturore të Shqipërisë.” Koha provoi që caktimi i alfabetit latin prej Kongresit te Manastirit, si alfabet i gjuhës shqipe, ishte një zgjidhje vizionare. Lidhja e Prizrenit dhe Kongresi i Manastirit janë nder ngjarjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare, por faktikisht të pa vlerësuara. K/ministri Rama humbi një rast historik për korrigjimin e kësaj padrejtësie. Shpallja e 10 Qershorit të Lidhjes së Prizrenit “Festë Kombëtare” në marrëveshje me qeverinë e Kosovës, shoqëruar me vendosjen e statujës së Abdyl Frashërit në Tiranë dhe në Prishtine dhe të statujës së Gjergj Fishtës në Tiranë dhe qytetin e Manastirit, do te ishte një vlerësim serioz i këtyre evenimenteve. Por z.Rama nuk është i pari që humb shanse historike. Në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ish k/ministri Berisha shpërdoroi rastin e papërsëritshëm historik, për të vendosur në Tiranë dhe Prishtinë statujat e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit, si figurat simbol të aktit madhor të shpalljes së pavarësisë. Qëndrimet e dy k/ministrave tanë në tri nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit, flasin për mangësi serioze në formimin e tyre atdhetar, cilësi qe e manifeston dukshëm e gjithë klasa politike Shqiptare. Përjetësimi i ngjarjeve dhe figurave të mëdha me memoriale dhe statuja, është tipik për SHBA-në dhe vlen të merret si referencë edhe nga qeveritë shqiptare. Washingtoni, kryeqyteti i shtetit amerikan, është dhe kryeqendra historike e vendit. Tre memoriale kombëtare i dedikohen të rënëve në Luftën e Dytë Botërore, veteranëve të Luftës së Koresë dhe veteranëve të Luftës së Vietnamit.

Memorialet me statujat madhështore të etërve të kombit , Washingtonit, Xhefersonit, Linkolnit, Ruzveltit dhe Martin Luter Kingut, tregojnë nderimin e thellë të shoqërisë amerikane, për njerëzit e tyre të shquar. Varrezat kombëtare të Arlingtonit, më të bukurat në botë, janë rezervuar vetëm për të rënët në krye të detyrës, duke vënë në dukje qartësisht, vlerësimin e privilegjuar për dëshmorët e atdheu. Aplikimi nga qeveritë shqiptare i këtij modeli në qytetin e Tiranës, do të ishte hapi i dytë serioz në rivlerësimin e ngjarjeve dhe të figurave historike. Tirana, kryeqyteti i vendit, është edhe kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve të gjithë botës, që e bën atë qytetin ideal për zbatimin e kësaj strategjie. Kjo kërkon që Tirana të rezervohet vetëm për memorialet e ngjarjeve të mëdha dhe figurave të shquara të kombit, të pa kontestuara, të gjithë pranuara, që fatkeqësisht, deri me sot nuk ka ndodhur. Në të kundërt, mendësia krahinore, subjektivizmi, padituria në njohjen e historisë, mungesa e një kuadri ligjor të përshtatshëm, kanë bërë që në Tirane të kemi statujën e Adem Jasharit, kur ende nuk janë vendosur statujat e Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Nolit, Fishtes, Konices dhe të tjerë kontribuesve të shquar në dobi të atdheut dhe të kombit. Arbitrare dhe e nxituar është edhe vendosja e statujës së Ahmet Zogut. Shtetar me shume merita dhe me shume faje, duket historia nuk e ka thënë fjalën e fundit për të. Deri atëherë duhet pritur dhe jo të nxitojmë për t’i vendosim statujën. Krijimi i një kuadri ligjor të posaçëm për këto veprimtari të pritshme, do të mundësonte një vlerësim të drejtë dhe të denjë të ngjarjeve dhe figurave të mëdha, dhe do të krijonte edhe një hierarki vlerash, të domosdoshme për një shoqëri të qytetëruar. Nderimi i ngjarjeve të mëdha dhe figurave historike, nuk është qellim më vete. Ai është karakteristikë e shoqërive të civilizuara. Historia e shoqërisë njerëzore, është historia e elitave të të gjitha fushave të veprimtarisë shoqërore. Elitat e plazmojnë shoqërinë me personalitetin e tyre, e ngjizin atë me ADN-në dhe identitetin e vet. Elitat përfaqësojnë referencat më të mira të mundshme për edukimin atdhetar të shoqërisë dhe ky edukim, është themeli mbi të cilin ndërtohet infrastruktura shpirtërore e një populli. Nuk ka mirëqenie pa atdhedashuri. Ndaj rivlerësimi i ngjarjeve historike dhe elitave të tyre, në përputhje me të vërtetën historike, është sot pjesë integrale e sfidave madhore të shoqërisë shqiptare.